MEHMET HAJRIZI: FILLIMI DHE ZHVILLIMI I DEMONSTRATAVE TË PRANVERËS 1981 (18)

Pashtriku, 2 tetor 2019:
4.3 Fillimi dhe zhvillimi i ngjarjeve
Njëri nga organizatorët dhe pjesëmarrësit e demonstratës së 11 marsit 1981, Kadri Kryeziu dëshmon se bisedat dhe takimet (jo shumë ilegale) për organizimin e saj kanë filluar në konvikt të studentëve midis Ramadan Gashit, Bedri Deliut, Jonuz Jonuzajt, Gani Kocit, Murat Musliut dhe Kadri Kryeziut. “Diskutime ka pasur edhe me studentë të tjerë, por ky është grupi i cili i ka organizuar demonstratat e 11 marsit ‘81… Ky grup nuk është themeluar, por ne kemi qenë bashkë në dhomën 312 dhe në dhomën 310 të konviktit dhe gjatë bisedimeve kemi shprehur mendimin tonë për problemet me të cilat ballafaqohej populli shqiptar. Ky grup ka qenë shumë transparent, nuk ka qenë grup ilegal…”.1 “Në mbrëmjen e 10 marsit ne i kemi ndarë detyrat mes vete. Qëllimi kryesor ishte që secili prej nesh të njoftojë dhe organizojë sa më shumë studentë që të nesërmen më 11 mars në orën 19:00 të fillohet me demonstrim dhe si motiv për fillimin e tyre ta kemi mensën, përkatësisht kushtet e të ushqyerit aty, ku pritej shumë gjatë për të ngrënë pasi asokohe Universiteti i Prishtinës kishte rreth 50.000 studentë dhe kishim telashe” .2

Ndërkaq, organizatori tjetër, veprimtari Gani Koci thotë: ”Ka pasur përpjekje për të organizuar protesta nga ana e studentëve edhe në dhjetor të vitit 1980, bile më 12 dhjetor ka pasur një protestë të tillë me kërkesat për përmirësimin e kushteve të studentëve…Ne nuk ishim grup i veçantë, por secili veç e veç kishte lidhje indirekte me njerëzit e ndonjërit nga këto grupe…Jemi marrë vesh që kërkesat tona duhet të jenë ekskluzivisht me karakter ekonomik e social, sepse për kërkesat e natyrës politike do të mund të vendosim vetëm pas rrjedhjes së protestës dhe shkallës së masivizimit të saj…200 vetë e lëshojnë mensën dhe dalin në rrugë, pastaj bëhen disa mijëra.3

Shemsi Syla, atëherë student, përmend edhe një protestë tjetër të studentëve, më 1 prill 1980 kundër ngritjes së çmimeve të mensës, kur ishin përmbushur kërkesat nga autoritetet.
Ali Lajçi, student shumë aktiv në demonstrata, më 11 mars kishte hipur mbi një trafo për të mbajtur fjalë, në të cilën sipas dëshmisë së tij ka thënë: “ Ç’është kjo forcë, energji e gjak rinor, ç’është ky vurmak-jepni vurmak!”4
Pas tij kishte folur edhe studenti, Deli Haxhosaj.
Për grupimet e studentëve, si ai i Ali Lajçit, i Bajram Kosumit, i Gani Kocit e Kadri Kryeziut, Lajçi thotë që nuk ishin të organizuara, nuk kishin lidhje me njëri-tjetrin as me organizatat ilegale, kishin vetëm ide të përbashkëta etj.
Demonstrata e 11 marsit ishte më e kufizuar në numër dhe me përbërje kryesisht studentore e me kërkesa të theksuara sociale si: ”Duam kushte”, ”Duam bukë”, “Kushte për studentët” etj. Edhe masat kundër tyre ishin më të përmbajtura dhe selektuese. Regjimit nuk i konvenonte provokimi i zhvillimeve të shkallëzuara, por përfundimi i tyre dhe ruajtja e kuadrit social.
Malush Krasniqi (1955), ish student i Bujqësisë nga Vranoci i Pejës dëshmon për një ngjarje jo shumë të njohur të asaj kohe: “Kam marrë pjesë më 11 mars në demonstratë, kam parë aty Hamdi Hajdinin e Abdullah Tahirin… Disa profesorë në një formë na fyen dhe na thanë: Ju nuk bëtë asgjë, kërkuat kushte e bukë, ndërsa në demonstrata nuk patët as parulla as flamur…Midis 11 dhe 26 marsit kishim një takim në Vranoc të Lugut të Baranit, ku u mblodhën shumë studentë nga Kosova, Maqedonia e Presheva. Me dr. Sali Gashin diskutuam si më tej. Aty ishin edhe profesorët Zhukë Shala nga Shkolla Teknike, Hamdi Hajdini, Gani Balaj, Smajl Shala, Muhamet Pepishi, Din Krasniqi, Beqir Bujupi dhe rreth 70 burra…”. 5
Organi “Liria” ka shkruar: “Edhe pse kërkesat dhe parullat e demonstratës së parë ishin kryesisht me karakter social dhe ekonomik, ajo u cilësua si armiqësore dhe jo vetëm që nuk u përfillën fare kërkesat e studentëve, jo vetëm që nuk u mor asnjë masë për përmirësimin e gjendjes së tyre, por ndaj demonstruesve u përdor dhuna policore. Kjo dhe arrestimet që u bënë, e shtuan edhe më shumë pakënaqësinë dhe revoltën e studentëve, e cila shpërtheu me forcë e vendosmëri edhe më të madhe në demonstratën e 26 marsit. Studentëve në këtë demonstratë iu bashkua edhe një numër jo i vogël i punëtorëve, nxënësve dhe qytetarëve të tjerë. Përveç parullave të mëparshme, në përgjithësi ekonomike e sociale, kësaj here u ngritën edhe kërkesa dhe parulla politike. Demonstrata e 26 marsit ishte më popullore dhe mori edhe më shumë karakter politik”.6
Natën e 25 marsit bëhen përgatitjet për demonstratën e 26 marsit. Kadri Kryeziu ka deklaruar: “Grupi ynë nuk ka qenë organizator i demonstratave të 26 marsit, ato i ka organizuar Ali Lajçi me të tjerë…Pas 26 marsit tjetërkush i ka organizuar dhe udhëhequr demonstratat…”.7 Malush Krasniqi dëshmon: “Gjatë tentimit të arrestimit të Aliut, më 25 mars mbajti një fjalë Xun Çeta.
Për 26 mars morëm detyra: Konviktin nr. 1 e morëm në përgjegjësi unë, Bajram Kosumi, Abdullah Tahiri, Hamdi Hajdini, Rifat Blakaj, Din Krasniqi, Beqir Bujupi, Ahmet Ahmeti, Metush Krasniqi etj., nr. 2 Ramë Demaj me shokë, nr. 3 Ali Lajçi, Riza Demaj me shokë, nr. 4 Mehmet Bala.
Të nesërmen flamurin në demonstratë e bartte studenti Aziz Morina nga Dushanova”.8
Demonstrata e 26 marsit kishte marrë shkas ardhjen në Prishtinë të stafetës së Titos, e cila tradicionalisht bartej nga të rinjtë për ditëlindjen e supozuar të tij. Studentët kishin për qëllim ta prishnin manifestimin në formë spektakli politik që organizonte regjimi në qendër të qytetit. Studentët demonstrues patën atë ditë një takim në ambient të hapur me përfaqësues të strukturave politike dhe arsimore, si Azem Vllasi, Sanije Hyseni, Pajazit Nushi e Gazmend Zajmi. Një tekst me kërkesa, të përgatitur nga protestuesit e kishte lexuar studenti Riza Demaj, kurse Ali Lajçi, kishte folur për historinë e pushtimit të Kosovës, gjendjen e saj, aspiratën e bashkimit me Shqipërinë, por si nevojë imediate për Republikën e Kosovës të barabartë me të tjerat. Ai kërkoi që këto kërkesa të përcillen tek udhëheqja, ndryshe do të protestohej, por sipas dëshmisë së vetë Aliut, Azemi aty për aty i cilësoi armiqësore kërkesat. Teuta Hadri, pjesëmarrëse e kësaj demonstrate shton se Azemi i quajti elementë të infiltruar demonstruesit dhe iku i kërcënuar prej tyre.
Ndërhyrja e rreptë e policisë e shndërroi protestën në revoltë që shpejt mori karakter masiv. Parullat dhe thirrjet tashmë nuk kufizoheshin në kushtet e jetesës së studentëve, por në gjendjen e robëruar të Kosovës dhe në avancimin e statusit të saj në Republikë. Atë ditë kishte rënë në sy e reja Trëndelina Labënishti, nga një familje patriotike në Ladorishtë, e cila me besë të mos e dorëzonte flamurin që ia kishin besuar, mbështillet me të për ta mbrojtur nga policët grabitës.
Në orët e mbrëmjes ndërhynë brutalisht forca komando të ardhura nga Beogradi, duke rrahur, torturuar dhe arrestuar studentët edhe brenda konvikteve. Te “Liria” shkruhej: “Krerëve tradhtarë të Kosovës iu dukën pak gjithë ajo mizëri e zezë policësh dhe agjentësh të armatosur që u hodhën mbi demonstrues, iu dukën pak edhe repartet e ushtrisë që ishin vënë në gatishmëri dhe kërcënonin demonstruesit edhe me aeroplanë, por thirrën edhe njësi të policisë speciale të Beogradit, për të shfryrë mllefin e tyre shovinist mbi rininë tonë, mbi vëllezërit dhe motrat tona. Dhe xhelatët “udbashë” të Rankoviqit e treguan veten dhe kënaqën jo vetëm vojvodët e tyre në Nish e Beograd, por edhe krerët kuislingë në Kosovë. Në mënyrë të poshtër e tinëzare, këta kriminelë sulmuan studentët tanë të pambrojtur, kur këta ishin shpërndarë dhe ishin kthyer në konvikte, u hodhën gazra lotsjellëse, trullosëse e helmuese, dhe pastaj u hodhën mbi ta si egërsira dhe bënë masakër të vërtetë. Xhandarët e Beogradit thyenin dyer e dritare të konvikteve, rrihnin egërsisht secilin që gjenin përpara (madje edhe ata pak studentë që nuk kishin mundur t’u bashkoheshin shokëve të tyre), fyenin e shanin në mënyrën më të poshtër jo vetëm motrat dhe vëllezërit tanë studentë, por fyenin e shanin gjithë popullin shqiptar, shanin nënën shqiptare…Rrugaçët e Beogradit shkuan deri atje sa të thyejnë dollapët dhe të plaçkitin edhe ato pak para e plaçka që kishin lënë studentët në dhomat e tyre. Qindra studentëve të gjymtuar e të lënduar rëndë, jo vetëm që nuk iu dha ndihma e nevojshme mjekësore, por ata u dërguan ashtu siç ishin drejt e në çeli, ku u rrahën e u torturuan përsëri në mënyrë shtazarake”.9
Reprezaljet e mbrëmjes së 26 marsit vetëm sa e sensibilizuan edhe më shumë popullin shqiptar dhe e bënë që të zbriste i tëri në rrugë në ditët vijuese.
Autoritetet zyrtare, jo vetëm i injoruan kërkesat e demonstruesve, por i shkallëzuan represionin, dhunën e egër dhe arrestimet.
Më 1, 2 dhe 3 prill tërë Kosova ishte në këmbë, por edhe në tym e flakë. Demonstruesit vërshonin si lumenjtë rrugët e rrugicat, duke u vetorganizuar dhe duke marshuar drejt qendrave të qyteteve.
Në Prishtinë, më 1 prill efekt të fuqishëm bënë punëtorët e Ndërmarrjes Ndërtimore “Ramiz Sadiku”, të cilët lëshuan kantierin në lagjen e Lakërishtës dhe të organizuar hynë në qendër të qytetit. Punëtorët e Termocentralit në Kastriot (ish Obiliq), duke filluar nga ata të Minierës së Thëngjillit e ndërprenë punën dhe shumica prej tyre u nisën këmbë drejt Prishtinës, rrugëtim ky që njihet si “Marshi i punëtorëve”.10 Nga Qendra e Studentëve derdheshin radhët studentore, kurse në rrugë të tjera hynin nxënësit dhe qytetarët e ndodhur rastësisht aty. Dyqanet u mbyllën dhe tregtarët e zejtarët dolën gjithashtu në rrugë. Në orët e pasdites qendra e Prishtinës kishte mbledhur disa dhjetëra mijë demonstrues.
