HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (12)

GRUPI I MITROVICËS

1. Siç dihet, prandaj edhe siç është theksuar, ndër detyrat kryesore të gjithsecilit, që aderonte në LNÇKVSHJ, ishte t’i organizojë dy bashkëmendimtarë, në mënyrë që nga hallkat të krijohej zinxhiri i tresheve, nga të cilat kur të krijoheshin kushtet do të formoheshin edhe komitetet. Prandaj, Ismaili, krahas punës sonë të përbashkët pak ditë para se të konstituohej Komiteti i Deçanit, e kishte anëtarësuar Bajram Gashin, i cili kishte premtuar për formimin e Komitetit të Drenasit.

Ndërkaq, Avdullahu, pas një rezonimi, kishte vendosur që t’ia peshojë atdhetarizmin një bashkëmoshatari nga Mitrovica, me të cilin e kishte rrumbullakuar vitin e shërbimit ushtarak nga dita e parë, duke ia hapur derën e Lëvizjes. Hapi nuk mund të mos e kishte preludin e vet, prandaj do ta rezymoj me disa rreshta. Janë të rrallë ata që shoqërinë e viteve të tilla e vazhdojnë edhe pasi t’u thonë lamtumirë atyre ditëve, që si të veçanta, u mbesin në kujtesë dikujt më pak e dikujt më shumë. Kjo ngjet sidomos kur vendet ku janë lindur e rritur ata që shoqëroheshin në kazerma ishin larg njëra- tjetrës, në ato përmasa që e përjashtonin ndonjë takim të rastësishëm. Prandaj, Avdullahu me Bislim Bajramin e kapërcenin pengesën objektive dhe takoheshin herë në Pejë e herë në Mitrovicë. Tanimë, më të pjekur jo vetëm nga mosha, bisedonin edhe për rrethanat në të cilat përballej populli shqiptar i Kosovës dhe i viseve të tjera brenda kufijve të Jugosllavisë. Nganjëherë u kujtoheshin gjashtë muajt e Akademisë Ushtarake në Zarë e gjashtë të tjerë si nënoficerë me ushtarë… Meqë mendimet e tyre përputheshin plotësisht, strellcjani vendosi që shokut t’i propozojë për të kaluar nga fjalët në vepra, respektivisht për t’u bërë pjesë e Organizatës ilegale. Bislimi nuk bëri turr, përkundrazi, me fjalë të matura e bëri me dije bashkëbiseduesin se nuk do ta vonojë përgjigjen. Konstituimin e Komitetit e konsideronin si një arritje, e cila na nxiste të gjithëve për të vazhduar punën edhe me një entuziazëm më të madh… Kështu, Avdullahu ia kishte mësyrë Mitrovicës e konakgjiu, me pritjen që ia bëri, e njoftoi se ç’e priste, prandaj pa e zgjatur kaloi nga fjalët në vepra. Besimit tënd në mua i tha konakgjiu kam vendosur që t’i përgjigjem me të njëjtin kuti: na shkoftë puna mbarë! I shkëmbyen pseudonimet – Avdullahu – Shpati dhe Besniku – Bislimi. Nga ajo ditë ndjeheshin edhe më të afërt se më përpara.

  • Ismail Haradinaj

Se Avdullahu nuk iu bashkua rastësisht Lëvizjes Ilegale dëshmon e kaluara e familjes së tij, të cilën po mundohem ta përthekoj me disa rreshta. Lufta e Drenicës, që u zhvillua në dimrin e ’45-s, ishte përpjekja e radhës për t’i mbrojtur trojet nga Serbia. Ajo luftë, përveç të tjerave, ishte shkaku i shpërnguljes së popullsisë nga treva e sapocekur dhe disa familje u strehuan edhe në Rrafshin e Dukagjinit. Edhe në Strellc të Epërm të Komunës së Deçanit ishin vendosur disa familje. Ndërkaq, krejt rastësisht, në shtëpinë e Shaban Hasanmetajt ishte vendosur ajo e Shaban Polluzhës, e cila kishte qëndruar aty afërsisht një muaj. Në njërën nga javët, asaj familjeje iu shtua edhe një ferishte, siç i thoshin dikur fëmijës së sapolindur në Malësinë e Madhe. Për koincidencë, atë vit edhe Shabanit strellcjan i lindi djali i dytë, Musai, i cili, kur u rrit rezultoi “i pasjellshëm”, por  nuk mbeti i vetëm, sepse ia kaluan dy vëllezërit – Avdullahu me Isën. Megjithatë, po vazhdoj me të parin: Në dimrin e ’56-s, vitin e terrorit, që regjimi titisto-rankoviçist e ushtronte mbi popullin shqiptar, nuk e kurseu as prindin e tij… Musai i vijonte mësimet në shkollën fillore të Isniqit; pranë rrugës ishte stacioni i policisë e 11-vjeçari me moshatarët e vet i shihte njerëzit e lidhur për trungujt e pemëve. Vonë e mori vesh se në mesin e tyre kishte qenë edhe Haxhi Tishuku – një atdhetar i palëkundur… Ato skena rrëqethëse lanë gjurmë të pashlyeshme në botën shpirtërore të atyre fëmijëve…

2. Në demonstratat e ’68-s në Pejë, Musai bashkë me Nezirin ishin pjesëmarrës, prandaj të dytin me dy shokë të tij policia i kishte arrestuar. Por, pasi i kishin “shoshitur” disa orë, i liruan. Në njërin nga vitet e dekadës së shtatë, familja e tyre e kishte ndërtuar murin e ri të oborrit, e Musai e kishte skalitur në faqen e një guri të gdhendur shqiponjën me yllin në mes.

Episodet e mëhershme të “krehura” në përmasat e arsyeshme e ndonjë tjetër, që e kapërceva, po i mbyll me atë që e përjetova. Për t’i thënë Avdullahut rrugë të mbarë për në shërbimin ushtarak, me propozimin, tash nuk e di se të kujt, ndoshta dhjetë apo ndoshta pak më shumë, që punonim me të në Gjimnaz, ia mësymë familjes Hasanmetaj. Pas pyetjeve e përgjigjeve, që janë të zakonshme në raste të tilla, Shabani, si zoti i shtëpisë që ishte, na falënderoi, meqë u bëmë pjesë e asaj përcjelljeje. Bisedën për jetën ushtarake që na impononte rasti e ndërpreu njëri prej kolegëve, i cili, ndonëse e dinte, pyeti se kush ishte në fotografinë e vendosur në ballin e odës. Iu përgjigj Musai: Xhemajl Bjediçi. Të gjithë e dinim se në atë fotografi ishte portreti i Enver Hoxhës, por kolegu deshi të thoshte diçka përmes pyetjes. Të mësipërmet i konsideroj të mjaftueshme që lexuesi të kuptojë se për ç’rrugë ishte përcaktuar familja e Hasanmetajve, prandaj po e sintetizoj me disa rreshta.

Viti ’81 nuk e gjunjëzoi Avdullahun e as familjen e tij. Këtë e dëshmon fakti se më 1984 i vëllai Isa dënohet si pjesëtar i grupit, përveçse me Xhemail Fetahajn dëshmor, edhe me katër kushërinjtë e tij, po edhe me disa të tjerë.  Siç dihet, në janarin e ’90-s vazhdonin demonstratat anekënd Kosovës, prandaj përveçse në qendrën e qytezës së Deçanit, demonstrata u zhvilluan në shumicën e fshatrave të Komunës. Strellci i Epërm, edhe për shkak të pozitës gjeografike, ishte në shënjestër të forcave policore dhe ushtarake. Megjithatë, edhe në këtë fshat u organizuan demonstrata, prandaj më 29 janar plagoset Ragip Hasanmetaj, të cilin Musai me të afërmit e dëshmorit e nisen për në spitalin e Pejës, por pa arritur atje, ai i takonte tanimë përjetësisë… Çdo familje e të burgosurve politikë është përballur me vështirësi nga më të ndryshmet, megjithatë, nuk u përkulën. Prandaj, rreth këtij segmenti nuk e shoh të arsyeshme të zgjatem më tej.

II

1. Tani po kthehem sërish në vitin 1980. Pas dakordimit me Avdullahun, Bislimi iu përvesh punës për t’i realizuar udhëzimet që i kishte marrë. Meditimi i tij nganjëherë i merrte përmasat e një monologu në heshtje për t’i gjetur ata që mund t’i bashkoheshin në rrugën e atdhetarizmit. Se kush mund të ishin e dinte: e dinte se ata duhej t’u përkisnin, së paku, familjeve të ndershme e sidomos familjeve që kishin bërë diçka për të mirën e atdheut. Përtej të mësipërmes, anëtarët e ardhshëm të Lëvizjes do të duhej të ishin të ngritur në aspektin e arsimimit, se për në rrafshin kombëtar s’kemi pse të zgjatemi, sepse rruga nuk ishte e shtruar me lule, por me gjemba. Pra, duhej të ishin të gatshëm për t’i përballuar vështirësitë. Ndërkaq, sa i përket formimit në rrafshin kombëtar të individit, ashtu edhe të kolektivitetit, duhet thënë se rrethanat në kuptimin më të gjerë të fjalës e kanë peshën e vet të padiskutueshme. Pra, mund të thuhet se në raste të veçanta ato janë përcaktuese. Të tilla mund të cilësohen pa kurrfarë ngurrimi edhe ato të dekadës 1968 – ’78. Ai dhjetëvjeçar ishte gurrë frymëzimi për të gjitha moshat.

2. Rasti ma mundëson që t’i kthehem komponentit të parë, që e theksova më lart. Veprimtari i ardhshëm Ismail Smakiqi ishte nip i Ajet Haxhiut, i cili, si shumë të tjerë, në moshë të re kishte dalë në Shqipëri. Jetën e ngrysi atje, po la edhe emër të mirë, përveç të tjerave, me monografitë “Hasan Prishtina” dhe “Shotë e Azem Galica”, në të cilat i përjetësoi dy heronjtë bashkë me heroinën. Ato vepra i solli në shtëpinë e vet babai i Ismailit, meqë në vitin 1971 e vizitoi Shqipërinë me kolektivin e Normales “Hasan Prishtina” ku punonte si shtëpiak. Kjo lidhje familjare është një segment, që dëshmon se Ismaili 14- vjeçar abetaren e atdhedashurisë e mësoi në gjirin familjar.

Dekada e shtatë, përveç të tjerave, i vuri në provë përmasash historike nxënës e studentë, në njërën anë, e mësimdhënësit, në anën tjetër, që të përgatiten për orën e kushtrimit. Prandaj, si në vatrat e tjera arsimore, edhe në Mitrovicë dy kategoritë e cekura kur erdhi dita iu përgjigjën kushtrimit. Andaj, në vitet e gjysmës së parë të dekadës si nxënës të shkollave të mesme, Ismaili, Jakupi Sadiku, Abedini, Samiu dhe Abedin Gashi, si shokë të pandashëm që ishin, përveç veprave që kërkoheshin me plan-program zyrtar, gjenin kohë për ta lexuar edhe “zhanrin” tjetër që sikur t’u ziheshin, çmimi fillestar që do ta paguanin ishte përjashtimi nga shkolla. Në disa raste ata, në shtëpinë e njërit apo tjetrit, lexonin me radhë – pra njëri lexonte e të tjerët dëgjonin. Do t’i radhis disa prej tyre: Mic Sokolin e Sylejman Krasniqit, Kosova djep i shqiptarizmit e Hamit Kokalarit, Kosova e lirë e Pirro Floqit, Gjarpijtë e gjakut e Lahutën e Malcis, bashkë me monografitë e cekura më lart. Leximi i atyre veprave nuk mund të mos nxiste diskutimet rreth çështjes kombëtare, prandaj, pa e kuptuar as vetë spontanisht përgatiteshin që një ditë mund t’i kontribuonin çlirimit të vendit.

Ndërkaq, në muajt e fundit të gjysmës së dytë të asaj dekade, veprimtarët e ardhshëm me studimet e përfunduara, nuk mbeten rrugëve. Njëri prej tyre – Ismail Smakiqi, në shtatorin e ’80 -s filloi të punojë aty ku kishte qenë nxënës katër vjet; në Gjimnaz, përveç disa nga mësimdhënësit e tij, e gjet edhe njërin nga shokët e gjeneratës – Enver Halitin, profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe. Në këtë rast, edhe i dyti i meriton disa rreshta: Ishte stërnip i Halit Bajramit – bashkëluftetarit të Azem Galicës, i njohur, përveç se në libra, edhe përmes këngës së veçantë të rapsodit Dervish Shaqa, i cili e përjetësoi qëndresën e heroit kundër krajlit të Serbisë. Përveç të tjerave, duke qenë nipa e stërnipa të atyre që me pushkë e me penë u përpoqën t’i kontribuojnë çështjes kombëtare, bisedimet midis dy shokëve për të ardhmen e vendit u thelluan në ato përmasa saqë secili mendonte për tjetrin se mund t’u përkiste radhëve të Lëvizjes ilegale. Prandaj, asnjëri nuk e prekte vijën e “demarkacionit”. Dyshimet rezultuan të sakta: Ismaili në Pranverën e vitit 1981 qe dënuar me 5 vjet burg. Ndërkaq, i dyti, Enveri, s’e ndërpreu asnjëherë veprimtarinë kombëtare, prandaj edhe ra dëshmor në malet e Qyqavicës, në ofensivën që ndërmori policia dhe ushtria e Serbisë fashiste kundër çlirimtarëve në shtatorin e vitit 1998. Çdokujt që do t’i binte hise për ta përkujtuar atë atdhetar të pathyeshëm në një libër,  qoftë edhe me kaq pak rreshta, do të ndjehej mirë, sepse emrat e dëshmorëve e kanë vendin që të përkujtohen në çdo kohë e në çdo kontekst.

3.  STRUKTURA ORGANIZATIVE E GRUPIT

Bislimi, filloi t’i realizojë zotimet. Nga grupi i shokëve që nga aspekti i moshës e ndante më tepër se një gjysmë dekade, ishte Jakup Rexhepi, ai që e njihte pak më herët, prandaj edhe më hollësisht se të tjerët. Pra, pas bisedave të cekura më lart, ishte e natyrshme që atij t’i propozonte anëtarësimin në Lëvizje. Përgjigjen që e priste e mori pas pak ditësh. Ndërkaq, përmes të sapoorganizuarit, Bislimi arriti ta njohë edhe më mirë Ismailin, i cili propozimit që iu bë nga Bislimi iu përgjigj pa kurrfarë hezitimi. Pra, treshen e parë brenda grupit të Mitrovicës e përbënin: Bislimi me pseudonimin “Besniku”, siç e kam theksuar edhe më lart, Jakup Rexhepi me pseudonimin “Guri” dhe Ismaili me pseudenimin “Fisniku”. Do të bëja tautologji sikur të vazhdoj me propozimet dhe përgjigjet e shokëve që njiheshin që nga vitet e shkollimit të mesëm, e të tjerat që i kam vënë në dukje më lart, prandaj nuk po i përsëris. Siç do të shihet, asnjë zarf nuk ishte bosh. Pra, po vazhdoj me treshe të tjera: Ismaili e organizoi Sadik Bajramin me pseudonimin “Driti” dhe Arsim Gashin me pseudonimin “Ylli”. Ndërkaq. Jakupi Sami Selmanin me pseudonimin “Lisi” dhe Sadik Bajrami Abedin Osmanin me pseudonimin “Shpendi”. Siç po shihet, dy veprimtarëve të fundit, ndoshta nuk u premtoi koha, respektivisht zhvillimi i rrethanave, treshet e tyre nuk arritën t’i formojnë.

Protagonistët, ndonëse të “barrikaduar në llogoret e Organizates” (lexo: treshet e tyre), takoheshin dhe bisedonin për çështjen kombëtare, por duke iu përmbajtur rreptësisht Statutit. Prandaj, ata edhe shtypin e ilegales – “Bashkimin” e “Lajmëtarin”, që Avdullahu ia kishte dërguar Bislimit, e lexonin bashkërisht, në shtëpinë e njërit apo të tjetrit. Tekstet e organeve Iiegale ata edhe i diskutonin bashkërisht.

Veprimtarët e grupit, duke biseduar jo vetëm me studentë,por edhe me të tjerë me qëllim të ngritjes së vetëdijes kombëtare, duke u dhënë edhe ndonjë shenjë të karakterit përgjithësues se gjendja mund të ndryshojë, ndonjëherë e kapërcenin “gardhin”. Hapat e tillë nuk ishin të gabueshëm, sepse, së paku, shkronjat e abetares së ndryshimit duhej të paralajmëroheshin. Shkurt, Lëvizja ilegale, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës,  nuk ishte formuar për të qëndruar në “kafaz”.

4. Njëmbëdhjetë, njëzetepesë dhe njëzetegjashtë marsi i vitit 1981 hapën kapitullin e ri të përpjekjeve të gjysmës së kombit për t’i realizuar aspiratat shekullore-kombëtare në rrethanat e caktuara. Siç është theksuar edhe më lart, demonstratat i patën befasuar jo vetëm Kosovën – krahinë, Serbinë Federale, Jugosllavinë e Shqipërinë dhe Evropën pas tyre. E sa i përket Lëvizjes ilegale vetëm pjesërisht, e vetëm sa i përket kohës, sepse, ajo vetë e nxiste me mjetet e saj. Siç dihet, leva kryesore e Lëvizjes ishte shtypi, siç është theksuar edhe më lart, si “Bashkimi”, “Liria”, “Lajmëtari i lirisë” e ndonjë tjetër. Në muajt e ’80-s qarkullonin nëpër konviktet e studentëve në Prishtinë po pa i lënë anash as shkollat e mesme ku vepronin OMLK-ja, LNÇKVSHJ, PKLSH-ja e ndonjë tjetër. Me traktet e parullat që shkruheshin e shpërndaheshin, këto  janë thënë më sipër dhe këtu nuk po i përsëris.

Demonstratat që shpërthyen në datat e cekura më lart e nxitën Lëvizjen në tërësi, pra edhe LNÇKVSHJ-në që t’i përballojë rrethanat e krijuara, respektivisht të përgatiten për gjithçka që do të sillnin ditët, javët, madje edhe muajt e atij viti, që hyri krenar në faqet e historisë shqiptare. Prandaj, as Grupi i Mitrovicës nuk ndenji duarkryq. Përkundrazi, më 27 mars e kishte organizuar demonstratën, në të cilën, përveç 7 veprimtarëve të cekur më lart, morën pjesë edhe disa nga shokët e tyre, në mesin e të cilëve ishte edhe Bashkim Gashi – vëllai i Arsimit, të cilin e kishte organizuar Ismaili, Sedat e Vedat Hallaqi – vëllezër binjakë e të tjerë. Dy të sapocekurit – studentë të dalluar të Fakultetit të Elektroteknikës, ishin pjesëmarrës në demonstratat e një dite më parë në Prishtinë. Prandaj, veprimtarëve dhe të tjerëve, që ishin të pranishëm në mbledhje, ua pasqyruan zhvillimin e ngjarjeve, sidomos ndërhyrjen e njësisë speciale të Beogradit. Sipas veprimtarit Ismail Smakiqi, takimi është mbajtur në shtëpinë e Lahë Gashit – babai i Arsimit, i cili kishte qenë i përndjekur politik i viteve të ’60-ta.

Referimi i studentëve nuk mund të mos ngjallte diskutime të larmishme, disa nga të cilat i përshkonte indi emocional, e kjo ishte e kuptueshme. Analiza që ua bënë rrethanave të krijuara përthekohej me pyetjen: Do të ndërpriten apo do të vazhdojë organizimi i demonstratave? Meqë një përgjigje 100 % e saktë ishte vështirë të jeipej, për të mos thënë krejtësisht e pamundur, u zgjodh një rrugë e mesme, nëse mund ta quajmë kështu: përveç vigjilencës në çdo hap, që ua propozoi Bislimi, të gjithë duhet të jenë të gatshëm për t’i organizuar demonstratat edhe në Mitrovicë, nëse shpërthejnë në ndonjë qendër tjetër kudo qoftë në Kosovë.

Po, kushtrimi i 1 e 2 prillit e ngriti në këmbë tërë Kosovën, pra edhe Mitrovicën. Prandaj, në një mbledhje tjetër, që u zhvillua në rrethana të reja, veprimtarët vendosën që menjëherë të fillojë organizimi i demonstratave. Ndonëse u përcaktuan për 4 prillin, zhvillimi i ngjarjeve u diktoi që të nguten për një ditë, pra për 3 prill. Do ta pasqyroj me disa rreshta tablonë e zhvillimit të demonstratave në qytetin e minatorëve në bazë të të dhënave të Grupit të Mitrovicës. Ku do të shpërthenin nëse jo në Kompleksin industrial të Trepçës, në repartet e të cilit punonin afërsisht dy mijë punëtorë. Ata iu kundërvunë kordonit të milicisë, që kishte arritur deri para dyerve të Kompleksit. Ndërkaq, punëtorët, të udhëhequr nga Skënder Haredinaj, Xhelal Ferizi e ndonjë tjetër, synonin të dalin në rrugët e qytetit. Me qëllim që demonstruesve t’u bashkoheshin studentët e nxënësit, të cilët bashkë me arsimtarët dhe punëtorët e ndërmarrjeve të tjera ishin grumbulluar në rrugët dhe sheshet e qyteteve… Kur demonstruesit kishin arritur në oborrin e Gimnazit dhe të Shkollës së Mesme Ekonomike, Ismail Smakiqi, bashkë me arsimtarë të tjerë të të dy shkollave, me nxënësit e tyre iu bashkuan demonstruesve, sikurse edhe minatorët e Stari Tërgut, dhe me punëtorët e Metalurgjisë së Plumbit në Zveçan. Në përpjekje për t’i izoluar demonstruesit, policia arriti ta ndërpresë hyrjen e tyre përmes urës veriore të lumit Sitnica… Në mbrëmje, milicia speciale përdori armë zjarri për t’i ndërprerë veprimet e mëtejshme të demonstruesve dhe pak më vonë e shpalli edhe gjendjen e jashtëzakonshme.

Nga sa u tha më sipër, mund të konstatohet se edhe Grupi i Mitrovicës e dha kontributin e vet në qarkun ku jetonte e vepronte. Prandaj, ata ishin vetëm pjesë e përpjekjeve për organizimin po edhe pjesëmarrës të demonstratave, megjithëse timonin e tyre e kishte klasa punëtore e qytetit. Kjo ishte atëherë po edhe sot krejtësisht e kuptueshme.

Në fund, duhet theksuar se edhe Grupi i Mitrovicës i kishte plotësuar kushtet për formimin e Komitetit të Vendit. Por, shpërthimi i demonstratave, përveç të tjerave, rezultoi edhe me arrestimin e veprimtarëve të Grupit.

(VIJON)

© Pashtriku.org

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura