BAHRI BIVOLAKU: KRIMI SHTETROR NË STUDIME TË VUSHTRRISË – JETËRAT E NJERËZVE I SHNDËRROI NË NUMËR!

Prishtinë, 02. 05. 2016: Në fshatin Studime gjatë majit, gjithsejt u vranë, ekzekutuan dhe u masakruan 140 shqiptarë, qindra të tjerë u plagosën. Të gjithë këta ishin civilë të moshave dhe gjinive të ndryshme. Me ditën e 2 Majit, të përcjellur nga dhuna e shfrenuar policore serbe u dëbuan rreth 30 mijë banorë përtej Kosove, shumica gra e fëmijë, ndërsa 3000 burrat e zënë peng u dërguan në burgun e Smrekonicës, i cili ngjasonte në një kamp përqendrimi, ku janë torturuar në mënyrën më shtazore përreth 20 ditë, pastaj ata që shpëtuan i dëbuan jashtë vendit. Në Studime në maj të vitit 1999 u vranë së pari 9 persona, anëtarë të familjes Rashica, pastaj më vonë edhe 6 shqiptarë dhe 8 vajza shqiptare të reja, 6 nga të cilat të familjes Gërguri, aty te përrocka e fshatit. Po në maj, u ekzekutua barbarisht nga militarët serb, familja 12 anëtarëshe e Selatin Gërxhaliut, nga të cilët 7 ishin fëmijë. Krimi më mizor dhe i programuar në operacionin Patkoi, ndodhi në mbrëmjen e 2 Majit, kur forca të mëdha ushtarake, policore e paramilitare i zunë pritën kolonës së madhe të qytetarëve në grykën e përroskës dhe për dy orë vranë 109 persona, ndërsa plagosën qindra të tjerë, dhunuan dhe plaçkitën popullatën e pafajshme civile.
Si shpëtova fëmiun tim nga vrasja me fletë të librit
Luftën e kam përjetuar të tërën në Kosovë, në fillim të bombardimeve të NATO-s, pas kërcënimeve të dhunshme të policisë serbe, ne kemi dalur nga shtëpia për të filluar odisejadën shëtitëse në vendbanime të ndryshme. Pas tri javësh jemi kthyer prapë në shtëpinë tonë në fshat, prapë jemi dëbuar nga aty dhe kemi tentuar të dalim në Vushtrri, por policët serb nuk na lanë dhe jemi kthyer prapa. Rrugë të qarkullimit kishim nëpër ujin e përrockës, pasiqë po të dilnim brigjeve ishim cak i snajperëve dhe granatave. Dy vajzat e mia njëra dy e tjetra tri vjet më janë ndarë dhe humbur disi, ishte ditë e tmerrshme, fillon rrëfimin e saj znj.Bahrie Gërxhaliu.

“Në Studime të ulët kam takuar ushtarë të UÇK-së, të cilëve ua lashë fëmijët më të mëdhenj në përkujdesje, ndërsa unë kthehem t’i kërkoj vajzat e humbura. Duke ecur lumit teposhtë, takova kunatin me fëmijët e mi dhe kthehemi së bashku për t’u takuar në Studime të epërme. Në mbrëmjen e 2 Majit, aty rreth orës 19:30 pamë se shumë qytetarë që gjerë atëherë kishin gjetur strehim në fshatrat e larta të Vushtrrisë, po zbrisnin luginës teposhtë. Kolona me qytetarë ishte e madhe dhe edhe ne iu bashkuam asaj. U vendosëm në rimorkion e traktorit, nëntë fëmijët me dy kunatat, vjehrra ime dhe burrat tanë. Forcat serbe vazhdimisht granatonin dhe dëgjoheshin edhe krisma armësh që krijonin rrëmujë dhe panikë. Diku nga ora 22:00, i them burrit të largohet dhe të ngjitet malit, ndërsa unë me fëmijët të vazhdoj rrugëtimin se e kisha ndjenjën se një e keqe e madhe po fillon të ndodhë. Dëgjoja krisma të mëdha, britma njerëzish, djegie, sharje etj., vajza e madhe, e cila ishte nëntë vjeçare më thotë: “ Nënë, babin na e vranë“ Unë ja ktheva: “Jo, ai ka ikur se kështu u morrëm vesh“.
Rreth orës 22:15, burri nga një distancë më thirri, kam tentuar të zbresë nga rimorkio, por policët e paramilitarët serbë më kanë ndaluar, duke më kërkuar para, unë para nuk kisha dhe në ato momente në prehër kisha fëmiun dy vjeçar, u kam thënë se këtu kam vëtëm fëmijët dhe s’kemi para, më thanë se bënë edhe fëmijët t’i vrasim dhe ma kanë marrur fëmiun nga prehëri. Gjersa fëmiu brinte duke thirrur nënë, nënë, nga ajo klithje unë mora vetën, u forcova edhe pse nga ana tjetër e rrugës vazhdimisht burri më thërriste e unë në ato momente trishtuese nuk dija nga t’ia mbaja. E kam pasur aty një libër në rimorkio, nga e cila ka shkyer një fletë të saj, e kam bërë fish-fish dhe ia kam drejtuar policit. I thashë: “Merri këto pare, frymën ta nxofshin“ në shqip. Ai nuk e shpaloi fare atë fletë libri se po ta bënte këtë, ne të gjithë aty me siguri që nuk do të ishim. Duke menduar se janë para, menjëherë i futi në xhep dhe ma gjuajti fëmiun. E kam lënë vajzën tek vjehrra, aty në rimorkio dhe kam shkuar tek burri, pak më poshtë dhe e pyes: “Je i rrahur, apo i plagosur”. Ai ma ktheu: “I plagosur” dhe vazhdoi: “Nëse do të ta bëjë hallall, më ndihmo të ngritem veç edhe njëherë t’i shoh fëmijët”. E kam mbledhur të gjithë forcën dhe e kam ndihmuar të ngritet dhe të afrohet tek rimorkio dhe i ka parë fëmijët dhe nënën e vet. Ashtu në atë gjendje na la një amanet, që një pikë loti mos me qit për të askush. Fëmijët po i lë në kujdes tënd e amanet vëllaut të më i bëni që të kujdeset për ju të gjithë. Në ato momente, aty u kthye kunata ime dhe më thotë se Skenderin (burri saj dhe kunati im) e kanë vrarë më poshtë. Nuk i treguam burrit për vrasjen e vëllaut të tij edhe pse ai iu drejtua kunatës me këtë pyetje: “Habibe, ku është Skenda”. Kunata i përgjigjet: “Ai ka ikur në mal”. Rreth orës 24, burri ndërron jetë, më ndihmuan tre njerëz dhe kemi zbrit kufomën e burrit nga rimorkio, pasi nëntë fëmijët britnin nga tmerri i krijuar, e kemi vendosur poshtë dhe e kam mbuluar me një batanie, e kam larguar traktorin nja 15 metra dhe aty kaluam natën “.
Në vazhdim znj.Bahrie Gërxhaliu tregon edhe për peripetitë e ditës së nesërme. “Në agimin e mëngjesit, sa doli drita, një grup gra e fëmijë vendosën të vazhdonim për qytet, një njeri me një karrocë me kali bartke të plagosurit, e kam lutur që të ma merr vjehrrën se ajo nuk mund të ecte. Ishte tmerr të kaloja me pesë fëmijët e vegjël tutje, përmes gjithë atyre kufomave e të plagosurëve. Pa hyrë në qytet, shumë policë serbë, na grumbulluan si në kamp në kooperativën bujqësore. Aty kemi ndenjur, duke na maltretuar gjerë në pasdite. Ata pak burra, që i kishin shpëtuar masakrimit i dërguan në burgun e Smrekonicës e ne na thanë se këtu afër mund të strehoheshim përkohësisht. Kam trokitur në një derë dhe qëllova në familjen e bujarit Haki Pllana, të cilit për sa të jetë jeta do t’i jem mirënjohëse sepse me të gjithë ata fëmijë na ka mbajtur përplot 5 javë”- përfundon rrëfimin rrënqethës znj.Gërxhaliu.
Fevzi Rashica për ngjarjen e 2 Majit rrëfen: “Në kolonën me qytetarë kemi qenë me familjen e gjerë në traktor, unë e vozitja. Dikur nga ora 21:00, takohemi me grupin e parë të policëve serbë. Nëse të lironte ky grup, kuptohet me para të kapte i dyti. Polici serb (i njohur) më ka rënë thikë si dhe i kam njohur edhe policët tjerë. Na plaçkitën 6000 dm dhe qystekun e arit. Vëllezërit e mi aty në rimorkio u ekzekutuan. Deliu me plumba në këmbë dhe kofshë kurse Aliu me plumb në kokë. Ky grup ekzekutorësh të policëve serb pyt përmes radiolidhjeve: “Sa është numri i të vrarëve?”. Zëri tjetër në radiolidhje përgjigjet: “Pesëdhjetë”. “Vazhdoni tutje!”- u dëgjua urdhëri. Aty pranë nesh vranë edhe Adnan Bunjakun dhe Rexhep Konjuhin, ndërsa plagosën Nazif Rashicën dhe Zeqir Konjuhin” – përfundon rrëfimin i plagosuri z.Rashica.
Vrasja e një familje të tërë në shtëpi të vetën, çmenduri e shfrenimit dhe urrejtjes nacionale
Pas betejave të Melenicës e Mejdanit, por dhe të Llapit, në të cilën UÇK-ja luftoi heroikisht dhe ranë shumë dëshmorë të kombit. Forcat serbe të përforcuara shumë si në numër ashtu edhe në makineri ushtarake filloi sulmet mbi zonat e thella malore të kësaj ane. Popullata civile e gjithë kësaj treve, por edhe e stërpopulluar të tjerë të vendbanimeve të ndryshme nuk pati rrugëdalje tjetër, për këtë arsye marrin rrugën teposhtë grykës dhe arrijnë në Studime në gjetjen e një vendi ca më të sigurtë për jetë. Kolona ishte edhe cak i granatimeve të vazhdueshme të ushtrisë dhe fati e shpëtoi nga tragjedia edhe më e madhe, nis rrëfimin dr.Shukri Gërxhaliu.

“Rrethimi i kësaj kolone ishte në formë patkoi. Tek lagjia e Rashicëve në këtë fshat ishte e vendosur punkti policoro-ushtarak, i cili granatonte dhe shtinte në drejtim të kolonës. Posa ra muzgu dhe u errësua tek çdo traktor i stërmbushur me popullatë parakalonin forcat e kombinuara serbe ushtarako-policore e paramilitarëve. Së pari bënin plaçkitjet dhe bastisjet. Ky ishte grupi i parë e pastaj vinte grupi tjetër “ekzekutorët” , të cilët vranin sidomos të rinjët dhe atë në prezencë të familjeve të tyre dhe krejt kjo bëhej me qëllim të mbjelljes së frikës e tmerrit për të dëbuar shqiptarët nga Kosova. Kolona numëronte afër 40.000 banorë. Të nesërmen e asaj nate të tmerrshme të 2 Majit, u kthyem dhe pamë tmerrin mbi 109 të vrarë e qindra të plagosur të mbetur të shtrirë buzë përrockës. Morrëm informacione, se po përgatitej ekipi për t’i marrur kufomat dhe për të vepruar si në raste tjera anekënd Kosovës për të zhdukur gjurmat. Fati e deshi se shpejtë zbritën dhe u konsoliduan ushtarët e UÇK-së nga betejat e pëgjakshme nëpër Shalë e Bajgorë dhe me ta bëmë varrimin e kufomave. Unë jam kthyer pas kësaj ngjarjeje në spitalin ushtarak të UÇK-së dhe jam marrur me të plagosurit. Ngjarja e ndodhur po në maj, por që vërtet tregon çmendurinë e urrejtjes patologjike nacionale ka qenë ajo kur në mëngjesin e majit kanë ardhur shumë militarë serbë dhe kanë hyrë në shtëpinë e Selatin Gërxhaliut. Bashkëshortja ime, atë mëngjes qëllon në oborr dhe sheh ngjarjen, pasi distanca nga aty ishte vetëm 20 metra. Policët serbë e kanë thirrur atë atje, mirëpo ajo nuk shkonte, por vjen dhe më njofton brenda në shtëpi mua. Unë atë ditë kisha ardhur nga spitali ushtarak i Sllakovcit për të marrur barëra në shtëpi për mjekim të ushtarëve të UÇK-së të plagosur. Me të marrë lajmin u largova nga aty dhe duke ikur përrcokës teposhtë kam dëgjuar të shtënat, ndërkohë edhe fëmijët e mi kanë ikur nën plumbat e rafallëve të automatikut dhe përroi i shpëtoi ata. Pas një ore pasi krismat ishin ndalur, ne u kthyem atje. Tek hambari në oborrin e shtëpisë pamë tre të ekzektuarit, xhaxhain tim Xhemajlin, Selatinin dhe djalin e tij. Babai im, i pari ka hyrë brenda në shtëpi, ku të gjithë ishin të ekzekutuar, ishte vrarë plaka 80 vjeçare, dy nuset e vëllezërve dhe fëmijët. Më i madhi 16 vjet dhe më i vogli 6 vjet, gjithsejt atë mëngjes maji u ekzekutuan 12 anëtarë të familjes së Selatin Gërxhaliut”- përfundon dr.Shukriu.

………………………………….

__________________________________________
(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura