SHERADIN BERISHA: GJERGJ KASTRIOT SKËNDERBEU DHE BESËLIDHJA ARBËRORE E LEZHËS (2 MARS 1444)

Pashtriku.org, 28 janar 2018: (Në 550 vjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut) – Më 2 mars 2018 bëhen 574 vjet, nga koha kur në Katedralen e Kishës së Shën Kollit në Lezhë, në Lissusin e lashtë antik të shek.IV, (aty ku sot është ngritur një memorial i vendvarrimit të Gjergj Kastriot Skënderbeut), u mbajt Kuvendi i Lezhës dhe u krijua Besëlidhja Arbërore, si një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, gjatë periudhës së mesjetës. Ishte 2 marsi i vitit 1444, kur Gjergj Kastriot Skënderbeu, (menjëherë pas kthimit në Krujë, në 28 nëntor 1443), për herë të parë në historinë e mesjetës arbërore mblodhi në një Kuvend të gjitha principatat arbërore, me qëllim të Bashkimit, për përballimin e sulmeve pushtuese osmane në tokat e arbërit.
***
Kryengritja e përgjithshme e vitit 1443, (që mori përmasa çliruese me kthimin e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot – Skëndereut në Krujë – më 28 Nëntor 1443), dhe ngritja e Flamurit tonë Kombëtar në këtë qytet (përpara krutanëve), ishin fitoret më të mëdha historike që duheshin mbrojtur me çdo çmim. Zhvillimet e deriatëhershme luftarake – në arealin e Arbërit dhe më gjerë në Ballkan, ishin treguesit e qartë se, Perandorisë Osmane (fuqisë më të madhe ushtarake të kohës), nuk mund t`i bëhej ballë pa kapërcyer copëtimin e vendit në një varg feudesh të pavarura dhe pa krijuar një bazë të fortë organizative e të qëndrueshme, e cila do të bashkërendonte fuqinë mendore – njerëzore, ushtarake e ekonomike të vendit.

Për zgjidhjen e këtyre pengesave, si hap të parë e të rëndësishëm Gjergj Kastriot Skënderbeu mori nismën për mbajtjen e një kuvendi gjithëpërfshirës, ku do të merrnin pjesë krerët e principatave të pavarura që sundonin gjithandej vendit arbëror. Për këtë qëllim, ai fillimisht zhvilloi takime vetjake, si rrjedhojë e të cilave u vendos që të mbahej në Lezhë një Kuvend i Besëlidhjes arbërore.
***
Lezha kishte një pozicion gjeografik shumë të favorshëm për mbajtjen e Kuvendit, për faktin sepse ajo ndodhej në afërsi me zotërimet e pjesëmarrësve kryesorë të Kuvendit, dhe për më tepër ishte e veçuar nga zotërimet e tjera të Venedikut si dhe kishte lidhje të ngushta ekonomike me viset e çliruara arbërore, veçanërisht me ato të Kastriotëve. Prandaj, jo rastësisht Kuvendi i Besëlidhjes u mbajt në qytetin e Lezhës – më 2 mars 1444 në Katedralen e Shën Kollit, ku sot gjendet dhe memoriali i Gjergj Kastriot – Skënderbeut.
Në këtë Kuvend morën pjesë:
– Gjergj Kastrioti – Skënderbeu,
– Gjergj Arianiti,
– Andre Topia (bashkë me dy djemtë, Kominin e Muzakën dhe të nipin Tanushin),
– Gjergj Stres Balsha,
– Nikollë e Pal Dukagjini,
– Pjetër Spani (bashkë me katër djemtë, Aleksin, Bozhidarin, Vruon dhe Mirkon),
– Lekë Zaharia,
– Teodor Muzaka i Riu (dhe pjesëtarë të tjerë të kësaj familjeje),
Zahari Gropa,
– Lekë Dushmani bashkë me Pjetrin e fisnikë të tjerë fqinjë me ta, — Stefan Gjurashi (Cërnojeviçi bashkë me bijtë e tij, Gjergjin e Gjonin) etj.
Pikërisht, realizimi i bashkimit të të gjithë princërve arbërorë (shqiptarë), në një kuvend të përbashkët nga ana e Skënderbeut, përbënte idenë më madhore historike të tij, dhe ky Unitet si i tillë ishte shembull i veçantë se, si bëhet bashkimi i principatave të vogla e të copëtuar feudale, gjë që nuk ishte realizuar as në vendet më të mëdha të Evropës. (Shembuj të tillë kanë ndodhur më vonë: Gjermania u bashkua gjatë shekullit të XIX në kohën e Bismarkut, ashtu sikurse edhe Italia është bashkuar në shekullin e XIX në epokën e Garibaldit)

***
Gjergj Kastriot Skënderbeu në Kuvend, mbajti fjalën kryesore dhe aty u ndalë veçanërsisht në domosdoshmërinë dhe rëndësinë e bashkimit politik të të gjitha princërve dhe fisnikëve tjerë arberorë (shqiptarë). Në vijim, pjesëmarrësit diskutuan format e bashkëpunimit dhe rrugët për realizimin e bashkimit politik të tyre, në themel të të cilit vunë institucionin më të rëndësishëm kombëtar, atë të BESËS arbërore.
Me këtë rast Kuvendi u institucionalizua si forumi më i lartë vendimmarrës i princërve e fisnikëve arbërorë, duke sublimuar formën e një besëlidhjeje politike, që u njoht në histori me emrin Besëlidhja Shqiptare e Lezhës.
Në Kuvend, u vendos krijimi i ushtrisë së përbashkët dhe për udhëheqës të Besëlidhjes dhe Komandant të Përgjithshëm të ushtrisë arbërore, unanimisht u zgjodh Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Që prej këtij bashkimi, Gjergj Kastriot Skënderbeu rriti rezistencën e ushtrisë së Arbërit, dhe për 25 vjet rresht drejtoi luftën çlirimtare kundër sundimit osman.
Si përfundim
Kuvendi i Lezhës dhe shembulli heroik i Gjergj Kastriot Skënderbeut, ishin dhe mbetën burim frymëzimi për të gjithë brezat e ardhshëm…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura