SHERADIN BERISHA: TRADHTIA E ESAT PASHË TOPTANIT (1912 – 1913)

Pashtriku.org, 14. 07. 2014 – (‘Esad, kini kohë të hiqni dorë nga trathtia’- Mihal Grameno) – Shekulli i XIX për popullin shqiptar, ashtu si për të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit, shënoi një epokë të re në historinë e tij, atë të Rilindjes Kombëtare. Gjatë këtij 100 vjetëshi u organizuan lëvizje të shumta kombëtare të cilat pashmangshëm çuan në çlirimin e popujve nga sundimi i Perandorisë Osmane dhe në krijimin e shteteve të pavarura. Shqipëria që shtrihej në katër Vilajete, (të Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe në atë të Janinës) ishte vendi i fundit në Gadishullin Ballkanik që u shkëput nga zgjedha pesë shekullore otomane. Dhe kjo shkëputje përfundimisht, ndodhi pas luftës katërvjeçare (1908-1912) kundër xhonturqve, me organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912. Dihet mirëfilli se vendimin për Kryengritjen e Përgjithshme e morën një grup personalitetesh shqiptare, në një takim të mbajtur në Stamboll. Takimi u mbajt në mesin e muajit janar 1912, nën kryesimin e Ismail Qemalit, në shtëpinë e Syrja Vlorës, në lagjen Taksim të Stambollit. Në takim përveç Ismail Qemalit morën pjesë: Hasan Prishtina, Syrja Vlora, Myfit Libohova, Esat Toptani, Aziz Vrioni, Bedri Pejani, Mustafa Kruja e të tjerë. (Historia e Popullit Shqiptar II – Botimet Toena, Tiranë 2002, f.463. Gani Demiri (Ratkoceri), Kryengritja shqiptare e vitit 1912, Tiranë 1997, fq.11.)
Në këtë mbledhje, pasi u diskutuan të gjitha aspektet organizative të luftës së armatosur në tërë etnikumin shqiptar, u vendos që kryengritja e përgjithshme të nis në pjesën verilindore të Shqipërisë (në Vilajetin e Kosovës) për t´u shtrirë pastaj në të gjitha viset tjera. Organizimin e kryengritjes në Kosovë e mori përsipër Hasan Prishtina. Esat pashë Toptani u zotua se do të merrej me organizimin e kryengritjes në Shqipërinë e Mesme dhe në Mirëditë, Myfit Libohova, Aziz Vrioni e Syrja Vlora u zotuan të ngrinin në kryengritje në Shqipërinë e jugut, ndërsa Ismail Qemali mori përsipër të siguronte ndihma materiale nga kolonitë shqiptare në mërgim dhe përkrahjen diplomatike nga shtetet europiane. (Po aty f.463. G. Demiri v.c f.11)
Ngjarjet e zhvilluara në vitet 1912 – 1913 dëshmuan se, jo të gjithë pjesëmarrësit e takimit të Taksimit i përmbushën zotimet e tyre.

Shkodër, prill 1913: Esat Pashë Toptani, duke ia dorëzuar

fortesën e Shkodrës – Princit Danilo të Malit të Zi!

Edhe pas Shpalljes së pavarësisë, më 28 Nëntor 1912, Shqipëria sundohej e qeverisej çiflig më çiflig nga “paria”, pjesa dërmuese e të cilëve nuk e njihte pushtetin e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës në krye me Ismail Qemalin, e cila duket se ishte e paaftë ta shtrinte autoritetin e saj ndër ato vise.
Kështu, në fshatrat e qytetet e Myzeqesë sundonte Aziz Pashë Vrioni; në Orosh të Mirditës Prenk Bib Doda; në Lezhë, Breg-Mat e Shëngjin, Dedë Coku e Vat Marashi; në Elbasan, Aqif Pasha; Shkodra ishte nën pushtimin e një detashmenti të ushtrive ndërkombëtare, nën kryesinë e kolonelit anglez, Filips, por që mbikëqyreshin nga admirali britanik, Bërni; në Himarë qeveriste agjenti grek Spiro Milo; në Gjirokastrën e pushtuar, qeveria e Jorgji Zografos; në Mat e më tej, Xhelal e Ahmet Zogu dhe shumë mercenarë që vepronin përgjatë kufijve verilindorë, si Arif Hiqmeti, Jusuf Beu, etj. Dibrën e qeveriste Jusuf bej Dohoçishti; përtej Drinit, Arif Hiqmeti me 2000 shqiptarë të veshur e të armatosur me pushkë e me uniformë serbe, i shërbente qeverisë serbe. Por nuk mbyllej me kaq. Këtyre u shtoheshin dhe udhëheqës të komuniteteve fetare, me qëndrim të dukshëm armiqësor ndaj pavarësisë, si Myftiu i Tiranës, Musa Qazimi; Dervish beu në Elbasan; dhespoti grek, Germanos, në Korçë dhe dhespoti Jakov i Durrësit. Teki bej Rusi për llogari të Greqisë, së bashku me Feim bej Zavalanin, për llogari të Serbisë, ndërkohë mbërrinin pranë Ismail Qemalit si misionarë me propozime për “bashkime”. Dukej shkoqur se gjithë këta ishin kasnecë pararendës të fatkeqësisë kombëtare. Kudo mbizotëronte anarkia. (Bajram Peçi: Në 100-vjetorin e tradhtarëve të atdheut)
****
Nga të gjithë pjesëmarrësit e mbledhjes historike të Taksimit në Stamboll (janar 1912), vetëm Hasan Prishtina e Ismail Qemali (pjesërisht) e mbajtën fjalën e dhënë, ndërsa të tjerët me ndonjë përjashtim të vogël, jo vetëm që nuk u angazhuan dot, por me veprimet e tyre e dëmtuan rëndë kryengritjen e armatosur çlirimtare. Prej tyre në dëm të kryengritjes shqiptare, më së shumti veproi Esat Pashë Toptani.
***
Esat Pashë Toptani, thotë Mit’hat Frashëri, u bë foleja drejt së cilës rodhën gjithë ç´mund të kishte të keqe në Shqipëri: tradhëti, konservatorizëm, ambicion, lakmim, frikë prej dritës dhe të mirës. Ai u bë qendra e gjithë atyre që ndiqnin një qëllim kundër Shqipërisë. Fuqia e tij vinte sa prej shkaqeve të brendshme, aq edhe prej relacioneve të jashtme: mbi intrigat që kishte lidhur me Serbinë dhe Malin e Zi, pa vonuar shumë, u shtuan edhe ato me Greqinë. (Uran Butka -Gjeniu i Kombit, Drier 2000, faqe 82 e 85.)
Esat pashë Toptani, pas më shumë se gjashtë muaj e gjysëm /181 ditë/ qëndrese, në orën 3°° të mengjezit të ditës së mërkurë, 23 prill 1913, ia dorëzoi Shkodrën malazezëve dhe u largua nga aty duke kaluar nëpër Lezh dhe Milot, ku u pritën me nderime ushtarake nga trupat pushtuese serbe dhe u vendos në Tiranë e në Durrës. Një javë më vonë, nën presionin e Austro-Hungarisë dhe të Italisë, mbi 1800 ushtarë turq u larguan me anije për në Turqi, përkundër dëshirës së Rusisë dhe aleatëve të saj që ato trupa të mbetëshin aty, për të krijuar sa më tepër pështjellim dhe për t’i shërbyer qëllimit rus që shteti shqiptar të ngelte autonom nën varësinë e Sulltanit.
Në këtë situatë, synimi i Esat pashë Toptanit ishte që të përmbyste qeverinë e Vlorës, për të mbetur ai vetë zot i asaj copë Shqipërie që do të caktonte Konferenca e Londrës. Ai nisi të bënte propagandën, shpifjet dhe intrigat më të dobëta kundër qeverisë së Ismail Qemalit. Për t’i dhënë gjoja pushtetit të tij një formë “legale”, Esati mblodhi në Krujë, nga gjysma e Majit 1913, një farë “kongresi”, ku ishin thirrur ca krerë fanatikë prej Shqipërisë së Mesme dhe krahinave rreth e qark, si Dibër, Mat, Lezh e Kurbin. Atdhetarët shqiptarë u munduan ta kundërshtonin këtë vepërim antikombëtar të Esat Toptanit, që po iu ndihmonte armiqve të jashtëm dhe po vinte në rrezik edhe atë pjesë të Shqipërisë së njohur nga Konferenca e Ambasadorëvet. Disa krahina, si Elbasani, nuk dërguan fare përfaqësues të vetë në Krujë; po edhe ata që vajtën prej anësh të tjera, nuk u bashkuan të gjithë me qëllimet ndjellakeqe të Esatit. Megjithatë, ky gjeti një rreth bejlerësh, agallarësh e klerikësh turkomanë, si soji i myftiut të Tiranës Musa Qazimi etj., për të formuar me ta një farë “këshilli”, i cili i lutej gjoja Esat Pashës që të merrte në dorë qeverimin e vendit deri sa të vinte prej Turqisë një princ mysliman. (A.Ermenji, “Historia e Shqipërisë – Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë”, Kapitulli XXIV, 1968 – Romë, 1996 – Tiranë.)
***

Mihal Grameno (1871 – 1931)

Mihal Grameno, duke e parë rrezikun që po i kanosej Shqipërisë nga trathtia e Esat pashës, më 9 shtator 1913, i drejtohet me një fjalim, i cili botohet si letër e hapur në nr.12 te gazetës “Perlindja e Shqipëniës”!
ESAD, KINI KOHË TË HIQNI DORË NGA TRATHTIA
Pasha,

kur gjithë Shqipëria u shkel nga armiqtë e kombit t’ënë. Shqiptarët nuk humbën shpresën e guximin për të mos poshtëruar para atyrevet që pa ndonjë kundërshtim shkelët atdhenë. Edhe ketë e detyrojmë në luftëtarët Shqiptarë të Shkodrës të cilët luftonin dhe luftuan gjer në funt burrërrisht nënë kumandë të Zotërisë sate. Nuk dini Pasha me sa gëzim, me sa zemër edhe me sa lutje në qiell, luteshin tek i madhi Zot për juve dhe për ushtarët që komandonit. Për çdo Shqiptar ju kishit mbetur e vetmja shpresë për kombin andaj besonin që Shkodra ishte e vetmja në duheshe të rronjë një Shqipëri ose ishte e dënuar të vdesë. Të lumtur pra provuat që Shqipëria duhet të rronjë. Luftove Pasha me dragonjtë e Shqipërisë u dhe dërmën anmiqëvet dhe nderove kombin tenët, nderove Shqipërinë dhe nderove emrin e Skënderbeut! M’i madh pagim për një luftëtar as që munt të bëhet edhe as që është bërë kurrë! Vërtet Shqipëria nuku mundi t’u kurorzonjë me kurorën e artë, nga shkaku që ishte e shkelur nga armiqtë, po ajo e ruante atë kurorë dhe, kur të vinte ajo ditë e lumtur, do t’u kurorëzonte si duheshe duke thënë gjithë Shqipërisë cili është Esat Pashë Toptani!
Pasha,
dridhem nga turpi dhe do të dridhen gjith bijtë e Shqipërisë paskëtaj po të jetë vërtetë që kërkoni të shkelni me këmbë fitimet e mëdha që munt t’i fitoni në luftë. Dridhen dhe do të dridhen të gjithë Shqiptarët kur të mësojnë vërtet që Esad Pasha, pas këtij nderi të math, u tregua armik i Shqipërisë duke dëshiruar humbjen e saj. Mendohuni Pasha se është e kotë. Nuku do t’u kujtojmë gabimet e pandiera, po të shkuarat, po do t’u kujtojmë se gabime bëni, sot, kur Shqipëria nuku është kufizuar dhe ndodhet në më të madhin rrezik, duke kërkuar të sillni grindje dhe përçarje. Shqipëria u emërojti Ministër të Brendshëm, megjithë që të ish tjatër nuk e pranonte për nder të trimërisë duke ndejur larg luftës politike, po Z. Juaj pas shumë të vërtitura e pranuat dhe muart frenë në dorë. Gjithë Shqipëria u gëzua duke besuar që edhe Shqiptarët kryetarë dinë të apin dorën, përpara rrezikut të atdheut dhe çdo re nuk mund të trubullojë qiellin.
Besuan Shqiptarët që Esad Pashë Toptani është bir i Shqipërisë edhe ay i vërteti, domethënë kushëriri i Refik beut edhe i Mazar beut edhe i Abdi bejToptanit, po mjerisht u gënjye ose e gënjyen! I shkeli me këmbë të gjitha ato nderime të cilat as me gjysmën e kësaj bote nuk fitohen! Pasha, Shqipëria kurrë nuk munt të harrojë shërbimet e nderimet që i dhatë Juve, në qoftë se do të pendohi për udhën e shtrembër q’u kanë shtenë, andaj, nderi i Zotërisë Juaj kërkon që të qëndroni atje ku kombi u nderoji se tjatërsoj do të turpërohi!
Mos dëgjoni Pasha egoistët dhe gënjeshtarët, mos dëgjoni armiqtë e kombit, po dëgjoni zërin e atdheut që ndodhet në rrezik! Nderi yt Pasha e kërkon këtë që të mos turpërosh emrin dhe oxhakun tënd! Pasha, tinë e din fort mirë që Shqipëria do të bëhet domosdo po mos u bëj shkak të nxish emrin! Shqipëria Pasha do të bëhet për Shqiptarët gjithë, të Krishterë dhe Muhamedanë, edhe e di fort bukur që s’bëhet Turqi e vogël, andaj ta kesh për detyrë t’u tregosh të tjerëve që duhet të bëhen Shqiptarë e të duan Shqipërinë e jo siç tregoji armiku i saj. Miqtë q’u rrethojnë do të kishin për shembull po të qëndronin kundra armiqve, Serbë dhe Grekë që na turpëruan dhe na rrahnë si gomarët, po për fat të zi atë trimëri, që të mos thomi djallëzi, e përdorin për kombin e vet! Mos dëgjoni Pasha ata që kurrë s’janë menduar për të mirën e atdheut po vetëm për veten e tyre se ata nuk dinë ç’është atdhe! Mbaronj Pasha duke u lutur të pendoni sa kini kohë!

Mihal Grameno, Vlorë – më 9 shtator 1913

……………………………………….

Në vijim shikoni dy video materiale arkivore nga shkatërrimi i Shkodrës, pas bombardimeve nga forcat e Malit të Zi, largimit të familjeve shqiptare dhe dorëzimit të qytetit nga Esat pashë Toptani, te forcat malazeze (1913)!

…………………………………………………

Ndërkaq në vijim shikoni edhe këtë dokumentar: historinanët që flasin edhe pse janë të njëanshëm në raport më shqiptarët, materialet arkivore filmike dëshmojnë pamje të shqiptarëve në pothuajse çdo ngjarje!

DOKUMENTARI – BALLKANI I HESHTUR – ABC STORY (Maj 2013)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura