MEHMET HAJRIZI: SHËNIME PËR VEPRIMTARINË E GANI SYLAJ (41)

Pashtriku, 1 mars 2020:
7.18 Gani Sylaj
I lindur më 14 janar 1952 në Kishnarekë të Drenasit. Ka mbaruar Shkollën Normale në Prishtinë dhe ka studiuar filozofi-sociologji në Universitetin e Prishtinës. Në arsim ka punuar mbi 10 vjet, kurse 4 vjet ishte drejtor i shkollës fillore në Kishnarekë. Pas Luftës ishte këshilltar dhe gjatë viteve 2002-2005, kryetar i kuvendit të Komunës së Drenasit.

I martuar dhe baba i pesë fëmijëve.
Jeton me familjen në Prishtinë.
Gani Sylaj ishte nxënës i atdhetarit, poetit dhe dëshmorit Fazli Greiçevci dhe nip i Sadik Vrellakut, veprimtar i çështjes kombëtare, nga shembulli i të cilëve u edukua dhe u frymëzua në rrugën e tij atdhetare.
Më 1971 fillon veprimtarinë patriotike të organizuar, fillimisht me Mustafa Ademin dhe Mehmet Hajrizin. Në fillim të vitit 1974 zgjidhet anëtar i Komitetit të Studentëve të GRK-së, kurse nga qershori i atij viti merr përgjegjësinë e anëtarit të Komitetit Drejtues të Organizatës.

Në Komitetin e Studentëve ka bashkëvepruar me Xhafer Shatrin, Rexhep Malajn, Hydajet Hysenin dhe Ilmi Ramadanin, kurse në Komitetin Drejtues, me Mehmet Hajrizin, Hydajet Hysenin dhe Kadri Zekën. Në celula ka punuar bashkë me veprimtarët Mustafë Ademi, Mehmet Hajrizi, Azem Syla, Jakup Krasniqi, Hamide dhe Haxhere Sylaj, Fehmi Plaku, Sherafedin Berisha, Muharrem Shaljani. Ai kishte përgatitur për anëtarësim edhe një varg veprimtarësh, si Rexhep Dugolli, Enver Dugolli, Maliq Vilaj etj., por nuk arriti për shkak të arrestimit më 1979.
Gani Sylaj ka vazhduar veprimtarinë si anëtar i Komitetit Drejtues deri më 21 dhjetor 1979, kur arrestohet bashkë me Mehmet Hajrizin dhe dënohet në Shkup me 6 vjet burgim. Në këtë proces gjyqësor ishin dënuar edhe dy bashkëveprimtarë të tjerë të tij, Muharrem Shaljani nga Likova e Kumanovës, me 5 vjet burgim dhe Haxhi Maliqi po nga Likova me 3 vite burgim.
Me 1981, pasi ishte zbuluar organizata në të cilën kishte vepruar, Ganiu nxirret sërish para gjyqit bashkë me veprimtarë të tjerë dhe dënohet me 15 vjet burgim.
Pas lirimit nga burgu vazhdon veprimtarinë politike legale në LDK dhe ilegale në LPK, duke u zgjedhur edhe kryetar i saj më 1991.
Në degën e LDK-së në Drenas ishte anëtar i Kryesisë, kurse në Zvicër ka qenë kryetar i Degës së LDK-së gjatë viteve 1996-1998. Ishte Kryetar i LASH-it për Drenas, anëtar i Kryesisë së Këshillit të Financave dhe anëtar i Komisionit të kontrollit të KQF-së të Kosovës.
Më 1998 u zgjodh kryetar i Degës për Zvicër të LBD-së.
Gjatë emigrimit në Zvicër (1994-2000), për shkak të ndjekjes policore u mor edhe me veprimtari të tjera, si në arsim (Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë), në Ministrinë e Arsimit të Qeverisë së Kosovës, në mbledhjen e ndihmave për Kosovën, duke qenë edhe kryetar i Këshillit të Emergjencës.
Më 1999 angazhohet në Fondin “Vendlindja Thërret” dhe në fillim të prillit 1999 hyn në radhët e UÇK-së, duke ushtruar përgjegjësinë e zëdhënësit të saj në Kukës. Ai ishte gjithashtu zëvendëskomandant i UÇK-së për Zonën e Veriut.
Në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës ishte Zëvendësministër për Emigracion.
Aktualisht është anëtar i Bordit të PTK-së.
VIJON…
_____________
MEHMET HAJRIZI: SHËNIME PËR VEPRIMTARINË E BINAK ULAJT (40)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=9693

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura