PROF.DR.ANA LALAJ: PLATFORMA E UNIFIKIMIT TË USHTRISË SHQIPTARE ME ATË JUGOSLLAVE – NË VITIN 1947

Tiranë, 01. 02. 2014 – “Në kohën kur udhëheqja komuniste shqiptare ishte zhytur në mbledhje pa fund, që zgjasnin deri në të gdhirë, për të dënuar Nako Spirun e vdekur dhe veprën e tij “armiqësore”, “antijugosllave” dhe në “frymën e indipendencës”, më 5 dhjetor 1947, përfaqësuesi i PKJ pranë KQ të PKSH, Savo Zllatiç, i paraqiti E.Hoxhës, tezat për Federatën Ballkanike, ku do të përfshiheshin Jugosllavia, Bullgaria dhe Shqipëria. Sipas emisarit Savo, në sektorin ushtarak, jugosllavët, bullgarët dhe shqiptarët “do të mbronin tok frontin e Jugut”. Savo madje premtoi një shumë prej 400 milion dollarësh për ushtrinë shqiptare, megjithse nuk shpjegoi se nga do të dilte kjo shumë, pasi në buxhetin jugosllav sipas tij nuk ishte parashikuar ndonjë fond i veçantë për Shqipërinë. Dy ditë më vonë, tezat e Savo Zllatiçit do të shtroheshin në Byronë politike të PKSH. Të gjithë anëtarët e Byrosë u shfaqën në unison me pikëpamjet e Savo Zllatiçit “për të punuar në baza federative, pasi kështu shkohet drejt bashkimit të vërtetë”. Në fund të mbledhjes u ngarkua E.Hoxha dhe K.Xoxe që të hartojnë materialin sipas pikëpamjes jugosllave dhe diskutimeve të anëtarëve të Byrosë Politike. Nën këtë trysni politike dhe psikologjike të gjithanëshme, udhëheqjes jugosllave iu hap rruga të shpejtonte për bashkim ekonomik, bashkim ushtarak dhe deri në përfshirjen politike të Shqipërisë në Jugosllavi.” – kështu shkruan historjania e njohur Prof.Dr.Ana Lalaj në studimin “Platforma e unifikimit të ushtrisë shqiptare me atë jugosllave në vitin 1947”. I gjithë zhvillimi historik i kësaj periudhe paraqitet me shumë argumente arkivore. Ta lexojmë së bashku. (sh.b)

Prof.Dr.Ana Lalaj

*  *  *

Tito: “Në praktikë bëjmë Federatën”

Marrëdhëniet shqiptare-jugosllave pas Luftës Dytë Botërore deri në vitin 1948, janë zhvilluar mbi platforma unifikuese politike, ekonomike dhe ushtarake. Traktati i Miqësisë dhe Ndihmës Reciproke midis dy vendeve (9 korrik 1946) do të ndiqej nga një varg marrëveshjesh ekonomike. Ndër to kryesonte “Konventa për Koordinimin e planeve ekonomike, për Bashkimin doganor dhe Barazimin e monedhave” (27 nëntor 1946). Në fushën ushtarake marrëdhëniet arritën kulmin sidomos në gjysmën e dytë të vitit 1947, kur përpjekjet për bashkim tashmë me hapjen e arkivave i gjejmë plotësisht të dokumentuara.

– Takimi i Titos me Stalinin dhe Molotovin në Moskë –

E gjithë kjo strategji jugosllave ndaj Shqipërisë bëhej me dijeni dhe leje të Stalinit. Në takimin që Tito kishte pasur me Stalinin në Moskë, në maj 1946, ky i fundit i kishte sugjeruar Titos të nënshkruante sa më shumë marrëveshje bilaterale me Shqipërinë, me qëllim që bashkimi midis dy vendeve të kërkohej nga poshtë, nga vetë shqiptarët. Ishte pikërisht një muaj pas këtij takimi, në qershor 1946, kur Enver Hoxha u ftua në Beograd, ku u përgatit traktati i Miqësisë dhe Ndihmës Reciproke Shqipëri-Jugosllavi. Muajt e mëvonshëm ishin mbushur me nënshkrime marrëveshjesh dypalëshe ekonomike, financiare, ushtarake, kulturore etj. “Në praktikë bëjmë Federatën”, do të shprehej J.B.Tito në këtë kohë.

– Pritja e Enver Hoxhës nga Molotivi në Moskë, korrik 1947 –

Shikoni videomaterialin:

Në maj-qershor 1947, kur fronti i luftimeve të Ushtrisë Demokratike Greke me forcat e Ushtrisë Kombëtare Greke ishte zhvendosur në kufi me Shqipërinë, në malet e Vicit e Gramozit, roli i Shqipërisë për bllokun komunist që po formësohej fitoi peshë për Moskën. Enver Hoxha u thirr me urgjencë nga Stalini në Moskë (14-26 korrik 1947), kurse Tito forcoi presionin mbi udhëheqjen komuniste shqiptare për përfshirjen e Shqipërisë në një federatë të përbashkët. Politika gjeostrategjike e Titos ishte fokusuar sidomos në dy qendra:
– Shqipëria dhe
– Maqedonia.
Përfshirja e Shqipërisë në Jugosllavi do të forconte pozitën gjeostrategjike të Jugosllavisë, duke i dhënë asaj një vijë bregdetare që shtrihej nga Adriatiku deri në Jon; ndërsa një Maqedoni e bashkuar (ku do të përfshihej Maqedonia e Vardarit, e Pirinit dhe e Egjeut) brenda federatës jugosllave do rriste kredibilitetin e kësaj të fundit te popujt sllavë të jugut.
Jugosllavët dhe rusët nxitojnë…
Ende pa u nisur Enver Hoxha në Moskë, më 10 korrik 1947, në Shqipëri arriti një delegacion ushtarak jugosllav i nivelit të lartë, i kryesuar nga Koça Popoviç, shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë jugosllave; gjeneral Vukmanoviç Tempo, drejtor politik i ushtrisë; gjeneral Rade Hamoviç, zëvendësi i Tempos etj. Delegacioni u prit nga Koçi Xoxe, zv/kryeminisër dhe njëherazi ministër i Brendshëm, pasi E.Hoxha po përgatitej për një diskutim në Kuvend dhe për udhëtimin e Moskës. Më vonë ky fakt do të përdorej nga Hoxha si “argument” i lidhjeve të ngushta të Xoxes me jugosllavët.
Subjekti kryesor i bisedimeve mes anëtarëve të dy Shtatmadhorive, shqiptare dhe jugosllave, ishte bashkimi i ushtrisë shqiptare me atë jugosllave. Nga të dy palët u shtrua nevoja e kontakteve më të shpeshta ndërmjet dy Shtatmadhorive, u diskutua mbi buxhetin e ushtrisë shqiptare që do të ishte pjesë e Ushtrisë jugosllave, për stërvitjet e përbashkëta, furnizimet, studentët dhe specializantët shqiptarë që do të studionin në Jugosllavi etj. Jugosllavët kërkuan dhe raporte periodikë për zhvillimet në ushtrinë shqiptare.
Nisja e Hoxhës në Moskë, më 14 korrik 1947, u bë pa ceremoni populiste, në dallim nga ajo në Beograd një vit më parë. Ndoshta statusi politik i Shqipërisë: mospjesëmarrja e saj në OKB, marrëdhëniet e ndërprera me ish Aleatët e mëdhenj të Luftës, që binin në kundërshtim me vendimet e Jaltës, ku ata ishin shprehur në unison për një politikë të njësuar ndaj shteteve të Europës Lindore, si dhe situata në kufirin shqiptar të jugut, mund të kenë ndikuar te Stalini për t’i imponuar Hoxhës një sjellje jo të zhurmshme. Krahas bisedave për Luftën Civile në Greqi, nënshkrimit të disa marrëveshjeve ekonomike, Hoxha nënshkroi në Moskë edhe një marrëveshje ushtarake njëvjeçare, ku qeveria sovjetike do të mbulonte buxhetin e ushtrisë shqiptare deri në 50%. Po kështu ai kërkoi dhe instruktorë sovjetikë ushtarakë të vinin në Shqipëri.

Marshalli J.B.Tito me bashkëpunëtorët e tij: I pari nga e djathta, Koça Popoviç, shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë jugosllave, kryesuesi i delegacionit ushtarak jugosllavë, gjatë vizitës në Shqipëri – korrik 1947.

Në mesin e vitit 1947, pranë ushtrisë shqiptare ndodheshin këshilltarë dhe instruktorë ushtarakë sovjetikë dhe jugosllavë. Ata ishin shpërndarë në Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare, pranë drejtorive, divizioneve, regjimenteve dhe shkollës së oficerëve etj. Të dy palët kishin ardhur për të ndihmuar Ushtrinë Kombëtare Shqiptare, por ndërkohë një garë e nëndheshme zhvillohej mes tyre për ndikim e kontrroll sa më të madh në sektorët ku vepronin. Kjo reflektohej sidomos në marrëdhëniet që u krijuan midis Shtatmadhorisë, pranë së cilës qëndronin këshilltarët sovjetikë, dhe Drejtorisë Politike, ku ishin vendosur këshilltarët jugosllavë. Kësisoj, Shtatmadhoria shqiptare mbështetej në përvojën sovjetike, ndërsa Drejtoria politike mbështetej në atë jugosllave. Këto ndryshime në përmbajtjen dhe në metodologjinë e punës sovjeto-jugosllave krijonin tendosje dhe ashpërsim në marrëdhëniet e strukturave të ushtrisë shqiptare.
Shtatmadhoria hartonte organikat me sovjetikët, por jugosllavët kërkonin me insistim t’i rishikonin ato; kërkesat për materiale ushtarake i dërgoheshin drejtpërdrejt Shtatmadhorisë sovjetike, ndërsa Shtatmadhoria jugosllave nuk informohej; Drejtoria Politike e konsideronte veten organi i Partisë që duhej të dinte të gjitha çështjet e Shtatmadhorisë, kurse Shtatmadhoria informonte Drejtorinë Politike vetëm pasi i kishte përcjellë urdhëresat përkatëse organeve vartëse. Për më tepër në metodën e punës së saj Shtatmadhoria nuk pranonte diskutime. Në këto qëndrime, sigurisht, Kryetari i Shtatmadhorisë gjeneral-kolonel Mehmet Shehu, dhe drejtori i Drejtorisë Politike kolonel Kristo Themelko kishin rolin e përgjegjësitë e tyre.
Vizita e Hoxhës në Moskë ngjalli xhelozi dhe frikë në Beograd. Një lidhje e drejtpërdrejtë e Tiranës me Moskën nuk ishte fort e pëlqyeshme për Beogradin. Në Moskë, gjatë bisedimeve shqiptare sovjetike, ambasadori jugosllav, Vladimir Popoviç, nuk u thirr në bisedime. Kjo donte të thoshte se Kremlini po konturonte një politikë të re me shqiptarët që duhej të mbetej e panjohur për jugosllavët. Po kështu Stalini u bënte me dije jugosllavëve se ishte ai në krye të hierarkisë ndërkombëtare komuniste dhe si i tillë ishte ai që vendoste.
Ambasadori jugosllav në Moskë do t’i bënte presion ambasadorit shqiptar Mihal Prifti për të marrë vesh përmbajtjen e bisedimeve, aq sa nga pala shqiptare pati dhe një protestë që e detyroi Titon të reagonte ashpër ndaj ambasadorit të tij.
Në kohën kur udhëheqja komuniste shqiptare ishte zhytur në mbledhje pa fund, që zgjasnin deri në të gdhirë, për të dënuar Nako Spirun e vdekur dhe veprën e tij “armiqësore”, “antijugosllave” dhe në “frymën e indipendencës”, më 5 dhjetor 1947, përfaqësuesi i PKJ pranë KQ të PKSH, Savo Zllatiç, i paraqiti E.Hoxhës, tezat për Federatën Ballkanike, ku do të përfshiheshin Jugosllavia, Bullgaria dhe Shqipëria. Sipas emisarit Savo, në sektorin ushtarak, jugosllavët, bullgarët dhe shqiptarët “do të mbronin tok frontin e Jugut”. Savo madje premtoi një shumë prej 400 milion dollarësh për ushtrinë shqiptare, megjithse nuk shpjegoi se nga do të dilte kjo shumë, pasi në buxhetin jugosllav sipas tij nuk ishte parashikuar ndonjë fond i veçantë për Shqipërinë. Dy ditë më vonë, tezat e Savo Zllatiçit do të shtroheshin në Byronë politike të PKSH. Të gjithë anëtarët e Byrosë u shfaqën në unison me pikëpamjet e Savo Zllatiçit “për të punuar në baza federative, pasi kështu shkohet drejt bashkimit të vërtetë”. Në fund të mbledhjes u ngarkua E.Hoxha dhe K.Xoxe që të hartojnë materialin sipas pikëpamjes jugosllave dhe diskutimeve të anëtarëve të Byrosë Politike.
Nën këtë trysni politike dhe psikologjike të gjithanëshme, udhëheqjes jugosllave iu hap rruga të shpejtonte për bashkim ekonomik, bashkim ushtarak dhe deri në përfshirjen politike të Shqipërisë në Jugosllavi. Në dokumentet e kohës me të cilat unë jam këshilluar nuk ndesh asnjë çast që shqiptarët të kenë kundërshtuar për gjithë sa u është kërkuar. Duket se udhëheqësit shqiptarë u shtynë në një kompleks fajësie të paqenë, a ndoshta kjo është vetëm pamja e jashtme. E vërteta është se alternativat e tyre ishin tepër të kufizuara për momentin.

– Bulllgari, Sofje 1947: Enver Hoxha gjatë takimit me Gj.Dimitrovin –

Pikërisht në këto ditë, E. Hoxha mori ftesën nga Gj. Dimitrovi për një vizitë në Bullgari, ku edhe u nënshkrua traktati i Miqësisë dhe Ndihmës Reciproke midis dy vendeve. Më 12 dhjetor 1947, delegacioni shqiptar partiak dhe qeveritar, i përbërë nga E. Hoxha, K. Xoxe, H. Kapo dhe K. Themelko u nis për në Sofje. Po atë natë, delegacioni kaloi nëpër Beograd dhe u prit nga Tito, Kardeli dhe anëtarë të tjerë të Byrosë Politike të PKJ. Në bisedimet që u zhvilluan, Hoxha pranoi se “vija jonë (shqiptare) ka qënë e shtrembër”, tregoi “rrënjët pse u shtrëmbërua” dhe pohoi se “kritikat dhe vërejtjet e PKJ janë të drejta”. Ndërsa Tito shprehu kënaqësinë që “KQ i PKSH e ka parë mirë vijën që duhet ndjekur”. Për ushtrinë, ai tha se “Shqipëria nuk mund të mbajë gjithë shpenzimet, se rëndojnë ekonominë. Prandaj gjithëçka, pajisje dhe armatime, do të futen në buxhetin jugosllav”. Atëherë Hoxha ka deklaruar se “stërvitja dhe organizimi do të jenë të njëjtë”. Megjithëse informacioni që E.Hoxha jep në Byronë Politike për takimin me Titon në Beograd është i zbehtë, janë dokumentet jugosllave që bëjnë me dije se aty “u morën vendime” për zhvillimin e ardhshëm të marrëdhënieve shqiptare-jugosllave.
Për të vënë në zbatim këto vendime në sektorin ushtarak, më 24 deri më 27 dhjetor 1947, erdhi në Shqipëri një delegacion i lartë jugosllav, i kryesuar nga gjeneral leitnant Rade Hamoviç, shefi i Drejtorisë Operative të Shtatmadhorisë. Në të merrnin pjesë dhe gjeneral leitnant Sava Dërleviç, komandant i prapavijës dhe gjeneral major Branko Petriçeviç, zëvendës shef i Drejtorisë Politike të ushtrisë jugosllave.
Një ditë më pas, tre gjeneralët u takuan në Shtatmadhorinë shqiptare, me gjeneral-kolonel M. Shehun, kolonel Tahir Kadarenë, dhe kolonel Valeri Lebediev, këshilltarin sovjetik në Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare Shqiptare. Pas diskutimeve, u konkludua për një platformë unifikuese të ushtrisë shqiptare me atë jugosllave. Platforma fillon me këto fjalë: Në interes të mbrojtjes së vendeve tona dhe të përforcimit të Ushtrisë Shqiptare, u diskutua për probleme të ndryshme ushtarake dhe u konstatuan pikëpamje të njëllojta për të gjitha çështjet, të cilat pikëpamje do t’u parashtrohen për propozim komandantëve Supremë të Ushtrisë Jugosllave dhe të Ushtrisë Shqiptare, për t’u sanksionuar me aprovimin e tyre.
Pika e parë e kësaj Platforme ishte:
1. Të kalojmë sa më parë në unifikimin e ushtrisë Shqiptare me ushtrinë Jugosllave.
Më poshtë vazhdonin format konkrete të unifikimit.
Për disa ditë me rradhë vazhduan bisedimet e delegacionit jugosllav me ushtarakët e lartë shqiptarë. Madje, Hamoviçi inspektoi vetë në terren formacionet e ushtrisë shqiptare. Delegacioni jugosllav hartoi edhe një raport “Për problemet kryesore në Armatën shqiptare” të cilin Branko Petriçeviç ia dorëzoi Milovan Gjilasit, zëvendës president i federatës jugosllave. Në atë raport vihej në dukje organizimi i dobët i njësive ushtarako-territoriale shqiptare, mungesa e armatimeve, e mjeteve automobilistike, të artilerisë, të aviacionit, shkollimi i kuadrit ishte i improvizuar, të ardhurat buxhetore nuk i viheshin me kohë në dispozicion ushtrisë, mungesa e rezervave ushqimore, mosbesimi i ushtarakëve shqiptarë në forcat e tyre etj.
Gjithashtu delegacioni bëri një varg propozimesh, që duhej të plotësonte Shtatmadhoria e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare.
Sipas tyre,
– ushtria shqiptare duhej të kishte një plan unik operacional në rast lufte me ushtrinë jugosllave;
– të gjitha urdhëresat e ushtrisë jugosllave do të ishin të vlefshme edhe për ushtrinë shqiptare;
– legjislacioni po ashtu;
– ushtria shqiptare të inkorporohej në buxhetin e ushtrisë jugosllave.
Njëkohësisht propozimet theksonin se
– “pranë Ministrisë së Mbrojtjes Popullore të Shqipërisë do të vinte një delegat i Ministrisë së Mbrojtjes Popullore Jugosllave;
– shefi i Shtatmadhorisë, gjeneral-kolonel M. Shehu të largohej dhe në vend të tij të vendosej kolonel Beqir Balluku; dhe në ushtrinë shqiptare nuk kishte më nevojë që të vinin instruktorët sovjetikë ushtarakë që ishin paralajmëruar;…”

Me sa duket instruktorët ushtarakë sovjetikë shiheshin si pengesë për unifikimin e ushtrisë shqiptare me atë jugosllave. Po kështu dhe ata ushtarakë të lartë shqiptarë që bashkëpunonin ngushtë me ta.
Më pas delegacioni jugosllav takoi dhe Enver Hoxhën, i cili u pajtua me propozimet. Megjithatë duhet thënë se jugosllavët nuk e njohën Enver Hoxhën me të gjitha pikat e materialit, gjë që le të kuptohet se ata nuk i besonin atij plotësisht. Raporti iu referua edhe J.B.Titos, cili i mirëpriti propozimet.

Nako Spiru 1918 – 1947

Beqir Balluku 1917 – 1974

Rasti Shehu
Në prag të largimit të delegacionit jugosllav për në Beograd, u bë një mbledhje tjetër në Shtamadhorinë shqiptare, ku merrnin pjesë nga pala jugosllave:
– gjenerali Rade Hamoviç,
– gjenerali Sava Dërleviç, dhe
– gjenerali Branko Petriçeviç.
Ndërsa nga pala shqiptare:
– M.Shehu,
– V. Lebediev,
– Aleksander Pavlov,
– Teki Koloneci,
– B. Balluku,
– T. Kadareja dhe
– K. Themelko.
Në atë mbledhje u bisedua mbi punën e Shtatmadhorisë dhe Shehu u kritikua nga jugosllavët, por edhe nga kolegët ushtarakë shqiptarë. Shehu u kritikua si një njeri me karakter problematik, egoist, mëndjemadh, nevrik, që nënvleftësonte shokët etj. Pakënaqësi të tilla për të kishte dhe nga kolektivi ku punonte. Megjithatë në këto vlerësime përfshiheshin dhe ambicjet karrieriste të kolegëve të tij. Por akuza që rëndonte më shumë mbi të ishte ajo e “ndikimit nga Nako Spiru, veprimtaria armiqësore e të cilit ishte përhapur edhe në ushtri”. Ajo mbledhje përgatiti përfundimisht terrenin që Shehu të largohej nga Shtatmadhoria.
Në fillim të janarit 1948, çështja Shehu u shtrua edhe në Byronë Politike të PKSH. Paraprakisht Hoxha, Xoxe, Themelko kishin biseduar dhe me ambasadorin jugosllav në Shqipëri, Josip Gjergjia dhe emisarin Savo Zllatiç. Sipas jugosllavëve “Shehu e kishte kuptuar që po ndërrmerrej diçka kundër tij dhe kishte rënë në një gjendje që lehtë mund të ndodhë që të bëjë ndonjë marri apo ndonjë ekses”. Kjo do të thoshte se Shehu mund te vriste veten, gjë që do të ishte vetevrasja e dytë pas Nakos në Byronë Politike të PKSH. Kjo do të cënonte prestigjin e udhëheqjes shqiptare por dhe të asaj jugosllave.
Prandaj ata sugjeronin që kritika ndaj Shehut të mos ishte asgjësuese. Zllatiç, i këshilluar dhe me Aleksandër Rankoviçin, ministrin e brendshëm jugosllav, i rekomandoi udhëheqjes shqiptare që ta thërrisnin M. Shehun në Byronë Politike dhe ta trajtonin çështjen e tij në plan partie. Sipas tyre, Shehut duhej “t’i jepej një lloj mundësie dhe perspektive”. Pra, jugosllavët kishin vendosur të mos e digjnin përfundimisht kartën Shehu.

Mehmet Shehu 1913 – 1981  

Në vijim të qëndrimit jugosllav, Byroja Politike u mblodh dhe e shkarkoi Shehun si Shef i Shtatmadhorisë dhe në vend të tij emëroi kolonel Beqir Ballukun. Ndërkohë u krijua dhe një ministri e re, Ministria e Transportit dhe e Komunikacionit, ku posti i ministrit iu rezervua Shehut.
Në mbledhjen e ardhëshme të Byrosë, më 8 janar 1948, Shehu u akuzua për një varg dobësish e të metash në punë, si dhe për frymë antijugosllave, por që Mehmeti “nuk e kishte në atë shkallë aq sa Nako”. Megjithatë mbledhja konkludoi se “Shehu nuk i ka garancitë të qëndrojë në ushtri, në këtë situatë, kur bëhet unifikimi i ushtrisë për një front të vetëm në të gjithë Ballkanin”. Në atë mbledhje Shehu pranoi të gjitha akuzat e bëra ndaj tij, me përjashtim të qëndrimit “antijugosllav”. Ai u shpreh se “Unë garantoj se nuk jam kundër Jugosllavisë, nuk jam kundër bashkimit të ushtrisë sonë me atë jugosllave”. Është e qartë se ftohtësia e Shehut ndaj ushtarakëve jugosllavë, nuk ishte kundërshtim politik ndaj vijës jugosllave, por më tepër një rrjeshtim në krah të këshilltarëve dhe instruktorëve sovjetikë me të cilët Shtatmadhoria bashkëpunonte ngushtësisht.
Më 18 janar 1948, Savo Zllatiç i shkruante Rankoviçit: “Këto ditë Shehu i dorëzoi detyrën në Gjenerashtab Beqir Ballukut, i cili së bashku me K. Temelkon dhe një grup oficerësh shqiptarë do të arrijnë së shpejti në Beograd në mënyrë që atje konkretisht të vendosin për zbatimin e vendimeve, të cilat janë marrë gjatë qëndrimit të Enverit në Beograd (më 12 dhjetor 1947). Shehu e ka pranuar verdiktin partiak dhe sipas të gjitha gjasave ka ndier lehtësim”. Por edhe jugosllavët ndjeheshin të lehtësuar. Rruga për bashkimin e ushtrive ishte e hapur. Në bisedimet e Beogradit morën pjesë Themelko, Balluku, Kadareja dhe Koloneci. Në Beograd të gjithë anëtarët e delegacionit ranë dakord për çdo gjë që kërkonin jugosllavët në lidhje me unifikimin e Ushtrisë dhe madje edhe për ardhjen e Divizionit jugosllav në Korçë.

—————————————

(Ilustrime i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org, Sh.Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura