SHOKU YNË FADIL VATA

SHOKU YNË FADIL VATA

Nga Ramadan Avdiu, 25 prill 2022

Në shtator të vitit 1984, nga burgu i Mitrovicës na transferuan në burgun e quajtur Zabela afër Pozharevcit, Afrim Zhitinë, Ilaz Zhitinë dhe mua, kurse nga burgu i Pejës Adem Grabovcin dhe Nuhi Muhadrin.

Fillimisht na vendosën në karantinë, ku duhej të qëndronim derisa të na sistemonin nëpër pavijone. Nga karantina nuk mund të komunikonim me të burgosur të tjerë. Ata vetëm mund t’i shihnim nga distanca. Kishim dëgjuar se në burgun Zabela të Pozharevcit ka shumë të burgosur politik shqiptarë. Por, për më shumë se dy javë nuk e dalluam asnjërin prej tyre.

Një ditë derisa po qëndronim duke bisduar Afrim Zhitia, Adem Grabovci dhe unë, na u afrua një i burgusur me shtat të gjatë e thatanik, me fytyrë të mprehtë e shikim të thellë, i veshur me uniformë dhe kapelë burgu. Ai morri një qëndrim gati ushtarak. Rrezet e diellit i binin në fytyrë dhe mezi ia dallonim mustaqet. Vendosi dorën si strehë mbi ballin e tij që të pengojë rrezet e diellit të cilat i binin në sy. Pasi qartësoi shikimin, me buzën në gaz duke na u afruar me shumë humor na u drejtua duke thënë: “Shihe shihe, a ju doni ta çlironi Kosovën a”?!

Duke u përqafuar, na tha se unë jam Fadil Vata, jam i vendosur në pavijonin numër V, bashkë me shokët  Nezir Myrtaj, Imer e Behajdin Hasanin dhe Skender Ibishin. Nepër të gjitha pavijonet ka të burgosur politik shqiptarë. Besoj se shpejt do të ju sistemojnë nepër pavijone dhe do të mund të komunikojmë më lirshëm, sepse për këtë bisedë po na panë, mund të ndëshkohemi unë dhe ju… Por, meqë ka dy javë që e dimë se keni ardhur, sot rrezikova të ju flasë në shpejtësi, sa për të ju njoftuar se nuk jeni vetëm dhe të ju dëshiroj mirësardhje në këtë kamp përqëndrimi të fashizmit jugosllav…

Ky ishte takimi i parë njohës me Fadilin, me të cilin  gjatë kohës sa kemi qëndrauar në të njejtin burg kemi ndarë shumë momente, kemi pasur shumë debate rreth mënyrave të vazhdimit të luftës dhe  angazhimit të organizuar në rezistencë antipushtuese pas daljes nga burgjet. Praktikisht ne filluam të organizohemi në rrethana burgu për të vazhduar angazhimin çlirimtar pas përfundimit të dënimit…

Fadili ishte ai që kujdesej të na sigurojë librat që ishim të intersuar t’i lexojmë, sepse më së shumti kohën e kolonte  në bibliotekën e burgut. Biblioteka e burgut të Pazharevcit ka qenë e pasur me libra dhe falë Fadilit i gjenim të gjitha veprat që i kërkonim. Përveq kësaj ai e mbante një evidencë për të gjitha librat që i kishim në dispozicion brenda burgut, sapo pranonim një libër nga familjarët, ose në ndonjë formë tjetër, ai e shtonte në katalogun e tij…

Trajtimi johuman dhe kushtet thuajse mesjetare në burgjet nepër të cilat kishte kaluar Fadili, kanë ndikuar në shëndetin e tij. Në vitin 1986, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore e dërguan në spitalin e burgut në Beograd ku u operua nga një sëmundje malinje në mushkëri.

Në vitin 1987, Fadili u doli nga burgu i Pozharevcit dhe menjëherë u angazhua në Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës. Për kohë të shkurtër ai u dallua si veprimtari më aktiv… Një vit më vonë nga burgu doli edhe Afrim Zhitia dhe bashkë me Fadilin u vunë në krye të organizimit të fshehtë antipushtues.

Në shkurt të vitit 1989, dola nga burgu i Zajeçarit. Kur arrita në shtëpi në Prishtinë, aty ndër të tjerë ishin duke më pritur edhe Fadil Vata, Afrim Zhitia dhe  Bardhyl Mahmuti… Më njoftuan për gjendjen e krijuar në Kosovë, për represionin e pushtuesve dhe synimet e tyre për anulimin e asaj shkalle të autonomisë që e kishte Kosova, për gjendjen organizative të Lëvizjes etj…

Fadili duke më thënë se kemi shumë punë më pyeti: a mendon të na ndihmosh  në aktivitete antipushtuese… Menjëherë i thashë, që nesër jam i gatshëm… Dhe nga kjo ditë isha bashkë me Fadilin, Afrimin dhe veprimtarë të tjerë  në përpjekje për të rritur shkallën e organizimit antipushtues dhe në shumë aktivitete e protesta popullore të organizuara nga LPRK-ja…

Në shtator 1989, Fadili dhe Afrimi u rrezikuan seriozisht pas arrestimeve të disa veprimtarëve …

Në këtë kohë Fadilit i ishte rënduar gjendja shëndetësore. Kemi insistuar që ta nxjerrim në Zvicër për ta trajtuar sëmundjen. Nga fundi i Tetorit Ai do të shtrihet në spital në qytetin e Bazelit, ku për më shumë se pesë muaj luftoi me sëmundjen e rëndë të cilën nuk e përballoi dot.

Më 20 prill 1990, disa ditë para se të ndërroj jetë, nga posta në Prishtinë i telefonova në spitalin e Bazelit dhe sapo fola më njohu nga zëri. Ai më tha: Shoku bëre mirë që më thirre. Si ju shkojnë punët, si janë shokët… Fliste më ngadalë se rëndom dhe nga zëri vërehej se sëmundja e kishte rënduar …

Më duket se fundi im është çështje orësh. Migjeni ka ikur në këtë moshën time. Mbase kjo do të jetë biseda jonë e fundit. Po më bie ndër mend takimin e parë që kam pasur me Afrimin, Ademin dhe me ty. A të kujtohet më pyeti?!

Po, si nuk më kujtohet i thashë.  Më kujtohet si sot, në karantinë të burgut të Pozharevcit.

Atëherë bëra shaka dhe fjalët e para ju pata thënë: A ju doni ta çlironi Kosovën a?! E sot pa bërë shaka po ju them: vazhdojeni luftën, sepse ju do ta çlironi Kosovën. Më vjen shumë keq që nuk do të mund të jem dhe të rrugëtoj me ju në rrugën e lirisë. Të gjithë shokëve u përcjell të falat dhe porosinë time – vazhdojeni luftën. Më shumë nuk po kam fuqi të flas. Lamtumirë shoku im!

Unë i stepur shtrëngoja receptorin e telefonit dhe nuk e di nëse kam mundur të shqiptoj fjalën lamtumirë….

Ishte kjo biseda e fundit që kam pasur me Fadilin.

Më 25 prill vonë në mbrëmje në Prishtinë më erdhi kumti se Fadili na kishte lënë fizikisht, por gjithmonë ishte dhe vazhdon të jetë me ne që e njohëm dhe bashkëvepruam edhe sot 32 vite pas vdekjes së tij.

Shokun tonë, heroin tonë Fadil Vata, vdekja e shkëputi nga rreshti i çlirimtarëve, por ai ishte frymëzim e shembull përkushtimi për veprimtarët e çlirimtarët që vazhduan rrugën e tij.

Lavdi për jetë e mot jetës dhe veprës së heroit Fadil Vata!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura