Pashtriku.org, 7 mars 2017: “Divizioni i Kukësit dhe gjeneral Kudusi Lama ishin bartësit kryesor të luftës që zhvillohej në gjithë atë front të gjerë, aq sa ishte edhe vija kufitare Shqipëri-Kosovë… Pra, Divizioni i Kukësit ka dhënë një ndihmë të paimagjinuar në mjete luftarake, duke e pasë parasysh edhe një fakt tjetër, se pas thyerjes së kufirit lufta sabotohej jo vetëm nga kundërshtarët e luftës në Kosovë, por filloi të sabotohej tmerrësisht edhe nga vetë ata që drejtonin luftën nga hotelet e Tiranës, të cilët bllokuan mjetet financiare duke e lënë UÇK-në pa mbulesë të mjaftueshme, si në armatim, ashtu edhe në municione. Dhe, pikërisht në këtë situatë të krijuar Divizioni i Kukësit me udhër të gjeneral Kudusi Lama hapi depotë e armatimit të luftës, duke furnizuar repartet e UÇK-së me mjete të sofistikuara…” – kështu deklaron veprimtari Agim Sylejmani në pjesën e fundit të bashkëbisedimit.
DETYRAT THEMELORE TË SHTABIT TË OPERACIONIT “SHIGJETA”
Pashtriku: Të flasim pak për çështjet operative të shtabit. Në një dokument arkivor me titull: “Struktura organizative e operacionit ‘Shigjeta'”, figuron edhe emri juaj si shef i administratës. A mund t’i kujtoni në mënyrë të përmbledhur, punët themelore operative të kësaj strukture komanduese, të kryer gjatë përgatitjeve për operacionin “Shigjeta”?
Agim Sylejmani: Operativa e Komandës së Operacioneve e ngritur shpejt dhe e vënë në punë në një afat të paimagjinueshëm për kushtet normale, fillimisht u mor me:
– krijimin e hartave të terrenit të luftës,
– krijimin e ditarëve të luftës,
– vënien e kontaktit të rregullt telefonik me të gjitha Zonat Operative të UÇK-së në Kosovë, duke mbledhur të dhënat lidhur me lëvizjet e ushtrisë, policisë dhe njësiteve paramilitare serbe,
– dislokimin e armatimit të tyre,
– përcaktimin e koordinatave të sakta të këtyre armëve etj.
Gramoz Kelmendi punonte në krijimin e hartës topografike të luftës, duke e ndihmuar kështu kolonel Spiro Butkën. I lejoj vetes të them se ai aq shpejt e përvetësoi këtë “zanat” sa edhe mund të matej me vet kolonelin.
Pas dhjetë ditë pune intenzive, të thuash 24 orë në ditë, me pak ndërrime të kohë pas kohëshme, sa për të vënë ndonjë sy gjumë, kolonelët dhe Gramozi përfunduan me hartën topografike dhe përcaktimin e koordinatave në terren, punë e cila u vlerësua jashtëzakonisht shumë nga përfaqësuesit e NATO-s. Ata kërkuan që hartën ta dërgonin në Bruksel si dhe në Vashington. Kështuqë kolonel Spiro Butka dhe Gramoz Kelmendi bënë të pamundurën duke e kopjuar në letër të madhe prej pausi disa metërshe gjithë hartën që ishte krijuar në Operativë. Me këtë u dëshmonim aleatëve se në krye të luftimeve gjendeshin ushtarakë të aftë dhe me përvojë.
Këto ishin si të thuash punët themeltare për realizimin e operacioneve luftarake jo vetëm në një pikë fronti, siç ishte ai i Koshares, por tani përgatitej mësymja e përgjithshme për çlirimin e Kosovës edhe përmes Pashtrikut. Për këtë front kaq të gjerë nuk flitet e nuk shkruhet sa duhet, për të mos thënë se kjo edhe minimizohet jo pa qëllim. Duhet ta kemi parasysh se forcat e UÇK-së në një numër shumë më të paktë se sa numri i madh i koncentruar i forcave të armatosura dhe paramilitare serbe me njësitë elite të artilerisë serbe, qëndronte ballë përballë tyre të gatshme për veprim dhe flijim. Në kufirin me Shqipërinë, Serbia kishte dislokuar mijëra ushtarë të armatosur me armët më moderne të kohës, përballë një ushtrie të ngritur mbi baza vullnetare, por tejet të motivuar për të luftuar për atdheun e tyre, me një moral të lartë, që shumë ushtri do ia kishin lakmi, të gatshëm të derdhnin gjakun për lirinë e atdheut pa llogaritur fare jetën e tyre.
Një pjesë e Operativës, Spiro Butka, Gramoz Kelmendi, Flora Krasniqi dhe ulur Agron Haradinaj
QENDRAT STËRVITORE TË UҪK-së NË VERI TË SHQIPËRISË
Pashtriku: Theksuat raportin e forcave të armatosura midis UÇK-së dhe forcave serbe që ishin dislokuar përgjatë kufirit me Shqipërinë. Në sa qendra stërvitore ushtronin vullnetarët e UҪK-së (gjatë muajit maj) dhe cili ishte numri i përgjithshëm i tyre që stërviteshin aty, për t’u përballur me forcat e dislokuara serbe në kufi, gjatë operacionit “Shigjeta” në Pashtrik?
Agim Sylejmani: Në veri të Shqipërisë ishin të ngritura shumë stërvitore të UÇK-së, baza të vërteta ushtarake, me njësi të rregullta dhe të armatosura, të gatshme të hidhen në veprime luftarake kurdo që do kërkohej prej tyre. Stërvitore të mëdha ishin ato në Helshan, Kalimash, Burrel, Feken, Vlahnë, Cahan, Fushë Dukagjin, Papaj, etj. Por kishte edhe në mbrendi të Shqipërisë, si në Rogozhinë, Durrës, etj.
DITARËT E LUFTËS
Pashtriku: Agim, më lartë evidentuat edhe punët themelore që kishte kryer Komanda e Operativës nën drejtimin e Bislim Zyrapit. E ti si shef i administratës, me çfarë punë merreshe konkretisht gjatë kësaj kohe?
Agim Sylejmani: Unë merresha me krijimin e dokumentaconit të Operativës së Komandës së operacioneve. Hartoja raporte për gjendjen e forcave serbe dhe koordinatat e tyre, koordinata të cilat i përcaktonin kolonelët, sidomos Gramozi. Këto pastaj dërgoheshin nga Agroni tek njësia ndërlidhëse e NATO-s në Kukës, e cila pastaj këto koordinata të caqeve të pozicioneve të forcave serbe ua dërgonte pilotëve luftarakë të NATO-s që kryenin veprime luftarake nga ajri. Pos kësaj unë ndihmoja edhe në krijimin e Ditarëve të luftës, me të cilët merreshin kolonelët: Spiro Butka dhe Arqile Mandro.
Pashtriku: Çfarë përmbanin konkretisht ditarët e luftës?
Agim Sylejmani: Ditarët e luftës bëheshin sipas specifikës dhe gjinisë përkatëse ushtarake.
– “Ditar i veprimeve luftarake”,
– “Libër i njoftimeve operative”,
– “Dosja e…”, etj. etj.
Kishte ditarë që mbanin shënime mbi aktivitetet e forcave serbe, mbi lëvizjet e tyre, lloji i armatimeve dhe sasia, etj. Në ditarë shënoheshin lokacionet e pozicioneve armike, lloji i armatimeve të tyre dhe mundësitë vepruese. Në ditarë të tjerë shënoheshin të dhënat ushatarke të UÇK-së dhe veprimeve luftarake operative. Me një fjalë, aty janë të shënuara të gjitha veprimet luftarake të operacioneve goditëse të operacionit “Shigjeta”.
Duke punuar në ditarët e luftës
Pashtriku: Këto ishin ditarët me të dhëna operative që kryheshin kolektivisht. Personalisht a ke mbajtur ditarë gjatë luftës, nëse po, a mund t’i veçoni 2-3 ngjarje më të rëndësishme?
Agim Sylejmani: Më 28 prill 1999, pos tjersh në ditarin tim kisha shënuar:
“Nga Vlahna udhëtuam për Krumë e pastaj për në Cahan. Rrugës mezi u ngjitëm në të përpjetën. Reparti në Cahan ishte shumë i rregulluar dhe me disiplinë të mirë. Kishin edhe topa e gulinova. Bënë edhe një alarm për të parë gatishmërinë e ushtarëve. Për një kohë shumë të shkurtër të gjithë ishin në vendet e veta të parapara. Shabani (Shaban Musliu) ndihmoi eprorin që ishte në Cahan si në çështje teorike ashtu edhe në ato praktike, duke e mësuar se si duhej sjellur në raste të posaqme, si në rast sulmi artilerik, ajror, të këmbësorisë….”
Më 29 prill 1999, në stërvitoren e UÇK-së në Helshan, pos tjerash kam shënuar:
“Sot erdhën gazetari dhe kameramani i televizionit belg RTL. Shabani (Shaban Musliu) më tha të jap unë intervistën. Përkthente vetë Shabani…..
Pasdreke filluan të vinin kamionët me paisje për ushtarët. Pra, sonte do të udhëtojë një kontigjent ushtarësh për në front. Athua sa?
U bë rreshtimi i ushtarëve me një megafon, të cilin e solli Maliqi (kolonel Maliq Doçi). Do të udhëtonin për në front rreth 200 veta. Pastaj erdhi edhe armatimi, i cili ishte shumë i vjetëruar dhe i ndryshkur. Kishte vetëm pushkë dhe automatikë, si dhe disa pushkëmitraloza. Maliqi më dha listat për evidencimin e ushtarëve dhe armëve që do t’u jepej.
Manifestimi me këtë rast ishte shumë madhështore, e papërshkrueshme. Përshëndeti edhe “Plaku” (komandant Xheladin Gashi). Maliqi mbajti një fjalim të zjarrtë, që ndezi zemrat e ushtarëve. Edhe kodrat ushtuan nga brohoritjet dhe thirrjet e ushtarëve. Luljeta (Luljeta Sulejmani) këndoi, ndërsa Shkodra Aqifi (Shkodrane Dardhishta) recitoi dhe çuan peshë zemrat e ushtarëve. Me këtë grup shkuan edhe këto dy vajzat, e edhe Bekimi (Bekim Zylfiu), të cilit ia dhash një pushkëmitraloz.
Automatikun e fundit e ndala për vete.”
Fletë ditari personal të luftës.
Shkodra Aqifi (Shkodrane Dardhishta) mew megafon.
Këto i kisha shkruar më 29 prill, ditën kur u nisën për në frontin e Koshares 209 ushtarë, të armatosur dobët dhe me armatim të vjetëruar, por me zemrat plot atdhedashuri dhe të gatshëm të vdisnin për komb e atdhe. Ishte kjo kohë kur akoma nuk merrnim drejtpërdrejt armatimin e luftës nga ushtria shqiptare. Për nevoja të ngutshme ishim të shtrënguar të kërkonim armë nga bashkëkombasit tanë, fshatarët nëpër fshatra në veri të Shqipërisë. Kjo kohë konsiston edhe me sabotimin e hapur edhe të atyre që ishin të thirrur për luftën, por që qëndronin nëpër hotelet e Tiranës dhe shetisnin me xhipa të shtrenjtë dhe me kravata.
Një javë më vonë, në shënime të ndryshme gjatë kohës së luftës, shkruajta edhe për portretin e vajzës gjashtëmbëdhjetë vjeçare nga Kumanova, Shkodranes, e cila rezultoi se ishta e bija e një shoku tim të hershëm. Në këtë skicë portret për Shkodranen paraqita më gjerësisht edhe atmosferën e krijuar më 29 prill 1999 kur ato bashkë me njësitin special u nisën për në frontin e Koshares. Por, për shkak të vendit të kufizuar po e lë që së bashku me shënimet e tjera të ditarit tim t’i përmbledh në një libër të veçantë.
NDIHMA E PAKURSYER LOGJISTIKE E GJENERAL KUDUSI LAMES NË OPERACIONIN “SHIGJETA” DHE KOMANDANTËT E UҪK-së QË E SABOTONIN LUFTËN NGA HOTELET E TIRANËS!
Pashtriku: Dihet mirëfilli se pjesa veriore e Shqipërisë, gjegjësisht zona kufitare ku ishin ngritur qendrat stërvitore të UҪK-së dhe bëheshin përgatitjet për frontin e Koshares dhe të Pashtrikut në kuadër të operacionit “Shigjeta”, ishte nën përgjegjësinë ushtarake të Divizionit të Kukësit në krye me Gjeneral Kudusi Lama. A mund të na thoni konkretisht, cili ishte roli i Gjeneral Kudusi Lamës me Divizionin e Kukësit, në përgatitjen logjistike për Operacionin “Shigjeta”?
Agim Sylejmani: Divizioni i Kukësit dhe gjeneral Kudusi Lama ishin bartësit kryesor të luftës që zhvillohej në gjithë atë front të gjerë, aq sa ishte edhe vija kufitare Shqipëri-Kosovë. Ne kishim djem e vajza të gatshëm të jepnin edhe jetën e tyre për lirinë e Kosovës, por pa Divizionin e Kukësit, e sidomos të vetë gjeneral Kudusi Lama dhe gjithë stafit të tij ushtarak, as që mund të imagjinohet lufta e UÇK-së në kufi me Kosovën, ku ishin të përqëndruara njësitë elite artilerike e tankiste të ushtrisë serbe të shoqëruara nga njësitë paramilitare serbe dhe mercenare ruse. Kundër këtyre forcave të mëdha në numër dhe të paisura me armët më moderne të kohës nuk mjaftonte vetëm vullneti për të luftuar, por duheshin edhe mjetet përkatëse për të përballuar armikun shumëfish më të madh në numër dhe të paisur.
Me Babushin – gjeneral Kudusi Lama, gjatë promovimit të librit të tij në Bern.
Pra, Divizioni i Kukësit ka dhënë një ndihmë të paimagjinuar në mjete luftarake, duke e pasë parasysh edhe një fakt tjetër, se pas thyerjes së kufirit lufta sabotohej jo vetëm nga kundërshtarët e luftës në Kosovë, por filloi të sabotohej tmerrësisht edhe nga vetë ata që drejtonin luftën nga hotelet e Tiranës, të cilët bllokuan mjetet financiare duke e lënë UÇK-në pa mbulesë të mjaftueshme, si në armatim, ashtu edhe në municione. Dhe, pikërisht në këtë situatë të krijuar Divizioni i Kukësit me udhër të gjeneral Kudusi Lama hapi depotë e armatimit të luftës, duke furnizuar repartet e UÇK-së me mjete të sofistikuara.
UÇK-ja kishte logjistikën e vet, por kjo logjistikë nuk do të mund të funksiononte siç e theksova më lartë pa ndihmën dhe përkrahjen e drejtpërdrejtë të gjeneral Kudusi Lames dhe ushtarakëve të tjerë shqiptarë të cilët ishin vënë në shërbim të luftës për çlirimin e Kosovës. Realisht që nga fillimi i majit 1999 e deri në përfundim të veprimeve luftarake, gati e gjithë logjistika është bërë me mjete luftarake nga ushtria shqiptare. Këtu vlen të theksohet, se, ta zëmë, në pikën stërvitore të UÇK-së në Helshan, ku ishin të koncentruar forca të shumta ushtarake të UÇK-së, nuk kishim asnjë mjet qarkullues, as luftarak, por as edhe një autoambulancë të vetme. Çdo gjë bëhej nga oficerët shqiptarë dhe me mjete ushtarake të ushtrisë shqiptare. Dhe me këtë logjistikë tani UÇK-ja mund ta luftonte më lehtë fallangën serbe dhe të fillonte mësymjen e përgjithshme për çlirimin e Kosovës.
Lidhur me gjeneral Kudusi Lama dhe Divizionin e ushtrisë shqiptare në Kukës nuk flitet shumë, të mos them se nuk flitet e nuk shkruhet fare. Por historia do ta thotë fjalën e saj duke i dhënë vendin e merituar edhe gjeneralit Kudusi Lama, të cilin ne me ëndje e thërrisnim dhe akoma e thërrasim “babushi”, si dhe Divizionit të Kukësit me gjithë stafin ushtarak që ishte vënë në shërbim të luftës çlirimtare të Kosovës.
Pashtriku: Agim, më lartë nënvizuat sabotimin e luftës dhe bllokimin e mjeteve financiare për UҪK-në prej atyre që e drejtonin luftën nga hotelet e Tiranës. Theksuat si vijon (po citoi): “…pas thyerjes së kufirit lufta sabotohej jo vetëm nga kundërshtarët e luftës në Kosovë, por filloi të sabotohej tmerrësisht edhe nga vetë ata që drejtonin luftën nga hotelet e Tiranës, të cilët bllokuan mjetet financiare duke e lënë UÇK-në pa mbulesë të mjaftueshme, si në armatim, ashtu edhe në municione.” E dimë mirëfilli se anëtari i SHP të UҪK-së, Xhavit Haliti – Zeka, qëndronte në Tiranë dhe ai ishte përgjegjësi kryesor për logjistikë, ndonëse në Tiranë vepronte edhe një zyrë e Fondit “Vendlindja Thërret”, e cila grumbullonte mjete financiare për UҪK-në.
Në këtë rast e keni fjalë për Xh.Halitin me bashkëpunëtorët e tij, të cilët banonin në hotelet e Tiranës apo për dikë tjetër?
Agim Sylejmani: Po, pikërisht është fjala për Xhavit Halitin, sepse ai ishte përgjegjësi kryesor i logjistikës. Mjetet financiare për UҪK-në mbeteshin në Tiranë, tek ata që bredhnin rrugëve me xhipa të shtrenjtë dhe me telefona satelitorë. Të bëjë vetëm një krahasim. Qendra e madhe e stërvitjes në Helshan nuk kishte asnjë mjet qarkullimi, as telefon satelitor. Fillimisht ushtarët në Helshan kishin edhe racionet e kufizuara dhe shumë të dobëta të ushqimit. Nuk kishin as banjo për t’u pastruar, etj, etj. Nga gjithë ai repart, në Helshan kishte fare pak ushtarë të armatosur, dhe ata e kishin blerë armatimin e tyre personalisht. Kur na vinte “armatimi”, ishte kryesisht i vjetëruar dhe i ndryshkur. Po të mos ishte sabotimi, do të kishim një gjendje më të mirë. Të paktën po të na vinin mjetet nga Fondi “Vendlindja Thërret” do t’i kishim pasur kushtet krejtësisht tjera. Rastin që e përmenda me herët, kur i dërguam 209 ushtarë në frontin e Koshares, është për të vënë kujën, sepse nuk na vinte armatimi e as municioni. Kemi qenë të shtrënguar të mbledhim armatimin e fshatarëve, armatim i ndryshkur dhe shumë i vjetëruar. Megjithatë morali i lartë i ushtarëve nuk mund të përshkruhet.
Cahan, maj 1999: Agim Sylejmani me Rifat Sylejmanin dhe Agron Haradinajn.
KËRKESAT E SHTABIT, DREJTUAR GJENERAL KUDUSI LAMES PËR NEVOJAT LOGJISTIKE TË UÇK-së
Pashtriku: Meqë Divizioni i Kukësit ka dhënë një ndihmesë të çmuar në këtë drejtim, gjatë kësaj kohe (maj – 10 qershor 1999), a keni evidentuar ndonjë kërkesë të Shtabit tuaj, drejtuar gjeneral Kudusi Lames për nevojat logjistike të UÇK-së, të cilat u përdorën në Operacionin “Shigjeta”?
Agim Sylejmani: Të gjitha këto mjete luftarake dhe teknike i merrnim në bazë të kërkesës paraprake me shkrim që ia dërgonim Komandës së Divizionit të Kukësit. Mbaj mend kur si administrator i Operativës m’u kërkua të përpiloja kërkesën e parë me shkrim për mjete të ndryshme luftarake, të cilën fillimisht ma diktuan që të shënoja në fletoren time e pastaj ta daktilografoja në kompjuter.
Kërkesa fillonte kështu:
Qeveria e Përkohëshme e Kosovës
Ministria e Mbrojtjes
UÇK
Nr. i Protokollit XY, datë: NN
Kërkesë për mjete ushtarake
I dedikohet Komandës së Divizionit të Kukësit
1. Helmeta 2000 copë
2. Maska kundër gazrave 2000 copë
3. Paketë individuale (personale) 4000 copë
4. Lopata 1000 copë
5. Komplete të ndihmës së parë 20 copë
Për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së
Kolonel Bislim Zyrapi
Me një fjalë, nga Divizioni i Kukësit ne kemi kërkuar dhe kemi marrë në dorëzim çdo lloj mjeti ushtarak dhe luftarak për nevojat e Operacionit “Shigjeta”. Kemi kërkuar dhe kemi marrë edhe goma për traktorët dhe kamionët me të cilët transportonim armatimin dhe municionin që na i jepte ushtria shqiptare, për të mos përmendur të gjithë materialin ushtarak e luftarak që na i dha ushtria e Shqipërisë nënë, konkretisht Divizioni i Kukësit nën komandën e gjeneral Kudusi Lama.
KONTRIBUTI I ҪMUESHËM I USHTARAKËVE NË PENSION
Pashtriku: Agim, shpesh në opinionin tonë janë shpërfaqur mendime të tilla, se shteti shqiptarë nuk ka dhënë ndihmën e duhur në luftën për çlirimin e Kosovës, ndërsa ju argumentoni të kundërtën! Në këtë kuadër, përveç Divizionit të Kukësit, në krye me gjeneral Kudusi Lama, i cili ishte vënë plotësisht në shërbim të luftës, a kontribuan në këtë drejtim edhe oficerët shqiptarë që kishin dalur prej kohësh në pension, si p.sh. Veli Llakaj e të tjerë?
Agim Sylejmani: Pos Divizionit të Kukësit nën komandën e gjeneral Kudusi Lama, kontribut të çmueshëm kanë dhënë edhe shumë ushtarakë të ushtrisë shqiptare, të cilët ishin të pensionuar, pjesa më e madhe e të cilëve të pensionuar para kohe. Pikërisht gjeneral Veli Llakaj, ish shef i Shtabit të Ushtrisë Popullore të RPS të Shqipërisë, me disa ushtarakë të tjerë shqiptarë, kanë qenë konsulentët më të rëndësishëm ushtarakë, të cilët njihnin mirë artin ushtarak të luftës. Emri i gjeneral Veli Llakaj lidhet ngusht me të tri luftërat në hapësirat shqiptare nën ish Jugosllavi, ku ai dha një ndihmë dhe kontribut të çmueshëm. Historia do ta thotë fjalën e vet edhe për këtë ndihmesë. Jo rastësisht, pikërisht në prill të vitit 1999 gjeneral Veli Llakaj vendosi ta bënte publike planin e hartuar për çlirimin e Kosovës, të koduar “Shpërthimi”, plan i cili qe hartuar dhe vënë në gatishmëri për zbatim nga komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare Enver Hoxha, plan për të cilin kishin shkruar dhe po shkruajnë shumë media botërore.
Me gjeneral Veli Llakajn
FILLIMI DHE PËRFUNDIMI I OPERACIONIT “SHIGJETA”
Pashtriku: Agim, tashmë kemi arritur te pika kulmore e ngjarjes historike – fillimi i operacionit “Shigjeta. Siç dihet sulmi i parë i operacionit “Shigjeta” në Pashtrik, ka nisur në mëngjesin e 26 majit 1999. A të kujtohet saktësisht kur dhe kush e mori këtë vendim në Shtabin e Operacionit, për të nisur mësymjen frontale pikërisht me këtë datë?
Agim Sylejmani: Lidhur me vendimin për mësymjen më 26 maj 1999 jam njoftuar dy ditë më parë, dhe se kjo çështje ishte mbajtur në një fshehtësi shumë të madhe. Nuk ishin të njoftuar as aleatët, as NATO-ja e as SHBA-të. Këtë e them me kompetencë, sepse më 26 maj erdhi me urgjencë në Operativë përfaqësuesi amerikan, Xhoshua (nuk e di se si shkruhet tamam për tamam), dhe i cili kërkoi informacion lidhur me veprimet luftarake në katër pika të reja të frontit dhe pse ishin ndërmarrë veprime me vijë veprimi kaq të gjerë pa u njoftuar aleatët. Lidhur me këto veprime luftarake zakonisht flitet vetëm për luftimet në Gorozhup, duke lënë anash ta zëmë betejën tek Lugu i Zi e në vende tjera të fronit, ku forcat e UÇK-së luftuan për javë të tëra me njësitet elite të artilerisë serbe, duke arritur të paralizonin forcat e kësaj elite ushtarake.
Pashtriku: Janë publikuar disa shifra për numrin e përgjithshëm të ushtarëve që u përfshinë në luftime. Si shef i administratës, kishit shifra të sakta për numrin ushtarëve të UҪK-së që morën pjesë në frontin e Operacionit “Shigjeta”?
Agim Sylejmani: Lidhur me numrin e ushtarëve të UÇK-së që morën pjesë drejtpërdrejt në veprime luftarake përafërsisht tanimë po dihet, sepse eprorët e këtyre njësiteve kanë të hartuara listat e ushtarëve të tyre dhe këto janë të publikuara. Por, në veri të Shqipërisë numri i ushtarëve të uniformuar e të sistemuar nëpër reparte e njësi të UÇK-së nëpër stërvitore ishte shumë më i madh. Ata ushtarë ishin të gatshëm të hidheshin në veprime luftarake në çdo kohë që kërkohej prej tyre. Bile ishin të padurueshëm, nuk u pritej të hidheshin në front. Në Helshan, Burrel, Cahan, Kalimash, etj., kishte disa mijëra ushtarë. Pra, ushtarë të uniformuar kishte shumë më tepër se sa numri i atyre që ishin hedhur në veprime luftarake.
Pika e rekrutimit në Kukës – maj 1999
Pashtriku: Kush ua kumtoi lajmin për përfundimin e veprimeve luftarake në Pashtrik?
Agim Sylejmani: Në mbrëmjen e 9 qershorit jemi njoftuar se është përfunduar një marrëveshje në mes të përfaqësuesve të NATO-s dhe të ushtrisë jugosllave – serbe në Kumanovë dhe se më 12 qershor do të pushojnë veprimet luftarake. Këtë na e komunikoi shefi i Operativës së Komandës së Operacioneve, kolonel Bislim Zyrapi.
DETYRAT E ANËTARËVE TË SHTABIT TË OPERACIONIT “SHIGJETA” – PAS PËRFUNDIMIT TË LUFTËS
Pashtriku: Pas përfundimit të luftës, në cilat institucione u sistemuan anëtarët e Shtabit të operacionit “Shigjeta”?
Agim Sylejmani: Fillimisht anëtarëve të Operativës nuk na u lejua të futemi në Kosovë. Unë për vete e pata humbur durimin dhe jam futur në Kosovë më 19 qershor 1999 së bashku me Shaban Musliun. Me Shabanin fillimisht jemi takuar në Kukës me Bardhyl Mahmutin, Sylejman Selimin, Ragip Shalën, etj.,dhe bashkë me ta jemi futur në Kosovë. Fillimisht jemi ndalur në Skënderaj, ku edhe e kemi kaluar natën. Të nesërmen kemi shkuar deri në Shtabin e Zonës Operative të Drenicës, ku u takuam me anëtarët e saj dhe Sami Lushtakun. Me Sami Lushtakun dhe anëtarë të tjerë të Shtabit kemi shkuar në Prekaz për të vizituar lagjen e Jasharajve dhe bëmë homazhe tek varrezat e të rënëve në epopenë e lavdishme të UÇK-së, në epopenë e Jasharajve, epope e cila u bë gurë themeltar për lirinë e Kosovës.
Sa i përket sistemimit të pjesëtarëve të Operativës, Bislim Zyrapi ishte dërguar në departamentin e sigurisë së asaj kohe, Emergjencë, ndërsa Spiro Butka dhe Arqile Mandro u sistemuan në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së në Prishtinë. Unë nuk u ndala në Prishtinë, ndoshta për shkak të rebelizmit, bashkë me Shaban Musliun vazhduam për në Gjilan, tek Shtabi i Zonës Operative të Karadakut. Pas dy ditësh në Gjilan erdhi njësiti “Karadaku”, i ngritur në stërvitoren e UÇK-së në Kalimash. Nga takimi me ta unë kam vazhduar pastaj së bashku me këta djemë për në Novobërdë, (tani Artanë), pastaj për në Kamenicë (tani Dardanë), ku në mënyrë të organizuar dhe të koordinuar kemi filluar të marrim objektet shoqërore, siç u thoshim atëherë. Fillimisht na duhej t’i pastronim nga mjetet shpërthyese, deminimin e tyre. Merre me mend edhe në çerdhen e fëmijëve në Kamenicë, ta zëmë, kishte pasë aq shumë mina nga më të voglat deri te një 10 kilëshe. Duke bërë deminimin e objekteve dhe lokaliteteve krijuam një ambient të sigurtë për banorët e atyre vendeve.
Kukës, 9 qershor 1999: pas njoftimit se në Kumanovë është bërë marrëveshja për ndërprejen e veprimeve luftarake. Agim Sylejmani, Spiro Butka, Bislim Zyrapi, Rafet (?), Alsh Shala dhe Mark Shala.
DEMOBILIZIMI NGA RADHËT E UҪK-së
Pashtriku: Pas këtij aktiviteti të dobishëm për sigurinë e popullatës, cili ishte hapi tjetër i radhës?
Agim Sylejmani: Më 13 gusht 1999, pasi fillova të vërejë veprimet e disa abuzuesve me emrin e UÇK-së, dhe duke e parë se nuk janë arritur premisat e aspiruara të luftës, kërkova demobilizimin tim. Kështuqë nga kjo ditë nuk isha më pjesë e UÇK-së dhe as TMK-së së më vonshme ose FSK-së së sotme.
TË PËRJETËSOHET HISTORIA E LAVDISHME E UҪK-së
Pashtriku: Ҫka mund të thoni për fund të kësaj bisede, keni ndonjë porosi?
Agim Sylejmani: Çfarë të të them i nderuar Sheradin! Në kufirin shqiptaro-shqiptar është zhvilluar një luftë e vërtetë, e ashpër dhe e pabarabartë, e cila ka zgjatur më shumë se dy muaj, luftë të cilën e njohim me emrin Beteja e Koshares. Në këtë luftë kanë rënë me qindra dëshmorë të Kombit. Pjesa dërmuese e kësaj pjese të UÇK-së që kishte hapur një front të tërë dhe aq të gjerë të luftës me Serbinë, sa ishte edhe vetë vija kufitare në atë kohë, kishin ardhur nga të gjitha anët e globit tokësor. Më së paku kishte nga radhët e refugjatëve të luftës, ku nga 830’000 refugjatë në Shqipëri në radhët e UÇK-së ishin rreshtuar vetëm disa qindra prej tyre. Ndërsa nga vendet perëndimore thirrjes së mobilizimit i ishin përgjigjur me mijëra bashkatdhetarë. Pastaj, në Kosovë është bërë një luftë gati dyvjeçare, me rreth 15’000 të vrarë, mijëra të tjerë të plagosur dhe me mbi 20’000 femra të dhunuara, duke mos harruar edhe shkatërrimin e rreth 60 % të objekteve të banimit. Kjo luftë ishte e drejtë dhe më se legjitime. Edhe pranë kësaj, tash e 18 vite që ka mbaruar lufta, pushtetet aktuale që e qeverisën Kosovën që nga 12 qershori 1999 e deri më sot, nuk morën as mundin e as iniciativën që këtë luftë ta përjetësojnë edhe në filma artistikë dhe në libra shkencorë. Derisa Serbia për luftën në Kosovë ka bërë me dhjetëra filma artistikë e qindra filma dokumentarë, kanë shkruar me qindra libra për këtë luftë. Millosheviqit i ngrihen përmendore gjithandej nëpër Serbi, ndërsa ta zëmë kryelegjendarit Adem Jashari nuk i japin vend në Prishtinë as sa për një bust të vogël sa grushti. Duke treguar këtë moskujdes dhe indiferencë ndaj vlerave më të shenjta e të mirëfillta të luftës dhe aspiratave çlirimtare të kësaj lufte, ata dëshmojnë se janë të gatshëm që edhe këtë faqe nga më të lavdishmet e historisë sonë në hapësirat shqiptare jashtë trungut amë Shqipërisë, ta shlyejnë dhe ta njollosin. Sot arrestohen dhe dënohen prijësit e kësaj lufte në emër të luftës. Kjo gjë dhemb deri në palcë. Nëse dikush ka abuzuar gjatë luftës, ka përfituar mjete materiale, apo ka keqpërdorur pozitën pas luftës, duke vjedhur e plaçkitur prona shtetërore, atëherë le të arrestohen dhe të dënohen si kryes të veprave penale si individë, pa e implikuar dhe njollosur UÇK-në dhe luftën e saj të drejtë.
Shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje krijuesve, artistëve, regjisorëve, skenaristëve, e sidomos shkrimtarëve, të merren me krijimtari letrare e artistike për këtë periudhë të lavdishme që t’ua lëmë trashëgim kujtesën e historisë gjeneratave që do vinë. E ardhmja jonë është e sigurtë dhe e garantuar nëse neve si komb nuk na kaplon harresa historike. Aspiratat shekullore e edhe të UÇK-së dhe luftës së saj të drejtë nuk janë realizuar as për së afërmi, por janë një hap drejt aspiratës shekullore, bashkimit tonë kombëtar, i cili as që ka alternativë tjetër. Vetëm si Shqipëri e bashkuar mund të garantohet qetësia jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë. Çështja shqiptare është një çështje që kërkon zgjidhje. E ky është pikërisht bashkimi kombëtar i shqiptarëve dhe trojeve të tyre në një shtet të vetëm dhe unik – Shqipëri e Bashkuar!.
Pashtriku: Të faleminderoj për bashkëbisedimin!
– FUND –
_________________________
SHERADIN BERISHA: OPERATIVA E SHTABIT TË OPERACIONIT “SHIGJETA” – MAJ – QERSHOR 1999 (BASHKËBISEDIM ME VEPRIMTARIN AGIM SYLEJMANI) (Pjesa I)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=6224
***
SHERADIN BERISHA: OPERATIVA E SHTABIT TË OPERACIONIT “SHIGJETA” – MAJ – QERSHOR 1999 (BASHKËBISEDIM ME VEPRIMTARIN AGIM SYLEJMANI) (Pjesa II)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=6228