PROF.MURAT GECAJ: NA BASHKOI REVISTA ‘HORA’ E VRANISHTIT…

Tiranë, 05. 05. 2016: /1. Nuk është hera e parë, që marr në duar revistën periodike dhe me ngjyra, “Hora”, të Vranishtit të Vlorës. Botues i saj është ing.Besnik Hasanaj dhe këtë numër e ka përgatitur për botim gazetari Duro Mustafaj. Ndërsa kam venë re që, ky i fundit, tregon kujdes të veçantë edhe për ta dërguar atë, te bashkëpunëtorët e lexues të tjerë.
Kësaj here, për ta marrë nr.10 (prill, 2016) të revistës në fjalë, më telefonoi kolegu e miku Përparim Hysi. Ai kishte porosi nga Durua që, një kopje të kësaj reviste, të ma dhuronte mua. Ndoshta, ai kishte parasyshë një skicë, që kam publikuar kohët e fundit, ku shprehem se edhe vlonjatët i kam “kusherinj”(ha,ha), nga fakti se në shtëpinë tonë, Gecaj, kemi katër nuse nga ai rreth…
Pa e zgjatur, tregoj se sot në mëngjes, siç e kishim lënë më parë, u takova me Papin, në lokalin e Pallatit të Kulturës së kryeqytetit. Pata kënaqësi të veçantë, se aty gjeta edhe mikun e kahershëm, shkrimtarin e publicistin Ilinden Spasse. Gjithashtu, ai shprehu dëshirën që ta merrte një numër të revistës “Hora”.


Nga e djathta: P.Hysi,I.Spasse e M.Gecaj (Tiranë,4 maj 2016)

Sigurisht, bisedat tona u sollën aty rreth jetës dhe problemeve ditore, për botimet e ndryshme etj., pa anashkaluar ankesat shëndetësore të moshës. Ndërsa, të tre ne, shprehëm falënderimet tona për botuesin dhe redaksinë e kësaj reviste, e cila tashmë është bërë e njohur për lexuesit tanë.
2.
Jo për të bërë komente rreth shkrimeve të këtij numri të ri të revistës “Hora”, por vetëm sa për të treguar shkurt përmbajtjen e saj, po ndalem, në pak radhë.
Nën titullin “Mirëserdhe, moj pranverë”, botohet vjersha kushtuar nënave, “Lulja më e bukur je ti!…”. Po aty gjejmë një foto të Muhamet Tartarit-“Mjeshtër i Madh”, bashkë me dy nipa e një mbesë. Gjithashtu, janë dhe pak radhë të rapsodit Feti Bajrami, që ia ka kushtuar atij. Në faqen e tretë është shkrimi “Ndërtimi i rrugës së Lumit të Vlorës”(një marrëveshje e përfunduar) dhe flitet për Akademikun Rexhep Qosja, “Nderi i Labërisë”.
Në faqet vijuese, vëmendjen e lexuesit e tërheqin shkrimet: “Të panjohura e të pathëna për Himarën”(nga Dr.Moikom Zeqo), “Në vendin e heronjëve-gjurmëve të historisë”(nga gazetari Marin Mema, në Vranisht) dhe shënime për Nënë Terezën, Fan Nolin e Nelson Mandelën.
Nuk mungojnë në këtë revistë as krijimet poetike të disa autorëve, si: Duro Mustafaj, Përparim Hysi, Natasha Limaj (Fejzaj), Selam Xhamaj e dr.Neki Dardha, si dhe komenti për librin kushtuar dëshmorëve të Vranishtit (përgatitur nga Agron Metaj e Lefter Hasanaj). I jepet vend me rëndësi në revistë edhe poetes, me origjinë nga Vranishti, Alma Feruni.


Ballinat e revistës “Hora” (Nr.10, prill, 2016)…

Për traditat historike të krahinës dhe bijtë e saj, flasin shkrimet nga Ramadan Ramadani, ai kushtuar veteranit Muharrem Qamili, një tjetër për mësuesin Isak Habili (nga Fatbardha Duka-Bedaj) dhe kujtimet e Akademikut Vasil Tole, për muzikologun e shquar Haxhi Dalipi, në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta.
Në këtë numër të revistës “Hora” janë botuar dhe disa shkrime publicistikë, si: “Klubi Labëria”(nga Harrilla Koçi), “Odhise Goro dhe të bijtë e Himarës”(nga Nase Jani), “Biblioteka Shefqet Musaraj”(nga Çlirim Hoxha) dhe “Luan Çipi, autori i një duzine librash-Në qendër të tyre, Vlora dhe Labëria”, “Dhërmiu, fshati i shoferëve”(nga ing.Stefan Bitri) dhe “Gëzim Llojdia, një penë gjithnjë në krijim” (nga Luan Çipi).
Gjithashhtu, në këtë revistë janë publikuar shkrime për kohën e lirë, si dhe njoftimi se u është dhënë titulli “Nderi i Qytetit të Vlorës”, Hajro Limajt e Irfan Bregut.
Në mbyllje, e përgëzojmë botuesin dhe redaksinë, për përgatitjen dhe botimin e numrit të ri të revistës “Hora”, të Vranishtit të Vlorës!
Tiranë, 5 maj 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura