SHANI BERISHA: KUR DHE SI E NJOHA XHAVIT HALITIN – ZEKËN

Prizren, 12. 09. 2015: E kaluara historike e popullit shqiptar ndër shekuj ishte e mbushur me ngjarje e përpjekje të vazhdueshme të gjeneratave për liri e pavarësi. Personalisht jam njëri nga ata që i takoj gjeneratës së këthesës së madhe të popullit tonë, e njohur në histori si gjeneratë e Demonstratave Studentore të vitit 1981. Viti 1981 padyshim që në historinë e popullit shqiptar të Kosovës (e më gjërë) do të mbetet si vit i kthesës dhe orientimit pozitiv e këmbëngulës për çlirimin e Kosovës.
Si pjesëmarrës aktiv i këtyre demonstratave dhe si anëtar i një organizate ilegale politike të asaj kohe, në 15 tetor të viti 1981 burgosem dhe pas një procesi gjyqësor (më 7 – 8 janar 1982) më dënuan me tre vite burg.
Pas plotëfuqizimit të aktgjykimit të shkallës së parë nga gjykata e shkallës së dytë (të KSAK), si shumica e të dënuarëve më transferuan në burgje të ndryshme të ish-Jugosllavisë. Rruga nga burgu i Prizrenit e deri në burgun famëkeq të Gospiqit në Kroaci, për aq sa ishte e gjatë ishte edhe e mundimshme. Pas qëndrimit tetëmujor në këtë burg në vjeshtën e viti 198 më transferuan, në burgun tjetër shumë më famëkeq të asaj kohe, siç ishte burgu i Staragradishkës. Këtu, përveç që e takova bacën Adem (Demaçin) e shumë të burgosur tjerë politik shqiptarë, u takova dhe u shoqërova në veçanti me Xhavit Halitin. Në ditët e para, Xhaviti në stilin e vet çfarë e ka edhe sot, ishte i heshtur, fjalë pak, me sjellje shumë të kujdesshme dhe i kulturuar me shokë.

– Xhavit Haliti (Zeka) –

Pas daljes nga burgu në tetor të 1984, kuptova se për një kohë Xhaviti ishte strehuar në një pikë të ilegales në Prizren në lagjen e nënkalasë.
Pas vitit 1985, Xhavitin e gjejmë si emigrant politik në shtetin e Zvicrës, ku roli i tij në këtë kohë, në unifikimin dhe organizimin e faktorit politik shqiptar ishte shumë domethënës.
Komunikimi dhe vazhdimi bashkëpunues me Xhavitin ishte si çdo ecje e bashkëpunimit politik ilegal për lirinë e atdheut, në mes të njerëzve të lidhur nga besimi i krijuar në ditët më të vështira të jetës.
Në vitet 1986/87, Xhaviti ishte njëri nga anëtarët më me ndikim në kuadër të LPRK-së, organizatë kjo që në vitet e ardhshme do jetë themeluesja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në qytetin e Prizrenit mbaja kontakte të karakterit politik me Xhavitin, tani më me pseudonimin “Zeka”.
Pas viteve 1990, për shkak të përndjekjeve politike u detyrova që të emigroj në shtetin e Zvicrës dhe kontaktet e mia me Xhavitin kanë qenë të rregullta dhe me detyra konkrete.
Në vitet 1996/97, tani më me instruksionet e Zekës, edhe në Komunën e Prizrenit u themeluan celulat e para të UÇK-së.
Kontributi përkrahës i këtij personaliteti në formimin, zhvillimin dhe shtrirjen e UÇK-së në Komunën e Prizrenit edhe në vitet 1998/99 ishte e do mbetet i madh.
***
Vitet e pas luftës na gjetën së bashku në një subjekt politik në PDK. Atëherë ishte bindja ime se e tërë ajo që kishte ndodhur në të kaluarën, në kuptimin e bashkëpunimit e besimit politik, nuk kishte pse të mos vazhdohej edhe në kohë paqeje. Kam besuar dhe nuk kisha dyshime, se me ata të cilët u njoha dhe bashkëpunova në momentet më të rënda të jetës sime, duhej që edhe më tutje të vazhdohet me betejat e ardhshme politike për të mirën e atdheut, por për fat të keq nuk ndodhi ashtu.
– Sot e shumë vite, me shpirt e zemër jam i thyer për mënyrën se si është duke u ndërtuar shteti ynë, për të cilin u bënë shumë përpjekje e sakrifica nga djemt e vajzat e Kosovës.
– Sot e shumë vite të kaluara, shoh dhe përjetoj çdo ditë, veprimet e disave që pamëshirshëm shkelin dhe baltosin mbi të kaluarën dhe të ardhëmen tonë.
Përkundër kësaj edhe sot vazhdoj të kem konsideratë të paluhatshme për të kaluarën e angazhimin politik e diplomatik të Xhavit Halitit, për lirinë e atdheut, që pa dyshim mund të konsiderohet si ambasador i parë, që krijoi ura bashkëpunimi me diplomacinë ndërkombëtare për çështjen e Kosovës.
– Pas kaq shumë vitesh do të dëshiroja që Xhavit Haliti të mbetet ashtu qysh e njoha nëpër vite e dekada, por sot nuk jemi më, në të njëjtin organizim politik dhe madje as kafe nuk kemi pirë bashkë, për shkak të ndryshimit të koncepteve mbi ndërtimin e shtetit tonë.
Së fundmi…
– Dua të besoj se, një ditë Xhaviti do të flasë, sepse ka çka për të thënë dhe se nuk mund të heshtë në pakufi për degradimin që është duke i ndodhur shtetit tonë.
– Dua të besoj në të vërtetën (!) dhe se të gjithë ata që po poshtërojnë e po shkelin mbi mundin e të tjerëve, në emër të një fitoreje politike, do ta kenë një fund, e fundi i tyre do jetë i dhimbshëm e tragjik.
O Zot, pak mëshirë për këta keqbërës e keqpërdorues të fitores e të lirisë së atdheut tonë!!!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura