DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NË ISH JUGOSLLAVI – NË ARKIVAT E TIRANËS (10)

Nga Prof. dr. Sabit Syla

-19-

Përmbledhje mbi masakrat e torturimet e titistëve kundrejt popullsisë shqiptare në Kosovë

Në kohën kur divizionet Nacionalçlirimtare shqiptare V dhe VI, ç1iruan Prizrenin, Gjakovën dhe të tjera qytete, titistët nuk terrorizuan masat shqiptare, por me t’u larguar këto reparte shqiptare për ndjekjen e gjermanëve në front, ata filluan pushkatime me masë. Është karakteristike se titistët në rrethet kufitare me Shqipërinë, masakrat i kanë bërë më të pakta me qellim që të mos ekspozohej terrori shtazarak i tyre nga partia dhe populli ynë.

     Gjatë hyrjes së forcave titiste në Gjilan për të dytën herë janë pushkatuar përmbi 1 000 persona shqiptarë. Në Skenderaj janë gjetur 250 të mbytur me sëpata dhe bajoneta, kurse në katundin Prekaz janë pushkatuar 18 vetë, në katundin Polon të Ferizajt janë pushkatuar 28 vetë para familjeve të tyre. Afër Prishtinës në vendin e quajtur Tomboce janë pushkatuar më tepër se 200 vetë, kurse për një ditë brenda në qytetin e Prishtinës janë pushkatuar 70 vetë. Në Mitrovicë kur ka hyrë Brigada VI e Kosmetit, janë pushkatuar përmbi 2 000 vetë prej qyteti e katundeve të afërta. Në Vuçitërnë, brenda në qytet, janë gjetur përmbi 400 vetë të vrarë e të therur me bajoneta dhe pastaj i kanë fshehur në plehra e gropa të ndryshme. Sipër Istogut, ku del uji, është një gropë. Këtu OZNA të gjithë ata që i pushkatonte i fuste në katër gropa. Atje u bënë shumë vrasje sa që u qelb i gjithë uji dhe jo vetëm që njerëzit mbeten pa ujë, por edhe kafshët nuk e pinin.

Prej Kasave dhe Tetove, ato ditë (nëntor 1944) ishin pushkatuar më shume se 1 000 vetë shqiptarë pa gjyq. OZNA dërgonte njerëz besnikë të saj nëpër katunde shqiptare, ku ata merrnin njerëz dhe i pushkatonin në fushë dhe lugina e mbas andej i hidhnin në gropat që i kishin përgatitur që ditën. Në muajin nëntor të 1994 në katundin Vrapçishtë të Gostivarit dhe në vendin e quajtur “Ujë i ftohtë”, titistët kanë pushkatuar 75 shqiptarë, të cilët i kanë marrë nga fushat e përqendrimit të Gostivarit. Në katundin Presekë rrethi i Gostivarit, nga fundi i vitit 1994, titistët pa asnjë arsye dhe faj, pushkatuan 12 shqiptarë. Më datën 26 nëntor të vitit 1944, në orën 21:30 në Gostivar, UDB-ja, pa ndonjë arsye, ka pushkatuar më shumë se 20 shqiptarë të pafajshëm dhe nga gërmadhat e Gostivarit kanë nxjerrë 300 shqiptarë dhe i kanë pushkatuar, vetëm oficerët e UDB-së.

Në muajin tetor 1944, porsa titistët hynë në qytetin e Tetovës, ku janë një kamp përqendrim të rinjsh. Fabrika e duhanit e Tetovës që jugosllavët e quajnë “Tutunska Stanica”, u bë fushë përqendrimi vetëm për shqiptarët. U bënë arrestime në masën shqiptare të Tetovës dhe të katundeve të saj dhe u grumbulluan rreth 2 000 vetë, që të gjithë shqiptarë. Shtabi i Divizionit maqedonas, që ishte në Shkup, dërgonte oficerë të UDB-së të cilët merrnin shumë shqiptarë, me pretekst se do t’i mobilizonin në ushtri, gjoja do t’i transferonin në një kamp tjetër dhe porsa i largonin nëpër vende të ndryshme, i pushkatonin në mënyrë konspirative buzë lumit Vardar dhe gjetiu. Në Shkup oficerë të dërguar nga Divizioni i Maqedonisë morën 300 vetë prej tyre, gjoja se do të shkonin në një repart tjetër, e që nga ajo ditë të 300 djelmoshat shqiptarë janë zhdukur prej titistëve. Se ku janë pushkatuar dhe në çfarë mënyre, nuk është mësuar kurrë. Në dhjetor të 1944, titistët arrestuan në rrethin e Gostivarit 70 veta dhe i pushkatuan të gjithë në kodrën e gradishtës. Më 17 nëntor 1944, në stacion e monopolistit të duhanit në Tetovë, kanë mbyllur brenda 10 000 shqiptarë dhe në atë natë të asaj date kanë pushkatuar 1 200 veta, kurse në net të tjera pushkatonin nga 10-15 veta. Në katundin Kërçovë pushkatuan 320 bura.

Në rrethin e Shkupit titistët kanë bërë masakra të padëgjueshme, bile që i tejkalojnë dhe ato të Karagjorgjeviqëve. Në katundin Bojan të Shkupit, u vranë 76 burra dhe 30 gra e kalamaj. Në katundin Bllacë të Shkupit, u vranë gjithë burrat e shumë fëmijë. Burrat numërohen në 160 veta, kurse fëmijët në 50 veta. Këtu titistët mbase i vranë burrat e këtij katundi, atëherë i vunë zjarrin fshatit duke hedhur fëmijë në të për t’i ngjallur tmerrin popullit. Po ashtu, edhe në katundin Saraj të Shkupit titistët vranë 25 vetë. Në katundin Sopot të Kumanovës qëndruan shumë gra e vajza të reja dhe vranë 20 bura. Këto bisha me fytyrë njeriu, të etuara për gjak dhe të kapura nga një ndjenjë hakmarrëse shoviniste i kanë kryer këto masakra duke përdorur metodat dhe mjete më sadiste. Ata kanë futur të gjallë në gropa njerëz të pafajshëm, kanë therur fëmijë dhe gra shtatzëna, u kanë nxjerrë shpirtin njerëzve duke i gjymtuar për së gjalli pjesët e ndryshme të trupit, kanë zhdukur njerëz duke i hedhur në zjarre, kanë përvëluar me ujë të valë derisa ata kanë vdekur, kanë habitur deri në atë shkallë të llahtarshme sa që viktimave të tyre t’ua çajnë barkun për së gjalli dhe t’i fusin prush zjarri në bark, kanë asgjësuar viktima të pafajshme duke i kaluar nëpër trup hunj, duke i vrarë nëpër gardhe me qellim që të terrorizojnë popullatën shqiptare, kanë pushkatuar në sy të popullit, kanë prerë koka njerëzish dhe i kanë therur ata në sy të fëmijëve. Në masakrat e tyre, bishat titiste nuk kanë bërë dallime dhe kanë shfarosur pleq, vajza dhe djem të mitur, gra të reja dhe plaka.

Për shkak të krimeve të shumta që u bënë në Kosovë e Metohi, që tronditi popullin, pezmatimi kishte mbërritur kulmin, prandaj klika e Titos shpeshherë është detyruar të pranojë për hir të demagogjisë, vetëm një pjesë të këtyre krimeve. P.sh.: në Kongresin e Parë të PK së Serbisë, Rankoviqi duke u munduar që të lehtësonte peshën e përgjegjësisë që bie mbi klikën titiste, pranonte se më të vërtetë në Kosovë dhe Metohi ka pasur shumë raste kur njerëzit janë vrarë pa faj. Kështu, aty përmendi rastin e grupit të djelmoshave kosovarë që u masakruan gjatë rrugës Prizren-Ulqin, duke thënë se janë vrarë vetëm 400 vetë. Thinjët e Rankoviqit kishin për qellim me i paraqite këto “raste” si rezultat i “gabimeve të organeve më të ulëta”.

 -20-

Problemi i Kosovës. Gjendja e sotme e Kosovës nga ana politike

Qeveria jugosllave ka ndjekur dhe vazhdon të ndjek një politikë të tërbuar shoviniste kundrejt popullsisë shqiptare të Kosovës dhe Metohisë. Mbas çlirimit të këtyre krahinave nga okupatori fashist, trupat jugosllave që u vendosen këtu pas largimit të brigadave partizane shqiptare, shpërthyen më tepër kundrejt popullsisë vendase me pretekstin se gjoja kishin pasur lidhje me okupatorin, duke vrarë e burgosur mijëra qytetarë dhe fshatarë shqiptarë te pafajshëm, si p.sh. vrasja e ushtarëve shqiptarë në Tivar dhe në fshatrat e Maqedonisë.

Në vitin 1945 qarqet drejtuese jugosllave, me politikën e tyre dhe veçanërisht kryeministri i atëhershëm i Republikës së Serbisë, Bllago Nishkoviq, bëri përpjekje të mëdha për ndarjen e kësaj krahine në dy pjesë; Metohinë, e cila duhej t’i bashkohej Malit të Zi dhe Kosovën e cila të përfshihej në Republikën Serbe, vetëm në saje të përpjekjeve internacionaliste dhe të politikës së drejtë marksiste të Meladin Popoviqit, sekretari i Partisë për Kosovën dhe Metohinë në atë kohë. Kjo krahinë mundi më në fund të njihej si krahinë autonome.Mbas vrasjes së Miladin Popoviqit, nga Beogradi, u emërua si sekretar i Partisë për këtë krahinë, Gjojko Pajkoviq, ish-ministër i P. të Brendshme të Malit të Zi. Qëndrimi i tij u karakterizua nga një shtypje e gjerë e popullsisë shqiptare.Në qershor të vitit 1945, Këshilli Krahinor Nacional-Çlirimtar, pa marrë fare pëlqimin e popullsisë dhe kundër dëshirës së tyre, vendosi në mbledhjen e tij, bashkimin e Kosovës dhe Metohisë me Republikën e Serbisë duke e paraqitur këtë bashkim se gjoja është në interes të vetë popullsisë shqiptare, me qenë se Serbia është më e zhvilluar nga pikëpamja ekonomike dhe e kulturave, e cila do të ndihmojë për ngritjen e këtyre krahinave. Për ta bërë këtë bashkim një fakt të kryer, ata e sanksionuan si vendim të përfaqësive të popullit të Kosovës dhe Metohisë. Pas kësaj, një komision dërguar nga Titoja, erdhi ne Kosovë dhe filloi një propagandë të gjerë, duke i premtuar popullsisë se ajo do të jetonte e lumtur, do të kishte pushtetin në dorë dhe do të gëzonte të gjitha liritë politike, ekonomike dhe të kulturave, si të gjithë banorët e tjerë të RFPJ-së.Po këto nuk qenë veç se fjalë boshe dhe çështja nacionale e kësaj krahine nuk gjeti kurrë zgjidhjen e vërtetë sipas konceptit marksist. Për të maskuar qëllimin e vërtetë të këtij bashkimi, ata hodhën parulla të ndryshme, si p.sh.: “me qenë se reaksioni në Shqipëri është më i fortë se në Serbi, po të bashkohet Kosova me Shqipërinë, kjo e fundit do të humbet pavarësinë e saj, ose, Kosova do të bëhet urë për bashkimin me Shqipërinë” etj.Popullsia shqiptare po kuptonte gjithnjë e më shumë, se planet jugosllave shkonin edhe më larg dhe synonin ta kthenin jo vetëm Kosovën, por tërë Shqipërinë në një republikë të shtatë jugosllave.Kjo fushatë propagandistike u shoqërua edhe me ndjekjen në masë kundër të gjithë atyre që nuk e aprovonin këtë politikë shoviniste. Organet e UDB-së pastronin çdo shqiptar, i cili tregonte njëfarë gjallërie patriotike. Asnjë komunist nuk guxonte të sinjalizonte për gabimet e organeve të pushtetit, sepse, merrej me sy të keq dhe konsiderohej si komunist që kishte rënë “në bisht të popullit”. Me një fjalë ishte krijuar një fjalor dhe frazeologji e veçantë revolucionare në dukje, por boshe dhe demagogjike në brendi.

Jugosllavia përbëhet prej 6 republikave dhe dy krahinave autonome: Kosmeti dhe Vojvodina. Në Kosovë ndodhet Këshilli Krahinor për Kosovë e Metohi, si organ më i lartë e më qendror në Prishtinë. Ky përbëhet prej këshilltarësh të zgjedhur në rrethe dhe mblidhet zakonisht dy herë në vit, por mund të ketë edhe mbledhje të jashtëzakonshme. Ky Këshillë, ka formën e një kuvendi popullor, ku voton buxhetin dhe urdhëresat që i përkasin Krahinës Autonome të Kosovës-Metohisë. Në krye të kësaj krahine ka qenë, Pavel Joviçeviqi.Pranë këtij Këshilli, si organ ekzekutiv, është Këshilli Ekzekutiv Krahinor me kryetar Fadil Hoxhën. Kjo është si me thënë Qeveria e Kosovës, por në realitet urdhrat dhe direktivat i jep Beogradi. Këshilli Ekzekutiv përbëhet prej disa sekretariatesh, si ai i Financës dhe i Punëve të Brendshme dhe prej disa savetesh (pleqësi), si ai i Arsimit dhe i Shëndetësisë, e të tjerë.

Në vitet e fundit thuhet se në Jugosllavi është bërë decentralizimi i pushtetit prej së larti poshtë. Kështu, nuk ekzistojnë më ministria, por sekretariate shtetërore, si ai i Punëve të Brendshme, Punëve të Jashtme e tjerë, kurse arsimi, shëndetësia kanë savete (pleqësi). Mbas çlirimit, krahina e Kosovës kishte 17 rrethe, kurse sot ka 5 rrethe: Prishtinën, Prizrenin, Pejën, Mitrovicën e Gjilanin. Kompetencat e rretheve, thonë ata, do t’u lihen gjithnjë e më shumë komunave (lokaliteteve).

Këshilli Krahinor është sipërfaqësor , sepse, direktivat vinë nga Beogradi. Mirë e ka thënë njëherë Seit Bakalli, sekretar i Financës dhe i Buxhetit për Kosmetin, kur e pyetën disa inspektorë të Beogradit për çështje të buxhetit, ai u ka thënë se unë jam në kalë dhe frenat i kam në Beograd.

                Organet jugosllave mundohen me çdo mënyrë që ta pakësojnë numrin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në pushtet. Kështu p.sh.: në dhomën e Kombësive të Kuvendit Popullor për Jugosllavinë nga 13 deputetë që ishin caktuar nga Kosova dhe Metohia, vetëm 6 janë shqiptarë, ndërsa 7 janë serbë e malazezë. Një përpjesëtim i tillë duket dhe në organet e tjera të pushtetit, veçanërisht në pushtetin lokal. Autoritetet jugosllave marrin të gjitha masat për kufizimin e pjesëmarrjes të shqiptarëve në të ashtuquajturat këshilla të lokaliteteve. Çdo shqiptar i cili emërohet në organet e pushtetit, duhet të ketë me doemos rekomandimin dhe pëlqimin e UDB-së dhe duhet t’u shërbejë qëllimeve dhe direktivave të tyre. Me urdhër të tyre në pushtet zgjidhen njerëz jo me të kaluar revolucionare ose patriotike, por ata që janë të përshtatshëm për regjimin në fuqi. Pas prishjes së marrëdhënieve në vitin 1948, jugosllavët në çdo konferencë të çfarëdo lloji qoftë, kanë folur kundër vendit tonë dhe i udhëheqjes së partisë e të shtetit. Edhe mbas deklaratës së Beogradit kanë vazhduar të flasin në këtë mënyrë. Në pranverën e vitit 1955, Xhavit Nimani, në një mbledhje në fshatin Radavc të Pejës, ndër të tjera ka thënë: “Ore, këtu kemi liri të plotë, nuk jemi si në Shqipëri që shtypet çdo liri demokratike. Nga ky fshat dhe nga disa fshatra përqark, janë arratisur disa persona për në Shqipëri, por ata do të vijnë së shpejti këtu, sepse Shqipëria është e detyruar të na i japë. Ajo tani ka filluar ta kuptojë poshtërsinë që ka bërë karshi Jugosllavisë, se Jugosllavia është ajo që ka ndërtuar në Shqipëri fabrika dhe hekurudha, e ka mbajtur me bukë dhe të tjera. Shqipëria le ta dojë Rusinë, por ajo është larg, deshi apo nuk deshi Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, Shqipëria është e detyruar të bëhet me Jugosllavinë”.

                 Në një konferencë të mbajtur në Prizren pas dekoratës së Beogradit, Kolë Shiroka, ndër të tjerë ka thënë: “Ne kemi krijuar marrëdhënie të mira me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera socialiste pa përmendur Shqipërinë. Një arsimtar e pyeti se a është Shqipëria vend socialist dhe si i kemi marrëdhëniet me të, Kolë Shiroka përgjigjet se edhe Shqipëria është vend socialist, por atje ekziston kapitalizmi shtetëror”. Për sa i përket marrëdhënieve tha se përderisa janë në fuqi, Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehu, nuk mund të kemi marrëdhënie të mira, sepse ata janë armiq të Jugosllavisë. Po në këtë mënyrë, kanë folur dhe Veli Deva në Pejë dhe të tjerë udhëheqës të Partisë dhe të pushtetit në Kosovë. Menjëherë mbas deklaratës së Beogradit u mobilizuan në gjithë Kosovën, përfaqësues të organeve lokale nëpër katunde dhe të organeve krahinore nëpër qytete, si dhe krejt shtypi jugosllav duke e shpjeguar normalizimin e marrëdhënieve në mes BS-së dhe kampit socialist nën prizmin se BS-ja dhe vendet e demokracisë popullore pranuan gabimet dhe u detyruan të pranojnë faktin se neve kemi qenë të drejtë. Mbas mbarimit të kësaj fushate menjëherë filloi forcimi i milicisë dhe organeve të UDB-së. Nëpër çdo post të milicisë pothuajse erdhën nga një udbash dhe filloi operacioni nëpër Kosovë për mbledhjen e armëve.

              Në fillim, nëpër çdo post, thirreshin kosovarë që ishin në parti ose punonin në organet e tyre dhe i pyeteshin për personat kosovarë që kanë qenë nëpër luftëra gjatë okupacionit dhe që kanë patur armë, ose, eventualisht mund të kenë dhe tani të fshehta apo të futur nga Shqipëria pas prishjes së marrëdhënieve. Në bazë të të dhënave të këtyre, ata i thërrisnin në postet e policisë dhe iu kërkonin armën, kur ata nuk kishin, atëherë fillonin me e rrahë në mënyrë çnjerëzore. Nga ky rezultat, nuk arritën ndonjë sukses dhe filluan në masë duke i thirrur në mënyrë kolektive dhe duke i zhveshur në mes të borës gjatë tërë natës, duke i sjellë përreth postës zbathur për një kohë, mbas andej duke i lënë në këmbë në një vend pa lëvizë e pa folur me njeri-tjetrin. Në këtë mënyrë më se 50-60 burra prisnin në radhë për t’u futur brenda, në postën e policisë. Kur i futeshin brenda i pyetshin për veprimtarinë e tij gjatë okupacionit, i lexonin deponime të rreme të ndonjë katundari të tij, sikur gjoja ka vrarë serbë, ka pasur lidhje me Shqipërinë, iu kanë parë armë, e të tjera të këtij lloji. Kur ky nuk pranonte, atëherë e fillonin rrahjen më të tmerrshme kundrejt tij dhe kur ky nuk pranonte mbasi e kishin rrahur e lironin duke i thënë: “Ik në shtëpi dhe nesër paraqitu prapë këtu dhe sill armën, po të duash ik për në Shqipëri, por, Shqipëria është e detyruar të të kthejë prapë këtu, se tani kemi marrëdhënie të mirë me ta. Të gjithë personat e tjerë në oborrin e postës dëgjonin britmat e torturës së shokut të tyre dhe pritnin radhën e tyre për t’u torturuar.

             Në katundin Junik të Deçanit, oficeri i UDB-së, Kileviqi, i mblodhi krejt burrat e këtij katundi dhe filloi t’i rrahë barbarisht. P.sh.: Mehmet Tahirin mbasi e rrahën, iu vdiq në duar. Mbas kësaj, thërrasin shtëpinë e vet për ta marrë të vdekur, ashtu siç qe. Po kështu, ndodhi edhe me Haxhi Halilin prej këtij katundi. Për me maskua vdekjen ndër duart e tyre, lajmëruan shtëpinë e tij duke i thënë ejani merreni se është mbytur në pus. Ai ishte i copëtuar nga torturat, thonjtë e duarve ja kishin hequr me gjithë gishtërinj.

               Në stanicën e Kuqishtit të Rugovës i ka mbledhur burrat e 6 katundeve, oficeri i UDB-së, Boglub Radiqi, dhe mbasi i ka rrahë veç e veç secilin, i ka liruar dhe u ka thënë që nesër afër mbrëmjes të paraqiteni të gjithë në stacion. Kur janë mbledhur kanë filluar torturat përsëri deri në gjysmën e natës. Mbas gjysmës së natës, ashtu të torturuar, i kanë futur në një kanal me ujë që ndodhej afër stacionit dhe i kanë shëtitur për gjithë natën nëpër të. Kanali ishte me një shtresë akulli dhe me ftohësin 10-15 gradë nën zero. Për të mos dëgjuar britmat e tyre që i rrihnin me kërbaç në kanal që atë e quajnë “vaspitna polic” (kërbaçi edukues), ku boshatisen atë natë të gjithë shtëpitë që ishin afër kanalit. Në stanicën e Drelajt, Rugovë, e kanë thirr Haxhi Bajramin, i cili ishte sekretar i organizatës bazë të Partisë, aty mbasi e kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore për armë, e kanë marrë duke e shëtitur nëpër malet e Rugovës me karrigen e korrentit mbrapa, duke i thënë se ku e ke armën. Mbasi e kanë shkatërruar në çdo aspekt, mezi e kanë liruar dhe tani është i paaftë si njeri. Është shumë interesant se asnjë serbë apo malazezë nuk është torturuar, që dihet se kanë qenë gjithmonë me çetnikët. E gjithë milicia është pajisur me “pendrek” (kërbaç), me teaqma (kërbaçi edukues) dhe në pazar, qytete, e të tjera vende, pa bërë gjë, por vetëm se është shqiptar iu bien me të në kokë dhe duke qeshur ju shajnë nënën shqiptare.

            Ligji i Titos dhe i Rankoviqit shtoi një diktaturë nga më të tmerrshmet në popullsinë e Kosovës, sidomos në vitin 1956, që u quajt me ironi nga kosovarët “operacioni i dimrit i vitit 1956”. Shembuj konkret ka të shumtë rreth kësaj ngjarje tragjike, por ne po japim disa prej tyre:

1. Halil Tahiri nga katundi Bella i komunës së Deçanit, nga torturat e tmerrshme të UDB-së për tre ditë e net rresht, arriti të çmendet dhe të hidhet nga shkëmbi për të mbytur vetën, mbasi nuk kishte se ku të gjente armën që i kërkohej dhe si përfundim, u hodh nga shkëmbi, iu thyhen këmbët, duke ngelur për gjithmonë i gjymtë. 2. Hajriz Xhelivoda është mbytur me dru nga UDB-ja, dhe mbasi ka vdekur e ka kërkuar e ëma për ta varrosur. Në varrim ajo i thotë djalit të vetë të vdekur nga druri: “Hajriz nanë! Rrugë e mbarë të qoftë, jam shumë e gëzuar që po të varros se më nuk të gjen UDB-ja me ardhë e me të marrë natën e me të torturuar që kur i vishe nanës nuk të njifsha nga plagët e drunit dhe detyrohesh nana me të bë shërbim për shërimin e plagëve. Rrugë e mbarë nanë se tash na u hoq frika e UDB-së. Kështu e vajtonte e ëma të birin që e mbyten oficerët e UDB.-së, në terrorin e 1956. 3. Hysen Bruqi nga katundi Isniq i rrethit të Pejës, rreth 60 vjeç, i kërkohej armë nga oficerët e UDB-së. Për të evituar drurin dhe torturuar, ka shitur 10 dylym tokë dhe një lopë që kishte për të blerë një armë, por udbashët nuk e lanë edhe në këtë rast pa e torturuar.

4. Në katundin Sopinje të rrethit të Prizrenit, më datën 25 janar bëhet grumbullimi i fshatit, sipas urdhrit të milicisë. Në këtë rast një polic thërret katundarin, Sehit Limanin, ai ngrihet me këmbë, por, milicët e shtrinë në mes të turmës dhe e torturojnë tmerrësisht. Mbas kësaj e marrin tre milicë dhe e nxjerrin në korridor ku i futnin në gojë një tub ujë, për pak minuta i mbushin stomakun me ujë dhe filluan t’i hipin në bark me radhë duke e torturuar me kërbaç që të dorëzonte armën. Djali i Sehitit, i quajtur Maliq, duke e dëgjuar të atin që gërhiste nga torturat, thotë se neve nuk kemi armë të dorëzojmë. Kur milici merr vesh thëniet e tija, e nxjerr në korridor dhe fillon ta rrah si të atin. 5. Muharrem Balija nga komuna e Suharekës, mbasi i kërkohet armë i cili nuk kishte, milicët e fusin në korridor të komunës dhe fillojnë ta torturojnë. Ky për t’i shpëtuar vdekjes me torturë nga ana e policisë, hidhet nga shkallët e godinës dhe bie në trotuar ku thyen krahun e majtë që tashti kohët e fundit i është tharë fare. 6. Osman Rrustemi prej Rugove, është torturuar tmerrësisht duke pasur shumë plagë në trup. Për të shpëtuar jetën, emigroi në Shqipëri për ku qëndroi dy muaj në spitalin e Tiranës, për të shëruar plagët. 7. Niman Hyseni dhe Osman Myrati nga katundi Becuk i rrethit të Mitrovicës, mbasi torturohen dhe marrin një seri plagësh, detyrohen të emigrojnë në Shqipëri për të shpëtuar jetën. Kanë qëndruar tre muaj në spitalin e Vlorës për t’u mjekuar. 8. Rexhë Kastratin nga Obrazhda, komuna e Podujevës, i lidhur mbas një peme, në këmishë dhe pa të mbathura, në një natë të ftohtë dimri. Ky mbas dy javësh vdiq, por para se të vdiste porositi djemtë e vet duke iu thënë: “veç mos paçi kundi derë, se këtu mos rrini ma, kështu ua banë gjyshërve, mua dhe nesër, juve”. 9. Reshit Ujkani nga katundi Vinarc i rrethit të Mitrovicës. Gjatë torturimit, ditën e mbanin në burg, kurse natën e nxirrnin me këmbë zbathur në dëborë. Ky person është torturuar në mënyrë të veçantë për arsye se më parë ka qenë anëtar i Partisë titiste me organizatën e atij katundi dhe u përjashtua nga partia për arsye se i kishin kërkuar të shpifte për disa persona të atij fshati, ku nuk pranon të bëjë një gjë të tillë. Këta persona, nga organet e UDB-së konsideroheshin si njerëz kundër pushtetit titist. Mbas disa dite, organet e policës thirren edhe babën dhe vëllain e tij të cilët i mbajtën tre ditë nën tortura. Babanë e tij mbas tre ditë e lënë të lirë të shkojë në shtëpi, por ky kishte humbur gjykimin dhe nuk e gjente dot shtëpinë natën, kështu shkon e troket në shtëpinë e bashkëfshatarit të tij Selim Bislimit, ku te dera del i biri i tij Ajeti dhe e përcjellë deri tek shtëpia. 10. Abdi Rrahmani nga komuna e Suharekës, si pasojë e torturave i është paralizuar trupi.

       Terrori që filloi në fund të vitit 1955 dhe që vazhdoi deri më 1957, ka qenë nga më të tmerrshmit në historinë e shqiptarëve të Kosovës, dhe një nga situatat më të vështira që ka kaluar ajo popullsi, qysh nga viti 1914 e këtej. Me të drejtë thuhet nga kosovarët se më pak tmerre ka patur më 1914-‘24 kur xhelatët e regjimeve të krajlëve, pushkatonin nga 20-50 shqiptarë në çdo katund, kur në atë kohë rrënoheshin fshatra të tëra duke ngelur shkret dhe në vendin e tyre sollën 170 000 familje serbe e malazeze, dhe kur Miloje Dragoviqi pushkatoi vetëm në katundin Novoselë të Pejës për njëherësh 50 burra, dhe se regjimi titist u ka ngritur përmendore të ndryshme në “shenjë kujtimi për trimëritë e Luftës së Parë Botërore dhe mbas saj. Ato tmerre quheshin, nga qeveritarët serbomedhenj” spastrime kundër atyre që shkeli ligjin në fuqi dhe u dha liri të plotë serbëve e malazezve për të vrarë shqiptarë në çdo kohë dhe për çfarë të duan dhe luten në fund të aksionit ta justifikonin se u vra ballë për ballë, mbasi nuk pranoi t’u nënshtrohet ligjeve për dorëzimin e tokës, shtëpisë dhe ndryshimin e besimit.

               Mbas vitit 1944 i erdhi radha regjimit titist për të nxjerrë spastrimin e shqiptarëve ku mjafton të përmendim dy shembuj: në muajin mars të vitit 1945, në ditët e ftohta të dimrit, brigada proletare e Tomë Zhariqit me Drago Radenoviqin dhe Ilija Gjukiçin, pushkatuan po në një rast në katundin Novoselë të Pejës, 22 burra dhe 4 fëmijë nën moshën katërvjeçare. Vetëm në qytetin e Pejës janë pushkatuar me tepër se 200 burra nga dhjetori 1944 deri në fillim të 1946. Kjo tregon se Miloje Dragoviqi me forcat e tij, nuk u tregua më bishë në regjimin e krajlëve kundër shqiptarëve të Novoselës se sa brigada e Tomë Zhariqit që komandohej prej titistëve.

             Terrori i 1956 i ka tronditë shumë shqiptarët e Kosovës dhe u solli pasoja të paharruara në histori. Sigurisht aty ka synuar edhe politika e regjimit titist prej kohësh, këtë e kanë pohuar edhe vetë udhëheqësit kryesorë jugosllavë, si p.sh. Aleksandër Rankoviqi ka thënë në vitin 1954, në një miting në Prishtinë, me rastin e 10-vjetorit të formimit të brigadave kosovare: “Neve në Kosovë duhet të bëjmë edhe një spastrim tjetër mbasi një pjesë njerëzish kundërshtarë të regjimit në fuqi kanë influencuar 3/4 e popullsisë”. I njëjti është vizituar në kohën e terrorit të vitit 1956 nga një grup shqiptarësh kosovarë, të cilët i kanë thënë se në Kosovë po bëhet terror i madh, por ai u përgjigje: “E di, por nuk kemi se çfarë të bëjmë, mbasi në Kosovë nuk mund të mbajmë dy armata, repartet ushtarake dhe në anën tjetër popullsinë kosovare të armatosur.

               Qëllimi i terrorit dhe se si e justifikonin titistët para se ta fillojnë: a) Terrori kishte qellim për hakmarrjen e serbëve e malazezve kundër shqiptarëve edhe për hasmëritë e vjetra. b) Për ta mposhtur moralisht popullsinë e Kosovës dhe të krijojë tek ajo frikën dhe pasigurinë për të jetuar në Jugosllavi, të detyrohet për t’ia liruar vendin serbëve dhe malazezve, ndërsa shqiptarët të gjenin një vend në Turqi dhe vise të ndryshme të Jugosllavisë për të mos qenë të grumbulluar dhe kompakt për çështjen nacionale. Lidhur me këtë, mjafton të përmendim shembullin se çfarë i ka thënë serbi i quajtur Nedel, nga Leshani i Prizrenit, të quajturit Hajriz Fasliut, po nga ai katund dy vjet para terrorit; “Ju shqiptarët keni vetëm hijen në Kosovë mbasi ne serbët të lajme li e lesh në ju”. I njëjti serb i ka thënë nënës së Hajrizit në kohën që torturohej ky i fundit, më 1956: “I kam pas thënë djalit tënd qysh para dy vjetësh se do ta gjente kjo”. Nga ana tjetër, rezulton se në katundet e Mitrovicës deri në vitin 1956, nuk ka qenë shpërngulur asnjë familje shqiptare për në Turqi, por mbas terrorit filloi shpërngulja në masë ashtu sikurse dhe në krahinat e tjera, edhe në Turqi, dhe të tjerët në viset e ndryshme të Jugosllavisë vetëm për t’u larguar nga vendi i terrorit të vazhdueshëm. Qëllimi i titistëve për shpërnguljet e shkombëtarizimin e shqiptarëve faktohet edhe nga vetë qëndrimi i haptë që mbanin oficerët e UDB-së në kohën e torturimit të shqiptarëve, si p.sh.: në shumë raste në momentin e torturimit i pyetnin kosovarët: “Ata që u regjistruan për të shkuar në Turqi, në rast se u thuheshin jo, ata i thoshin pse a Shqipërinë je duke e pritur me ardhë, pastaj ia fillonin torturimit. c) Me pretekst të torturimit gjoja për armë, synonin të likuidonin persona të ndryshëm me influencë në mesin e shqiptarëve, e nuk pajtoheshin me politikën titiste ose t’i vënin nën terror ata persona që kishin material apo dyshonin për qëndrimin e tyre. Kështu ka ndodhë të torturojnë persona për disa ditë rresht dhe mos të pyetën fare për armë ose u thuhej një herë në fund apo në fillim se a ke armë. Kuptohet se kishin për qellim të zbulonin persona kundërshtarë me anë të terrorit, p.sh.: në katundin Vragoli të rrethit të Prishtinës, i kanë thënë fshatarit të atij katundi, të quajturit Ismail Vragolit, oficerët e UDB-së, kapiten Vllado dhe Dushan Tomashevici, në kohën që e shtruan, për ta torturuar se a ke armë? Ai u thotë se jo, kurse ata i thonë, gëzohemi mbasi për ty është e njëllojtë sikur pate dhe nuk pate. Në katundin Vrellë të Pejës, ka vazhduar terrori gati një vit. Aty kryen torturimin e 10 personave “për armë”, por në fund i kaluan në burgje si kundërshtarë të regjimit në fuqi, ndërsa Haxhi Tishikun e Shaban Sadikun (Hajdarin) nga katundi Isniq i Pejës, i torturuan në fillim dhe pastaj i çojnë natën sekret në gështejat për mbi Deçan dhe i pushkatojnë, duke e justifikuar gjoja se tentuan të arratiseshin në Shqipëri.

              Qëllimi tjetër hakmarrës ishte që gjatë terrorit të zbulonin të gjitha vrasjet që i kishin kryer shqiptarët nga viti 1941-1944, kundër shovinistëve serbë e malazezë dhe çetnikëve, ose, që akuzoheshin pa asnjë të drejtë dhe pastaj çdo person që denonconte vrasje të tilla, ose, që ishte i detyruar nga torturat ta marrë një gjë të tillë përsipër edhe në rast se nuk e ke kryer fare, të hidhnin në bankën e të akuzuarit gjoja për krime gjatë luftës, si p.sh.: arrestimi, hedhja në gjyq dhe dënimi me nga 10-12 vjet të dy djemve të Sali Rrustemit nga Deçani, të akuzuar për vrasje të dy malazezve në vitin 1941 etj. d) Titistët kanë synuar të grumbullojnë dhe ato pak armë që kishin ngelur mbas aq shumë torturash të ushtruara që nga 1944 e këtej, me qellim që në çdo situatë të turbullt për jugosllavët, shqiptarët e Kosovës të mos kenë armë për t’i kundërshtuar regjimit në fuqi. e) Me anën e armëve të grumbulluara të nxirrnin fitime oficerët e UDB-së dhe te milicisë, p.sh.: ata akuzonin, torturonin dhe kërconin pa asnjë bazë shqiptarët, vetëm për t’i detyruar që të blejnë armë për t’i dorëzuar, në të njëjtën kohë iu jepnin armë agjentëve të tyre besnikë për t’ju a shitur me nga 30 000 dinarë copën. Kështu shqiptarët torturoheshin, arma shkonte përsëri aty ku merreshin dhe gjakpirësit mbushin xhepat me para.

            Shembuj të tillë ka shumë. Por këtu po përmendim dy a tri prej tyre. Drejtori i shkollës 8-vjeçare i katundit Drenofc i rrethit të Pejës, me emrin Drashko, merrte armë nga policia dhe ua shiste shqiptarëve të detyruar për t’i blerë. Në katundin Krushavec të rrethit të Prishtinës, kapiteni i UDB-së Vlado dhe Dushan Tomasheviqi mbasi përgatitnin terrenin me kauzë dhe tortura duke u thënë shqiptarëve që po s’patët armë blini dhe dorëzojeni, e në anën tjetër i jepnin armë nga të grumbulluarat e agjentëve të tyre si, Esat Trudës po nga ai katund, i cili shkonte tek të torturuarit dhe u thoshte: “mbasi je në hall për armë e të kërkohet për ta dorëzuar po ta gjej unë me 30 000 dinarë”. Në krahinën e Ferizajt, megjithëse oficerët e UDB-së që drejtonin terrorin, e dinin për disa persona që nuk dispononin armë, u thoshin që të merrnin me vete 20 000 dinarë dhe të shkonin në komunë, të blinin një armë dhe ta dorëzonin. Belul Karaҫeva, nga katundi Dobriҫan, i rrethit të Gjilanit, shiti lopën e vetme që kishte dhe bleu një armë 38 000 dinarë nga një polic i postës së Ramllugut dhe ia dorëzojë oficerëve të UDB-së. Gjithashtu, dihet se serbët e malazezët të vendosur në Kosovë, në përgjithësi posedojnë armë, pavarësisht se ndonjë pjesëtar i familjes së tyre ka qenë me luftën Çlirimtare ose jo, apo kundër saj. Këtë duke e përfituar nga terrori i 1956 iu shitnin armët shqiptarëve aq sa dëshironin, si p.sh.: serbi Stojank Maksoamoviqi me banim në katundin Varosh të Ferizajt, u ka shitë shqiptarëve atë kohë dy revole me nga 20 000 dinarë. Pjesa kryesore e armëve të grumbulluara gjatë terrorit ka qenë e blerë nga kosovarët në Serbi, Maqedoni dhe vendeve të tjera. Këtë fakt e dinin dhe titistët, por e bënin veshin e shurdhër.

              Para se të fillonin, titistët e justifikonin para masës si një veprim të tillë me fjalët krejt pa bazë, ata e komentuan në masë se u duhen mbledhur armët shqiptarëve që të mos vriten me njeri-tjetrin. Disa të tjerë thoshin se: “kosovarët po i ruajnë armët për t’u ngritur kundër pushtetit në fuqi dhe këtë të fundit e argumentonin në fund me sasinë e armëve të grumbulluara duke e lënë mënjanë faktin se shumica e tyre u blenë”. Populli thoshte se: “qëllimi i jugosllavëve ishte për të torturuar shqiptarët, me zhdukë personat e padëshirueshëm, me ngritë tensionin e frikës në masën shqiptare që të detyrohen të shpërngulën nga Kosova”. Një pjesë thoshte se”, “Jugosllavia i ka frikën kryengritjes së shqiptarëve, ose për të mos pasur mbështetje Qeveria shqiptare në luftën e saj për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”. Pleqtë kosovarë e komentonin terrorin duke thënë se: “edhe Dërgut Pasha ka pas vepruar në këtë mënyrë dy vjet para falimentimit të tij nga frika se mos gjente ndonjë bela për së shpejti”. Ndërsa, njerëzit e kulturës dhe rinia thoshin se: “regjimi jugosllav frikësohet nga ndonjë revolucion i brendshëm”.

            Për të patur lehtësira për ta vazhduar terrorin natën dhe ditën, UDB-ja urdhëroi që në shumë katunde të boshatiseshin shkollat fillore shqipe dhe nxënësit të rrinin në pushim, d.m.th. le të torturoheshin. Gjithashtu, për tortura përdornin edhe shtëpi private, postat e policisë dhe lokalet e komunave, me qellim që shqiptarëve të torturuar të mos u bëhej asnjë mjekim. Spitalet dhe ambulancat ishin të urdhëruara nga UDB-ja, që të mos bënin asnjë mjekim ose shërim dhe pranim për ata që do të paraqiteshin. Lidhur me këtë po japim shembullin më poshtë: a) Në katundin Sazli të Ferizajt, bënin grumbullimin e popullit në shkollën fillore, oficerët e UDB-së: Lamqi, Velo Millosheviqi, Pero Papiqi dhe Millorad Babiqi, ku gjatë ditës i torturonin me kërbaç një nga një dhe më pas i zhvishnin duke i nxjerrë në dëborë lakuriq në të ftohtit e janarit. Mandej i futnin përsëri brenda nën tortura, ku i detyronin me shpifë njeri kundrejt tjetrit se X person ose Y ka armë të fshehtë. Në gjithë krahinën e Ferizajt janë torturuar më tepër se 300-400 burra, nga të cilët shumë kanë ngelur të gjymtë ose lëngojnë akoma. b) Në Gjilan torturohet aq keq Asllan Tropanica së bashku me djemtë e tij, sa që për të shëruar plagët janë detyruar për katër muaj të qëndrojnë të mbështjellë me lëkurën e bagëtive (deleve) për të mbajtur plagët ngrohtë mbasi nuk kishin mundësi të tjera shërimi. Në kohën që Asllani me gjithë djemtë lihet i lirë nga policia për të shkuar në shtëpi mbas torturimit, asnjëri prej tyre nuk ishte në gjendje për të shkuar në këmbë deri tek shtëpia, por, i mori me karrocë serbi, Zhivko Mihajlloviçi, dhe i shpuri në ambulancën e komunës, por kjo e fundit nuk i pranoi pasi ashtu e kishte urdhrin. c) Në rrethin e Prishtinës u janë nënshtruar torturimeve më se 50 % e gjithë të rinjve dhe pleqve. Brenda në qytetin e Prishtinës u torturuan shumë persona, veçanërisht disa për 25 ditë rresht ndër të cilët edhe Shaban Mertuni, i cili më në fund çmendet fare dhe shkon duke sharë xhelatët, gjë e cila iu kish fiksuar nëpër rrugët e qytetit. Xhem Kramorin e torturuan 4 net rresht dhe kur vajtën për ta marrë për herën e pestë e gjetën të varur të një fabrikë, që të mos binte tjetër herë në duart e xhelatëve.

     Mbi disa arrestime dhe burgosje.Terror i vazhdueshëm përdoret nga UDB-ja edhe kundër atyre shqiptarëve që kanë simpati për mëmën e tyre Shqipëri, ose, kanë ndjenja patriotike. Nuk ka shqiptar që të arrestohet nga organet e UDB-së dhe të mos torturohet për një kohë të gjatë në birucat e errëta dhe duke mos i nxjerrë në gjyq për një vit e më tepër. Konkretisht, më poshtë po shënojmë disa shembuj të tillë sipas rasteve ku bëhet fjalë për ata që akoma mbahen në burgje pa dalë në gjyq dhe rreth rezistencës brenda në biruca dhe gjatë seancave në gjyqe: 1. Në dhjetor të vitit 1956 janë arrestuar në qytetin e Tetovës një grup intelektualësh shqiptarë prej shtatë vetash, për arsye se e festuan ditën e festës kombëtare, 28 Nëntorin. Ndër të arrestuarit dihen me emër, Reif Maleziu, student i Fakultetit të Filozofisë në Beograd, dr. Rifati (mbiemri nuk i dihet) dhe një tjetër me emrin Luan. Të sipërmit mbasi arrestohen prej UDB-së u hodhën në Gjyqin e Qarkut në Shkup, të akuzuar se kanë festuar një festë të ndaluar me ligj nga shteti jugosllav, vetëm për qëllime propagandistike në masën e shqiptarëve të Jugosllavisë. Gjatë seancës së Gjyqit që dëgjoheshin nga një shumicë e popullit të qytetit të, Tetovës, Gostivarit, Velesit e të tjerë, kryetari i Gjyqit, pyet Raifin, se pse kishte arritur të festonte një festë “nacionale shoviniste”. Por, fjalët e Raifit i dhanë një tjetër dritë sallës së Gjyqit, duke u përgjigjur; “Z. kryetar! Siç keni të drejtë ta festoni ju jugosllavët ditën e flamurit tuaj dhe gjithë kombet e tjera, duhet të kemi të drejtë edhe ne shqiptarët e Jugosllavisë për ta festuar ditën e flamurit tonë. Çdo shqiptar që e ka në zemër patriotizmin, e ka festuar dhe do ta festojë. Rilindja Kombëtare mbasi nuk do të arrihet për t’u shuar të gjithë shqiptarët e Jugosllavisë”. Atëherë kryetari i Gjyqit e urdhëroi të pushonte menjëherë së foluri, duke e kërcënuar. Secili nga të sipërmit është dënuar 4-9 vjet dhe aktualisht ndodhën duke u dergjur në burgun famëkeq të Idrizovës, në Maqedoni.

2.    Në fund të vitit 1956 është arrestuar një grup nxënësish shqiptarë prej 4 vetash të Normales së Shkupit, të gjithë rreth moshës 18-vjeçare. Nga ata me emër dihen, Mehdi Bajraktari nga Gostivari dhe Skënder Jashari nga Kumanova. Janë dënuar nga dy deri tre vjet çdo njeri i të akuzuarve, sepse, kanë propaganduar kundër shtetit jugosllav, për shkak se atë kishin biseduar me njeri-tjetrin kundër politikës që ndiqej në arsimin e shqiptarëve, për shpërnguljet në Turqi dhe barbarizmin e gjuhës shqipe në shkollat jugosllave.

3.    Gjithashtu në fund të vitit 1956 është dënuar një grup studentësh dhe arsimtarësh shqiptarë në Prishtinë. Preteksti i kapjes së tyre nga organet e UDB-së ka qenë, sepse, ata i kishin uruar njeri-tjetrit festen kombëtare të 28 Nëntorit. Gjyqi i akuzoi ata se kishin një organizatë të fshehtë për rrëzimin e pushtetit. Të arrestuar janë 10 veta, nga të cilët njihen me emër: Shemsi Perani – arsimtar nga Prishtina, Qemal Novokazi, Nush Novokazi që të dy nga Prishtina, Rexhep Latifi, Kadri Deva etj. Të gjithë janë dënuar me një deri dhjetë vjet burg.

4.    Në vitin 1957 në gusht është arrestuar nga UDB-ja, Bajram Kelmendi nga rrethi i Pejës dhe deri në fund të vitit 1958 nuk kish dalë në gjyq. Është akuzuar për propagandën kundër Jugosllavisë në shkrimin e disa vjershave dhe në to akuzon Qeverinë jugosllave për shpërnguljet e shqiptarëve në Turqi.

5.    Besnik Koci me banim në Gjakovë, i cili ka kryer gjimnazin, shtetas shqiptar dhe i lindur në Tiranë, është arrestuar në qershor të vitit 1957 nga UDB-ja. Është dënuar me 9 vjet burg, për propagandë kundër shtetit jugosllav me anën e vjershave dhe të shkrimeve të tjera se gjoja kishte lidhje me Shqipërinë.

6.    Një grup arsimtarësh me banim në qytetin e Gjakovës janë arrestuar prej organeve të UDB-së më 12 maj 1957, për arsye se ditën e 1 Majit, kanë ngritur flamuj shqiptarë në disa rrugë e sheshe kryesore të qytetit të Gjakovës dhe se në disa rrugë e sheshe kryesore të qytetit kanë shkruar këto fjalë: “Poshtë Tito dhe Qeveria jugosllave. Rroftë shoku Enver Hoxha dhe Qeveria shqiptare”. Njihen me emër si, Gjon Marku, Isa Dobruna dhe Besim Sheu. Të gjithë janë dënuar me 5-12 vjet burg.

7.    Kurtesh Agushi nga Gjilani, me banim në Shkup, A. P. i vitit 1934, luftëtar i vjetër në Jugosllavi dhe komisar i parë i “Zenel Hajdinit” në Kosovë, e mbas lirimit deputet dhe prokuror në Ferizaj dhe Prizren. Në vitin 1949 rezulton të ketë pasur lidhje edhe me Nexhat Agollin. Në vitin 1950 si informbyroist ku ka qëndruar katër vjet në Goli-Otok, por, më 5 qershor 1958 arrestohet përsëri si njeri i rrezikshëm.

8.    Profesor Mark Gashi, drejtor i gjimnazit të Preshevës, më datën 28 nëntor 1958, i kanë shkuar oficerët e UDB-së me xhipa për ta arrestuar në shkollë, por përfiton nga rasti dhe arratiset ku mbas tij u vunë forca të shumta në ndjekje dhe aktualisht nuk dihet për fatin e tij.

9.    Eshref Hoxha nga Radolishtai i rrethit të Ohrit dhe me banim në Shkup. Me profesion arsimtar. Është arrestuar dhe dënuar me katër vjet burg për arsye se është shprehur se Shqipërisë i përket Ohri, Struga dhe Kosova.

10. Në muajin mars të vitit 1958 është arrestuar me një grup të rinjsh të qytetit të Pejës i përbërë prej 6 vetash, nga të cilët njihen me emër Rei Krasniqi dhe Hajrulla Mulla Berberi, që të dy gjimnazistë. Ata janë arrestuar, sepse kanë vendosur, në atë kohë, komunikata të ndryshme nëpër rrugët e qytetit me përmbajtje: “Poshtë regjimi jugosllav, kërkojmë çlirimin e Kosovës prej serbëve dhe malazezëve dhe bashkimin me Shqipërinë”. Nga torturat e shumta nga organet e UDB-së kanë denoncuar veprimtarinë e tyre. Në muajin tetor, i kanë nxjerrë një herë në Gjyqin e Pejës, por mbasi nuk ishin në gjendje të qëndronin në këmbë dhe as të flisnin nga torturat që u ishin bërë, trupi gjykues bënë shtytjen e gjyqit përderisa të vinë në gjendje që të flasin.

11. Në vitin 1958 janë arrestuar dhe mbahen në hetuesi për arsye se tentuan të arratiseshin në Shqipëri nxënësit e shkollës së mesme: Hysen Spahiu, Bardhyl Nushi, Shaban Cepa, Rexhep Pupofci dhe një shokë tjetër i tyre, të cilët janë nga Peja.

12. Në muajin tetor 1958, në qytetin e Prizrenit janë arrestuar nga UDB-ja, personat e poshtëshënuar, për aktivitetet politike kundër regjimit titist: Reshat Hadri, Isa Duraku, Hasan Berisha, Aziz Spahiu, që të katërtit janë anëtarë të partisë titiste dhe nëpunës të ndryshëm në pushtetin lokal.

Situata mbas Kongresit VII të LKJ.Mbas këtij Kongresi, ashtu si në të gjithë Jugosllavinë edhe në Kosovë, organet e partisë dhe të pushtit kanë organizuar kudo mbledhje të ndryshme, me qellim që të shfajësohen nga kritikat e partive komuniste e punëtore të të gjithë botës. Në këto konferenca, ata kanë folur kryesisht kundër vendit tonë, duke e paraqitur gjendjen në Shqipëri të mjerueshme dhe duke akuzuar Partinë dhe Qeverinë tonë si fajtore për marrëdhëniet e këqija që ekzistojnë në mes të Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Në përgjigje të fjalimit të shokut Enver Hoxha, lidhur me politikën e shkombëtarizimit në Kosovë, ata kanë thënë dhe vazhdojnë të thonë se çështja nacionale në Jugosllavi është zgjidhur në mënyrë marksiste dhe akuzat e Shqipërisë janë me bazë dhe se ata duan të shkëputin Kosovën nga Jugosllavia. P.sh.: në Prishtinë, në një fjalim që mbajti Ismet Shaqiri, i cili është përqendruar më tepër në çështjen nacionale, ka deklaruar se kjo është zgjidhur në mënyrë të drejtë. Në këtë rast ai foli kundër udhëheqjes tonë duke deklaruar se ata shpifin mbi gjendjen në Kosovë, është mirë që të shikojnë çështjen e tyre.

Në qershor të vitit 1958, Dushan Mugosha, ka bërë një konferencë me anëtarët e Partisë titiste, në qytetin e Gjakovës, të cilëve u ka folur për dy orë rresht. I gjithë fjalimi i tij ka qenë drejtuar kundër vendit tonë, duke trilluar gjithfarë lloj shpifjesh, duke e paraqitur gjendjen në Shqipëri shumë të keqe, sundohen e shfrytëzohen nga rusët, elementët revolucionare në udhëheqje të partisë i kanë burgos. Udhëheqja e partisë në Shqipëri nuk është revolucionare, ka mbetur vetëm një Enver Hoxha, por edhe ky nuk është revolucionar, sepse të tjerët i ka burgos etj. Mbas referatit kanë filluar pyetjet. Një anëtar i Komitetit të Partisë ka bërë tre pyetje dhe njëra nga këto qe: “Përderisa udhëheqja shqiptare nuk është revolucionare, atëherë si ndërtohet socializëm në Shqipëri?” Përveç të sipërmit, i janë bërë edhe shumë pyetje të tjera nga pjesëmarrësit e konferencës. Dushani, shumë pyetjeve nuk ka qenë në gjendje t’u përgjigjej dhe qëndrimi i tij ka qenë qesharak, duke u thënë se nuk pranoj më pyetje se nuk ka kohë, por do të vijë herë tjetër në Gjakovë dhe do t’u sqaroj për të gjitha. Në këtë konferencë, kanë qenë Ismet Shaqiri dhe Fadil Hoxha, të cilët nuk kanë folur asnjë fjalë.

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 1958, është organizuar një konferencë me policinë e qytetit të Novi Sadit, ku ka folur anëtari i Komitetit të asaj krahine. Kryesisht ai u përqendrua në shpifjet kundër vendit tonë duke ia paraqitë masës së Shqipërisë në krye me Enver Hoxhën, po ndërhyjnë në punët e brendshme të Jugosllavisë, se Shqipëria e ka lënë rrugën e marksizëm-leninizmit. Aty ka pyetur një kapiten: “Mbasi Shqipëria nuk është në binarët e marksizëm-leninizmit, pse BS-ja e ka lënë që të përzihet në punët e Jugosllavisë dhe pse kemi marrëdhënie të mira në mes tyre”? Përgjigjja ishte: “Bashkimi Sovjetik e konsideron Shqipërinë më marksiste se Jugosllavinë, prandaj e lë atë që të na shajë dhe kritikojë si do vetë”. Një toger pyeti: “Pse Jugosllavia të mos këtë marrëdhënie të mira me vendet socialiste e të mbështetet tek këto, por e kundërta? Përgjigjja ishte: “Vendet socialiste ndërhyjnë në punët e Jugosllavisë, BS-ja pengon ndërtimin e marrëdhënieve të barabarta, e detyron Jugosllavinë të mos kërkojë mbështetjen në të, por në anën e kundërt (në shtetet perëndimore).

Më 16 nëntor 1958, është organizuar një konferencë me afro 5 000 vetë, në qytetin e Ohrit, ku kanë marrë pjesë: Vukamanoviq Tempo, Llazar Kolishevski, gjeneralmajor Brojo Brojeviç, Fadil Hoxha, Ismet Shaqiri etj. Qëllimi i kësaj konference me pjesëmarrjen e udhëheqësve titistë të Beogradit, Maqedonisë dhe shqiptarëve të Kosovës, ishte vetëm propagandistik dhe shpifje kundër BS-së, Shqipërisë dhe Bullgarisë. Me këtë rast folën, Tempo, Kolishevski dhe Fadil Hoxha. Thanë se pakicat nacionale në Jugosllavi kanë fituar të gjitha të drejtat sikurse populli jugosllav, por BS-ja dhe vendet e tjera, ndërhyjnë në të drejtat, sikurse populli jugosllav, dhe se BS-ja dhe vendet e tjera ndërhyjnë edhe në punët e brendshme të Jugosllavisë dhe nuk i vërejnë popujt e tyre të veshur e të zbathur nën diktaturë të madhe dhe që gjoja pasuria e Shqipërisë grabitet nga BS-ja etj.

Në qytetin e Gjilanit është mbajtur një konferencë në muajin nëntor të 1958, ku ka folur sekretari i Partisë titiste për atë rreth, Sinan Hasani. Ai ka folur çdo gjë të keqe që iu ka kujtuar, duke shpifur kundër partisë, qeverisë, shtetit dhe popullit tonë, si p.sh.: Partia Komuniste Shqiptare gjoja është organizuar prej Partisë Komuniste Jugosllave, Shqipërinë e ka ushqyer me bukë dhe çdo gjë tjetër Jugosllavia, por tani Shqipëria përzihet në punët e brendshme të Jugosllavisë, për këtë tha ai, fajin e ka udhëheqja e partisë dhe e shtetit etj. Kur konferencieri foli për ndihmën e dhënë gjoja Shqipërisë, ngrihet një shofer me emrin Kolë nga Ferizaj dhe i drejtohet konferencierit: “Është e vërtetë se edhe unë me makinën time kam transportuar misër, por kur jam kthyer kam sjellë kamionin plot me naftë ose benzinë nga Shqipëria”. Kundërshtari Sinani, e shikoi me inat, por më vonë nuk dihet se çfarë masash mund të jenë marrë kundër tij.

Më datën 7 nëntor 1958, është organizuar një konferencë në qytetin e Velesit të Maqedonisë, me punonjësit e tregtisë, ku aty foli sekretari i Komitetit të Partisë së qytetit, Bllago Tikbor. Ai në mes të tjerash tha: “Shqipëria, Bullgaria dhe Kina po bëjnë një luftë të ftohtë kundër Jugosllavisë, përzihen në punët e brendshme, duke thënë se pakicat nacionale nuk kanë të drejta të barabarta, persekutohen, por Jugosllavia u ka dhënë të drejta të barabarta jo vetëm pakicave, por edhe emigrantëve grekë u janë ndërtuar shtëpi të reja, kështu që për Jugosllavinë vetëm armiqtë e saj përhapin parulla.

Në muajin tetor 1958, në qendrat e punës dhe lagjet e qytetit të Pejës janë organizuar para 400 punëtorëve të sharrave të Pejës, funksionarë titistë dhe kanë folur veçanërisht kundër vendit tonë, duke ja paraqitur gjoja gjendjen e vështirë ekonomike të Shqipërisë, shfrytëzimin e burimeve tona nga ana e BS-së, mungesën e të drejtave dhe lirive e të tjera, se Shqipëria po kërkon Kosovën, por sikur kjo e fundit të arrijë të bashkohet, do t’i nënshtrohet vuajtjeve sikurse edhe populli shqiptar etj. Pastaj u drejtohet punëtorëve shqiptarë në formë pyetjesh: “A jeni të kënaqur me jetën dhe të drejtat që u ka siguruar pushteti jugosllav në bashkimin e atdheut të përbashkët me Jugosllavi? Asnjë nuk iu përgjigj pyetjes, po ose jo. Me të njëjtën përmbajtje, të nesërmen dhe të pasnesërmen janë organizuar konferenca në lagjet e qytetit, ku prej shqiptarëve asnjë nuk e ka marrë fjalën. Konferencierët kanë insistuar që të ngriheshin persona të tjerë për të diskutuar, por më kot me përjashtim të serbëve dhe malazezëve që aprovonin thëniet e tyre, nuk është asnjë.

Në fund të shtatorit të 1958, Dushan Mugosha, Ajrulla Ishmi, dhe disa oficerë të zbulimit jugosllav kanë organizuar një konferencë me të arratisurit shqiptarë në hotelin e Plavës. Të pranishmeve, Mugosha, u ka thënë se Shqipëria po ndërhyn në punët e brendshme të Jugosllavisë duke kërkuar Kosovën, por nuk do t’ia japim, mbasi kemi derdhur gjak për të.

Në muajin tetor të 1958, është organizuar një miting demonstrativ në rënien e komunës së Pozheranit, me rastin e formimit të çetës partizane në Kosovë. Në atë konferencë ka folur Xhavit Nimani, i cili duke sharë udhëheqjen e partisë dhe të shtetit, ndër të tjera ka thënë se, edhe fëmijët e shkollës fillore në Kosovë po të pyeten, ata e kanë kuptuar se shqiptarët e Kosovës kanë të njëjta të drejta që kanë dhe kombësitë e tjera, por udhëheqësit e Shqipërisë përpiqen për të përçarë vëllazërim-bashkimin e shqiptarëve me serbë, malazezë dhe turq, por do të jetë e paarrirë.

Për të frenuar njohjen e gjendjes reale në shtetet e kampit socialist dhe me qellim që të minohet në masë influenca për BS-në dhe shtetet e tjera socialiste, organet kompetente jugosllave i kanë ndalur popullit dëgjimin e emisioneve të radiove të shteteve socialiste dhe në anën tjetër për të helmuar dashurinë që populli ka për këto vende dhe për të rrënjosur pikëpamjen ideologjike borgjeze në ndërgjegjen e tyre, janë të lirë të dëgjojnë jo vetëm “Zërin e Amerikës” dhe emisionet e radiostacioneve të tjera më reaksionare në shtetet perëndimore (Amerikës, Francës, Anglisë, Turqisë, Gjermanisë Perëndimore etj.), por edhe shfaqen filma aventurierësh të gangsterizmi amerikan, që kanë ndikuar shumë në helmimin sidomos të brezit të ri, të cilët prej kohësh kanë filluar t’i imitojnë në jetën e përditshme si përdorimin e thikave, sjelljet imorale, qëndrimi në shoqëri, veshjen, dëfrimet e tjera, për të cilat popullarizohen shumë gjëra në shtypin e përditshëm, gjëra të cilat, që nga pamja figurative dhe përmbajtja, nuk kanë ndonjë ndryshim me ato të perëndimit. Ja si i përcakton regjisori i teatrit të Pejës, Kristo Berisha, filmat amerikanë në Jugosllavi. Kur u pyet nga një korrespondent i gazetës “Rilindja”, thotë: “Filmat që shfaqen në kinematë e këtij qyteti shumë rrallë i frekuentoj, mbasi jepen filma kriminalistik që dëmtojnë ndërgjegjen e njeriut.

Udhëheqësit titistë dhe sidomos disa agjentë nga mesi i shqiptarëve të Kosovës, si p.sh. Mehmet Hoxha, Ismet Shaqiri, Xhavit Nimani, Fadil Hoxha etj., janë më katolikë se papa në zbatimin e politikës titiste dhe në shpifjet kundër vendit tonë. Kohët e fundit Ismet Shaqiri, jo vetëm që ka kryesuar shumë konferenca shpifëse për vendin tonë në Kosovë, por ka shkruar një artikull të gjatë në gazetën “Rilindja”, ku mes tjerash e paraqit Shqipërinë të izoluar, d.m.th. të kërcënuar. Sipas tij, nuk do të ishte e izoluar dhe e kërcënuar vetëm në qoftë se do t’i nënshtrohej revizionistëve. Ndërsa, Xhavit Nimani, në një artikull propagandistik të “Rilindjes”, datë 2 dhjetor 1958, në mes tjerash shkruan se, për bashkimin, barazimin dhe vëllazërimin gjoja në mes të kombësive të ndryshme në Jugosllavi nuk është problem, por sipas tij, Shqipëria përveç të tjerash don ta thyej këtë bashkim. Shqipërinë e paraqet shoviniste, gënjeshtare dhe se kundër Jugosllavisë praktikon metodat e ballit, ajo thotë, ai kërkon të mbjellë turbullira në masën shqiptare në Jugosllavi. Kjo fushatë bëhet nga Shqipëria për t’i fshehë popullit shqiptar problemet e veta të vendit të tyre. Por, tradhtari në atë artikull, nuk ka ditur të ruhet, ka demaskuar veten dhe politikën jugosllave në Kosovë, me paraqitjen e pakicave turke në Kosovë një lloj si atë të shqiptarëve, por edhe me shifrat e anëtarëve të partisë dhe rininë në Kosovë. Aty gënjen duke thënë se fëmijët shqiptarë në shkolla fillore dhe të mesme mësojnë në gjuhën amtare, gjë të cilën e dinë gjithë populli se ata i janë nënshtruar gjuhës serbe dhe metodave shkombëtarizuese. Gjithashtu pohon se, në Kosovë paska 35 799 anëtarë partie nga të cilët rreth 19 mijë janë serbë e malazezë, që sot kanë kyçet drejtuese në Kosovë. Këtu mjafton të marrim për shembull komunën e Ferizajt. Aty ka afro 100 mijë nëpunës, nga të cilët 93 janë serbë e malazezë dhe vetëm 75 shqiptarë. Zyrtarisht duket se në vitin 1957 ka qenë premtuar që të kishte në organet drejtuese në Kosovë 75% shqiptarë, por viti 1958 vërtetoi se ashtu si në komunën e Ferizajt që ngelen 7% nëpunës, prej të cilëve me përjashtim të kryetarit, të tjerët, në asnjë vend drejtues, kurse po të shikojmë popullsinë, ajo përbëhet 75% me kombësi shqiptare. Kjo politikë ka vazhduar të ndiqet kudo në krahinat shqiptare. Gjithashtu, edhe Mehmet Hoxha nuk ka ngelur mbrapa në tradhtinë e tij kundër shqiptarëve. Në një mbledhje me studentët shqiptarë në Beograd, ka thënë: “Ne shqiptarët duhet të jemi të lumtur që na ka dhënë shteti jonë të drejtë e ngritjes së kulturave, mandej nuk duhet të harrojmë se ne shqiptarët jemi në Jugosllavi si mysafirë, d.m.th. të ardhur”. Studentët u treguan shumë të shqetësuar nga thëniet e këtij tradhtari dhe filluan t’i binin dyshemesë. Më vonë përsëri shkon në një mbledhje me studentët ku ndërmjet të tjerash u thotë se është duke shkruar dhe pëshpëritë për shkuarjen e shqiptarëve në Turqi. Kjo nuk është gjë interesante – na tha ai, duhet të shkruajmë për fabrikat, punime të ndryshme që janë bërë gjatë viteve të fundit në Kosovë etj.

Si rezultat i masave të marra nga Qeveria jugosllave, nga ana propagandistike terroriste, për 45 vjet me radhë, terrori i 1956-së, papunësia dhe vështirësitë ekonomike e të tjera në popullin e Kosovës, kanë ngjallur psikozën e frikës dhe të pasurisë. Në masë, ka njerëz që thonë se në rast lufte dhe në çdo situatë anormale në Jugosllavi, nuk e kemi jetën të sigurt, por, do të pësojmë atë që kanë pësuar shokët tanë që nga çlirimi e këndej. Qeveria jugosllave ka marrë një mori masash frikësimi, kërcënimi, torturash, shkombëtarizimi e shpërnguljesh, për të arritur që ta thyejë moralin e pakicave shqiptare dhe për të hequr influencën e saj për Shqipërinë. Për të gjitha këto, sipas të dhënave, dashuria e tyre për Shqipërinë sa vjen e shtohet. Për këtë fakt flasin dhe shumë të dhëna, sidomos mbas demaskimit të politikës titiste në lidhje me shqiptarët që u bënë nga udhëheqja jonë dhe shtypi. Mbas kësaj duket njëfarë ngutje morale, orientim për qëndrimin që duhet të mbajnë para masave shkombëtarizuese dhe është ngjallë te ta besimi se Shqipëria po u del për zot në situata më të vështira. Të gjitha këto dhe ndjenjat patriotike të trashëguara prej kohësh, kanë bërë që ata të mendojnë se shpëtimi i tyre do të jetë vetëm bashkimi me Shqipërinë, duke u rezistuar metodave të UDB-së. Në përgjithësi megjithëse është e ndaluar, shqiptarët i dëgjojnë emisionet e Radio Tiranës dhe fjalimet e udhëheqësve tanë kur transmetohen.

(VIJON)
© Pashtriku.org

________________________

DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NË ISH JUGOSLLAVI – NË ARKIVAT E TIRANËS (11)

Nga Prof. dr. Sabit Syla

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura