Pashtriku, 6 dhjetor 2020: Prizreni si qytet Muze ka shumë artefakte historike dhe objekte të vjetra karakteristike. Një objekt i tillë është dhe ndërtesa “Beledije”. Fjala “Beledije” në gjuhën turke do të thotë komunë!
Kjo ndërtesë gjendet në lagjen Tabakhane, në kufirin perëndimor të Zonës Historike të Prizrenit, buzë bregut verior të Lumbardhit (sot në mes të shkollës “Remzi Ademaj” dhe Kuvendit Komunal të Prizrenit) Është ndërtuar në fillim të shekullit XIX, dhe ka shërbyer si Komunë për administratën e kohës në Prizren.
Në prapavijë të fotografisë së vjetër shihet Xhamia e Mustafë Pashës, e ndërtuar në vitin 1562 nga Mustafë pasha. Sot nuk ekziston asnjë gjurmë e xhamisë, sepse në vitin 1950 pasi u rrënua minarja nga një stuhi e fortë ere, në vitin 1952 pushteti e rrënoi edhe xhaminë së bashku me oborrin e saj të madh me varreza. Në këtë vend ndërkohë u ndërtua tregu i gjelbër. Pastaj në vitet e ’80-ta u ndërtua godina e Bankës, në të cilin pas luftës u vendos selia e UNMIK-ut, ndërsa tani punon Administrata e Kuvendit Komunal të Prizrenit.
Ndërtesa “Beldije” ka planimetri drejtkëndëshe dhe është e ndërtuar në kat. Karakterizohet me fasadë, dekorime të plastikës murale dhe me elemente të stilit Barok. Fasada ballore, mbi derën hyrëse e ka ballkonin e rrethuar me gardh të hekurt. Enterieri karakterizohet me elemente të drugdhendjes, në shtyllat e punuara, parmakët e shkallëve dhe tavanet. Në dhomën kryesore të katit, tavani është i punuar me drugdhendje dhe i zbukuruar me piktura murale. Në anën veriore të ndërtesës gjatë shekullit XIX rridhte përroi dhe pranë tij ishte ndërtuar kroi i gurit “Beledije” (shikoni foton e vjetër).
Me rastin e ndërtimit të aksit rrugor (që sot quhet rruga Remzi Ademaj) kroi i gurit është bartur në sheshin e Dëshmorëve. Në vitet 2010/2011, bëhet restaurimi i tërësishëm i objektit dhe aty hapet Qendra e parë Regjionale për Trashëgimi Kulturore në Ballkan. Në këtë ndërtesë gjithashtu gjendet edhe Zyra Turistike e Informimit për qytetin e Prizrenit.
Ndërtesa e Beledies si e tillë ka vlerë historike dhe arkitekturore!
===================================
Në foto, Sheradin Berisha: Flutura e vjetër e përroit, në rrjedhën e kroit të gurit pranë ndërtesës Beledije, tani e vendosur në lagjen “Tabakhane” të Prizrenit, buzë bregut verior të Lumebardhit. (Foto Syri Ramadani)