IBISH NEZIRI: NË VEND TË PËRKUJTIMIT NË DHJETËVJETORIN E VDEKJES SË REXHEP HALIMIT

Zürich, 22. 02. 2014 – (Copëza nga një bisedë e gjatë e bërë në vitin 1994 në Cyrih) – Për shumë kënd Rexhep Halimi është i njohur, sidomos për ata që punojnë dhe jetojnë në Kantonin e Cyrihut. Rexhepi, apo Rexha siç e thërrasin shokët, është lindur në fshatin Biti të Shtërpcës dhe që nga viti 1970 punon në Zvicër me një ndërprerje të shkurtë në vitin 1979 që pastaj përsëri të kthehet dhe të mbetet këtu deri në ditët e sotme.
Rexha që herët e ndjeu peshën e rëndë të robërisë dhe kurbetit. I kuptoj padrejtësitë që i bëheshin popullit shqiptar në trojet e veta në ish-Jugollavi dhe e gjeti formën dhe mënyrën që të ndikoj në sqarimin e popullit të vet për këto padrejtësi meqë ende kishte të tillë që besonin në një barazi, në një vëllazërim-bashkim në një e një që ishin parulla të shumta dhe të thata. Kështu Rexha që nga viti 1976 filloi të bartë literaturë (libra dhe gazeta) të botuar në Republikën e Shqipërisë dhe t’i fus në Kosovë, të cilat pastaj shpërndaheshin ilegalisht.

– Atdhetari Rexhep Halimi –

Pas kontakteve të para me Xhabir Morinën dhe Hajdin Abazin, Rexha fillon ta zhvilloj aktivitetin e vet në mënyrë të organizuar në radhët e LPK-së.
Në vitin 1979 bie në kontakt për herë te parë në Helvetia Platz në Cyrih me Kadri Zekën e nga viti 1980 edhe me Ibrahim Kelmendin.
Atë kohë në Helvetia Platz mbahej një koncert i madh me këngëtarë nga Kosova të cilët i përcillte Rifat Kukaj dhe para se të fillonte koncerti Kadriu i shpërndau disa afishe dhe ai ishte momenti që Rexha të binte në kontakt me të. Pastaj me udhëzimin e Kadriut edhe Rexha ka shpërndarë afishe jo vetëm në Zvicër, por edhe në Kosovë si “Vdekje satrapit Josip Broz Tito – Liri Popullit” etj., të cilat i ka marrë nga Brahim Kelmendi.
„Të gjitha afishet i ka shkruar Kadriu, kurse i kemi ngjitur gjithsejt tre – katër veta si Ibrahimi, Saqip Zymberi, Iljaz Krasniqi, Skënder Berisha e ndojë tjetër dhe të gjitha këto i përgatisnim në banesën e Saqipit“, – thotë Rexha dhe vazhdon të flas i emocionuar – „me Kadriun gati nuk ka patur javë që nuk jemi takuar. Në manifestimin e 1 Majit kemi qenë me të edhe unë e Rashit Rashiti. Njerëzit nuk na janë afruar asokohe, se frigoheshin. Në demostaratat e para në prill të vitit 1981 në Bernë i kemi patur 200 pjesmarrës dhe kur e ka lexuar Kadriu referatin me titull “Titizmi është fashizëm” edhe nga ata 200 veta disa kanë ikur.
Nga viti ’81 deri në vitin ’82 numri i pjesmarrësve në demonstrata vinte duke u rritur. Nga 200 veta sa ishin në demonstratë në Bernë, në vitin 82 numri i pjesëmarrësve në Gjenevë arriti në 1500 veta.
Ditën e Flamurit në vitin 1981 e kemi shëuar në Shtutgart të Gjermanisë ku pata rastin të takohem edhe me Jusuf Gërvallën i cili edhe e mbajti fjalën kryesore. Më kujtohet mirë kur pat thënë: “Kosova Republikë nuk është një kërkesë e thjeshtë, sepse Beogradi do të kishte thënë ja merreni, por Kosova Republikë do të thotë shtet, për të cilin edhe duhet dhënë jetën bijtë më të mirë të popullit shqiptar.”
Në vitin 1981 kur rrugët e Kosovës u lanë me gjak, Kadri Zeka bashkë me Jusuf Gërvallën, me Bardhoshin dhe shumë shokë të tjerë bënin përpjekje që t’i organizonin mërgimtarët që edhe ata të angazhoheshin për çështjen komëtare, me shpërndarjen e afisheve, me organizimin e demonstratave…
UDB-ja nuk mud e pranonte lehtë demaskimin që ia bënin këta atdhetarë të palodhshëm dhe mbrëmjën e 17 janarit të vitit 1982 edhe një herë duke e dëshmuar në vepër se është e vendosur që çdo përpjekje të shqiptarëve për liri ta shuaj me gjak, i vrau këta tre veprimtarë, duke llogaritur se lëvizjen e punëtorëve tonë në perëndim do ta shuaj, por ajo jo vetëm që nuk u shua, por edhe më me vendosmëri qau përpara për realizimin e aspiratave të popullit që ishin edhe ideale të tyre.“
Bisedojmë me Rexhën për periudhën dhjetëvjeçare të cilën e karakterizon një përpjekje e drejtpërdrejtë me armikun në Kosovë, ndërsa rrugëve të Evropës demonstaratat e shpeshta kundër dhunës dhe terrorit që bëhej në Kosovë, për Kosovën Republikë, për shpalljen e deklaratës kushtetuese të dy korrikut dhe miratimin e Kushtetutës së Kaçanikut. „Kuvendi i Kosovës e ka shpallur Kosovën Republikë dhe unë që nga ajo kohë kam qenë i bindur se tek atëherë do të fillojë lufta për çlirimin e Republikës së Kosovës, por nuk ndodhi kështu. Dualën partitë politike dhe e shuan rezistencën. Nuk lejuan që ajo të avancohet dhe të ngritet në një shkallë më të lartë që vërtetë edhe të realizohet ajo për të cilën na foli Jusuf Gërvalla në Shtutgart në nëntor të vitit 1981 dhe për të cilën edhe ra bashkë me shokët“, thotë Rexha dhe vazhdon: „Sa kam dëgjuar, kush qëndron prapa themelimit të LDK-së, bazat e saj janë të vendosura mbi themele dyshimi. Kur them kështu largë qoftë se mendoj në anëtarësinë e gjërë, por janë disa që… E lexova edhe te “Zëri” i kaluar në intervistën e Ramiz Kelmendit ku thotë se me ndonjë as në parajsë nuk shkohet… andaj…“
Me nga një gotë çaj përpara, i cili pothuajse është ftohur fare, vazhdon biseda me Rexhën të cilën e ka shndërruar pothuajse gati në monolog: „Në katër vjetët e fundit, tek populli shqiptar dominon vija paqësore dhe kjo është bërë modë. Dikend e quajmë ministër e dikend kryetar të Republikës së Kosovës, po për të qenë ministër dhe kryetar në Republikën e Kosovës, duhet me i thënë Milosh Simoviqit, zotëri ky vend është imi e jo i yti andaj ngrehu nga këtu dhe ik, ose, të nxjerret ashtu si duhet nxjerrë okupatorin.
Këtë farë rruge paqësore disi nuk po ma merr mendja – thotë Rexha duke shtuar se Serbia pa luftë kurrën e kurrës nuk ka për ta lëshuar Kosovën sepse ajo nuk është zemra e Serbisë, po shpirti i saj, tortë e ëmbël madje shumë, në gojën e saj me të gjitha ato pasuri që i ka. Sa për kisha e manastire asaj aq ia bën. Asaj i nevojiten Trepça e Obiliqi, Feronikli e Boksiti si dhe ato fusha të paskajshme të Dukagjinit.
Po nuk dij se çka po pritet: T’i lirohen Serbisë duart nga Bosnja e Kroacia dhe të bashkohen të gjithë serbët në një shtet që pastaj të na gjuhen neve, po sa ta nxjerrim zërin apo…?
Pastaj Punën e atij farë protektorati e shoh, sikur punën e atij fëmiut, t’i themi jetim, që lyp babë.
Në luftën e fundit kemi humbur me parullën “Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni” që pastaj katërdhjetë vjetë Serbia të na shtyp me parullën tjetër të Vëllazërim-Bashkimit…!” …po unë nuk e dij ku mbetën do të viteve tetëdhjeta, vazhdon Rexha duke u hidhëruar në ta, të cilët ishin të gatshëm atëherë që të luftonin për Kosovën jo me një Jugosllavi, po me një botë të tërë, kurse sot edhe pse ka mbetur një Serbi e izoluar dhe e vetmuar si qyqe, nuk ua ndëgjoj askund zërin siç ua pata dëgjuar gjatë viteve 81, 82 e deri 89. Mendojë se këta i kanë borxh popullit, e sidomos njëfarë Adili që vinte e na thonte se kështu e ashtu duhet luftuar kundër Serbisë. Ku mbeti ai? Pse tani nuk po i dëgjohet zëri askund, apo ndoshta edhe ai është strukur diku në partitë politike dhe e bën gjumin e dimrit bashkë me të tjerët. Ai dhe shokët e tij të tjerë duhet që ta vazhdojnë aty ku e kanë lën punën, e jo ta përdorin autoritetin për ta vën popullin në gjum, sepse unë si punëtor jamë angazhuar i frymëzuar nga idetë e tyre dhe që 12 vjet nuk i kamë parë fëmijët e mi. Ata mu tani po më duket se na lanë në lloq.“
Po ata kanë qenë në burg, ia pres fjalën dhe ai duke mos më lënë që ta vazhdoj më tutje thotë se pikërisht për këtë shkak edhe po them kështu.
„Prej Kosovës vijnë lajme shqetësuse, për dhunën terrorin, bastisjet, dënimet vrasjet, dhe që të gjitha janë në vazhdimësi? Ka filluar dhjetëvjetori i dytë që tri apo katër vjet dhe dhuna e terrori vazhdojnë. Në një anë popullit i thuhet se, kemi hasur në mirëkuptim në Evropë, dhe botë dhe të tjerët kanë simpati për neve, mirëpo unë këtu po e shoh të kundërtën. Ata kanë filluar të na urrejnë.
Kur flasim për përkrahjen që Kosova do ta ketë nga bota, ne duhet që ta kemi shembullin e Bosnjës. Propaganda se ne po na përkrah bota është një mashtrim që i bëhët popullit për ta vënë në gjum, ashtu sikur edhe ai për Maqedoninë, para se ajo të njihej duke thënë se shqiptarët asgjë nuk humbin e të ngjashme.
I kemi vëllezërit tonë që jetojnë në trojet e veta në Maqedoni dhe ata i kanë dy parti (po duhet me thënë dy, se janë bërë tri). Kryetar i njërës është djali i axhës sim, Ilaz Halimi, po unë mendoj se që të dyjat e kanë tradhtuar interesin kombëtar. Njohja e Maqedonisë pa asnjë kusht, dhe me arsyetimin se „shqiptarët nuk hupin asgjë në Maqedoni“ për mua është një tradhëti kombëtare. Pse duhet të jenë shqiptarët në Maqedoni faktor stabiliteti? Kjo Maqedoni ua ka prishur muret e oborreve shqiptarëve, kjo Maqedoni u ka vënë tatim për fëmijën e tretë shqitarëve. Kjo Maqedoni i ka lënë me vjet edhe pa emra fëmijët shqiptarë se nuk ka pranuar t’i regjistroj me emra shqip, kjo Maqedoni dhe ky Gligorov, n’e dash komunist, n’e dash demokrat…“
E thithë cigaren me nervozë, e ngritë një gëllenjkë çaj dhe tretet për pak në mendime.
Ti, Rexhep Halimi, po i kritikon të gjithë, po unë ty po të pyes sikur ti të ishe në vend të Ibrahim Rugovës dhe Sali Berishës çka do të bëje?
„Unë po të tregoj drejt, popullin do ta kisha futur në luftë se vetëm lufta e bashkon këtë popull të ndarë e të përqarë.
Së pari në konferenca ndërkombëtare nuk do t’i kisha que nga pesë delegacione, por vetëm një delegacion. Evropës do t’i kisha thënë: me 1913 ma ke bërë me të pa drejtë me ndarjen e kufinjëve dhe tani ose zgjidheni drejtë problemin e shqiptarëve ose do të luftojmë pavarësisht nga çmimi. 7 milionë do t’i kishim dal mjaftë Serbisë, sepse ne i kemi të gjitha kushtet më të mira për luftë. Nuk jemi si Bosnja të përzier, por jetojmë në një territor etnikisht të pastër.“
Ne shtatë, ata tetë i them, po ai ma pret: „Ata janë pleqë, kurse ne jemi populli më i ri në Evropë, popull 26 vjeçar, po në fund të fundit cili shkrimtar ka thënë: “ja të vdesim ja me nderë të rrojmë.” Nuk duhet të pajtohemi me pozitën e të nënshtruarit…
Do të kthehemi prap te 81-ta. Unë besojë se Kosova ka djemë që do t’i prijnë popullit ashtu si edhe atëherë…“ – e përfundon bisedën Rexhep Halimi dhe përgatitet për të shkuar në punë në turnin e natës…

Lapidari i ngritur mbi varrin e atdhetarit Rexhep Halimi, në varrezat e Ferizajit.

============================

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura