SHEMSIE ELSHANI: NJË FLETË NGA MONOGRAFIA IME NË DORËSHKRIM!

Bern, 15. 03. 2015 – Sot, nëse do të hidhja për një çast tej modestinë, do të thosha se, nëse kam arritur tashmë ta ndërtoj historinë vetjake, këtë e kam arritur pikërisht në ‘frontin e luftës’ kundër patriarkalizmit në shoqërinë tonë. Pas sa vitesh, kur ky sistem do të bie komplet, dhe të lind një brez i ri, pa këto shtërngesa, pa dyshim, se, kjo ‘lufta’ ime ka për t’u vlerësuar. Uroj që kjo ditë të vijë sa më shpejtë, jo për të mirën time, por për të mirën e Kosovës.
***
Jam lindur dhe rritur në një familje shkollarësh dhe lexuesish, ku bisedat për çlirimin e atdheut, për Shqipërinë, për bashkimin, për patriotët e për historinë shqiptare, ishin pjesë e përditshmerisë, e jetës. Sidoqoftë, viti 1979 shënon vitin kur unë u bëra pjestare e njërës prej celulave politike ilegale në Therandë. Viti 1981 solli ndryshime të mëdha, si në rrafshin shoqëror, ashtu edhe në atë politik të Kosovës. Ky vit me gjithë ngjarjet e mëdha që ndodhën, ndryshoi edhe jetën time e të shoqeve e shokëve të mi. Shumicën e rrethit shoqëror, na arrestuan dhe na përplasën nëpër burgje, duke na dënuar me vite të rënda burgu. Si e re që isha, mbajta 1 vit e gjysëm burg.

Kjo periudhë la vulën e saj në rrjedhën e jetës sime. Edhe pas kësaj, për mua nuk kishte ndonjë kufi të qartë ku fillonte dhe ku përfundonte veprimtaria patriotike. Ajo ishte bërë e natyrshme, ishte shndërruar në frymëmarrje. Përkundër kësaj, edhe familja ime, si shumë familje të tjera të atij ambienti, pavarësisht se të gjithë me arsim të lartë, fatkeqësisht, nuk dilte dot përtej patriarkalizmit tradicional. Falë zhvilllimit tim ndryshe, arrita ta kapërcej këtë mantalitet, duke thyer shumë norma dhe paragjykime, të cilat edhe sot më ndajnë nga shumë shokë e shoqe të mija, me të cilët dikur na lidhte ideali i lirisë së atdheut.
Sot, nëse do të hidhja për një çast tej modestinë, do të thosha se, nëse kam arritur tashmë ta ndërtoj historinë vetjake, këtë e kam arritur pikërisht në ‘frontin e luftës’ kundër patriarkalizmit në shoqërinë tonë. Pas sa vitesh, kur ky sistem do të bie komplet, dhe të lind një brez i ri, pa këto shtërngesa, pa dyshim, se, kjo ‘lufta’ ime ka për t’u vlerësuar.
Uroj që kjo ditë të vijë sa më shpejtë, jo për të mirën time, por për të mirën e Kosovës. Unë nuk dija gjë për këto raporte patriarkale, të cilat ndërtonin jetën shoqërore në Kosovë, e që ngriheshin mbi mohimin total të të drejtave të gruas si subjekt shoqëror, dhe që do të shkilnin pastaj pamëshirshëm edhe mbi lirinë time.
Ishte Ukshin Hoti ai, i cili ma bëri të qartë këtë dukuri. Ishin shkrimet e tij, shkrime këto të cilat mediat shqiptare atë botë hezitonin t`i botonin, në përjashtim ‘Doruntinës’ në Shkup, që e drejtonte i ndjeri Fadil Bekteshi, ndërsa unë gëzoja privilegj të veçantë, t’i lexoja që në dorëshkrim. Andaj sa herë bie fjala për lirinë e Kosovës, unë nënkuptoja luftën time të vështirë e të mundimshme, me shumë trauma, kundër shtypjes patriarkale në Kosove dhe lirinë time nga kjo shtypje, ku padyshim përkrahja e Ukshin Hotit ishte e pakursyer dhe e padiskutueshme.
Që nga ajo kohë nuk arrita dot të identifikohem me asnjë forcë politike, asociacion, segment a shoqatë kulturore, si brenda dhe jashtë atdheut, por u rreshtova pas ideve të Ukshin Hotit, të këtij burrshtetasi të Madh të Kosovës, i cili edhe sot vazhdon të jetë udhëheqës shpirtëror e politik në angazhimet e mia për liri, si dhe udhërrefyes në formimin tim intelektual.
Përpjekjet e mija për ta senzibilizuar atë në rrethe të caktuara shoqërore, sidomos në ato mjedise ku arrija të kisha ende qasje, si LPRK’në (LPK’në), konsistuan të dështuara, për të mos thënë që isha bërë e neveritshme. Edhe sot mendoj që për humbjen e tij, një pjesë e madhe e përgjejgësisë i bie udhëheqjes së kësaj organizate, e mbytur nga dogmatizmi politik dhe fryma sektariste.
Meqë jam idhtare e mendimit politik të Ukshin Hotit, konceptit të tij për lirinë, pa hezitim themë që liria në Kosovë ende nuk ka ardhur; lufta për lirinë e vërtetë veç sa ka filluar. Liria ka kuptim vetëm nëse vihet në shërbim të jetës së njerëzve, në zhvillim dhe rritje të tyre përpara edhe personale. Kjo liri që kemi sot, është shndërruar në monopol privat, dhe si e tillë është e dedikuar të vdes, të humbet, nëse nuk i dalin zot idhtarët e vërtetë të saj, brezi progresist që po lind.

…………………………………………..
(Ilustrimin e përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura