SHERADIN BERISHA: UKSHIN HOTI SIMBOL I VETËDIJES SONË HISTORIKE, INTELEKTUALI MË I MARTIRIZUAR PËR ҪËSHTJEN KOMBËTARE DHE POLITIKANI MË I PËRKUSHTUAR I DEMOKRACISË

Pashtriku.org, 16. 05. 2015 – (Vlerësimi i personalitetit të Ukshin Hotit nga politikanë e intelektualë të shquar) – “Politikisht shqiptarët e Kosovës merren shpesh në mënyrë të paprinciptë me njëri-tjetrin, grinden, shahen dhe përçahen, në një kohë që duhet vetëm të bashkohen. Këta politikanë shëtisin nëpër botë, japin intervista dhe i japin shumë rëndësi kultit të vetëvetes dhe protagonizmit vetiak. Çuditërisht, këta politikanë nuk flasin, ose harrojnë të flasin, për Ukshin Hotin. Po Ukshin Hoti nuk i përket harresës. Ai është në vetë thelbin e kujtesës së kombit. Ukshin Hoti nuk mund të vdesë dhe në të vërtetë nuk ka për të vdekur kurrë. Qenia e tij intelektuale është e pashlyeshme dhe është prezente kudo. Kosova dhe kombi shqiptar kanë nevojë urgjente për mendimin e Ukshin Hotit…” – kështu ka shkruar në një apel (qershor 1999) studiuesi ynë i shquar Moikom Zeqo, drejtuar diplomacisë shqiptare dhe kancelarive të diplomacisë së botës.
Jam shumë i nderuar që kam njohur Ukshin Hotin, këtë njeri me virtyte të larta dhe guxim intelektual
Stephen Larrabee, ishte anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Presidentit Xhimi Karter, anëtar i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë (Council on Foreign Relations) dhe përgjegjës për çështjen e Jugosllavisë, në një letër dërguar familje Hoti, në Maj 2009, shkruan: “Edhe pse nuk mund të jem në Kosovë në ceremoninë zyrtare (Akademinë politike që u mbajt në maj 2009 – sh.b), dëshiroj të shpreh respektin dhe nderimet më të larta në përkujtim të Ukshin Hotit, një mbështetës i madh i pavarësisë së Kosovës dhe një njeri me virtyte të larta dhe guxim intelektual. Kisha nderin ta njoh Ukshin Hotin në vitet 1977-78 gjatë studimeve pasdiplomike në Universitetin e Harvardit, në kohën kur ai punonte në një kërkim shkencor në Harvard për mundësitë dhe implikimet politike të një Kosove të pavarur. U takuam shumë rastësisht, por shumë shpejt kuptuam se kishim shumë interesa të përbashkëta, në veçanti një interes për fatin e Jugosllavisë, që në atë kohë tregonte shenja të shpërbërjes dhe të dobësimit. Kemi kaluar me orë të tëra dhe momente të paharrueshme duke diskutuar se si do të mund të arrihej pavarësimi i Kosovës dhe çfarë ndikimi do të mund të kishte në sigurinë e Ballkanit dhe të Evropës. Gjatë asaj kohe, (1977-78) shumë pak njerëz në Perëndim mendonin për Kosovën por edhe më pak kishin ndonjë ndjesi për rolin e rëndësishëm që Kosova mund të kishte një dekadë më vonë në formësimin e së ardhmes politike të Jugosllavisë. Por, derisa dëgjoja Ukshinin të fliste me plot pasion rreth historisë së Kosovës, atëherë kuptova se sa e kam nënvlerësuar vendosmërinë dhe pasionin që digjej aq thellë në shpirtin e tij si dhe të shumë shqiptarëve të Kosovës në përpjekjet për pavarësi. Pasioni i tij për kauzën e pavarësisë së Kosovës më ka prekur thellë dhe që nga ai moment kam filluar t’i kushtojë më shumë vëmendje zhvillimeve në Kosovë. Në fund të pranverës së vitit 1978 u largova nga Harvardi për t’iu bashkuar personelit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Presidentit Karter, ku ndër të tjera isha përgjegjës edhe për çështjen e Jugosllavisë dhe pas kësaj nuk pata rastin ta shihja Ukshinin prapë. Mirëpo, derisa forcat centrifugale erdhën në shprehje me shumë sidomos pas vdekjes së Presidentit Tito, shpesh me janë kujtuar diskutimet tona për Kosovën si dhe bindja e plotë e Ukshinit se Kosova një ditë do të fitojë sovranitetin dhe pavarësinë. Ai ishte një njeri i modest por me plot virtyte dhe kurajo intelektuale, andaj jam shumë i nderuar që e kam njohur Ukshinin. Derisa ai nuk mund të marrë pjesë fizikisht në këto nderime për jetën e tij, filozofia e tij jeton sot në Kosovën e lirë dhe të pavarur – një kauzë të cilës ai i besonte shumë.’

Ukshin Hoti, intelektual dhe politolog i klasit të parë
Studiuesi i shquar Moikom Zeqo, në parathënien e librit “Filozofia politike e çështjes shqiptare” të Ukshin Hotit shkruan si vijon: „Kam ndjerë një tronditje të madhe, të pazakontë, tërësisht njerëzore, kur më sollën dorëshkrimin e kompjuterizuar të librit “Filozofia politike e çështjes shqiptare” të Ukshin Hotit. Kam ndjerë krenari të vërtetë duke e lexuar këtë libër (…) Libri i mençur dhe kurajoz i Ukshin Hotit është libri i një tribuni popullor dhe kombëtar. Ukshin Hoti, intelektual dhe politolog i klasit të parë, njeri i kompletuar fuqishëm për nga dijet, për më tepër një trim i pafrikshëm, ka shpalosur në këtë libër kryetemën vigane të çështjes shqiptare. Hoti nuk qëndis ornamente fjalësh. Nuk bën stolira të kota retorikash luksoze e krejt të padobishme. Për Hotin çështja shqiptare nuk është një mit i rrugës. Po as edhe një fantazi e kabinetit intelektual. Duke e lexuar këtë libër m’u kujtuan fjalët e mrekullueshme të dijetarit të madh shqiptar Frang Bardhit, i cili qysh me 1636 shkruante: “Përkrahni lirinë e natyrshme të njerëzve dhe diturinë e tyre me liberalitetin më të madh. Sepse vetëm kështu, – shton ai, – do ta paraqesin para syve të tu të vërtetën lakuriqe dhe të panjollosur, sepse e vërteta nuk ka nevojë të lyhet dhe të stoliset me fjalë të bukura.” 350 vjet pas Frang Bardhit, Ukshin Hoti ecën në të njëjtën hulli të filozofisë politike të historisë. Ukshin Hoti e konsideron politikën si një modus operandi të pashkëputur nga moraliteti historik dhe i perspektivës. Sipas Aristotelit, vërtetë njeriu është “kafshë politike” po në ato kushte dhe rrethana që e realizojnë historinë, jo si një zoologji instinktive, po si një politikë mbikafshore dhe tërësisht njerëzore, pra të kthimit të kafshës në njeri dhe jo të njeriut në kafshë, rrjedhimisht, të politikës në histori dhe jo të historisë në thjesht politikë(…) Ukshin Hoti e di mirë thelbin e politikës, duke e refuzuar politikanizmin e stilit barok, dogmatik, apo të llojit folklorik e të vulgarizuar. Ukshin Hoti në analizat e tij të guximshme dhe aspak konformiste i shikon realitetet politike në optikën shqiptare, por edhe në atë globale-botërore. Për të bota evro-amerikane nuk duhet t’i kundërvihet çështjes shqiptare, pavarësisht nga pengu tragjik i së kaluarës, pavarësisht nga luhatjet dhe marrëzitë e sotme të politikave të liderëve të përkohshëm shqiptarë. Ukshin Hoti e shtjellon tezën e një demokracie autentike, si tezën e një integrimi universal, ku nuk zhduket dhe nuk humbet identiteti i kombit shqiptar, po afirmohet në bazë të një të drejte ndërkombëtare të përbashkët për të gjitha subjektet etnike të botës, ashtu siç ka një barazi funksionale për elementet e gjuhës të garantuara përjetësisht nga një gramatikë e brendshme e padeformueshme. Demokracia autentike është një gramatikë e lirisë dhe e dinjitetit, e kulturës, por edhe e kulturave, e së veçantës, por edhe e së tërës. Në një Evropë, apo në një botë dialogjike, kombi shqiptar nuk ka pse të jetë shurdhmemec, një komb handikapat, ose një manekin i skenës (…) Kombi shqiptar është i pjesëtuar padrejtësisht në struktura shtetërore të huaja dhe të ndryshme, duke qenë de facto një subjekt etnik i papjesëtueshëm dot. Ky komb po e përjeton në imagjinatë atë që kombet tjera e kanë realizuar prej kohësh. Po duke qenë një komb si të gjitha kombet tjera, shqiptarët nuk kanë pse të përjetojnë gjithçka vetëm në imagjinatë (…) Prandaj ky libër me plot argumente është kundër kompleksit të inferioritetit. Prandaj ky libër është një pasqyrë morali për secilin nga ne, një monument sigurie dhe vetëdieje. Ukshin Hotin kam pasur rastin ta njoh më 23 nëntor të vitit 1992 në Tetovë gjatë një tubimi mbarëkombëtar për çështjen shqiptare. Ai ishte me trupin plot plagë nga të rrahurat e policisë serbe. Po erdhi në tubim, sepse në të shihte një shprehje të ideve të tij politike dhe të jetës. Sot Ukshin Hoti është i burgosur. Por që nga burgu, ai na i dërgon akoma më i plotfuqishëm dhe madhështor mesazhet e tij të urta dhe afatgjata. Ai është një intelektual i martirizuar dhe kjo ka një kuptim të vërtetë dhe të madh. Është vetë kombi shqiptar një komb i martirizuar…”
Ukshin Hoti është intelektuali me i martirizuar në Kosovë!
Studentët, HyrijeVeliu, Arben Fetoshi dhe Enver Cikaqi e vlerësojnë lartë potencialin intelektual, politik e shkencor të Ukshin Hotit.  Studentja Hyrije Veliu, në dokumentarin e TVSH (qershor 1998) kushtuar Ukshin Hotit, deklaron: “Unë mendoi se, të flasësh për personalitetin e Ukshin Hotit është një nder i veçantë. Ai është një njeri që ka një diapazon të gjerë politik dhe shkencor si dhe potencial të madh për t’i kontribuar çështjes sonë shqiptare. Mirëpo si duket ai është penguar mjaftë shumë…”. Ndërkaq studeni Arben Fetoshi thotë se, “Ukshin Hoti është bërë mishërim i vlerave politike, intelektuale dhe patriotike, që neve duhet të na udhëheqin drejt çuarjes përpara të procesit të pavarësisë dhe përfundimit të zgjidhjes së çështjes kombëtare”. Ndërsa studenti tjetër, Enver Cikaqi, Ukshin Hotin e vlerëson si “një njeri të madh dhe njëri ndër intelektualët më të martirizuar në Kosovë. Ukshin Hoti foli edhe atëherë kur të tjerët nuk flisnin. Ukshin Hoti flet edhe tash kur të tjerët mendojnë se nuk duhet të flitet ashtu siç flet ai me gjuhën e vet politike. Ukshin Hoti gjithmonë ka qenë afër studentëve, edhe në kohën e demonstratave të vitit 1981 ai ishte pranë studentëve… Ai mbahet në mënyrë të padrejt në burg dhe vet mbajtja e tij në burg tregon se sa i rrezikshëm është për okupatorin”, – thotë Cikqai.

Ukshin Hoti – është simbol i vetëdijes historike, i ndërgjegjes dhe i qëndresës së pamposhtur shqiptare
Akademik Rexhep Qosja në një intervistë të vitit 1998 për Ukshin Hotin deklaron: “Ukshin Hoti po bëhet ajo që ishte dhe është Adem Demaçi sot: simbol i martirizimit për lirinë e Kosovës, e kjo domethënë, simbol i qëndresës shqiptare. Kur është burgosur Ukshin Hoti, para disa vjetësh, gazetat tona e kanë botuar lajmin me disa ditë vonesë. Mbasi që është burgosur Ukshin Hoti, edhe pse kuadër universitar, Universiteti ynë nuk e ka ngritur zërin kundër mbajtjes së tij në burg. Sot kanë ndryshuar punët. Sot Ukshin Hoti përmendet shpesh në shtypin tonë. Në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës është mbajtur promovimi i librit të tij. Për të shkruhet gjithnjë e më shpesh. Diçka ka ndryshuar në shtypin tonë dhe në Universitetin tonë. Diçka po ndryshon në jetën tonë, në politikën tonë. Kemi filluar të vijmë në vete dhe këtë e dëshmon edhe qëndrimi ndaj Ukshin Hotit. Ne po jetojmë “të lirë” nën pushtimin e Serbisë e Ukshin Hoti po vuan burg! Ne po bëjmë “të lirë” politikë, nën pushtimin e Serbisë e Ukshin Hoti po vuan burg! Ne po stolisemi me stoli pushtetore -“president”, “deputet’, kryetar partie, e të tjera, nën pushtimin serb, e Ukshin Hoti po bën burg Serbie! Ne për lirinë e Kosovës po “luftojmë”, duke marrë rroga, duke u vozitur me vetura luksoze, duke pritur e përcjellë mysafirë me dreka e darka zyrtare – si parardhësit tanë politikë komunistë, e Ukshin Hoti po dënohet me burgje, për shkak të përpjekjeve për lirinë e Kosovës! Me mbajtjen në burg të Ukshin Hotit dhe të te burgosurve të tjerë politikë, regjimi serb dëshiron ta arrijë sot, atë që synonte ta arrinte me mbajtjen në burg të Adem Demaçit dhe të të burgosurve tjerë politikë! Mbajtja e Ukshin Hotit dhe e bashkëmendimtarëve të tjerë në burgjet e Serbisë e rëndon shumë ndërgjegjen e njeriut tonë politik sot, dhe i qet hije të rëndë politikës që bëjnë bashkimet tona politike. Deshëm s’deshëm ta pranojmë, Ukshin Hoti – ky sot është simbol i vetëdijes historike, i ndërgjegjes dhe i qëndresës së pamposhtur shqiptare. Nuk është e çuditshme pse ky është emri më i kuptimshëm, më domethënës, më frymëzues në jetën tonë politike sot. Dhe kjo tregon se populli ynë e çmon ashtu siç duhet njeriun e gatshëm për sakrifica. Dua të besoj se Ukshin Hoti do të dijë ta mbajë si duhet domethënien gjithëkombëtare që e rrezaton sot emri i tij.
Ukshin Hoti duhet të dalë sa më parë nga burgu
Shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare në një intervistë të vitit 1996, thotë: “Emrin e Ukshin Hotit e kam ndeshur aty-këtu në shtypin e Kosovës, por përherë në mënyrë të paqartë. Edhe kur merret në mbrojtje, edhe kur kërkohet lirimi i tij, kjo bëhet në mënyrë disi të ftohtë, si për një hije. Së paku në atë lloj shtypi që unë kam pasur rastin të lexoj. Duke e ndjerë veten fajtor për një mosnjohje më të saktë të këtij personaliteti të rëndësishëm të popullit shqiptar, e vetmja gjë që për mua ka qenë e qartë sapo kam lexuar fragmentet e para nga mendimet e tij, ka qenë përgatitja e lartë profesionale. Kam frikë se pikërisht ky nivel i lartë ka qenë edhe burimi i fatkeqësisë që e ka ndjekur hap pas hapi këtë martir. Ka qenë tragjedi e vjetër e popujve ballkanikë, veçanërisht e shqiptarëve, përpjekja për të mënjanuar nga udhëheqja e një lëvizjeje, e një populli apo shteti, njerëzit më të zotë. Kur mungon tigri, majmuni bëhet mbret, – thotë një proverb kinez. Kjo logjikë e mbrapshtë, logjika e triumfit të mediokritetit, i ka shkaktuar, e, me sa duket do t’i shkaktojë ende dëme të ndjeshme çështjes shqiptare. Ukshin Hoti duhet të dalë sa më parë nga burgu. Është e papranueshme që një personalitet i një populli, pavarësisht se ç’partie i përket ose nuk i përket, të mbahet në zinxhirë. Është fyerje për krejt atë popull. Më fort se kurrë kombi shqiptar ka nevoj për njerëz të aftë e me nivel të lartë. Njerëzit e zotë janë princat e vërtetë të një kombi. Për fat të keq, princat goditen shpesh në mënyrë të vdekshme”.
Hoti është një avokat i përkushtuar i demokracisë
Në vitin 1998, me rastin e nominimit të Ukshin Hotit për çmimin “Saharov”, Adem Demaçi fitues i Çmimit Saharov për vitin 1991, i shkruan këtë letër deputetëve të parlamentit evropian: “Të nderuar anëtarë të Parlamentit Evropian, të dashura zonja dhe zotërinj, Me rastin e nominimit të Mr. Ukshin Hotit për çmimin Saharov, jam i lirë t’ju drejtohem me mbështetjen time për nominimin e tij. Unë jam i bindur se jo vetëm që çmimi do të shkojë në duart e duhura, por duke i dhënë çmimin Saharov një të burgosuri politik që vazhdon të vuajë dënimin e tij, ju do të lartësoni kuptimin e vetë çmimit nga pozita e mirënjohjes së thjeshtë në angazhimin politik. Një angazhim i tillë sot është më se i nevojshëm për ndërtimin e një tablloje të plotë për Evropën, për theksimin e kontrasteve të mëdha ekzistuese, për shpjegimin e tyre dhe për dhënien e një vizioni të qartë mbi atë se çfarë do të duhej të ishte Evropa. Në anën tjetër, z. Hoti është një avokat i përkushtuar i demokracisë, i të drejtave të njeriut dhe i paqes. Ai shfrytëzon arsyen dhe njohjen e tij brilante për të shpjeguar kuptimin e vërtetë të paqes dhe zbulimin e rrënjëve të saj në drejtësi. Gjithë jetën e tij ai e ka vënë në shërbim të luftës për paqen për të cilën Kosova sot ka nevojë më shumë se kurrë. Çmimi Saharov e meriton Ukshin Hotin, dhe Ukshin Hoti e meriton atë. Me konsideratat e mia më të thella.
Ukshin Hoti është një hero i gjallë i kombit shqiptar
Shkrimtari i shquar Bedri Dedja, në një intervistë dhënë gazetës “Zëri i Kosovës” në dhjetor 1997 për të madhin Ukshin Hoti thotë: “Për mua, Ukshin Hoti është një hero i gjallë i kombit shqiptar. Unë madje nuk habitem pse serbët mbajnë në burg Ukshin Hotin dhe jo ndonjë personalitet tjetër madhor të Kosovës. Vepra e tij «Filozofia politike e çështjes shqiptare» të kujton veprat e mëdha, si «Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet» e SamiFrashërit, «Çështja shqiptare» e Rexhep Qoses etj. Vepra të tilla shekulli shqiptar prodhon pak. Unë jam shumë i brengosur që atë po e torturojnë shpirtërisht edhe si prind. Këto tortura kanë synim më të largët. Ato duan të errësojnë horizontin e tij kombëtar dhe politik. Por kam shumë besim se nuk do t’ia arrijnë. Ukshin Hoti do të dalë nga burgu si feniksi.

Ukshin Hoti është një nga politologët më të shquar të popullit tonë
Shkrimtari e poeti ynë i madh Dritëro Agolli, në një intervistë në Radio Televizionin Shqiptar, në mars 1998, për politologun e shquar Ukshin Hoti, ka thënë: ”Unë vë re një gjë, që për daljen e Ukshin Hotit nga burgu nuk është bërë shumë në Shqipëri, as në Shqipërinë këtej Drinit, ku jemi ne, dhe as në Shqipërinë përtej Drinit, ku janë vëllezërit tanë. Ukshin Hoti është një nga politologët më të shquar të popullit tonë. Ai vetëm me këtë libër (Filozofia politike e çështjes shqiptare – sh.b) e ka treguar që është një filozof i vërtetë në problemet e politikës, por jo të një politike vulgare. Ai e shikon politikën në prizmin e filozofisë, dhe nxjerr konkluzione në bazë të fakteve konkrete dhe të historisë së popullit tonë. Ai nuk i trajton problemet historike dhe kombëtare thjesht në mënyrë deskriptive. Duke lexuar librin e Ukshin Hotit ti ndjen një thellësi të madhe të mendimit të tij, por njëkohësisht ndjen edhe një krenari që ka njerëz të tillë të shquar vendi ynë në të gjitha fushat e jetës. Por këtu, në këtë fushë, dmth. të filozofisë politike, unë nuk kam lexuar ndonjë të dytë që të jetë më i zoti se Ukshin Hoti. Problemin e çështjes kombëtare ai e vështron në prizmin filozofik, në prizmin historik dhe në prizmin politik. Nuk thotë vetëm se si është Shqipëria, si është kjo çështja jonë kombëtare, por edhe se si mund të zgjidhet. Dhe kjo është nga meritat më të mëdha, sepse në shumë shkrime për problemet tona kombëtare tregohet vetëm se si ka qenë, sa i vjetër është populli ynë, me kë ka patur të bëjë, me përplasjet me fqinjët, me Evropën etj., por nuk jepen koordinata të sakta se ç’mund të bëhet që populli ynë të bëhet një popull i bashkuar, një komb jo i ndarë, jo i prerë me shpatë siç është sot Shqipëria. Dhe këtu qëndron merita më e madhe e Ukshin Hotit, pra në faktin që jep perspektivën se si duhet bërë… me një fjalë, ky libër është një program, nuk është thjesht një libër për filozofinë politike, por është si një program për shqiptarët, se si duhet të bëhet Shqipëria një vend me të vërtetë i evropeizuar. Ne flasim e themi se do të hyjmë në Evropë, do të evropeizojmë Shqipërinë, etj. Të gjitha këto janë fantazira, janë gjysmake. Shqipëria evropeizohet kur të jetë një, e plotë, dhe jo kështu dy copësh, se kështu nuk evropeizohet kurrë. Kë do të evropeizosh ti, tre milionë banorë do të evropeizosh? Po tre milionë të tjerë? Dmth. problemi është tepër i ngatërruar për sa i përket evropeizimit të Shqipërisë, civilizimit të saj etj. Civilizim do të thotë kur të jesh një. Po s’qe një nuk je i civilizuar plotësisht. Dhe Ukshini e trajton këtë problem. Pastaj dhe një tjetër gjë: unë mendoj që njeriu mund të nxjerr konkluzione jo vetëm nga libri që kemi këtu përpara, po dhe nga gjithë aktiviteti i Ukshin Hotit, se ai nuk është vetëm një filozof, politikan i kabineteve, i zyrave e i arkivave, por ai është një njeri i aksionit, një njeri i luftës për një ideal të madh. Se ka lloj lloj filozofësh, politikanësh, historianësh, edhe ata kanë të drejtën e ekzistencës dhe nuk mund të them se nuk janë të shquar, por tek Ukshin Hoti bashkohen dituria, zgjuarsia filozofike me aksionin, me njeriun aktiv, me patriotin e vërtetë, jo thjesht një patriot librash, po një patriot i madh, që i vë supet Shqipërisë. Dhe fakti që gjëndet në burg, dhe ka kohë që vuan burgimin e nuk del dot nga burgu, tregon se sa patriot dhe se sa njeri i lavdishëm është ai. Po ne shqiptarët fatkeqësisht njerëzit e shquar i kemi pak mëri, nuk i kemi aq shumë në përkrahje, ndonjëherë duam dhe t’i spostojmë nga politika ose nga aktiviteti, siç është puna me Ukshin Hotin. Unë nuk munt të flas me kompetencë të madhe lidhur me mënjanimin e tij, por unë vë re një gjë, që për daljen e tij nga burgu nuk është bërë shumë në Shqipëri, as në Shqipërinë këtej Drinit, ku jemi ne, dhe as në Shqipërinë përtej Drinit, ku janë vëllezërit tanë.
Ukshin Hoti është njeri që ka «Unin» e vet me «U» të madhe!
Prof.Agim Vinca në një fjalim të mbajtur në një mbrëmje proteste për lirimin e Mr.Ukshin Hotit, në Prishtinë, më 24. 09. 1994, do të shprehet: “Me njeriun që na ka tubuar sonte këtu (sikurse edhe mbrëmë dhe në netët që do të vijnë), Mr. Ukshin Hotin, nuk kam pasur raporte të afërta miqësore, por kam pasur respekt – e kam çmuar gjithmonë – për qëndrimin e tij dinjitoz e konsekuent në jetë dhe në krijimtari. Them edhe në krijimtari, sepse Ukshini është publicist, eseist, politolog… Është hera e tretë që Ukshin Hoti bie në burg (herën e parë pas vitit 1981), kurse «ndeshjet» e tij me policinë serbe kanë qenë edhe më të shpeshta. Përse? Për shkak se policia serbe dhe pushteti të cilit i shërben ajo e dinë fare mirë se cilët janë kundërshtarët e tyre të vërtetë në mesin e shqiptarëve. Miku dhe kolegu ynë, Ukshin Hoti, tash sa muaj ndodhet në burg. Së shpejti pritet gjykimi dhe ndoshta (me siguri) edhe denimi i tij dhe jemi mbledhur të protestojmë kundër këtij gjykimi absurd e të kërkojmë lirimin e tij. Po prej kujt? Prej gjyqit serb, që është instrument në duart e okupatorit. Kështu e kemi ne. Ndodh që të kujtohemi për njerëzit tanë kur ikin, kur bien në burg, kur largohen (jo rrallë as në raste të tilla!), ndërsa kur i kemi pranë i fyejmë, i rrethojmë me heshtje, i injorojmë, i nënçmojmë, i linçojmë… Edhe pse nuk kam pasur kontakte të shpeshta me të, Ukshini më është dukur viteve të fundit disi i vetmuar, i izoluar, i braktisur, i harruar dhe ngapak i frustruar. Ukshin Hoti është nga ata njerëz që i stolisin karakteri, krenaria, kryelartësia. Ai është njeri që ka «Unin» e vet me «U» të madhe. E kjo nuk është pak. E vlen të jesh i tillë në jetë, edhe pse kushton shtrenjtë. Intelektualme koncepte të qarta e përkushtim të lartë ndaj kombit, shtetit, politikës, demokracisë, në shkrimet dhe paraqitjet e tij, veçmas në revistën «DeA», ai u angazhua me të drejtë, siç e thoshte edhe titulli i saj, për një demokraci autentike; për një demokraci në kushtet shqiptare, ashtu siç u angazhua edhe për një politikë unike e me strategji të qartë kombëtare. Për intelektualët dhe veprimtarët si Ukshini ekziston patria (dmth. Atdheu) pastaj partia; ekziston kombi pastaj demokracia. Sepse, demokracia pa kombin është si lulja në trupin e të vdekurit, ka thënë një poet.
Ukshin Hoti – intelektual që sugjeron guximin politik
Akademik Esat Stavileci, në qershor të vitit 1998 në një dokumentar televizivë kushtuar Mr.Ukshin Hotit, deklaron: „Kemi të bëjmë me një emër të intelektualit që sugjeron guximin politik, një emër të një eseisti politik që sjell shprehjen kompetente profesionale, që nxit fuqinë e të menduarit, ndërsa kur flasim për veprën e tij, kemi të bëjmë me një vepër të një njohësi të mirë të sistemeve politike e të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe për një vepër të historianit të çështjes shqiptare. Me këtë rast do të thksoj angazhimin e Ukshin Hotit për t’i dalë zot kauzës kombëtare, me gjerësinë e shtruarjes së çështjes së Kosovës dhe të çështjes shqiptare në përgjithësi. Pastaj më duhet të theksoj argumentimin e tij të bollshëm e profesional me themelësi politike, pse Kosova është dhe duhet të jetë republikë. Theksoj mbrojtjen e tij brilante, në mënyrë të veçantë, që i bëri para gjyqit qënies së Kosovës republikë mbi parimin e së drejtës së vetëvendosjes. Theksoj premisat e filozofisë politike në veprën e tij, dhe më në fund theksoj mendimin e tij të mëvetësishëm, autentik, në rrahjen e çështjes kombëtare shqiptare që emrin dhe figurën e tij e bëjnë sui generis, dmth. të një lloji të veçantë. Prandaj është fjala për një emër dhe një vepër të cilën duhet ta përkujtojmë.
Ukshin Hoti, përfaqësues tipik i filozofisë realiste politike
Arsim Bajrami, në dokumentarin e RTSH’së (qershor 1998), kushtuar Ukshin Hotit ka thënë: “Ukshin Hoti është një figurë e ndritur e kombit tonë i cili tërë potencialin e vet shkencor ia kushtoi çështjes sonë madhore, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ai është martir i vërtetë kombit i cili u vetëflijua për idealet e mëdha kombëtare. Mendimi politik i Ukshin Hotit është një medim sui generis në Kosovë, por edhe në trojet etnike shqiptare, meqenëse shquhet me tri atribute që atë e bëjnë të posaçëm. -Atributi i parë është fakti se mendimi i tij është mendim profesional dhe shkencor. Ai me një kompetencë të veçantë profesionale dhe shkencore i qaset problemit të Kosovës si dhe problemeve që janë të lidhura me Kosovën. -Atributi i dytë është realizmi. Ukshin Hoti është një përfaqësues tipik i filozofisë realiste politike. Ai fenomenet dhe dukuritë politike i trajton ashtu siç i sheh, pa zbukurime, i jep mendimet e veta si dhe porositë e qarta. -Atributi i tretë që e shquan mendimin politik të Ukshin Hotit është pragmatizmi. Si politikan, si arkitekt i mendimit politik, ai nuk i jep vetëm vlerësimet reale, por njëkohësisht i jep edhe qasjet e tij pragmatike për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Natyrisht se një qasje të tillë të thelluar atij ia kanë mundësuar njohja e shkëlqyeshme e doktrinave politike si atyre të Perëndimit, ashtu dhe të atyre të Lindjes”. Ndërkaq historiani Hakif Bajrami, në këtë dokumentar thotë se: “Ukshin Hoti po dergjet në kazamatet serbe të lara me gjakun tonë vetëm pse është i pathyeshëm, vetëm pse është shqiptar me një ndërgjegje të lartë, që nuk e urren asnjë komb, as një racë, asnjë njeri, asnjë religjion, asnjë regjion”.

Është detyrë e shqiptarëve që të kërkojë lirimin nga burgu të Ukshin Hotit…
Viktor Ҫami në dhjetor 1996, pasi e ka lexuar librin e Ukshin Hotit “Filozofia politike e çështjes shqiptare”, ka deklaruar si vijon: “Duhet të pohoj se emri i Ukshin Hotit ka qenë i panjohur për mua deri para disa muajve. Duhet të pohoj gjithashtu se për një numër arsyesh të ndryshme, njohuritë e mia në lidhje me gjendjen në Kosovë dhe protagonistët e ndryshëm të dramës kosovare janë përgjithësisht jo aq të plota sa do të dëshiroja të ishin. E kam lexuar librin e Ukshin Hotit (Filozofia politike e çështjes shqiptare – sh.b) dhe më bëri përshtypje thellësia e analizës së tij si edhe karakteri i fortë i këtij personazhi të persekutuar. Do të thosha se ky libër duhet të lexohet dhe të studiohet me kujdes të veçantë nga të gjithë të rinjtë dhe intelektualët kosovarë. Do të thosha gjithashtu se është detyra e të gjitha forumeve të politikës shqiptare që të kërkojnë lirimin nga burgu të këtij personaliteti si edhe të të gjithë të burgosurve të tjerë politikë në Serbi duke mobilizuar edhe opinionin botëror. (19 dhjetor 1996)
____________
Literatura e shfrytëzuar:
1 – Ukshin Hoti: Filozofia politike e çështjes shqiptare, SHB “Rozafa” Tiranë, 1995.
2 – Ukshin Hoti, emblemë e filozofisë politike shqiptare (I – III), portali pashtriku.org, maj 2014.
3 – “Ekskluzive” – revistë e ilustruar mujore për aktualitet, kulturë, shkencë, sport – Nr.5, Maj – Qershor 2000, faqe 51 – 81.
4 – Ukshin Hoti, Dokumentar TVSH 1998: https://www.youtube.com/watch?v=4E1tJD_r3o8
5 – Portali i vjetër i pashtriku.org: http://pashtriku.beepworld.de/ukshinhoti.htm

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura