SHERADIN BERISHA: ‘JAVA E UKSHIN HOTIT’ (11 – 16 MAJ 2013) UKSHIN HOTI – NUK I PËRKET HARRESËS!

(Pashtriku.org, 11 maj 2013) – Më 16 maj, bëhen 14 vjet që nuk dihet asgjë për rrethanat e zhdukjes së Ukshin Hotit, të këtij kolosi të madh të mendimit politikë shqiptar. Lidershipi politikë e institucional i Kosovës, për 14 vjet rresht heshtën, nuk e ngritën zërin për ndriçimin e fatit të këtij personaliteti EMBLEMATIK të kombit tonë, ashtu sikurse nuk u interesuan seriozisht, për zbardhjen e fatit të rreth 1.800 shqiptarëve tjerë të zhdukur, trupat e të cilëve ende sot e kësaj dite gjinden diku në varrezat masive – në Serbi. Duke pasur parasysh indiferentizmin dhe harresën e pashembullt ndaj UKSHIN HOTIT, nga institucionet shtetërore të Kosovës…, portali PASHTRIKU.ORG, nga 11 – 16 maj 2013 organizon ‘JAVËN E UKSHIN HOTIT’ me moton ‘UKSHIN HOTI – NUK I PËRKET HARRESËS!’ Gjatë kësaj jave portali, do të publikoj – studime të Ukshin Hotit, si dhe shkrime, analiza e kujtime të intelektualëve të shumtë, kushtuar këtij SOKRATI të pavdekshëm Shqiptar. Dhe kjo “JAVË…” le të shërbejë si THIRRJE dhe njëkohësisht POROSI, për klasën politike e institucionale të Kosovës dhe gjithë opinionin publik, se UKSHIN HOTI vërtet kurrë nuk do t’i përkas HARRESËS! Ai është dhe do të mbetët i GJALLË në mesin e të gjallëvet, duke e sfiduar PËRJETËSISHT VDEKJEN!
* * *
Katërmbëdhjetë vjet më parë, (më 16 maj 1999), Ukshin Hoti, derisa po vuante dënimin në Burgun e Dubravës, befasisht pranon vendimin nr.24/2241/05 të nënshkruar nga drejtori i burgut, Aleksandër Rakoçeviq, për “lirim me kusht” nga burgu (!!!), pas mbajtjes së dënimit prej pesë vjetësh, që ia kishte shqiptuar gjykata serbe në Prizren – në shtator të vitit 1994. Pas përfundimit të luftës, shokët e burgut që ishin ndarë për herë të fundit me Ukshin Hotin, kanë deklaruar se ishte ditë e diele (një ditë e pazakontë për t’u liruar nga burgu) kur baca Ukë (kështu e thërrisnin ata) rreth orës 10 – 11 të paradites, i shoqëruar nga tre punëtorë të sigurimit serb, është nxjerrë nga ambientet e brendshme të burgut të Dubravës. Dhe, pas këtij momenti, sot e atë ditë, nuk dihet asgjë për vendndodhjen e këtij intelektuali, politologu e atdhetari të shquar.

KU ËSHTË UKSHIN HOTI? A ËSHTË GJALLË APO I VDEKUR UKSHIN HOTI? – pyesin tashmë 14 vjet shqiptarët! Dhe për habi, askush s’ka dhënë një përgjigje të sakt për fatin dhe vendndodhjen tij, ndërkohë që për këtë rast janë thurur parreshtur spekulime, madje ka pasur edhe prononcime publike se, Ukshin Hoti është gjallë, dhe se po mbahet në burg shtëpiak, për ‘kusuritje politike’ etj.
Pas përfundimit të luftës, familja e Ukshin Hotit, veçanërisht motra e tij MYRVETJA, ka trokitur në shumë dyer të partive politike dhe të institucioneve të Kosovës, ku ka kërkuar zëshëm ndriçimin e fatit të Ukshin Hotit. Në të gjitha takimet, politikanët tanë – motrës Myrvete, i kanë premtuar, se, çështjen e Ukshinit do ta ngrisin si temë në çdo takim zyrtar me faktorët e huaj, për ta detyruar Serbinë që të zbardhë fatin tij. Por, fatkeqësisht, deri më sot asnjë premtim i dhënë, nuk është mbajtur, çka do të thotë se ata kanë GËNJYER!
Çuditërisht, për 14 vjet rresht, kjo klasë politikanësh (pozitë e opozitë) rrallë folën për Ukshin Hotin, jo se harruan të flasin për të! Dhe, kjo heshtje mbytëse për një personalitet si Ukshin Hoti, shpërfaq një indiferentizëm histerik. Në qershor të vitit 1999 intelektuali ynë i shquar Dr.Moikom Zeqo, në një APEL drejtuar opinionit publik, jo rastësisht ka thënë, se: “indiferenca (për Ukshin Hotin) është kriminale. Indiferenca nuk është gjë tjetër veçse pajtim me torturuesit dhe ndoshta me vrasësit e tij”. Ukshin Hoti nuk i përket harresës. Ai është në vetë thelbin e kujtesës së kombit. Ukshin Hoti nuk mund të vdesë dhe në të vërtetë nuk ka për të vdekur kurrë. Qenia e tij intelektuale është e pashlyeshme dhe është prezent kudo. Kosova dhe kombi shqiptar kanë nevojë urgjente për mendimin e Ukshin Hotit. Ukshin Hoti sakrifikoi gjithçka dhe askush nuk ka të drejtë të jetë mosmirënjohës, të mos ketë respekt apo të mos përkulet me nderim përpara figurës së tij. Kjo indiferencë, heshtje apo mosmirënjohje e tyre ndaj Ukshin Hotit, gjithësesi i bën të papërgjegjshëm politiksht.
* * *
Me këtë rast pa hezitim, them se, përgjegjësia historike e kombëtare, nga Konferenca e Rambujesë e deri më sot, për mosndriçimin e rastit të Ukshin Hotit, bie:
1. mbi Ibrahim Rugovën, si Kryetar i LDK-së dhe Kryetar i Kosovës;
2. mbi Hashim Thaçin, si shef i Drejtorisë Politike të UҪK-së, shef i Delegacionit të Kosovës në Rambuje, kryetar i PDK-së dhe Kryeministër i Kosovës;
3. mbi Adem Demaçin, simbolin e rezistencës kombëtare;
4. mbi Atifete Jahjagën, si Kryetare e Kosovës;
5. mbi Bajram Rexhepin, si Kryeministër i parë i pasluftës në Kosovë dhe aktualisht Ministër i Brendshëm;
6. mbi Jakup Krasniqin, si zëdhënës i UÇK-së, dhe Kryetar i Kuvendit të Kosovës;
7. mbi Fatmir Sejdiun, si Kryetar i LDK-së dhe Kryetar i Kosovës;
8. mbi Nexhat Dacin, si Kryetar i Kuvendit të Kosovës;
9. mbi Kadri Veselin, si Shef i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), si dhe mbi të gjithë politikanët tjerë me ndikim në skenën politike të Kosovës!…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura