Pashtriku.org, 11. 02. 2016: Sot luftëtarët e vërtetë të UÇK’së janë kategoria me e përdhosur e shoqërisë sonë, pikërisht nga “komandantët” që janë në pushtet! Për të argumentuar këtë fakt në vijim sjellë një dëshmi rrënqethëse të një luftëtari të orëve të para të UÇK’së, që ka evidentuar, Drejtori Ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, z. Behxhet Shala.
Ja se, çka shkruan Behxhet Shala, lidhur me këtë rast?!
“A jeni ju Behxhet Shala më pyeti një fytyrë e përvuajtur në rrugën “Nëna Terezë”, para restaurantit “Rings”. Pas pohimit tim, m’u lut ta takoj, kur të kem kohë të lirë ndonëse tha se nuk mund t’i zgjidh problemet. Anulova një takim të paraparë dhe e prita në zyrën e KMDLNJ’së, të njëjtën ditë. Ishte një burrë rreth të 50’ave, baba i tre fëmijëve dhe gjysh, gjithashtu. Dy here ishte dënuar për “faje” politike, armik i vëllazërim-bashkimit të dikurshëm që mund të përkthehet si multietnicitet i sotëm! Luftëtar i orëve të para të UÇK’së, pjesëtar për shumë vite i TMK’së, tash në rrugë! I papunë, i pa mjete për sigurimin e ekzistencës elementare për familjarët e tij, për veten as që mendonte! Rrëfehej për kohërat e luftës kur me bashkëluftëtarët e tij hapnin istikame, shkonin në vijat e para të frontit, ndanin një copë buke në pesë a më shumë pjesë dhe as që mendonin se mund të vriteshin, me një fjalë, nuk ia kishin frikë vdekjes! Tash, po ata ish’bashkëluftëtarë – komandantë që u pasuruan duke vjedhur paratë e djersës dhe gjakut, nuk ia hapin telefonin dhe nuk e presin për t’i dëgjuar hallet e tij! Bëhen se nuk janë në zyra ndonëse u dëgjohet zëri, largohen me vetura të blinduara kur ish’bashkëluftëtari i tyre largohet me këpucët e Lulit të Migjenit dhe pa asnjë shpresë se do të siguroj as ushqim të mjaftueshëm për familjen e tij! Nuk e lëshonte nga goja të Madhin Adem Jashari, Komandantin Legjendar të UÇK’së. Thoshte, të ishte gjallë vetëm dhjetë minuta e t’i shoh komandantat e tij, si përfituan nga lufta, gjaku i dëshmorëve dhe t’ua jep “shpërblimin“ e merituar! Tregonte për hajnitë që janë bërë në TMK, nga fillimi e sidomos në kohën e shpërbërjes! Filloi të dëneste, të qante me zë. Duke më kërkuar falje, i lëshoi poshtë një palë xhinse të stërpërdorura dhe i tregoi brekët që i vishte që nga viti 2000 (kur ishte pranuar në TMK) dhe të cilat kishin filluar të zbehen nga larjet e shpeshta. Nuk mund ta qetësoja. Merreni me mend luftëtarin që e ka sfiduar vdekjen shumë here në jetë e tash nuk i gjen kuptim jetës, nuk dëshiron të jetojë më! Vërtetë e tmerrshme, u gjeta në një situatë shumë të rëndë dhe nuk e di se si u përmbajtja. Nuk kisha guxim ta shikoja në sy, si t’i ndihmoja!” – thotë në fund rrëfimit miku im Behxhet Shala.
* * *
Në fakt gjendja e luftëtarëve është edhe më e rëndë se kaq! Një dekadë e gjysëm pas luftës dhjetra ish’ushtarë të UÇK’së, për shkak të skamjes dhe varfërisë së skajshme, i kanë dhënë fund jetës së tyre në mënyra më trishuese, me varje në litar, etj!!!
Kjo skamëri e skajshme dhe trishtuese, duket se është një Këmbanë ALARMI, për shoqërinë, e cila duhet të zgjohet për ta ndalur këtë gjëmë që ka pllakosur vendin tonë!
Postime të Lidhura
KOMUNIKIMI ME NJERËZ ME ENERGJI TË LARTË POZITIVE …
“Komunikimi permanent me njerëz me energji të lartë pozitive, ndihmon ngritjen e nivelit të energjisë pozitive në vetëdijen…
REXHEP KASUMAJ: AVE ÇLIRIMTARË…(NJË PARALELE BREZASH TË ARRATISË)
Berlin, 09 janar 2015: (Një paralele brezash të Arratisë) – „Ave Caesar, morituri te salutant“, i thërrisnin gladiatorët…
SHERADIN BERISHA: REPUBLIKA E ADEM JASHARIT DUHET T’I THOTË STOP REPUBLIKËS SË AHTISARIT!
Pashtriku.org, 1 korrik 2017: Është iluzore dhe njëkohësisht mashtrim i madh për shqiptarët, të thuhet me plot kuptimin…
ALBIN KURTI: ME MARRËVESHJEN THAҪI – DAҪIQ NUK ËSHTË NORMALIZUAR MARRËDHËNIA KOSOVË – SERBI, POR PËRFUNDIMISHT ËSHTË ABNORMALIZUAR SHTETI I KOSOVËS
Prishtinë, 21. 04. 2013 – (Fjalimi i Albin Kurtit në mbledhjen e tetë të Këshillit të Përgjithshëm të…