Asnjë organizatë nuk kishte rolin ekskluziv të organizimit të demonstratave, por veprimtarët e tyre, aty ku ndodheshin merrnin rolin prijës të masave ose mbanin fjalë improvizuese të mbështetura në përmbajtjen e shtypit klandestin të kohës. Para masës demonstruese në qendër të Prishtinës, më 1 prill 1981 veprimtari Hydajet Hyseni mbajti fjalë dhe orientoi demonstratën, duke theksuar rolin historik të demonstratave të vitit 1981, problemet sociale, pozitën kolonialiste, karakterin çlirimtar të Lëvizjes dhe duke kërkuar kundërshtimin e gjendjes së rëndë, dënimin e dhunës e terrorit mbi demonstruesit, brohoritjen e parullave, sidomos “Kosova-Republikë”, lirimin e të burgosurve, rregull në demonstratë, pa dëme, pa eksese etj.11
Prishtina buçiste nga thirrjet e fuqishme të demonstruesve: “Punëtorë, studentë dhe fshatarë, jemi një e të pandarë!”, “Bashkim”, “Kush s’bashkohet është tradhtar”, “Të gjithë shqiptarët jemi një”, “Kushte për studentët”, “Kushte për punëtorët”, ”Çmimeve stop”, “Duam punë”, “Ktheni kurbetçinjtë”, “Mjaft shtypje e shfrytëzim”, “Poshtë robëria – rroftë liria”, “Lironani shokët”, “Kërkojmë llogari”, “Trepça është jona”, “Trepça eksploatohet, Beogradi ndërtohet”, “Kosova është jona”, “Kosova – kosovarëve”, “Kosova – Republikë”, “Nuk duam tanke, duam Republikë”, “Policë të huaj, shkoni në shtëpinë tuaj!”, “Vetëvendosje-Republikë”, “Republikë-Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”, “Duam vetëvendosje”, “Duam barazi”, “Jemi shqiptarë, s’jemi jugosllavë”, “Të burgosurit kosovarë të kthehen në Kosovë”, “Punë e luftë natë e ditë që të shohim pakëz dritë”, “Duam të drejtat tona”, “Rroftë Shqipëria”, “Lavdi marksizëm-leninizmit”, “Poshtë tradhtarët” etj. Shumë nga parullat thirreshin fillimisht nga militantë të organizuar, të cilat përsëriteshin me zë të fortë nga masa edhe në ditët vijuese. Bukur është thënë që zëri më i fortë është zëri i popullit që kërkon liri.
Më 2 dhe 3 prill demonstratat qenë shumë më masive, duke u kthyer në kryengritje popullore, por patën edhe bilanc tragjik, sepse Beogradi dërgoi në Kosovë dhjetëra mijë forca, të shoqëruara nga artileria e rëndë, për të vënë në zap një popull të tërë, i cili në rrugë po kërkonte të drejtat e veta legjitime. Trupa të ushtrisë jugosllave e kishin vërshuar Prishtinën dhe qytete të tjera, duke zënë pozita në çdo rrugë e rreth secilit objekt institucional. Forcat ushtarake të vendosura në objektin e Bankës Popullore të Kosovës (sot selia e Kryeministrisë), rreth orës nëntë të paradites shtinë me armë dhe vranë dy nga organizatorët e demonstratës në qendër të Prishtinës, veprimtarët e OMLK, Naser Hajrizin dhe Asllan Pirevën. Demonstruesit u dëbuan nga qendra dhe të shpërndarë në tërë qytetin, vazhduan rezistencën deri në mbrëmje vonë, kur u shpall shtetrrethimi. Prishtina më 2 prill kishte pamjen e luftës, me qindra mijë demonstrues, barrikada prej objekteve të ndryshme, si qoshqe të rrokullisura, makina të djegura, furgona, autobusë etj., me tanke që me uturimë përshkonin rrugët e qytetit, aeroplanë “Mig” të cilët fluturonin mbi çati dhe me të shtëna rafal, bomba që kishin ngritur shtëllunga tymi deri në qiell. Rrugëve nga kalonin demonstruesit, plaka të moshuara dhe vajza të reja dilnin nga deriçkat për t’u nxjerrë atyre bukë dhe ujë…
Gazeta “ Zëri i Popullit” e Tiranës, më 9 qershor 1981, sillte pjesë nga ditari i studentit italian, Demetrio Delifera në Universitetin e Prishtinës, të botuar më parë në revistën “Espresso”, ku gjejmë edhe këto përshkrime për ngjarjet dramatike në Kosovë: “Natën e 11 marsit studentët e UP kishin vendosur të organizonin një manifestim të bazuar kryesisht në tri kërkesa: E drejta e studimit, çështja e teksteve, kushtet e jetesës.
Universiteti i Prishtinës, kryeqytet i Krahinës Autonome të Kosovës, me shumicë etnike shqiptare, me 37.000 studentë, është i treti në Jugosllavi…
Më 26 mars, në Prishtinë, disa mijëra studentë dolën duke valëvitur një flamur të madh kombëtar shqiptar…por policia ndërhyn me forcë, rrethon studentët dhe ndalon vargun e demonstruesve. Të rinjtë thërrasin: ‘Lironi shokët nga burgu’, ‘nuk duam krahinë autonome’, ‘Rroftë Republika e Kosovës’… Në Prishtinë u dukën papritur reparte të dërguara nga Beogradi me avion. Hidhen mbi turmën qindra bomba lotsjellës e dëgjohen shpërthime të shumta që shtohen vazhdimisht. Policët serbë janë të veshur me xhaketa mbrojtëse kundër plumbave. Në ndonjë rast u dukën grindje brenda forcave të rendit, d.m.th., ndërmjet policëve vendas, që janë shqiptarë dhe atyre të ardhur nga Beogradi. Disa nga policët vendas mbrojnë demonstruesit nga goditjet e të tjerë përpiqen të çaktivizojnë bombat lotsjellëse. Kjo grindje midis policëve përfundon duke arrestuar disa policë shqiptarë. Në mbrëmjen e datës 26 mars numërohen disa qindra të plagosur. Me qindra janë edhe të arrestuarit.
…Më 1 prill, mbasi diskutuan gjithë mëngjesin, punëtorët e ndërtimit të kantierit ‘Dardania’, në periferi të qytetit vendosën të organizojnë një marshim për të kërkuar lirimin e studentëve… numri i demonstruesve ka arritur në 30-40 mijë… Në mbrëmjen e datës 1 prill, Këshilli i Republikës së Serbisë, nga i cili varet administrativisht Kosova, vendos shtetrrethimin …reparte të ushtrisë popullore jugosllave dërgohen për të pushtuar selinë e televizionit e të radios, të gazetave dhe të gjitha zyrat shtetërore. Por vendosmëria e demonstruesve është marrë vesh në të gjithë qytetin dhe në mëngjesin e 2 prillit rrugët u mbushën përsëri me grupe që valëvitnin flamuj shqiptarë.
Në orën 11:00 ndërhynë tanket. Katër avionë ushtarakë fluturojnë ulët mbi çatitë dhe rrugët për të krijuar panik. Policia e përforcuar përpiqet të ndalojë grupet e ndryshme të demonstruesve për t’u bashkuar. Por atë mëngjes, tashmë i gjithë qyteti është nëpër rrugë. Asnjë nuk ka shkuar në punë. Demonstruesit marrin zjarr. Në mesditë dy tanke digjen. Shisheve me benzinë të demonstruesve policia u përgjigjet me plumba. Tetë të vrarë, midis tyre dy fëmijë bien mbi asfalt. Tanke të tjera dhe autoblinda thirren nga Maqedonia dhe aeroporti pushtohet nga parashutistët, por demonstrata nuk shpërndahet, pjesëmarrësit në të ribashkohen pas çdo sulmi. Nga një fabrikë buke afër qytetit vijnë kamionë të mbushur plot për t’u dhënë bukë atyre që tashmë janë bërë luftëtarë… Tashmë edhe demonstruesit janë armatosur. Kush ka pushkë e merr në rrugë dhe e përdor. Nga pala kundërshtare, e përbërë nga ushtarë dhe policë, duket edhe ndonjë civil serb. Njëri prej tyre, që me sa duket, ka vrarë një demonstrues, ndiqet deri në shtëpi. Turma i vë zjarrin shtëpisë”.12 Kurse ”Liria” shkruante: “Më shumë se kaq nuk mund të bënte Jugosllavia e Titos, nuk ka bërë as Jugosllavia e krajlëve, nuk ka bërë as Gjermania e Hitlerit, nuk po bën as Kili i Pinoçetit. Por as këto masa fashiste nuk e trembën popullin e pamposhtur të Kosovës kreshnike dhe rininë e tij të kuqe. Ata që kishin menduar se me tanke e aeroplanë mund t’i frikësojnë bijtë e shqipes, u mashtruan keq. Ajo që ndodhi më 2 prill, duhet të jetë mësim i mirë për çdo armik dhe tradhtar. Në Prishtinë dhe në shumë qytete të Kosovës, atë ditë punëtorët nuk dolën në punë, nxënësit nuk shkuan në mësim por dolën masivisht në demonstrata të reja, u ngritën barrikada forcave të ushtrisë dhe të policisë armike dhe u përleshën me to me heroizëm të paparë. Në këmbë ishte i madh e i vogël. Përballë tankeve e mitralozave, populli tundte grushtin e tij të fuqishëm. Pothuajse të gjitha dyert e shtëpive ishin të hapura për bijtë e nënave. Dora e madhe e popullit u sillte vazhdimisht bukë e ujë luftëtarëve të tij. Infermierë dhe mjekë mantel dhe zemërbardhë të spitalit të Prishtinës u sillnin pa ndërprerë ushqime, fasha e barna demonstruesve, u mjekonin dhe u lidhnin plagët trimave dhe trimëreshave… Kishin arsye ata oficerë e ushtarë të huaj që kapnin kokën dhe fërkonin sytë. Bijat e bijtë e Kosovës kreshnike, duarthatë po zemërzjarrtë, ua hapnin gjoksin plumbave të armikut, hidheshin edhe mbi tanke. Djemtë petritë të Kosovës dhe vajzat e saj shqiponja, e veshën përsëri xhamadanin e Mic Sokolit, Selam Labit dhe Vojo Kushit, i treguan edhe një herë botës se vërtet të gjithë shqiptaret e shqiptarët janë Shotë Galica e Mic Sokola”.13
Gjatë dy ditëve të 2 dhe 3 prillit, forcat policore dhe ushtarake shtinë me armë zjarri në masë duke vrarë në Prishtinë, Ferizaj dhe Vushtrri tetë dhe duke plagosur rreth një mijë demonstrues. Demonstrata të fuqishme u organizuan edhe në qendra të tjera, si Mitrovicë, Vushtrri, Ferizaj, Gjakovë, Drenas, Prizren, Pejë, Kaçanik, Therandë, Kastriot, Besianë (Podujevë), Lipjan, Viti, Deçan, Burim (Istog) etj., dhe në pothuaj të gjitha lokalitetet e Kosovës. Më 18 maj, studentët sërish demonstruan në Prishtinë, me ç’rast autoritetet e mbyllën Universitetin. “Liria” shkruante: “Rinia revolucionare e Kosovës edhe kësaj radhe nuk i duroi hordhitë shoviniste të marrin nëpër këmbë nderin dhe dinjitetin kombëtar, të shkelin në vatrat tona dhe të çnderojnë motrat dhe nënat tona. Ajo u prek në sedër nga veprimi i poshtër pabesë i çetnikëve të Beogradit në konviktet e studentëve më 26 mars. Ajo u përlesh fytafyt me komandosët specialë të policisë së huaj, të ardhur këtu për të shfryrë dufin prej shovinistëve të pashiqëve, mihajlloviqëve e herleviqëve mbi popullin tonë të pafajshëm. Nga kjo përleshje me hienat shoviniste, të cilët bënë terror të zi, masakrim e persekutim në masë, u plagosën, u vranë e u burgosën mijëra të rinj kosovarë, lulja e rinisë sonë heroike…
Nga terrori i zi vdiqët ju, o trima. Ju që dhatë jetën për të drejta e liri, populli nuk do t’ju harrojë kurrë. Ju nuk e gëzuat edhe këtë pranverë të mbushur me plot ngjarje e me plot vlime revolucionare.
Ju, dëshmorë, ratë në fushën e nderit, aty ku ju ftoi atdheu. Ju ratë duke u përleshur me policë të shumtë, me bajonetat bombat helmuese e automatikët e tyre. Ju ratë duke u përleshur me ushtarë të huaj, me tanket e mitralozat e tyre…
Ju, vëllezër e motra të rënë, ishit të ndërgjegjshëm për sakrificën që bëtë, dhe ia falët atdheut jetën tuaj të re. Për atdheun e popullin ju flijuat jetën tuaj ende të pashijuar, trupin tuaj ende të njomë. Dhe populli kurrë nuk do t’ju harrojë. Ai , për ju do të thurë këngë, do t’ju ngrejë lavdi.
Ju, shqiponja të lirisë, nuk keni vdekur. Në shpirtin dhe zemrën e popullit tonë martir do të qëndroni përgjithmonë.
Ju, trima të vatanit do të radhiteni, në listën e gjatë të dëshmorëve të popullit, duke gëzuar kështu kurdoherë respektin e thellë të këtij populli që ju lindi e ju rriti. Populli kurrë nuk do të shkelë mbi gjakun tuaj të shtrenjtë. Ai mbi gjakun tuaj do të ndërtojë kalanë e madhe të lirisë. Gjakun tuaj të shtrenjtë do ta marrë populli, hakun tuaj do ta paguajë shtrenjtë armiku gjakatar e i pabesë. Mbi gjakun tuaj tani po shkel vetëm një grusht i vogël tradhtarësh e shërbëtorësh të të huajve, të cilëve ndër deje u rrjedh gjak i fëlliqur dhe qelb tradhtari. Qelbanikët janë ata që do të marrin mallkimin e popullit e të atdheut, janë ata të cilëve populli u fal vetëm një gjë-plumbin.
Është turp i madh përpara popullit e atdheut, të jesh tradhtar!
…Rrugët e qyteteve e të fshatrave tona u skuqën edhe një herë me gjakun e bijve më të mirë të kësaj toke, u vaditën me gjakun e bijve më të shtrenjtë, me gjakun më të ri.
Gjaku juaj i pastër o shokë dëshmorë siç thotë kënga popullore, “ra në tokë me mbi përsëri”. 14
VIJON …
_________
Fusnotat:
1 Kadri Kryeziu, Epoka e re, intervistë, 18 mars 2006 f.10:
2 Kadri Kryeziu: “Zëri”, 8 mars 2006, f. 7
3 Gani Koci: 25 vjet të Pranverës kosovare ’81, Zëri 8-10 mars 2006
4 Ali Lajçi: Intervistë në Zëri, 13 maj, f. 8
5 Malush Krasniqi te “Zëri” 22 mars 2006 f.10
6 Lufta e popullit tonë është e drejtë dhe do të triumfojë, Liria nr.3, maj 1981
7 Kadri Kryeziu: Intervisë te “Zëri”, 8 mars 2006
8 Malush Krasniqi te “ Zëri” 22 mars 2006 f.10
9 Lufta e popullit tonë është e drejtë dhe do të triumfojë, Liria nr.3, maj 1981
10 Sylejman Krasniqi: Marshi i Bellaqevcit 1 prill 1981, Epoka e re, 3 prill 2007 f.9
11 Hydajet Hyseni: Intervistë te “Zëri”, 25- vjetori i Pranv kosovare 16-18 mars 2006, f.8
12 Shtypi botëror rreth ngjarjeve në Kosovë, “ 8 Nëntori”, Tiranë, 1981 f. 42-49
13Lufta e popullit tonë është e drejtë dhe do të triumfojë, Liria nr.3, maj 1981
14 Lavdi ju o trima, që ratë për atdhe “Liria” nr. 6, dhjetor 1981
________________
MEHMET HAJRIZI: DEMONSTRATAT E VITIT 1981 (17)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9077

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura