PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: FORMIMI DHE VEPRIMTARIA E ORGANIZATËS ILEGALE PATRIOTIKE SHQIPTARE “VUAJTJA” NË PREKAZ TË EPËRM (4)

Prishtinë, 02. 07. 2015 – (Prokuroria Publike e Qarkut ne Prishtine ngrite aktakuze) – Prokuroria Publike e Qarkut në Prishtinë, Gjykatës së Qarkut në Prishtinë i kishte kërkua që në bazë të nenit 44 , alineja 2, pika 2 Ligji për veprimtari penale të ngrit akuzë kundër:
1. Bislim Bislimit, bujk nga Prekazi i Epërm, në të cilën edhe kishte lindur më 1933 nga babai Tahir dhe nëna Hanife e lindur Bilalli. I martuar por ende pa fëmijë. Me kombësi shqiptar, qytetar i RSFJ. Dinë shkrim-lexim, ka të mbaruar një klasë të Normales. Ushtrinë e ka të mbaruar gjatë vitit 1953/55. Është i evidentuar në sektorin e ushtrisë në Mitrovicë të Kosovës. Gjendja ekonomike- e mesme, nuk është i dekoruar. Ka qenë i dënuar me vendimin e Gjykatës së Rrethit të Serbicës me numër K. Br. 163/55 nga 25 tetori 1955, me dënim me burg prej 4 muajsh. Në burg ndodhet nga 14 prilli 1959.
2. Adem Alia, nëpunës nga Klina e Epërme. Ai me vitin 1926, po në këtë fshat kishte lindur nga babai Ali dhe nëna Zade e lindur Veliu. Gjendja familjare- i martuar, baba i një fëmije. Kombësia- shqiptar, qytetar i RSFJ-së. Di shkrim-lexim, ka të mbaruar dy vite gjimnaz. Ushtrinë e ka të mbaruar gjatë vitit 1944/48. Vjen nga një familje e varfër. Nuk është i dekoruar. Gjerë më tani nuk ishte i dënuar. Në burgun hetues ndodhet që nga 16 prilli 1959.
3. Sherif Musliu, bujk nga Prekazi i Epërm, ku është i lindur më vitin 1924 nga babai Muslia dhe nëna Ajmone e lindur Gjoshi. Është i martuar dhe ka dy fëmijë. Shqiptar, Qytetar i RSFJ-së, di shkrim-lexim, ka të mbaruara 4 klasë të shkollës fillore. Shërbimin ushtarak e ka kryer gjatë periudhës 1954. Mesatarisht i pasur. Nuk është i dekoruar. I pa dënuar. Në burgun hetues ndodhet që nga data 15 prill 1959.
4. Beqir Mehaj, bujk nga Prekazi i Poshtëm. Ka lindur më vitin 1936 nga babai Nebi dhe nëna Hanife e lindur Vojvoda. Është i martuar, baba i një fëmije. Shqiptar me nënshtetësi jugosllave, analfabet, ushtrinë nuk e ka të kryer, fizikisht ishte i pa aftë. Gjendja ekonomike- është i varfër. Nuk është i dekoruar. I pa dënuar. Në burgun hetues ndodhet që nga data 15 prill 1959.
5. Ramadan Zeneli, bujk nga Prekazi i Epërm. Është i lindur po në këtë fshat më 1915 nga babai Zenel e nëna Zarife, e lindur Bislimi. Është vejan, baba i 2 fëmijëve. Shqiptar, me nënshtetësi jugosllave. Dinë shkrim lexim, ka të mbaruar 4 vjet të shkollës fillore. Ushtrinë e ka të mbaruar më 1937. Ekonomikisht i varfër. Nuk është i dekoruar dhe i pa dënuar. Në burgun hetues ndodhet që nga 20 prilli 1959.
6. Istref Hasani, bujk nga Prekazi i Epërm. Është i lindur më 1925 nga babai Osman dhe nëna Razë e lindur Tahiri. Është i martuar, baba i 3 fëmijëve. Shqiptar me nënshtetësi jugosllave, din shkrim lexim- autodidakt. Ushtrinë e ka të përfunduar gjatë viteve 1944/47. I varfër ekonomikisht. Nuk është i dekoruar dhe i dënuar. Në burgun hetues ndodhet që nga data 20 prill 1959.

Në burgun hetues ndodheshin për këtë arsye:
I.
Bislim Bislimi, i cili gjatë vitit 1958 në rrethinën e rrethit të Mitrovicës së Kosovës ka formuar organizatën ilegale të quajtur “Vuajtja”, e cila kishte për qëllim që nëpër mes të forcës të ndajnë Kosovën nga Jugosllavia për t’a bashkua me Shqipërinë. Dhe mu për këtë qëllim në radhët e saja ka pranuar e angazhuar shumë persona që më 1958 ka mbajtur shumë mbledhje në të cilat ka folur për detyrat e organizatës dhe masivizimin sa më të madh të njerëzve për të luftua kundër sistemit aktual në Jugosllavi. Prokuroria Publike e Qarkut në Prishtinë ka ardhur në përfundim se me këtë ka bërë vepër penale në bazë të nenit 117, alineja 1. të Ligjit Penal të Jugosllavisë.
II.
Adem Ademi, që në ditën e muajin e pavërtetuar, gjate vitit 1958 është bërë anëtar i organizatës ilegale “Vuajtja”, të cilën e kishte formuar Bislim Bislimi. Bislimi llogaritej njeri me eksperiencë dhe kishte respekt te fshataret. Andaj duke u nisur nga kjo edhe numri i të interesuarve për të qenë anëtar të saj ishte i madh. Po ashtu edhe Adem Ademi akuzohej në bazë të nenit 117, alineja 2, të LPJ.
III.
Sherif Muslija, Beqir Meha, Ramadan Zeneli dhe Istref Osmani, në fund të vitit 1958 ishin bë anëtar të organizatës ilegale “Vuajtja” të cilën e kishte formua Bislim Bislimi në të cilën kishin marr pjesë në shumë mbledhje të organizatës, ku ishte diskutua gjerësisht për organizimin dhe masivizimin e anëtarësisë. Ata pas anëtarësimit në organizatë kishin zhvillua aktivitet të dendur në terren duke u takua me shumë persona, tek të cilët kishin pas besim. Edhe këta ishin akuzua në bazë të nenit 117, alineja 2 të Ligjit Penal të Jugosllavisë.
Beqir Meha ishte akuzua edhe për shkak të marrjes së pushkës në mes të datës 23-24 mars 1959, nga banesa e mësuesit Jusuf Bimbashit, duke e thyer dritaren dhe grabitur pushkën për interesa të organizatës, bashku me të kishte marr edhe 30 fishek dhe një çarçaf për të mbështjell pushkën.
Në bazë të të dhënave që u thanë më lart, Prokuroria Publike e Qarkut në Prishtinë propozon që para kësaj gjykate të mbahet seanca gjyqësore në të cilën do të thirren të akuzuarit nga burgu hetues të sillen në gjykatë. Po ashtu të thirren dëshmitarët: Muhamet Qerimaj, punëtor nga Mitrovica; Maliq Brahimi, bujk nga Prekazi i Epërm; Tahir Meha, bujk nga Prekazi i Poshtëm; Jusuf Bimbashi, mësues nga Prekazi i Epërm, Abaz Zenunu, nga Këqiqi i Madh,; Sadri Shosholli, nga Këqiqi i Madh; Shaqir Rrahmoni nga Luboveci, Cenë Fejza e Ajet Meha nga Prekazi i Poshtëm.
Në ditën e seancës gjyqësore të lexohen: (prijave), e stacionit policor në Serbicë me nr. 1/6 nga 24 marsi 1959; procesverbali nga pretres shtëpia e Beqir Mehës dhe shikimi në dokumentacionin me nr. 1470 nga data 4 maj 1959 nga libri “Operacioni Cicero”, të cilën i akuzuari Adem ia kishte dhënë për lexim Bislim Bislimit.
Arsyetimi që jepet nga prokuroria del se gjatë hetimeve se, situata e tanishme është: gjatë hetimeve del se Bislim Bislimi nuk ishte aktiv vetëm në vitin e fundit, por konstatohej që nga viti 1951 ai qysh si nxënës ishte përjashtua nga shkolla normale në Gjakovë, ngase kishte këndua këngë me përmbajtje nacionaliste. Më 1955 ishte dënua përsëri me 4 muaj burg për arsye të angazhimit të tij në veprimtari antishtetërore. Po ashtu më 1958 ai formon një organizatë patriotike ilegale të pagëzuar me emrin “Vuajtja”, ngase shqiptarët në Jugosllavi nuk gëzonin asnjë të drejtë veçse vuanin nga okupuesi. Organizata në fjalë për qëllim kishte shkëputjen e Kosovës nga Serbia e Jugosllavia dhe bashkimin e saj me Shqipërinë.
Fillimisht, Bislimi kishte bisedua me Ademin, se e dinte se ai ishte një njeri i shkolluar dhe me përvojë organizative dhe kishte një përvojë politike dhe mbi të gjitha e dinte se edhe ai ishte i pakënaqur me qëndrimet e pushtetit jugosllav ndaj shqiptarëve. Ademi menjëherë kishte pranua me qenë anëtar i organizatës dhe ishte angazhua me të madhe rreth organizimit, veprimit dhe masivizimit të organizatës me anëtarë të rinj. Në mes tjerash iu kishte dhënë këshilla se si duhet të punojnë me njerëz dhe se si duhet të mbahen mbledhjet me anëtarët. Ademi kishte propozua që kryesisht mbledhjet të mbahen ne treshe ngase gjatë punës partizane janë tregua shumë të suksesshme dhe ka pasur shumë vështirësi që të zbulohen anëtarët e tjerë të lëvizjes. Për ta bindur Bislimin se kjo formë e punës është e aplikueshme, ai në besim i kishte dhënë Bislimit librin “Operacioni Cicero”.
Duke u frymëzuar nga urrejtja ndaj okupuesit, Bislimi angazhon edhe shumë të tjerë në organizatë. Rregullisht mbante mbledhje dhe konsultohej me ta. Bile në një mbledhje kishte kërkua që është mirë që anëtarët e organizatës të armatoseshin se në rast nevoje do të vije koha edhe për armatim. Mu nga kjo lind ideja që kishte qenë mirë që dikush nga anëtarët e grupit të merrte pushkën në shkollën e fshatit Prekaz i Epërm dhe t’i dorëzohej organizatës. Në natën në mes 23/24 marsit, Beqir Meha duke e ditur se në këtë natë shkolla e fshatit është e zbrazët, ai organizon grabitjen e saj. Kontribut të madh në këtë kishte dhënë edhe vëllai i vogël i tij- Tahir Mehaj, i cili e kishte shoqërua vëllanë dhe kishte bërë roje derisa ky e kishte marr pushkën me 30 fishek.
Gjatë hetuesisë ishte konstatua se shumica e anëtarëve të organizatës e kishin pranua veprimtarin e tyre atdhetare dhe veten e ndjenin krenar që kishin arritur që të sensibilizonin situatën okupuese aktuale tek populli shqiptar në rrethinën e rrethit të Serbicës e të Mitrovicës. Ata nuk mohuan asgjë nga angazhimet e tyre por edhe nuk u penduan për aktivitetin e tyre që kishin zhvillua.
Arsyetimin e kishte nënshkrua Zëvendës Prokurori Publik i qarkut të Prishtinës, Miroslav Lazareviq. Me datë 3 qershor 1959.

Procesi kryesor gjyqësorë
Në bazë të urdhëresës për procesin kryesor, u mor qëndrimi që ai të mbahej me 30 qershor 1959 në orën 8 të mëngjesit.
Në proces duhet të merrnin pjesë: Prokurori Publik i Qarkut të Prishtinës; te gjithe te akuzuarit që ndodhen në burgun hetues; Avokati mbrojtës i palës- Stoilkoviq Papoviq; Duhet thirrur të gjithë personat sipas propozimit që ndodhen në aktakuzë; Duhet kërkuar të gjitha të dhënat për gjendjen materiale të të akuzuarve, po ashtu duhet thirr përfaqësuesin e entit të Sigurimeve Sociale. Urdhëresa iu kishte dorëzua që të gjithëve me datë 10 qershor 1959, nga Kryetari i Këshillit, gjykatësi, Vujo Rakoqeviq .
Gjatë bastisjes që ishte bë në shtëpinë e Bislim Bislimit, organet hetuese në shtëpinë e tij kishin gjetur 7 tabak letër, të cilët u gjetën në banesën dhe në lokale të tjera të Bislim Bislimit. Letra që ishte gjetur te i akuzuari ishte pronë e Kooperativës Bujqësore në Klinën e Epërme, me të cilën arkëtari i saj Adem Gjemë Alia i kishte dhanë udhëheqësit të organizatës ilegale Bislim Bislimit me qëllim që të mbante procesverbalin e mbledhjeve të organizatës “Vuajtja” dhe për ndonjë shënim tjetër.
Procesverbali nga seanca kryesore e grupit
Procesverbali i seancës kryesore ishte mbajtur me 30 qershor 1959 në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, kundër 6 të akuzuarve në bazë të nenit 117, alineja 1 e 2 të LPJ dhe nenit 250. Alineja 2 të Ligjit Penal, në bazë të dokumenteve Kto-83/59 me 2 qershor 1959.
Në seancë kishin marr pjesë Kryetar i Këshillit gjyqësor: Vujo Rakoqeviq, Gjykatësi Dragutin Kalugjeroviq , gjykatësit porotë: Mehmet Kalaveshi, Qazim Bajgora dhe Riza Voca. Procesmbajtës Jagoda Aleksandriq.
Në seancë merrte pjesë edhe Zëvendësi i Prokurorit Publik të Qarkut në
Prishtinë, Miroslav Lazareviq. Po ashtu edhe të akuzuarit: Bislim Bislimi, Adem Alia, Sherif Muslia, Beqir Meha, Ramadan Zeneli dhe Istref Osmani. Avokati mbrojtës Blazho Stankoviq, ishte në cilësinë e mbrojtësit të Bislim Bislimit, Avokati Zeqir Arrni, mbronte Adem Alin dhe avokati Jovan Popoviq ishte mbrojtës i të akuzuarve të tjerë.
Qysh më herët ishte marr vendimi që seanca gjyqësore të mbahej publikisht dhe të fillonte me 30 qershor në ora 8 të mëngjesit. Pasi se ishte lexua aktakuza, Kryetari i Këshillit gjykues kishte urdhërua që të ngel vetëm i akuzuari Bislim Bislimi.
1. Fillimisht Bislimi kishte deklarua se të gjitha deklaratat që i kishte dhënë para hetuesve ishin të sakta dhe iu kishin lexua atij para se të nënshkruante. Ajo që e kishte detyrua që të formonte organizatën ilegale ishte varfëria e skajshme dhe padrejtësitë e shumta ndaj tij dhe shqiptarëve. Në fund kishte deklarua se qëndron pas të dhënave që i kishte deklarua më herët. Edhe pse kryetari i këshillit gjyqësor e provokonte me pyetje të ndryshme, megjithatë ai nuk kishte rënë në grackë për të tregua për shokët. E kishte mbrojtur me këmbëngulje Adem Alin, duke thënë se ai asnjëherë nuk ka qenë anëtarë i organizatës.
2. Adem Alia kishte deklarua se edhe ai qëndronte prapa deklaratave që i kishte dhënë në hetuesi. Ai ishte marr dy herë në organet e hetuesisë dhe përafërsisht i kishte thënë të njëjtat gjëra. Në të njëjtën kohë edhe gjatë ballafaqimit, ai kishte dëshmua për të njëjtat çka edhe ishte pajtua edhe Bislim Bislimi.
3. Gati që të gjithë të arrestuarit ishin marr në pyetje nga dy herë, por dallimi në rrëfimet e tyre nuk dallonte dhe se ishin identike me njëri tjetrin. Edhe Sherif Muslia kishte deklaruar se nuk ka se çfarë të ndryshojë ngase edhe në hetuesi e kishte thënë të vërtetën dhe qëndronte pas saj.
4. Beqir Meha, edhe ky si të tjerët kishte deklarua se të gjitha çfarë di dhe se çfarë ka bërë i ka thënë në hetuesi, deklaratën e ka lexuar dhe qëndron pas saj.
5. Ramadan Zeneli përgjigjet shkurt duke thënë se të gjitha çfarë ka thënë me datë 20 prill dhe 16 maj para hetuesisë deklaron se janë të sakta dhe për këtë nuk ka se çfarë të ndërrojë.
6. I vetmi Istref Osmani nuk e kishte pranua deklaratën e mëhershme ngase kryetarit të Këshillit gjyqësor i kishte thenë se “Deklaratën e ka dhënë dhe e ka nënshkrua nën presion të hetuesve që e kanë marr në pyetje”. Deklaratën që e japi sot, këtu para jush, kjo është e vërteta e të tjerat ato të mëhershmet janë shpifje dhe të pavërteta. Ndërsa në këtë kundërshtim të Istrefit, Bislim Bislimi kishte reaguar se me të vërtetë atë që thotë Istrefi sot është e vërtet ndërsa deklarata e mëhershme para hetuesve ka të pavërteta. Pas kësaj bisede që të gjithë të akuzuarit u pajtuan me deklaratën e Istrefit.

Dita e dytë e seancës gjyqësore
Pasi se dita e punës ishte në fund, kryetari i Këshillit të gjyqit, mori vendim që të ndërpritet seanca për të fillua nesër që nga ora 7 e mëngjesit me përbërje të njëjtë dhe në ditën e nesërme të shpallet vendimi i Gjyqit.
Me 1 korrik, 1959, në sallën e gjyqit të Qarkut në Prishtinë, në ora 7 të mëngjesit kishte fillua pjesa e dytë e seancës gjyqësore. Në këtë pjesë morën pjesë të gjithë dëshmitarët e ftuar si : 1. Muhamet Qerimi, 2. Maliq Brahimi, 3. Tahir Meha, 4. Jusuf Bimbashi, 5. Shaqir Rrahmoni, 6. Zenë Fejza, 7. Ajet Meha, 8. Sadri Shosholli dhe 9. Abaz Zenuni.
Veç Tahir Mehës, i cili njëherë ishte edhe vëllai i Beqir Mehës i cili nuk kishte deklarua asgjë, ngase ligji i mundësonte një gjë të tillë për mos deklarim ngase lidhjet familjare e lejonin që të mos deklarohet, të gjithë të tjerët u deklaruan dhe qëndruan pran deklaratave të tyre të mëparshme.
Kryetari i Këshillit të gjyqit pasi i prezantoi dokumentacionin që e kishte me vete, lexoi të gjitha të dhënat e të akuzuarve, gjithashtu u lexua raporti i stacionit të policisë në Serbicë nga 24 marsi 1959; u lexua procesi i gjetjes së pushkës; proceset e më parme gjyqësore që ishin ndaj Bislim Bislimit. U prezantuan të gjitha të dhënat rreth këtij procesi gjyqësor, andaj në pyetjen e gjykatësit se a mos kishin me shtua diçka tjetër të pranishmit, ata u deklaruan se pajtoheshin me të dhënat dhe nuk kishin se çfarë të ndryshonin.
Fjala e avokatëve mbrojtës:
Përfaqësuesit mbrojtës të të akuzuarve në fund të seancës gjyqësore kishin deklaruar se : edhe gjatë marrjes në pyetje të të akuzuarve, vërehej se të akuzuarit kishin qenë shumë të sinqertë dhe konsekuent gjatë përgjigjes para Këshillit gjykues që përpikërish këto deklarata përputheshin edhe me deklaratat e marra në hetuesi. Avokati i Bislim Bislimit, Blazho Stankoviqi kishte deklaruar se “klienti im, Bislim Bislimi dhe të tjerët qysh në fillim të lënë përshtypjen e njerëzve inteligjent. Kjo ndodhë për shkak të sistemit shoqëror në vendin ton, andaj duhet të jemi mirënjohës. Klienti im qysh si i ri ka mbetur pa shkollë, pa punë, familja e madhe që është dashur të kujdeset për ta, gjendja materiale e familjes ka qenë shumë i varfër” dhe kjo sipas avokatit ka qenë arsyeja që e ka detyruar që të marri rrugën e gabuar. Nga veprimtaria e tij në shoqëri nuk ka pasur kurrfarë pasojash edhe s’ka mundur të ketë ngase se shoqëria e jonë socialiste ka qenë shumë e fortë dhe e pathyeshme. Edhe pse veprimtaria si qëllim ka pasur qëllime antishtetërore, avokati mendonte se nga ato qëllime asnjëra nuk ka mundur të realizohej dhe mu për këtë qëllim duhet Bislim Bislimit duhet shqiptuar masa sa më e vogël e dënimit, se edhe çfarëdo mase që të jetë do të ndikoi pozitivisht në të.
Edhe avokati i Adem … Zeqir Arrni, në fjalën përfundimtare ka deklaruar se mbrojtësi i tij si në deklaratat e dhëna gjatë hetuesisë po ashtu edhe tani para trupës gjykuese nuk pranon se ka qenë anëtarë i organizatës ilegale. Gjithashtu asnjëri nga të akuzuarit nuk ka dëshmua se Ademi ka qenë anëtar i organizatës. Edhe ata që kishin deklarua më herët se ai ishte anëtar, e mohuan kategorikisht dhe nga kjo del se Ademi kishte bisedua me Bislimin, për metodat e punës së luftës partizane, por anëtar i asnjë organizate nuk kishte qenë. Ndoshta edhe do të ishte normale kur dikush shpif për të se ka qenë armik i shtetit, por e dimë se ai për shumë vite kishte qenë në vende të rëndësishme dhe është e mundur që ndonjë personi edhe i ka bë ndonjë të keqe pa vetëdije dhe tani po ata persona duan që ti hakmerren duke shpifur gjëra të pavërteta.” Avokati në fund të fjalës përfundimtare kishte kërkua nga gjykatësi që Ademin ta lironte si të pafajshëm.
Ndërsa avokati mbrojtës i Muslijes, Mehës, Zenelit e Istrefit në fjalën e tij kishte thënë se nga vet udhëheqësi i organizatës Bislim Bislimit duket çart se ai në kohën kur vepronte ka qenë politikisht i pa pjekur dhe i ngarkuar politikisht nga vet situata. Ai në kohë të vështira ka kërkua njerëz që të punonte ndoshta edhe për të shfry mllefin ndaj vet jetës. Ndërsa sa i përket veprës së Beqir Mehës që ka bërë marrjen e pushkës, t’i shqiptohet dënimi sa më i vogël, ndërsa klientëve të tjerë si Muslijes, Zenelit, Istrefit po ashtu edhe Mehës, për vepër penale nga neni 117, alineja 1, e 2, të mos iu shqiptohet kurrfarë dënimi ngase me asgjë nuk vërtetohet se kanë kryer vepër penale.Pas kësaj Këshilli i gjyqit tërhiqet për të shqyrtua dhe votua për veprat e tyre.
Me 1 qershor 1959, Kryetari i Këshillit të Gjyqit të Qarkut në Prishtinë, para të pranishmëve lexon Vendimin në Emër të Popullit:
Të akuzuarit Bislim Bislimi, Adem Alia, Sherif Muslia, Beqir Meha, Ramadan

Zeneli dhe Istref Osmani me të gjitha të dhënat si dhe dokumentacionin qe e posedon gjykata:

Shpallen Fajtor:
Për këto arsye:
1. Bislim Bislimi për shkak se gjatë vitit 1958 në rrethinën e Rrethit të Mitrovicës kishte formua organizatën ilegale me emrin “Vuajtja”, e cila kishte për qëllim që nëpër mes të forcës ta shkëpus Krahinën Autonome të Kosovës e Metohisë nga RSFJ-ja për qëllim që t’ia bashkëngjitet Shqipërisë. Mu për këtë arsye ka anëtarësuar shumë persona për të veprua kundër shtetit sidomos gjatë vitit 1958 dhe vitit 1959. Gjatë kësaj periudhe kishte mbajtur disa mbledhje me ta, në të cilat ishte diskutua dhe ishin marr shumë vendime të rëndësishme si masivizimi i shtuar i anëtarëve në organizatë si dhe zbulimi i bashkëpunëtorëve të UDB-es dhe furnizimi me armatim të anëtarëve të grupit. Me anë të kësaj që u tha më lart konstatohet se Bislim Bislimi ka kryer vepër penale për bashkim kundër shtetit dhe popullit sipas nenit 117, alineja 1. Të L.P.
2. Adem Alia në ditën e muajin e pa caktuar gjatë vitit 1958 është bërë anëtar i organizatës ilegale “Vuajtja”, të cilën e kishte formua Bislim Bislimi. Duke e ditur se ai kishte eksperiencë më të madhe politike , ai edhe ishte caktua udhëheqës i organizatës dhe po ky i kishte udhëzuar ata se si të punohet dhe se si të përfitohen sa më shumë persona për t’u anëtarësuar në organizatë. Po edhe ky ka kryer vepër penale politike për bashkim kundër shtetit dhe popullit në bazë të nenit 117, alineja 1, 2 të LP.
3. Po ashtu edhe personat Sherif Muslia, Beqir Meha, Ramadan Zeneli dhe Istref Osmani, të gjithë këta në fund të vitit 1958 janë anëtarësua në organizatës ilegale “Vuajtja” të cilën e udhëhiqte Bislim Bislimi, gjithashtu kishin marrë pjesë në shumë mbledhje të organizatës në të cilat ishte njoftua për detyrat dhe qëllimet e saja. Duhet përmendur se kontribut të madh kishin dhënë në masivizimin e organizatës me anëtarë të rinj duke iu ofruar shumë personave bashkëpunim dhe njohuri për organizatën dhe duke folur haptas për padrejtësitë e shumta që bëheshin ndaj shqiptarëve nga ana e serbëve e malazezëve që ishin në pushtet.
4. Po ashtu edhe këta akuzoheshin në bazë të nenit 117, alineja 1 e 2 të Ligjit Penal të Jugosllavisë.
Në bazë të të dhënave dhe veprimtarisë së tyre në organizatën ilegale vije në përfundim se të akuzuarit dënohen:
1. Bislim Bislimit i shqiptohet dënimi me burg në kohëzgjatje prej 5 (pesë) vjetësh, dënim i cili i llogaritet që nga 14 prilli i vitit 1959, respektivisht që nga dita kur edhe është arrestua.
2. Adem Alia, dënohet me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burg të rëndë. Burgu i llogaritet që nga dita e arrestimit nga 16 prilli 1959.
3. Sherif Muslia dënohet me 2 (dy) vjet burg të rëndë. Dënimi i llogaritet që nga dita e arrestimit 15 prilli 1959.
4. Beqir Meha dënohet për vepër penale nga neni 117, alineja 2 të L.P. me 1 vit e gjysmë burg të rëndë. Ndërsa për grabitjen e pushkës nga shkolla fillore në Prekazin e Epërm nga neni 250, alineja 2 të L.P. me dënim të rëndë në kohë zgjatje prej 1 (një ) viti burg. Gjyqi duke i pasur parasysh të gjitha aktivitete dhe veprimtarin e tij, i shqipton një dënim të përgjithshëm për të dy veprat dhe e dënon me 2 (dy) vite burg të rëndë duke filluar që nga dita kur edhe ishte arrestuar 15 prilli i vitit 1959
5. Ramadan Zeneli dënohet me 2 (dy ) vite burg të rëndë duke pasur për bazë ditën e arrestimit të 20 prillit 1959.
6. Istref Hasanit, Gjykata e Qarkut në Prishtinë i shqipton dënimin prej 1 viti e gjysmë, duke filluar që nga 20 prilli 1959.

Në fund Gjykata e qarkut të akuzuarve i dënon me gjobë në të holla që të paguanin nga 500 dinar për nevoja të procesit gjyqësor në formë të paushallit. Parat duhet të paguheshin brenda 15 ditësh. Ndërsa pushka e marr nga Jusuf Bimbashi, mësues nga fshati Llaushë, duhet ti kthehet atij bashku me fishekët dhe çarçafin.
Në dokumentacionin e të akuzuarve ndodhet edhe procesverbali i anëtarëve të Këshillit Gjyqësor se si ata kishin votua më 1 korrik të vitit 1959.
Për përgjegjësin politike të të akuzuarve të gjithë anëtarët porotë kishin votua një zëri se të gjithë të akuzuarit ishin fajtor dhe duhet dënuar me burg të rëndë.
Mehmet Kalaveshi kishte votua për përgjegjësin politike nga neni 117 të L.P. po ashtu edhe ishte pajtua që t’i shqiptohet edhe dënimi me burg Bislim Bislimit prej 5 viteve. Po ashtu edhe për të akuzuarit e tjerë. Edhe Qazim Bajgora kishte votua njësojë si porota e parë. Gjithashtu edhe Riza Voca voton njësojë si dy porotë e parë. Gjithashtu këtyre iu bashkëngjitet edhe anëtari i katërt, gjykatësi Dragutin Kalugjeroviq e kryetari i Këshillit Gjyqësor Vuja Rakoqeviq.
Votimi përfundon në orën 12 e 30 minuta.
Ankesat e të akuzuarve
Pas përfundimit të procesit kryesor gjyqësor dhe pas shqiptimit të dënimeve me burg, të akuzuarit kishin të drejt ankese. Kundër vendimit të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë me numër 104/59 nga 1 korriku 1959, bënin ankesë: Bislim Bislimi, Adem Alia, Sherif Muslia, Beqir Meha, Ramadan Zeneli dhe Istref Hasani nga fshati Prekaz i Eperm, i Poshtëm, Klina etj. Ata bënin ankesë në Gjykatën Supreme të RSF të Serbisë në Beograd
Avokati i katër të akuzuarve në ankesën që e kishte shkrua për Gjykatën Supreme në Beograd në mes tjerash shkruante se : “Nuk është bash gjithçka sikurse thuhet në vendimin e shkallës së parë në Prishtinë. Për shembull, vihej në përfundim se këta persona kanë formuar një Bandë, gjë që nuk është e vërtet, Ata nuk kanë formua dhe nuk ka veprua si e tillë. Askush prej personave nuk është arratisë dhe nuk ka kryer vepra penale”.
Pastaj thuhej se kanë marrë qëndrime për të likuiduar persona bashkëpunëtor të UDB-es,por asnjëherë nuk është marr ndonjë veprim i tillë. Pastaj akuzohen se kanë “marr qëndrim që Kosovën ta shkëpusin nga Jugosllavia për ta bashkuar me Shqipërinë”, por ata nuk mund të akuzohen për një gjë të tillë ngase asgjë nga ajo nuk është realizua..
“E vërtetë është se në mbledhjet e tyre është biseduar që të rrëzojnë banderra të telefonit dhe të rrymës elektrike, por asnjëherë nuk u arrit ndonjë bashkërendim dhe asnjëherë nuk u krye ndonjë vepër e tillë” kishte shkrua avokati. Kjo vepër ka të bëjë me Ramadanin dhe Sherif Musliun.
Sa i përket Beqir Mehës është e ditur se ai nuk ka marr pjesë në asnjë mbledhje të organizatës, askënd nuk e ka bind që të bëhej anëtar i saj dhe askënd nuk e akuzon se e ka bind për me u anëtarësua në organizatë.
Per Istref Hasanin askush gjatë seancave nuk ka thënë se ai ka qenë anëtar i organizatës. Edhe dëshmitari Muhamed, tregon se Istrefi nuk kishte pranua me qenë anëtar i organizatës andaj del se klienti im është i pafajshëm.
Andaj, avokati mbrojtës kishte shkrua ne ankesën e tije se “ lusë gjykatën e lartpërmendur që të akuzuarve tu hiqet dënimi apo t’iu shqiptohet dënim simbolik, se në bazë të të dhënave personat në fjalë janë të pafajshëm”.
Ankesa ishte dorëzua me 13 korrik 1959. Ndërsa e kishte nënshkrua avokati Jovan Popoviqi, Prishtinë.
Ankesë kishin shkrua edhe avokatët e Bislim Bislimit dhe Adem Alies.
Të gjitha ankesat gjykata Supreme e Serbisë i kishte hedhur si të pabaza dhe i kthente edhe nji here për t’u vërtetua nga Gjykata e Qarkut ne Prishtine.

Pas verifikimit te dënimeve, te akuzuarit u dërguan për mbajtje dënimi ne burgje te ndryshme te Jugosllavisë …

– FUND –  

_____________
PJESA E PARË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: FORMIMI DHE VEPRIMTARIA E ORGANIZATËS ILEGALE PATRIOTIKE SHQIPTARE “VUAJTJA” NË PREKAZ TË EPËRM (1)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=4244
***
PJESA E DYTË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: FORMIMI DHE VEPRIMTARIA E ORGANIZATËS ILEGALE PATRIOTIKE SHQIPTARE “VUAJTJA” NË PREKAZ TË EPËRM (2)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=4245
***
PJESA E TRETË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: FORMIMI DHE VEPRIMTARIA E ORGANIZATËS ILEGALE PATRIOTIKE SHQIPTARE “VUAJTJA” NË PREKAZ TË EPËRM (3)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=4247
***
PJESA E KATËRT:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: FORMIMI DHE VEPRIMTARIA E ORGANIZATËS ILEGALE PATRIOTIKE SHQIPTARE “VUAJTJA” NË PREKAZ TË EPËRM (4)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=4248

* * *

LEXONI NE FORMATIN ‘PDF’:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: FORMIMI DHE VEPRIMTARIA E ORGANIZATËS ILEGALE PATRIOTIKE SHQIPTARE “VUAJTJA” NË PREKAZ TË EPËRM
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/sabile-kecmezi-basha-vuajtja.pdf

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura