SHERADIN BERISHA: KUSH E THEMELOI LIDHJEN DEMOKRATIKE TË KOSOVËS, MË 23 DHJETOR 1989?!

Pashtriku, 24 dhjetor 2020: Më 4 maj 2008 kam botuar një analizë politike – historike me kryetitull “Realpolitika e Ibrahim Rugovës” dhe me nëntitull: “KUSH E THEMELOI LIDHJEN DEMOKRATIKE TË KOSOVËS?!”

Në 31 vjetorin e themelimit të LDK-së ju ftojë të lexoni:

KUSH E THEMELOI LIDHJEN DEMOKRATIKE TË KOSOVËS?!

Euforizmi pluralist që e kishte kapluar ish – Jugosllavinë në vitin 1989, (pas fillimit të shpërbërjes së “perandorisë” sovjetike të quajtur BRSS), pashmangshëm u reflektua edhe në Kosovë. Dihet mirëfilli se në vitet 1989/90 Kosova ishte përfshirë në protesta gjithëpopullore për të mbrojtur të drejtat kombëtare, dhe pikërisht në këtë situatë kur kishte filluar të luhatet ushtrimi i pushtetit komunist, u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës. Për të përkujtuar zanafillën e Lidhjes Demokratike të Kosovës ndoshta do të ishte mirë t´i referohemi zëdhënëses mediale të LDK-së – Qendrës për Informim të Kosovës (QIK) e cila ka publikuar historikun e themelimit të kësaj partie. Për themelimin e LDK-së, QIK-u shkruan si vijon (citoi):
“Në shtator dhe tetor të vitit 1989, një grup shkrimtarësh dhe intelektualësh, në kohën e shqetësimeve më të mëdha politike dhe shoqërore te ne, u pajtua, gati spontanisht, që të themelonte një parti politike, e cila do t’i artikulonte kërkesat politike të shqiptarëve dhe do të bëhej nismëtare e proceseve të pluralizmit, që ishin në nismë në vendet e bllokut të atëhershëm socialist. Iniciativa për themelimin e një partie që do të pagëzohet Lidhja Demokratike e Kosovës, doli nga shkrimtarët Jusuf Buxhovi, Ibrahim Berisha, Mehmet Kraja dhe Xhemail Mustafa (të gjithë gazetarë të Rilindjes – vërejtja ime). Pas shumë bisedash, ata angazhuan për koordinator të Këshillit nismëtar, Jusuf Buxhovin, i cili mori përsipër kontaktimin me intelektualët e tjerë dhe hartimin e programit dhe statutit të partisë.“ – përfundon citati i QIK-ut.
Kush ishin themeluesit e LDK-së, që iu shitën falas UDB?!
Në Kuvendin themelues të LDK-së që u mbajt më 23 dhjetor 1989, sipas QIK-ut „morën pjesë 96 veta“, ku shumica prej tyre i takonin elitës intelektuale shqiptare që deri dje ishin anëtarë të LKJ-së dhe njerëz me pozita të ndryshme si shkencore ashtu edhe politike në institucionet akademike. Kjo elitë intelektualësh gjatë viteve të 70-ta e 80-ta duke qenë pjesë e sistemit politik-institucional, kishte nën kontroll të gjitha institucionet shkencore, informative, kulturore, botuese etj., në Kosovë dhe madje shumica prej tyre ishin bërë edhe argat të Shërbimit Sekret jugosllavë (UDB-së).
Për të argumentuar këtë argatllëk, në vijim po përpiqem t´i vë në pah disa fakte. Në vitin 2000 në Shkup është botuar libri „Ballë për ballë me vdekjen“ i Nafi Çegranit. Autori i librit nga marsi i vitit 1969 – deri në vitin 1980 ka punuar në Sektorin II të Shërbimin Sekret të Sigurimit Shtetëror, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë në Shkup. Në këtë libër ish-udbashi Çegrani në mes tjerash spikatë hapur veprimtarinë e këtij shërbimi famëkeq në hapësirat shqiptare në ish – Jugosllavi, dhe i bënë publike disa nga emrat e „elitës intelektuale“ që iu „shitën“ falas këtij shërbimi sekret.
Çegrani në faqen 129 – 130 të librit „Ballë për ballë me vdekjen“ shkruan (po citoi): „Edhe pas Plenumit të Brioneve dhe rënies së Rankoviqit, vazhdon spiunazhi në mes shqiptarëve si në Maqedoni, ashtu edhe në Kosovë, Mal të Zi dhe Shqipëri. Gati të gjitha redaksitë e gazetave dhe të radiotelevizioneve në Maqedoni dhe Kosovë shndërrohen në qendra rezidente, me të cilat SDB-ja (UDB-ja – vërejtja ime) vite me radhë e sinkronizonte veprimtarinë e vet të errët kundër shqiptarëve.“ – përfundon citati.
Ndërkaq z.Çegrani vijon: “Në kohën kur në SDB të Kosovës vrisnin e prisnin Mehmet Shoshi, Xhevdet Hamza, Mehmet Maliqi e Selim Brosha, këtij shërbimi sekret iu “shitën” falas edhe shumë gazetarë të “Rilindjes”, si Maksut Shehu, Fadil Bujari, Mehmet Kraja, Sabri Hamiti, Jusuf Buxhovi, ndërsa në Televizionin e Prishtinës – Riza Alaj, Fahredin Gunga, Agim Zatriqi, disa të punësuar në Arkivin Historik të Kosovës etj.“ – përfundon citati.
Lexo në fund faksimilin të shkëputur nga libri ‘Ballë për ballë’, i autorit Nafi Çegrani.
Nafi Çegrani në vazhdim thotë se „në redaksinë e emisioneve në gjuhën shqipe pranë Televizionit të Shkupit tregohen mjaftë aktivë Luan Starova dhe Alush Kamberi,…“ dhe „në radhët e tyre hynë ndërkohë edhe majori rezerv Menduh Ajdini, dhëndër i Meti dhe Nushi Kërliut (*), si edhe dhëndri i tyre Ali Aliu“.
(Për më tepër lexo te libri i N.Çegranit fq.130).
(*) Nushi Kërliu është një mik i Ibrahim Rugovës, në shtëpinë e të cilit ka ndenjur për dhjetë vjet rresht, gjatë shkuarje-ardhjeve të tij nga Shkupi apo Tirana, për në vendet perëndimore.
Siç vihet në dukje në këtë shënim të ish – udbashit Çegrani, SDB-së (UDB-së), këtij shërbimi famëkeq sekret, iu paskan shitur krejt falas Jusuf Buxhovi, Sabri Hamiti (**) , Mehmet Kraja, Ali Aliu,… të gjithë këta anëtarë të elitës intelektuale të afërt me regjimit komunist jugosllavë, e që në vitin 1989 ishin “ideatorë” për themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës !!!
(**) Sabri Hamiti aktualisht është anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe anëtar i Komisionit për Integrime Evropiane. (Shiko pozitat e Sabri Hamitit Këtu) Sabri Hamiti është mik i gjithanshëm i Ibrahim Rugovës, dhe konsiderohet si njëri më me ndikim në LDK.)
Madje, në kuvendin themelues të LDK-së kishte edhe pjestarë të kësaj “elite intelektuale” që në vitin 1958 denoncuan (në UDB) aktivitetin patriotik të Adem Demaçit, siç ishin Zekeria Cana, Ali Aliu etj., dhe nga dëshmitë e tyre, më 17 mars të vitit 1959 baci Adem u dënua me 5 vjet burg të rëndë.
Lexo shkrimin: Kush ishin denoncuesit e Adem Demaçit në UDB, në vitin 1958-59?! Për më tepër lexoni librin “Dosja Demaçi”, Prishtinë 2003, faqe 54-55)
Cili ishte misioni intern i udb’ashit Jusuf Buxhovi në Gjermani?!
Koordinator i Këshillit nismëtar të LDK-së, Jusuf Buxhovi – është një prej prozatorëve më të njohur në Kosovë. Qysh si student, në vitin 1967, punësohet në gazetën “Rilindja”, si gazetar në rubrikën e kulturës, ku fillimisht pasqyron filmin, e më vonë letërsinë, duke shkruar për disa vite si recenzent. Në vitin 1976, pas një konkursi intern, caktohet si korrespodent i gazetës “Rilindja” në Gjermani, duke u bërë kështu gazetari i parë i akredituar i një mediumi nga Kosova në këtë vend perëndimor.
Jusuf Buxhovi, ky korrespodenti i gazetës “Rilindja” i caktuar me konkurs intern për këtë “punë” në Gjermani, duket se atje ka shkuar me një mision intern nga shërbimi sekret jugosllavë, për të survejuar veprimtarinë e organizatave politike shqiptare që vepronin kundër regjimit jugosllavë në Gjermani. Për të argumentuar këtë mision intern me karkater udbesk të Jusuf Buxhovit të kamufluar me punën e “korrespodentit të gazetës ”Rilindja” po i referohemi dëshmive të bashkëveprimtarëve të Jusuf Gërvallës: Ibrahim Kelmendit dhe Hysen Gegës.
Në janar të vitit 2007 (me rastin e 25 vjetorit të vrasjes së vëllezërve Gërvalla e Kadri Zeka) Ibrahim Kelmendi
boton romanin “Atentatet” dhe ato ditë ai ndoshta, ishte njeriu më i intervistuar nga mediat shqiptare, për faktin se, në romanin e tij (që sapo kishte dalë nga botimi) lexuesit kanë mësuar për herë të parë të gjitha rrethanat e panjohura të vrasjes së Jusufit, Bardhoshit e të Kadriut, në natën e kobshme të 17 janarit 1982 në Untergrupenbach të Gjermanisë. Madje në libër bëhet i njohur edhe emri i vrasësit ( të mundshëm) të tyre. “Ai që vrau Jusuf Gërvallën jeton në Kosovë, në një fshat të komunës së Suharekës. Është shqiptar dhe e ka emrin Rezil, thotë Ibrahim Kelmendi, në intervistën ekskluzive për gazetën Express”.
Në një intervistë me titull: ”E njoh vrasësin e Jusuf Gërvallës” dhënë gazetës “Expres” (më 11 e 12. III. 2007) Kelmendi spikatë aktivitetin e kamufluar të Jusuf Buxhovit nën petkun e korrespodentit të gazetës “Rilindja”. Ibrahimi me këtë rast duke shpjeguar përplasjet e Klubit shqiptarë në Dyseldorf me përfaqësuesit e konsullatës jugosllave vë në pah involvimin e korrespodentit të “Rilindjes” në këtë situatë.
Kelmendi thotë se (po citoi): Ato (konsulli…- vëretja ime) insistonin që ta fusnin nën tutelë Klubin e shqiptarëve aty, dhe ky, i kamufluar si gazetar, angazhohej pro konsullatës.” Ibrahim Kelmendi sakaq konstaton se, “ai ndonjëherë ishte më brutal se vet konsulli jugosllavë”!
Më shumë se në intervistë, I.Kelmendi, aktivitetin e korrespodentit Jusuf Buxhovi e sqaron në librin e tij “Atentatet” . Në faqen 159 të këtij libri ai për Jusuf Buxhovin shkruan (po citoi): ”Sa për ilustrim po sjell shembullin e korrespodentit të gazetës “Rilindja”. Ky farë korrespodenti qe më brutal se ata të përfaqësuesit jugosllavë. Konkretisht, ai këmbëngulte që në emërtim të Klubit të mos përmendej cilësimi punëtorë “shqiptarë”, por “jugosllavë”. Kërkonte që Klubi atje të quhej “Klubi i punëtorëve jugosllavë”, siç po quhej Klubi “Rilindja” në Mynhen, “Përparimi” në Bruksel dhe ndonjë klub i ngjashëm.”- përfundon citati.
Në intervistën dhënë të përditshmes “Expres” Ibrahim Kelmendi shpërfaq edhe një moment shumë interesant lidhur me korrespodentin e “Rilindjes” Jusuf Buxhovi, që ka të bëjë me burgosjen e Hysen Gegës, një nga bashkëveprimtarët e Jusuf Gërvallës, i cili në librin e tij “Atentatet” është personazhi me pseudonimin “Vasili”.
Hysen Gega (Vasili), pasi kishte shkuar për t´i kaluar pushimet nga Gjermania në Kosovë, në 31 dhjetor 1980 arrestohet nga UDB-a.
Kelmendi lidhur me arrestimin e Hysen Gegës saktëson (po citoi): ”…kur Vasilin( Lexo – Hysen Gegën) e arrestuan në Kosovë, gazetarin në fjalë (Lexo – Jusuf Buxhovin) e sjellin nga Gjermania për ta marrë në pyetje gjatë procesit hetues, meqë duhet të jetë vlerësuar si njohës më i mirë i veprimtarisë sonë në Perëndim.”- përfundon citati.
Si e mori në pyetje Hysen Gegën, udb’ashi Jusuf Buxhovi në ambientet e UDB-së, në janar 1981?!
Këtë pohim të Ibrahim Kelmendit, më së miri e sqaron vetë ish i burgosuri Hysen Gega, në një intervistë me titull ”Asgjë nuk harrohet” të publikuar fillimisht në gazetën “ZiK” e pastaj është botuar edhe në librin “Terror, dhimbje, qëndresë”, të autorit Faridin Tafallari në faqet 342-344.
Hysen Gega në këtë intervistë shpërfaq gjithanshëm rrethanat e marrjes së tij në pyetje nga Jusuf Buxhovi etj., në zyrat e sigurimit shtetëror – UDB në Prishtinë.
Në pyetjen e gazetarit të njohur Bislim Elshani:

”Hysen, a të kujtohet se kur je arrestuar me t´u kthyer prej Gjermanisë dhe kush të ka marrë në pyetje pas arrestimit?”
Hysen Gega përgjigjet:
“Posi. Po ato janë gjëra që nuk harrohen. Më kanë arrestuar më 31 dhjetor 1980 në orët e hershme të mëngjesit, diku kah ora 5 – 6 sapo kishte filluar pakëz të zdritej. Hetimet e mija kanë zgjatur rreth 6 muaj. Pothuajse gjatë gjithë kohës së hetimeve më kanë marrë në pyetje Mehmet Lumi dhe Lorenc Selmani. Kah fundi i hetimeve më ka marrë në pyetje edhe Adem Ibrahimi. Por në fillim të janarit 1981, data e saktë nuk më kujtohet, po ashtu më ka marrë në pyetje edhe Jusuf Buxhovi. Kështu ma kanë prezentuar atë. Për Jusuf Buxhovin kisha dëgjuar më parë se ishte korrespodent i „Rilindjes“ në Bon, por nuk e kisha parë kurrë me sy. Për herë të parë e kam parë aty, në lokalet e Sekretariatit në Prishtinë.”
Në pyetjen vijuese: ”Sa herë e ke parë gjithësejt Jusuf Buxhovin në jetën tënde?”,
Hysen Gega saktëson:
“Dy herë. Një herë në fillim të janarit 1981 kur më ka marrë në pyetje dhe një herë tjetët në fillim të vitit 1991 në Lokalet e lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë.”
Ndërkaq në pyetjet, lidhur me sjelljet e z.Buxhovi gjatë hetimeve dhe për çka interesohej më së shumti të dinte,
Hysen Gega thotë:
”Qëllimi i tij ishte që unë të pendohem për aq sa kisha bërë. Më thoshte se më kishte përcjellur atje (në Gjermani-vërejtja ime) dhe se i dinte të gjitha gjërat. M´i përmendi disa lokale, por për fat në ato lokale unë s´kisha qenë kurrë. Në këtë mënyrë bile ai më ndihmonte, ma bënte me dije se s´dinte, se dinte fort pak ose fare lidhur me çështjen time. Më bënte presion psikik. M´i ofendonte shokët, vëllezërit Gërvalla … me sharje nëne e me fjalë të cilat as me laps nuk shkruhen”. Në fund Hysen Gega, sqaron edhe një ofertë të udbashëve për vrasjen – likuidimin e vëllezërve Gërvalla …!
Lexoni të plotë intervistën e Hysen Gegës:
“Asgjë nuk harrohet”
https://pashtriku.beepworld.de/files/Rugova_2008/flet_hysen_gega_per_j.buxhovin.htm

————————————
Botuar në vitin 2008:
Realpolitika e Ibrahim Rugovës
KUSH E THEMELOI LIDHJEN DEMOKRATIKE TË KOSOVËS?! Sheradin Berisha
https://pashtriku.beepworld.de/…/rugova_pjesa_3..htm

————-
Ilustrimet:

Foto 1: Prishtinë, 23. 12. 1989, Jusuf Buxhovi duke lexuar programin dhe Ststutin e LDK-së;

Foto 2: faksimili i shkëputur nga libri ‘Ballë për ballë’, faqe 129 – 130, i autorit Nafi Çegrani;

Foto 3: Dyseldorf, 1 korrik 1978: Në Klubin Shqiptar “Emin Duraku”, veprimtari Samedin Ilazi (në këmbë duke lexuar) ulur përballë tij janë: Shefqet Hashani, Nazmi Rahmani, Metalip Qoqa, Vehap Shita, Jusuf Buxhovi (kokëulur me shpinë të kthyer nga publiku) e shumë të tjerë;

Foto 4: faksimili i shkëputur nga gazeta “Express”, intervistë me Ibrahim Kelmendin;


– Foto 5: Hysen Gega dhe Jusuf Buxhovi.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura