PROF.DR.MUHAMET PIRRAKU: RRUGËTIMI I POLICISË SHQIPTARE 1912-1945, BAZË ANTOLOGJIKE PËR HULUMTIME TË REJA

(Pashtriku.org, 27. 04. 2012) – Auditor i nderuar, Me Zotëri Hilë Lushakun kemi një letërkëmbim të frytshëm që nga viti 2008, që rezultoi me kurorëzimin nga Zotëri Lushaku, të dy veprave që do të nderojnë Historiografinë shqiptare. Qëndron e vërteta, se më qeshi fati që rastisi ta njoh këtë studiues idealist, për ta këshilluar në fushë të metodologjisë historiografike, e për tu pajisur edhe unë me faktografi burimore që nuk do ta kisha parë kurrë!
      Vepra “Rrugëtimi i Policisë Shqiptare 1912-1945” që sot e kemi në duar, është produkt i një pune kërkimore shkencore mbi 4-vjeçare, mbështetur kryesisht në burime arkivore dhe në shtypin e viteve 1912-1945.
     Vërtetë, ishte Zotëri Hila ai që nuk më linte të kurseja veten, sepse ai shtronte kërkesa, gati të përditshme, për ta udhëzuar e për të sqaruar e saktësuar së bashku shumë probleme të historisë së policisë së Shqipërisë të cilat, deri më sot historiografia jonë nuk i ka evidentuar!?!
     “Rrugëtimi i Policisë Shqiptare 1912-1945” mbështetet kryesisht në burime arkivore të vjela me durim, e dashuri, për t’i ndriçuar shkencërisht problemet e shtruara. Vërtetë, studiuesi Lushaku me durim dhe saktësi të admiruar ka arritur të paraqesë dhe të analizojë thelbin e informatave. Thënë simbolikisht: kjo vepër është si një rrugëtim, që zë fill nga mbledhjet e para të Qeverisë së Vlorës deri pas fitores së plotë të LANÇ të Shqipërisë kur Policia e mori për mision të përmbushte përgjegjësitë si pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë. 

____________________________

_______________________________

     Mund të saktësojmë edhe faktin se autori ka mundur të pasqyrojë thjesht e qartë pikat kulmore të veprimtarisë së Policisë shqiptare që nga lindja e saj, duke e prezantuar atë si pjesë të administratës shqiptare të pavarur por edhe të ndërvarur nga regjimet. Gjithsesi historia e Policisë vlerësohet si pjesë e tërësisë së historisë kombëtare shqiptare në kthesa të mëdha historike për problemin e sigurisë publike me struktura civile, në varësi të organeve të qeverisjes qendrore e vendore, pavarësisht uniformave e pajisjeve ushtarake që ka përdorur.
Në “Rrugëtimi i Policisë Shqiptare 1912-1945”, policia paraqitet si shërbim i pëlqyer nga komuniteti në akëcilin mjedis edhe përkundër sjelljes së dhunshme gati ushtarake të xhandarmërisë, gjë të cilën autori e ka prezantuar me një saktësi edhe në saje të shkollimit e të përvojës në shërbim të ushtrisë e të policisë në kohë të qeta e në kohë furtune për vendin e për kombin. 
     Në këtë vepër është pasqyruar me mjeshtëri edhe prirja e dashuria e Mbretit të shqiptarëve, Ahmet Zogut, për mbajtjen e rendit kryesisht me struktura të xhandarmërisë, por edhe hiletë e dredhitë e tija për mbajtjen e policisë së fshehtë, kryesisht për të goditur kundërshtarët politikë. Dashuria e autorit për të vërtetën dhe aftësitë në fushën e kërkimeve profesionale kanë mundësuar pasqyrimin e rrugëtimit të Policisë, veshur me të gjithë elementët strukturorë dhe me ndriçimin shkencor të misionit e të përgjegjësive të policisë në të gjithë etapat e zhvillimit.
     Saktësisht, që nga ditët e para të përdorimit të nocioneve “siguria” e “policia”, autori i ka ndriçuar argumentueshëm rrethanat e mjedisin ku lindi Policia, si dhe nevojat e saja në një shtet demokratik, por edhe vështirësitë e panumërta fillestare, në mungesë të personelit profesionist e të akteve ligjore autentike shqiptare, pa infrastrukturë e logjistikë, pa zyra pune e mjete komunikimi, etj.
     Të saktësojmë edhe këtë fakt: Ndjeshmëria profesionale e autorit ndaj situatave të dhimbshme që kaloi shteti Shqipëri dhe kombi ynë, të cilat i përjetoi edhe në qenien e vet si kryepolic bëri të na dhurojë një pasqyrim të historisë së Policisë Shqiptare me ndjeshmëri e saktësi, që nga grupi i parë i policëve atdhetarë, mbështetës të Qeverisë së Vlorës, e më pas ecurinë e Policisë në tutelën e xhandarmërisë së mbikëqyrur të ekspertëve holandezë, si dhe ndarjen e kobshme të policisë “Pro Qeverisë së Vlorës” e “Pro Qeverisë së Esad Toptanit”, e në vijim rolin e policisë së “Qeverisë së Durrësit” të vitit 1919 si dhe organizimin bashkëkohor të policisë nga Qeveria e Sulejman Delvinës.
     Autori Lushaku me argumente e me paanësi e pasqyroi zhvlerësimin, përçmimin e suprimimin e Policisë së Shqipërisë prej Ahmet Zogut pas “Lëvizjes antizogiste të marsit 1922”, dhe përpjekjet e tij të etshme për fuqizimin e “policisë sekrete” që nuk pushoi edhe pas marrjes së komandës nga Musa Juka, në vitet 1925-1928, 1930-1932, 1938-1939, “shuarjen” e zëvendësimin e saj me “xhandarmërinë qytetase”, ku nuk mbetet në hije edhe roli i ekspertëve anglezë Stirlingu e Persy, me prirje të theksuara kah xhandarmëria, një qëndrim që lidhej me mosnjohjen e mirë të psikologjisë së shqiptarëve, e të kulturës së popullit shqiptar.
     Studiuesi Lushaku i cili sot e meriton epitetin “Historian specialist i historisë së Policisë së Shqipërisë”, në këtë vepër, ka sjellë informata burimore të panjohura për organizimin dhe gjendjen e policisë në periudha të ndryshme, në prefektura e nënprefektura, për përpjekjet dhe organizimet e policisë në territoret shqiptare të Kosovës, Maqedonisë e në Ulqin, si edhe për titullarët e parë e ata në vijim, për protagonistët e policisë në përgjithësi.
     Këtu e vlen të përmendet nxjerrja në dritë e rolit të madh e drejtuesve të parë, ndër ata veçantë e veprimtarit rilindës Halim be Jakova-Gostivari i ngatërruar nga shumë historianë e publicistë me Halim Tetova-Dëralla në një kohë kur ky ishte deputet në Mbretërinë Jugosllave.
     Me interes të madh është ndriçimi i rolit të atdhetarëve: Fehim Mezhgorani-Tepelena, delegat në shpalljen e pavarësisë në Vlorë, e Veli Vasjarit, Sulejman Kërçikut, e Hamza Isa Isaraj, Hilë Mosit e Ahmet Sinanit, Musa Çelepijes, Qazim Bodinakut, Rrustem Ymerit e më pas edhe të pushkatuarve nga regjimi komunist: Zef Kadarja, Shyqyri Borshi, Gjysh Deda, apo të emigruarve Theodor Stamati e Tahir Kolgjini, e shumë të tjerëve.
     Hilë syshqiponja, siç ma do zemra ta quaj hulumtuesin zhbirues të historisë së Policisë së Shtetit amë të gjithëshqiptarëve, sikur i dha detyrë shpirtërore vetës, zbardhjen e jetëshkrimeve të 166 protagonistëve, të prezantuar në fund të veprës. Lushaku ka hedhur dritë fillestare me inspirim për hulumtime të reja edhe për dhjetëra personalitete të tjera në shtrirje të veprës, e që nuk u dihet fati. Vërtetë, falë punës kërkimore të studiuesit Hila do të mundësohet nxjerrja nga anonimati i shumë personaliteteve që i shërbyen Policisë shqiptare, sakrificat dhe atdhetaria e të cilëve meriton të vlerësohet e të skalitet në altarin e Atdheut.
     Nga lëvrimi i dokumenteve burimore, gjurmuesi Lushaku ka grumbulluar fakte drithëruese të kushteve të këqija në të cilat punuan policët shqiptarë në periudhën 1913-1945, duke nisur nga ndëshkimet e diskriminimet ndaj tyre për faje të politikës ditore, pasqyron edhe gjendjen e mjeruar ekonomike-sociale të policisë e të familjeve të tyre.
     Këtu e do vendi të konstatojmë: Studiuesit Lushaku nuk i kanë shpëtuar edhe faktet për njohjen e vlerësimin e rolit të Policisë në paraqitjet e mendjeve të ndritura në shtypin e kohës brenda dhe jashtë Shqipërisë, si edhe për lidhjet e Policisë shqiptare me shërbimet analoge në Ballkan, Evropë e Botë.
     Madje studiuesi evidentoi edhe një ftesë për Policinë Shqiptare që të merrte pjesë në veprimtaritë e Lidhjes Botërore të Policive, sugjerimin për të futur femra në Polici apo në kërkesën e disa të huajve që të bëhen pjesë e Policisë Shqiptare me dëshirë që të kontribuonin për evropianizimin e modernizimin e saj.
     Gjurmuesi i pasionuar, ka zbardhur edhe rolin e qeverive e të ministrave të Brendshëm për Policinë, vlerësimet apo nënvlerësimet e tyre ndaj saj, që i shton rendësin veprës.
     Në këtë eveniment ka shumë të dhëna edhe për rolin e besuar të Policisë në hetimet e në kryerjen e procedurave ligjore të hetimit kriminal, për diktimin e ndikimit politik ndaj saj, për abuzimet në dhënien asaj të përgjegjësive në goditjen e elementëve antizogistë ku ranë pre edhe Hasan Prishtina, Hoxhë Kadri Prishtina, Bajram Curri, Rexhep Mitrovica, Fejzi Alizoti, Mufid Libohova, Aqif pashë Biçakçiu, Mustafa Kruja, e të tjerë.
     Në këtë libër, u sollën edhe fakte për reforma bashkëkohore, të cilat sot pretendohen se u futen për herë të parë si shërbime në Policinë Shqiptare: “hapja e dosjeve të autorëve të krimeve”, bazuar në përvojën evropiane.
     Në “Rrugëtimi i Policisë” Hila sjell emërtimet në vite të Shërbimit të rendit: “Drejtoria e Përgjithshme e Policisë” së Qeverisë së Vlorës, pastaj “Drejtoria e Policisë”, “Drejtoria e Përgjithshme e Qetësisë”, “Drejtoria e Sigurisë Botore”, etj. 
     Vepra e Hilës ndriçon edhe rolin e policive të tjera që u krijuan në Shqipëri, si ai i “Shërbimit të fshehtë”, “Policia Parlamentare”, “Policia Komunale” (apo Rurale), “Policia e Bashkisë”, ajo pyjore, bujqësore, e rojës kufitare, e rrugës, zjarrfikëset, Policia e burgjeve, Policia e hoteleve e pijetoreve, “Policia Metropolitane” dhe “Policia Countable”.
     Vlera e veprës rritet dukshëm edhe me evidentimin e akteve ligjore ku u bazua veprimtaria e Policisë shqiptare, e sidomos aktet e para dhe më pas ndryshimet e pasurimet e tyre ndër vite, duke shënuar edhe autorët, e shquar në fushën e shërbimit të rendit, si: Halim be Jakova, Ahmet Sinani, Musa Çelepiaj, Rauf Fico e Hilë Mosi.
     Hulumtuesit e ardhshëm të historisë së policisë shqiptare, në veprën e Lushakut do të gjejnë informacionin e duhur për qëndrimet dhe politikat e qeverive shqiptare në fushën e sigurisë publike edhe për problemet: Qëndrimi ndaj të huajve, pajisja me letërnjoftime e me pasaporta, për rregullat e kalimit kufitar, për dhënien e lejeve për mbajtjen e armëve, për grumbullimet dhe demonstrimet, për censurën ndaj shtypit, për rregullat e kufizimet e hyrjes në vende publike, për kontrollin e bujtinave e të hoteleve dhe për detyrimet e tyre ndaj policisë, për zbulimin dhe goditjen e prostitucionit të pa legalizuar, për gjurmimet e personave të dyshimtë me prirje kundër qeverisë, për zbulimin e autorëve të delikteve, për internimin e familjeve të personave të arratisur, për largimin e lypësve nga rrugët, etj.
     Po kështu, me vlera të veçanta janë faktet e sjella për rolin e shërbimeve të Policisë në hetimet e ngjarjeve të cilësuara “antiqeveritare” që nga ajo e Cakranit dhe e Beqir Grebenesë në kohën e Qeverisë së Vlorës, më pas ajo e lëvizjes esadiste e kryesuar nga Osman Bali, Osman Mema e Tafë Kaziu, ajo e dhjetorit 1921 kundër qeverisë së Hasan Prishtinës, lëvizja antizogiste e marsit 1922, ajo e Dukagjinit më 1926, e Vlorës më 1932, e Fierit më 1935, e Delvinës, dhe sidomos hetimet policore e gjyqësore kundër elementëve komunistë në periudhën 1939-1944.
     Pushtimi fashist italian e ktheu Policinë e Mbretërisë Shqiptare në Trupë të Armatosur, në shërbim të fashizmit, të organizuar sipas modelit Italian, e duke krijuar trupa të përbashkëta shqiptaro-italiane. Vërtetë, nën okupimin fashist, policia u politizua skajshëm, duke rekrutuar kryesisht pjesëtarë të “Partisë Fashiste Kombëtare Shqiptare”. 
     Në “Rrugëtimi i Policisë” është ndriçuar mjaftueshëm edhe roli i shtypit për policinë, sidomos gazetat që dilnin në Korçë e në Shkodër, të cilat kanë fshikulluar me ironi dallkaukët, të korruptuarit, të paaftit.
     Vlerën e veprës së Hilë Lushakut e rrisin 139 fotografi të protagonistëve kryesorë, të cilat veprës i japin vlera antologjike, e për vlerën shkencore qëndrojnë dëshmi kujdestare 557 shënimet nën tekst dhe bibliografia, ku figurojnë emrat e 69 gazetave nga të cilat janë vjelë shumë të dhëna historiografike; si dhe 70 fonde të Arkivit Qendror të Shqipërisë, nga të cilat janë shfrytëzuar qindra dokumente. Burime parësore janë edhe 37 numra të “Fletoreve e Gazetave zyrtare” si dhe 24 njësi bibliografike.
     Të dashur, më lejoni ta “shaj” vetën: Në jetën time shkencore, Shqipërinë e Vitit 1913, e kam quajtur dhunë ndërkombëtare ndaj kombit shqiptar, e për të tillë e njoh edhe sot, pasi kurrë nuk arriti të bëhet Piemont i kombit tonë të copëtuar.
     Megjithatë, kam nderin t’u përcjell urimet vëllazërore më të përzemërta për promovimin e “Rrugëtimit të Policisë” së Vëllait tim vullkanik, Hilë Lushakut që po bije në fille të manifestimeve përkujtimore kushtuar 100 vjetorit të Kuvendit Gjithëkombëtar të Vlorës.  
Tiranë, 25 prill 2012

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura