SHKOLLA SHQIPE NË ZVICËR …

Shkolla Shqipe Zvicër/ Hapet edhe pika shkollore në Laufen të Kantonit të Basellandit!

… Nuk ka gjë më të bukur se kur Pavarësia e Kosovës festohet me hapjen e një pike shkollore. Siç ndodhi me 15 shkurt 2023 në Laufen të Kantonit të Basellandit.

Në foto: Mësuesja Taibe Meha me nxënësit e Shkollës Shqipe në Laufen të Kantonit të Basellandit

“Shkolla Shqipe” në Zvicër është bërë sinonim i suksesit, kryefjalë e përpjekjeve në rrugëtimin kombëtar, sa më shumë shkolla, aq më shumë nxënës dhe mësues në orët mësimore të gjuhës dhe kulturës kombëtare. A ka gëzim më të madh se në prag të festës së Pavarësisë së Kosovës të hapet një pikë shkollore, e cila bënë bashkë fëmijët shqiptarë nga të gjitha trojet, të cilët me familjet e tyre jetojnë në Laufen të kantonit të Basellandit.

Dhe kjo e mërkurë e datës 15 shkurt 2023 solli buzëqeshje në fytyrat e këtyre vogëlushëve të cilët të lumtur, të gëzuar u ulën në bankat shkollore të “Shkollës Shqipe” në Zvicër, duke e rritë jo vetëm numrin e nxënësve por edhe duke u përkushtuar, që sa më mirë ta mësojnë gjuhën amtare. Çdo gjuhë është vlerë e shtuar por gjuhën e nënës nuk e zëvendëson gjë.  Ajo ka kuptim ndryshe, ka domethënie tjetër, prandaj është obligim moral dhe kombëtar i prindërve që të kujdesen në këtë drejtim më shumë për fëmijët e tyre.

Edhe pse klasa ku zhvillohej mësimi, ishte një klasë e vjetër ajo u zbukurua nga fëmijët shqiptarë, të cilët me buzëqeshjen e tyre herë shikonin librat dhe herë mësuesen duke dhënë një shenjë se ishin të gatshëm të fillojnë betejën e madhe me shkronjat e shqipes. Edhe mësuesja me vështrimin, me gatishmërinë e saj, dukej se po i thonte, që së bashku në këtë rrugëtim do të dalin faqebardhë. Dhe këtë gëzim e përjetuam edhe ne që ishim prezent në klasën e shkollës shqipe në Laufen. Gëzimi ishte i pa përshkruar nga të gjithë, por edhe nga prindërit të cilët i shoqëronin fëmijët e tyre deri te dera e shkollës.

Edhe pse ditë shkurti, dielli kishte pushtuar këtë qytezë, një diell që ngrohte zemrat e nxënësve që kishin përqafuar me aq dashuri librin e gjuhës shqipe. Nora, Ayani, Isaku, Aulona, Lijana, Suad, Hana, Tara, Era, Edioni, Meriem, Melek, Jon, Aylin, Hira, Selma e shikonin mësuesen me një gëzim të veçantë sepse për ta dhe bashkëmoshatarët e tyre kishte filluar një ditë e re, një ditë ku ata do të mësonin edhe gjuhën shqipe.

Një angazhim në shërbim të arsimit shqip, në shërbim të shkollës shqipe, koordinatori i “Shkollës shqipe” në Zvicër, Vaxhid Sejdiu, së bashku me mësuesen Taibe Meha dhe nxënësit e shkollës shqipe në Laufen, të lumtur me librat në dorë.

Dhe fare në fund duke ju dëshiruar nxënësve dhe mësueses suksese pafund urojmë dhe apelojmë te të gjithë bashkatdhetarët që fëmijët e tyre t`i dërgojnë në shkollën shqipe.

“Shkolla Shqipe” – Zvicër

Sektori për informim

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura