SHERADIN BERISHA: DOKUMENTE ARKIVORE QË DEFINUAN STATUSIN E KOSOVËS (2007)

Pashtriku.org, 18 korrik 2017:

***
Traktati i Grupit Negociator të Kosovës
TRAKTATI I MIQËSISË DHE BASHKËPUNIMIT NË MES TË KOSOVËS DHE SERBISË

Kosova dhe Serbia: Një marrëdhënie e re e bazuar në miqësi, bashkëpunim dhe respektim të ndërsjellë
Trojka ShBA/BE/Rusi kërkoi nga udhëheqësit e Kosovës që të mendojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse mbi llojet e marrëdhënieve që ne i dëshirojmë me Serbinë. Ky propozim shpaloset në prezantimin e delegacionit të Kosovës dorëzuar Trojkës më 30 gusht në Vjenë.
Për shkak të historisë tragjike të kohës së fundit, posaçërisht pas kolapsit të Jugosllavisë dhe dhunës tragjike të viteve të nëntëdhjeta, nuk është e mundur që Serbia dhe Kosova të mbesin në të njëjtin shtet. Megjithatë, Kosova është e përgatitur që të elaborojë një vizion të ri të guximshëm për marrëdhënien Serbi-Kosovë të bazuar në miqësi, bashkëpunim dhe respekt të dyanshëm. Në shpresojmë që idetë tona të reja do të ndihmojnë në gjetjen e kuptimit të përbashkët me Serbinë dhe të shpien në marrëveshje kompromisi për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës.
Vizioni jonë i marrëdhënieve të ardhshme në mes të Kosovës dhe Serbisë bazohet në:
1) Marrëdhënie të mira fqinjësore
2) Bashkëpunim për çështjet me interes të dyanshëm
3) Mbrojtje të plotë të pakicave tona
4) Përparim në çështjen e personave të pagjetur dhe kthimin e të zhvendosurve
5) Themelimin e organeve të përbashkëta për bashkëpunim përmes një Traktati
6) Partneritet në realizimin e vizionit tonë të përbashkët për integrim Euroatlantik
Ne besojmë se ky vizion më së miri do të realizohej përmes një Traktati të ri gjithëpërfshirës të Miqësisë dhe Bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ne mirëpresim diskutimet me Beogradin mbi mënyrën e institucionalizimit të kësaj marrëdhënieje të re.
Parimet tona: Vizioni i Kosovës për një Marrëdhënie të re me Serbinë
1) Kosova kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë në kontekstin e integrimit Euroatlantik. Për shkak të gjeografisë dhe interesave të përbashkëta, Kosova dhe Serbia duhet të zhvillojnë një marrëdhënie të re të bazuar në lidhje fqinjësore. Nëse nuk e ndërtojmë këtë marrëdhënie, atëherë rrezikojmë kthimin e dhunës dhe mosmarrëveshjeve të viteve të nëntëdhjeta. Prandaj, ne Serbisë i zgjasim dorën e sinqertë të miqësisë. Përderisa nuk duhet t’i harrojmë kurrë ngjarjet e dhimbshme të shoqëruara me ndarjen e Jugosllavisë, ne kërkojmë pajtim të plotë dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të popujve tanë. Ne jemi të inkurajuar nga fakti se Kosova ashtu dhe Serbia kërkojnë një të ardhme më të ndritshme si anëtarë të plotë të bashkësisë Euroatlantike të demokracive. Ky synim i i përbashkët mund të jetë baza e marrëdhënieve tona të reja.
2) Kosova do të zbatojë një plan të detajuar të bashkëpunimit mbi çështjet me interes të përbashkët (energjia, tregtia, krimi, lëvizja e njerëzve dhe mallrave, etj.); Kosova dhe Serbia tanimë ndajnë lidhje të thella të bazuara në histori, ekonomi, kulturë dhe etnicitet. Ne përballemi me sfida dhe rreziqe të përbashkëta. Prandaj, adresimi i këtyre sfidave dhe sigurimi i një të ardhmeje paqësore dhe me prosperitet do të mbështetet në dialog intensiv, të rregullt në mes të popujve tanë dhe qeverive tona. Ne duhet të punojmë së bashku që të adresojmë rreziqet që kapërcejnë kufijtë, siç janë krimi i organizuar, degradimi i mjedisit dhe trafikimi i njerëzve. Ne po ashtu duhet të bashkëpunojmë në përpjekjet për të ndërtuar dhe reformuar ekonomitë tona, përfshirë zhvillimin e infrastrukturës fizike dhe institucionale, komunikimet, energjinë dhe lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave dhe shërbimeve. Në duhet po ashtu të diskutojmë me Serbinë për mënyrat e zmadhimit dhe institucionalizimit të këtij bashkëpunimi, posaçërisht përmes marrëveshjes detyruese ndërkombëtare (Traktatit) në mes të Kosovës dhe Serbisë i cili do të ofronte bazë të gjerë për një marrëdhënie të re më bashkëpunuese. Në po ashtu mund të parashohim marrëveshje pasuese të cilat do të zhvillonin edhe më shumë planet tona për bashkëpunim dhe do të arrinin partneritet më të thellë institucional në fusha specifike prioritare.
3) Kosova do të zbatojë masa të plota për mbrojtjen e të drejtave të pakicave të saja (p.sh. Dispozitat e Marrëveshjes së Ahtiraarit).
Serbia ka një interes të kuptueshëm në mirëqenien e qytetarëve serbë të Kosovës. Kuvendi i Kosovës tanimë është pajtuar në një varg masash mbrojtëse dhe garancive të pashembullta për komunitetet joshqiptare të Kosovës. Ne besojmë se mbrojtja e pakicave tona nuk është e domosdoshme vetëm për demokratizim dhe zhvillim të mëtutjeshëm të Kosovës por edhe për përmirësimin e marrëdhënieve tona me Serbinë dhe për nivele më të mëdha të besimit të dyanshëm dhe stabilitetit të përgjithshëm.
Si pjesë e vizionit tonë për marrëdhënie të reja me Serbinë, ne konfirmojmë përsëri gatishmërinë tonë për zbatimin e të gjitha këtyre masave të të drejtave të pakicave sa më parë që është e mundur. Ne do të vëmë prioritete në decentralizim, mbrojtje të trashëgimisë fetare/kulturore dhe mbrojtjet ligjore të pakicave. Ne kërkojmë nga Beogradi që të na ndihmojë në zbatimin e këtyre dispozitave duke inkurajuar serbët e Kosovës që të shfrytëzojnë maksimalisht të drejtat e gjera civile dhe të njeriut në të cilat kanë të drejtë.
4) Kosova do të përkrahë progresin e menjëhershëm në kthime të personave të zhvendosur dhe zbardhjen e fatit të personave të pagjetur;
Nuk mund të ketë përfundim të qëndrueshëm të statusit pa zotim në pajtim të pas luftës. Për lëvizur përtej kësaj trashëgimie të dhimbshme ne propozojmë një përpjekje të re për adresimin e çështjeve me emocionuese që kanë mbetur nga konflikti në Kosovë: kthimi i personave të zhvendosur/refugjatëve dhe personat e pagjetur. Mosbesimi në mes të Beogradit dhe Prishtinës në këto çështje kërkon ndërmjetësim dhe ndihmë të jashtme. Ne propozojmë që udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë bashkërisht të kërkojnë nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së emërimin e një të Dërguari të posaçëm për Kthimin e personave të zhvendosur/refugjatëve dhe personat e pagjetur me mandat të:
a) vlerësimit të përparimit të arritur në kthimin e personave të zhvendosur të të gjitha përkatësive etnike dhe për të dhënë rekomandime për veprime të mëtutjeshme; b) vlerësuar përparimin e bërë në gjetjen dhe identifikimin e personave të pagjetur dhe për të dhënë rekomandime për veprime të mëtutjeshme; c) mbledhur palët për t’i diskutuar këto çështje më thellësisht. Në këto çështje mund të bëhet përparim i menjëhershëm dhe nuk duhet të pritet zgjidhja e statusit të Kosovës më vonë këtë vit. Udhëheqësit e Kosovës janë të përgatitur për t’i diskutuar këto çështje me udhëheqësit e Serbisë në çdo kohë dhe e mirëpresin ndihmën e Trojkës në mundësimin e takimeve të tilla.

Grupi negociator i Kosovës (2007)

5) Kosova përkrah krijimin e organeve të përbashkëta për bashkëpunim që do të themeloheshin në Traktatin e miqësisë dhe bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në shumë vende të botës (p.sh. Beneluks) shtetet kanë themeluar organe të përhershme për lehtësimin e dialogut dhe bashkëpunimit. bazuar kryesisht në këto modele të mirënjohura, Traktati jonë i propozuar i miqësisë dhe bashkëpunimit do të krijonte Këshillin e përhershëm të bashkëpunimit Kosovë-Serbi për të siguruar një forum për konsultime të rregullta në çështjet prioritare me interes të përbashkët. Këshilli i përhershëm i bashkëpunimit do të caktojë takime, do të identifikojë fusha të reja për bashkëpunim ndërqeveritar dhe do të mundësojë konsultime në çështjet e ndjeshme që prekin interesat e të dyjave palëve. Këshilli do të sponsorizojë takime të nivelit të lartë në të cilat udhëheqësit tanë mund të ulen dhe diskutojnë të gjitha çështjet e tilla. Ky Këshill mund të sigurojë bazën për zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënies sonë të re me Serbinë.
6) Kosova dhe Serbia do të jenë partnere të plota në procesin e integrimit Euroatlantik. Si Kosova ashtu edhe Serbia janë zotuar në integrim më të afërt në strukturat euroatlantike. Ne besojmë se ky është shtegu më i mirë në një të ardhme më demokratike, prosperitare dhe të sigurt për tërë rajonin tonë. Ne besojmë se Kosova dhe Serbia duhet të punojnë së bashku për të avancuar këtë synim të përbashkët. Ne propozojmë themelimin e një partneriteti për të ndihmuar njëri-tjetrin në arritjen e standardeve të larta për anëtarësim në BE dhe NATO. Ne mund t’i ndajmë mësimet e mësuara dhe të ndërtojmë në sukseset e njëri-tjetrit. Vendet e rajonit tonë të Kartës së Adriatikut tanimë janë duke punuar së bashku në realizimin e anëtarësisë në NATO. Ky model tregon se shtetet mund të avancojnë prospektet e tyre Euroatlantike nëse punojnë së bashku dhe bashkëpunojnë.
SHTOJCA
Traktati i miqësisë dhe bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Serbisë
Palët kontraktuese të Kosovës dhe Serbisë:
Duke i njohur lidhjet e thella në mes të popujve të Kosovës dhe Serbisë, përfshirë lidhjet e lashta historike, kulturore, etnike dhe ekonomike;
Me keqardhje ndaj periudhave të konfliktit dhe luftës që na kanë ndarë, në veçanti ngjarjet që kanë të bëjnë me kolapsin e dhunshëm të Jugosllavisë në vitet e nëntëdhjeta;
Duke deklaruar dëshirën e sinqertë për t’u konfrontuar me trashëgiminë e së kaluarës së fundit me një frymë pajtimi dhe faljeje, ndërsa i sjellim para drejtësisë ata që kanë bërë krime të luftës;
Duke besuar se edhe Kosova edhe Serbia e ndajnë fatin e përbashkët të integrimit me të afërt në komunitetin euroatlantik të demokracive, që do të shpie në një të ardhme më të sigurt, demokratike dhe prosperuese për të gjithë;
Duke shpresuar se integrimi euroatlantik do t’i sjellë të gjithë popujt e Evropës juglindore më afër së bashku dhe do të vazhdojë të eliminojë barrierat që kanë ndarë kombet tona;
Duke pranuar se rrethanat e veçanta historike dhe interesat e përbashkëta do të kërkojnë marrëdhënie jashtëzakonisht të afërta dhe miqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë për shumë vite në të ardhmen;
Të bindur se mekanizmat e rregullt, të institucionalizuar të bashkëpunimit dhe dialogut për çështjet e shqetësimeve të përbashkëta mund të ndihmojnë në zvogëlimin e tensioneve, zmadhimin e stabilitetit rajonal dhe avancimin e interesave të përbashkët të Kosovës dhe Serbisë,
Solemnisht pajtohen që të lidhin Traktatin e miqësisë dhe bashkëpunimit si vijon:
Kapitulli I: Qëllimi dhe parimet
Neni 1
Qëllimi i këtij Traktati është që të promovohet paqja, miqësia dhe bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të promovohet stabiliteti, demokracia dhe prosperiteti për të gjithë.
Neni 2
Në marrëdhëniet e tyre me njëri tjetrin, Palët do të drejtohen përmes parimeve vijuese:
a.) bashkëpunimi reciprok për sovranitetin dhe integritetin territorial të njëri-tjetrit
b.) heqja dorë nga përdorimi apo kërcënimi i përdorimit të dhunës në zgjidhjen e çështjeve kontestuese;
c.) respektimi i të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të të gjithë qytetarëve pa diskriminim të çfarëdo lloji, përfshirë, veçanërisht mbrojtjen e plotë të identitetit etnik, gjuhësor, kulturor dhe fetar të të gjitha komuniteteve pakicë dhe pjesëtarëve të tyre;
d.) liria e lëvizjes së personave, mallrave dhe kapitalit;
e.) bashkëpunimi dhe dialogu në çështjet e interesit të përbashkët.
Kapitulli II: Zotimi në integrimin euroatlantik
Neni 3
Palët konfirmojnë dëshirën e tyre për të integruar shoqëritë dhe ekonomitë e tyre në tërësi në komunitetin euroatlantik të demokracive, në veçanti për t’i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe NATO sa më herët që është e mundur.
Neni 4
Palët do të bashkëpunojnë dhe do ta ndihmojnë njëra-tjetrën kurdoherë që është e mundur në përmbushjen e standardeve të larta dhe kërkesave tjera për integrim në BE dhe NATO. Palët nuk do të ndërmarrin asnjë veprim që do të pengonte përmbushjen e këtyre kërkesave.
Kapitulli III: Siguria dhe zgjidha paqësore e çështjeve kontestuese
Neni 5
Në pajtim me parimet e Kartës së OKB-së, Palët konfirmojnë zotimin e tyre në zgjidhjen paqësore të të gjitha kontesteve në mes tyre, dhe nuk do të përdorin dhunën apo kërcënojnë me përdorim të dhunës në marrëdhëniet e tyre në çfarëdo mënyre që do të ishte në papajtueshmëri me Qëllimet e Kombeve të Bashkuara.
Neni 6
Palët do të ndërmarrin masa për zmadhimin e bashkëpunimit të sigurisë, përfshirë zhvillimin e masave të reja për ndërtimin e besimit dhe sigurisë anembanë kufirit të tyre të përbashkët. Palët kërkojnë ndihmën e NATO-së dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që të zhvillojnë dhe zbatojnë masat të tilla sapo që të jetë e mundur një gjë e tillë. Palët do të përpiqen që të arrijnë transparencë maksimale në vendosjen dhe veprimin e personelit të tyre të sigurisë, posaçërisht pranë kufijve të tyre të përbashkët.
Kapitulli IV: Bashkëpunimi në çështjet prioritare të interesit të përbashkët
Neni 7
Palët do të mundohen të intensifikojnë dhe thellojnë bashkëpunimin në të gjitha çështjet e interesit të përbashkët. Palët fillimisht do të përqendrojnë përpjekjet e tyre në fushat prioritare në vijim:
a.) çështjet ekonomike, përfshirë energjinë, tregtinë dhe harmonizimin me standardet e BE-së dhe zhvillimin e një strategjie të përbashkët të rritjes dhe zhvillimit ekonomik në pajtim me iniciativat ekonomike rajonale;
b.) përpjekjet në luftën kundër krimit, posaçërisht në fushat e terrorizmit, narkotikëve, trafikimit e njerëzve, kontrabandën e armëve, krimin e organizuar dhe krimin etnik;
c.) mbrojtja dhe ruajtja e trashëgimisë fetare dhe trashëgimive tjera kulturore;
d.) shëndeti dhe mirëqenia e komuniteteve tona pakicë, përfshirë zbatimin e masave të posaçme për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të tyre, sigurisë dhe jetesës;
e.) zbardhja e fatit të të gjithë personave të pagjetur nga lufta e viteve të nëntëdhjeta.
f.) shëndetësia publike;
g.) transportimi;
h.) lehtësimi i lëvizjes tejkufitare të njerëzve dhe mallrave;
i.) kthimi i refugjatëve dhe personave të zhvendosur të të gjitha përkatësive etnike;
j.) çështjet mjedisore;
Neni 8
Palët do të krijojnë grupe punues për çështje specifike, të përbëra nga specialistë politikë dhe teknikë, për të zhvilluar dhe avancuar prioritetet e përbashkëta në të gjitha këto çështje prioritare të interesit të përbashkët. Aty ku është e nevojshme, këto grupe punuese do të përfshijnë përfaqësues të grupeve të shoqërisë civile dhe organizatave relevante ndërkombëtare.
Kapitulli V: Këshilli i përhershëm i bashkëpunimit Kosovë – Serbi
Neni 9
Brenda gjashtë muajve pasi të ketë hyrë në fuqi ky Traktat, Palët do të themelojnë Këshillin e përhershëm të bashkëpunimit Kosovë-Serbi. Ky Këshill do të përbëhet nga dhjetë anëtarë, pesë nga të cilët emërohen nga Serbia dhe pesë emërohen nga Kosova. Këshilli do të funksionojë përmes konsensusit dhe do të ketë përgjegjësi për të:
a.) mbikëqyrë dhe lehtësuar bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të përbashkët;
b.) mbajtur takime të rregullta për këmbimin e informatave dhe këshillime për të gjitha çështjet që mund të ndikojnë në interesat e cilësdo Palë;
c.) përkrahur, sipas kërkesës, takime të rregullta të grupeve punuese të cekura në nenin 8, përfshirë asistencën në caktimin e agjendës së takimeve dhe sigurimit të ndihmës logjistike;
d.) vlerësuar rezultatet e iniciativave të bashkëpunimit dhe për të rekomanduar fusha të reja për avancimin e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Serbisë;
e.) kërkuar dhe mundësuar ndërmjetësime të palës së tretë në çështjet veçanërisht të ndjeshme me interes të përbashkët, siç janë personat e pagjetur apo kthimi i refugjatëve dhe personave të zhvendosur.
Neni 10
Këshilli do të mbledh Takime të nivelit të lartë të Palëve së paku çdo gjashtë muaj, ku do të përfshihen Kryetarët, Kryeministrat dhe Ministrat e Jashtëm të Kosovës dhe Serbisë. Cilado Palë mund të propozojë çfarëdo çështje për t’u marrë në konsideratë apo për t’u futur në veprim në Takimin e nivelit të lartë.
Neni 11
Këshilli do të eksplorojë mundësinë e themelimit të sekretariatit për të lehtësuar bashkëpunimin dhe dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Neni 12
Këshilli do të mundësojë dialogun në mes të Deputetëve të Kuvendit të Serbisë dhe atyre të Kuvendit të Kosovës, përfshirë krijimin e grupeve punuese ndër-parlamentare për avancimin e bashkëpunimin legjislativ.
Kapitulli VI: Kërkesa për shtetet dëshmitare
Neni 13
Në rast të çfarëdo kontesti në mes të Palëve, Palët kërkojnë që Franca, Gjermania, Italia, Federata Ruse, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ofrojnë ndërmjetësim neutral dhe të ndërmerr përpjekje tjera për të ndihmuar zgjidhjen paqësore të kontestit.
Neni 14
Ky Traktat nënshkruhet nga udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë dhe ratifikohet në pajtim me procedurat kushtetuese të secilit shtet. Ai do të hyjë në fuqi pas ratifikimit nga të dyja Palët dhe do të depozitohet pranë Kombeve të Bashkuara.
Neni 15
Ky traktat do të përkthehet në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze. Versioni në gjuhën angleze është autoritar.
______________
Traktati i Grupit Negociator të Kosovës
TRAKTATI I MIQËSISË DHE BASHKËPUNIMIT NË MES TË KOSOVËS DHE SERBISË 30 gusht 2007
http://pashtriku.beepworld.de/files/Kosovaneudhkryq/kaposhkonkosova/analiza/traktatimiqesiseguk.htm
***

Prishtinë 11 gusht 2007: Diplomatë nga SHB, Frank Wisner, nga Bashkimi Europian Wolfgang Ischinger dhe ai rus Alexander Botsan-Kharchenko.

Dokumenti i treshes negociatore të GK
CILAT JANË 14 PIKAT E DOKUMENTIT ?!

Vlerësimi i Negociatave nga Treshja: Konkluzionet Kryesore Treshja ka rishikuar pozicionet e dyja palëve. Pa paragjykuar në pozicionet e dy palëve për statusin, parimet në vijim mund të hapin një rrugë drejt një zgjidhje:
1. Beogradi dhe Prishtina do të fokusohen në ndërtimin e natyrës speciale të marrëdhënieve ekzistuese mes tyre, veçanërisht në dimensionet e tyre historike, ekomomike kulturore dhe humane.
2.Beogradi dhe Prishtina do të zgjidhnin problemet e tyre të ardhshme në një mënyrë paqësore dhe nuk do të futeshin në veprime ose prirje që do të konsideroheshin si kërcënim për palën tjetër.
3. Kosova do të integrohet plotësisht në struktura rajonale, posaçërisht ato që përfshijnë bashkëpunimin ekonomik.
4. Nuk do të ketë kthim në statusin para 1999.
5. Beogradi nuk do të qeverisë Kosovën. 6.Beogradi nuk do të rivendosë një prezencë fizike në Kosovë.
7. Beogradi dhe Prishtina janë të përcaktuar të bëjnë progres drejt asocimit dhe eventualisht anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe gjithashtu të ecet progresivisht drejt strukturave euro-atlantike.
8. Prishtina do të zbatojë masa të gjera për të rritur mirëqenien e serbëve të Kosovës sikurse edhe komuniteteve tjera joshqiptare, posaçërisht nëpërmjet decentralizimit të qeverisjes lokale, garancive kushtetuese dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore e fetare.
9.Beogradi dhe Prishtina do të bashkëpunojnë në çështjet e shqetësimit të dyanshëm, përfshirë:
a. Fatin e personave të zhdukur dhe kthimin e të zhvendosurve
b. Mbrojtjen e Minoriteteve
c. Mbrojtjen e trashëgimisë kulturore
d. Perspektivat e tyre europiane dhe iniciativat rajonale
e. Çështjet ekonomike, përfshirë politikën fiskale dhe energjinë, tregun dhe harmonizimin me standardet e BE‘së dhe ndërtimin e një strategjie të rritjes së përbashkët ekonomike dhe zhvillimit në linjë me iniciativat rajonale ekonomike.
f. Liri të lëvizjes së njerëzve, të mirave, kapitalit dhe shërbimeve
g. Sektorin bankar
h. Infrastrukturë, transport dhe komunikacion
i. Mbrojtjen e ambientit
j. Shëndetin publik dhe mirëqenin shoqërore
k. Luftën kundër krimit, veçanërisht në fushat e terrorizmit, trafikimit të njerëzve, armëve dhe drogave si dhe krimin e organizuar.
l. Bashkëpunimin mes komunave dhe Qeverisë të një prej dy palëve.
m. Arsimin
10. Beogradi dhe Prishtina do të vendosin trupa të përbashkët për të implementuar bashkëpunimin.
11. Beogradi nuk do të përzihet në marrëdhëniet e Prishtinës me Institucionet Ndërkombëtare Financiare (IFI).
12. Prishtina do të ketë autoritet të plotë për financat e saj (taksimin, të ardhurat publike etj.).
13. Procesi i Stabilizim-Asocimit të Kosovës me BE‘në (Tracking Mechanism) do të vazhdojë pa pengim nga Beogradi.
14. Komuniteti ndërkombëtar do të mbaj prezencën civile dhe ushtarake në Kosovë pasi të jetë përcaktuar statusi.
P.S- Pasi i keni lexuar këto 14 pika, nuk është vështirë të nxirrni përfundimin se kah po shkon Kosova…(!!!)
______________________
Dokumenti i treshes negociatore të GK
CILAT JANË 14 PIKAT E DOKUMENTIT ?!
http://pashtriku.beepworld.de/files/Kosovaneudhkryq/kosova/14pikatedokumentit23.10.07.htm

***
Deklarata e Ekipit të Unitetit me rastin e përfundimit të negociatave
“PROPOZIMI I MARTI AHTISAARIT, OFRON NJË BAZË SOLIDE PËR TA ÇUAR KOSOVËN DREJT NJË TË ARDHMEJE MË TË NDRITUR…”(!!!)

Me rastin e përfundimit të bisedimeve për statusin e Kosovës dhe dorëzimin e raportit të treshes sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ekipi i Unitetit ka lëshuar një deklaratë për publikun.
Në këtë deklaratë thuhet :
“Për më shumë se dy vjet si Ekip i Unitetit, që ka përfaqësuar popullin e Kosovës, ka marrë pjesë në negociatat për statusin e ardhshëm të Kosovës. Bisedimet e fundit të udhëhequra nga treshja SHBA-BE-Rusi, që përfundojnë më 10 dhjetor, nuk kanë sjellë asnjë rezultat të pranueshëm për Beogradin dhe Prishtinën.”
“Pas tetë vjet paqartësie populli i Kosovës ka nevojë urgjente për qartësi të së ardhmes së vet.” Sipas kësaj deklarate propozimi i të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Martti Ahtisaari, duke përfshirë edhe rekomandimin e tij për pavarësi të mbikëqyrur, si dhe pakon e masave për mbrojtjen e minoriteteve të Kosovës, ofron një bazë solide për ta çuar Kosovën dhe rajonin drejt një të ardhmeje më të ndritur euroatlantike.”
“Mbesim të përkushtuar dhe të gatshëm që të marrim obligimet e përfshira në atë propozim. Ne, së bashku me anëtarët e sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, synojmë të punojmë në koordinim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë për ta zgjidhur statusin e Kosovës” – thuhet në këtë deklaratë.
“Më herët para treshes kemi bërë një zotim pa kushte për të mos përdorur dhunë, kërcënime apo frikësime. Këtë përkushtim e përsërisim sot edhe një herë duke u zotuar se do të bëjmë çdo gjë brenda fuqive tona për të siguruar që situata e sigurisë në Kosovë të mbetet e qetë” – nënvizohet në deklaratë e Ekipit të Unitetit.
____________
Deklarata e Ekipit të Unitetit me rastin e përfundimit të negociatave
http://pashtriku.beepworld.de/files/Kosovaneudhkryq/dhjetor07/deklarata_e_e.unitetit_9.12.07.htm
***
Raporti i plotë i Treshes së Grupit të Kontaktit
RAPORTI I PLOTË I TRESHES: ISHINGER, UIZNER, KHARÇENKO (BE, SHBA, RUSI) PËR KOSOVËN – I DORËZUAR NË KS TË OKB-së
http://pashtriku.beepworld.de/files/Kosovaneudhkryq/RaportiitrojkesOKB/raportiitrojkesdorezuarme10dhjetorneokb_14.12.07.htm
***
SHERADIN BERISHA PAVARËSIA E PLOTË E KOSOVËS AS QË MUND TË IMAGJINOHET ME REZOLUTËN 1244!
Shkruan: Sheradin BERISHA – 16. XII. 2007
http://pashtriku.beepworld.de/files/Kosovaneudhkryq/dhjetor07/sheradinberisha_pavaresiaasqeimagjinohetme1244_16.12.07.htm

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura