Pashtriku.org, 22 korrik 2017: Në dhjetor 2007, nëpër zyrat e BE-së në Bruksel qarkullonte një dokument i papublikuar (për Kosovën), të cilin e kishin përpiluar ekspertë juridik të BE-së. Në këtë dokument konstatohej se “Rezoluta 1244 do të mbetet në fuqi edhe pas shpalljes së pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës”, sepse sipas interpretimit të tyre “1244 nuk e parandalon shpalljen e pavarësisë së Kosovës”!!! Lidhur me dokumentin e ekspertëve ligjor të BE-së, më 16 dhjetor 2007 (dy muaj para shpalljes së deklaratës së Pavarësisë së Kosovës /18 shkurt 2008/, në të cilën theksohet disa herë rezoluta 1244) kam bërë një reagim, me titull:
Ekspertët ligjor të BE-së, ja kanë futur kotë, krejtësisht kotë !
PAVARËSIA E PLOTË E KOSOVËS AS QË MUND TË IMAGJINOHET ME REZOLUTËN 1244!
Shkruan: Sheradin BERISHA – 16. XII. 2007
Në një dokument jopublik (sekret) të përpiluar nga ekspertë juridik të BE-së, që tashmë po qarkullon nëpër duar të zyrtarëve të Brukselit, konstatohet se “Rezoluta 1244 do të mbetet në fuqi edhe pas shpalljes së pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës”, sepse sipas interpretimit të tyre “1244 nuk e parandalon shpalljen e pavarësisë së Kosovës” (!!!).
Se çfarë pengesash ka paraqitur rezoluta 1244 në aspektin e funksionimit të “institucioneve të Kosovës”, kjo tashmë dihet mirëfilli nga të gjithë qytetarët e Kosovës, por edhe nga vetë faktorët relevant ndërkombëtarë. Për këto tetë vjet të administrimit nga UNMIK-u, në të vërtet të sundimit të tmerrshëm në të gjitha sferat e jetës nga kjo ngrehinë tutorësh të KS të OKB-së, në Kosovë janë bërë shumë eksperimente politike, ekonomike etj etj., ndërsa “institucionet e Kosovës” edhe pse kishin dalur përmes zgjedhjeve nga “verdikti i popullit”, në kontinuitet do të demonstrojnë vullnetin dhe gatishmërinë për t´i shërbyer interesave gjeopolitike – strategjike të faktorëve të ndryshëm jashtë Kosovës, se sa vetë qytetarëve të Kosovës!
Pse ka ndodhur kjo?!
Kjo ka ndodhur për faktin, sepse vetë sistemi i administrimit në Kosovë i ndërtuar mbi bazën e rezolutës 1244, prej të cilës kanë gjeneruar pastaj “korniza kushtetuese”, qindra rregullore e “urdhërash ekzekutiv” etj., kanë bërë që e gjithë struktura pushtetore në Kosovë (vendore dhe ajo ndërkombëtare) të përqëndrohet tek sovrani UNMIK!
Si rrjedhim, kur kihen parasysh këto fakte, është i çuditshëm, vërtet shumë i çuditshëm interpretimi i ekspertëve ligjor të BE-së, se rezoluta 1244 nuk e parandaloka shpalljen e pavarësisë së Kosovës, dhe si e tillë gjoja nuk po e dëmtoka substancën e kësaj pavarësie (!!!)
Cilat pika, anekse dhe parime të rezolutës 1244 do ta dëmtonin substancën e pavarësisë së Kosovës?
Ta zëmë,
Në pikën 10 të rezolutës 1244 tekstualisht thuhet, (po citoj):
”10. Të autorizojë Sekretarin e Përgjithshëm që me ndihmën e organizatave përkatëse ndërkombëtare të vendosë një prani ndërkombëtare civile në Kosovë për të siguruar një administrim të përkohshëm për Kosovën nën të cilin populli i Kosovës të mund të gëzojë një autonomi substanciale brenda Republikës Federale të Jugosllavisë, prani që do të sigurojë një administrim kalimtar ndërkohë që edhe do të themelojë institucionet e përkohshme demokratike vetëqeverisëse si dhe do të mbikëqyrë zhvillimin e tyre për të krijuar kushtet për një jetë paqësore e normale për të gjithë banorët e Kosovës;”
Pastaj “Aneksi I” i rezolutës 1244 – parimi i gjashtë i G8-tës ndër të tjera saktëson (po citoj):
“Një proces politik drejt arritjes së një marrëveshjeje për një kuadër politik të përkohshëm që do të sigurojë një vetëqeverisje substanciale për Kosovën duke marrë plotësisht parasysh marrëveshjen e Rambujesë dhe parimet e sovranitetit dhe të integritetit tokësor qoftë të Republikës Federale të Jugosllavisë, qoftë të vendeve të tjera të rajonit, si dhe çmilitarizimin e UÇK-së;”
Ndërkaq në parimin 5 të Aneksi 2 të kësaj rezolute thuhet (po citoj):
“5. Vendosja e një administrimi të përkohshëm për Kosovën si pjesë e pranisë ndërkombëtare civile në bazë të të cilit populli i Kosovës të mund të gëzojë një autonomi substanciale brenda Republikës Federale të Jugosllavisë, autonomi që do të vendoset nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së…” etj etj
Për më tepër në këtë rezolutë, specifikohen edhe modalitete shtesë (për rikthim të forcave serbe), përfshirë këtu rolin dhe funksionet e personelit jugosllav-serb në Kosovë, saktësisht, përcaktohen (po citoj):
“Pajisjet që bashkëshoqërojnë personelet që do të rikthehen; Referenca e kushteve për përgjegjësitë e tyre funksionale; Grafiku kohor i rikthimit të tyre; Konturimi i zonave gjeografike për operacionet e tyre; Rregullat që qeverisin raportet e tyre me praninë ndërkombëtare të sigurisë dhe me misionin ndërkombëtar civil.”…(!!!)
(Për më tepër lexoni të plotë rezolutën 1244 –
http://www.unmikonline.org/regulations/unmikgazette/03albanian/Res1244ALB.pdf)
Kjo besoj nuk do koment tjetër.
Pa u futur në elaborimin e zhvillimeve të shumta që kanë ndodhur ditëve të fundit në Kosovë dhe rreth saj, me këtë rast dua të vë në spikamë vetëm një ngjarje ogurzezë: hapjen e zyrave nga Qeveria serbe në Mitrovicën veriore, në enklavat e sforcuara serbe (edhe me pakon e Ahtisarit) si dhe në Sharr (ish – Dragash) nga komuniteti goran pro-serb, e cila tregon qartë se kah po shkon Kosova.
Më 10 dhjetor 2007 me rastin e hapjes së zyrës në Mitrovicën veriore, ministri për Kosovë në qeverinë serbe Sllobodan Samarxhiq, pati deklaruar se Serbia do të “instaloi një paralelizëm të plotë institucional në Kosovë“. Ndaj këtij veprimi të qeverisë serbe ka reaguar UNMIK-u dhe zërat plotësisht të mekur të presidentit Fatmir Sejdiu dhe kryeministrit të ri z.Hashim Thaçi.
Zëvendësshefi i UNMIK-ut, Steven Schook, në një konferencë të përbashkët me gazetarë pas takimit me z.Samarxhiq, ka thënë se “hapja e kësaj zyre për UNMIK-un është e papranueshme. PSSP-ja më ka autorizuar të them se UNMIK-u nuk ka qenë i njoftuar dhe nuk ka dhënë leje për këtë zyrë. UNMIK-u konsideron se themelimi i Zyrës së Ministrisë së Qeverisë së Serbisë me qëllim që të ushtrohen detyrat e ministrisë këtu, është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe për këtë arsye, për UNMIK-un është e papranueshme. Po ashtu, përfaqësuesi special do të konsultohet me Grupin e Kontaktit dhe me Nju Jorkun, për direktivat e mëtejme”, përfundon z.Schook.
Ky reagim i z. Schook duket sheshit se është një reagim tepër verbal dhe si i tillë i papërgjegjshëm, për vetë faktin sepse Qeveria e Serbisë në Kosovë gjatë këtyre viteve të pasluftës ka ngritur struktura paralele kriminale në Kosovë, madje në sytë e UNMIK-ut dhe asnjëherë nuk është marrë një veprim i guximshëm për shuarjen e tyre.
Shtrohet pyetja:
– Pse nuk është përballur seriozisht UNMIK-u me pushtetin paralel të Serbisë në Kosovë?!
Përgjigjja është shumë e thjesht:
– sepse UNMIK-u ka zbatuar me përkushtim pikërisht obligimet që dalin nga rezoluta 1244 !!!
Dhe si përfundim,
Pa hezitim, them se, Pavarësia e plotë e Kosovës (ashtu siç e aspiruam ne shqiptarët) as që mund të imagjinohet me përfshirjen e rezolutës 1244!! Andaj, me plotë bindje deklaroj se këta zotërinjtë – ekspertë ligjor të BE-së, me këtë rast ja kanë futur kotë, krejtësisht kotë !!!
________________________
Lexoni origjinalin:
Ekspertët ligjor të BE-së, ja kanë futur kotë, krejtësisht kotë !
PAVARËSIA E PLOTË E KOSOVËS AS QË MUND TË IMAGJINOHET ME REZOLUTËN 1244!
Shkruan: Sheradin BERISHA – 16. XII. 2007
http://pashtriku.beepworld.de/files/Kosovaneudhkryq/dhjetor07/sheradinberisha_pavaresiaasqeimagjinohetme1244_16.12.07.htm