SHOQATA ‘TRADITA’ NGA TETOVA I PËRKUJTOI NOLIN, GURAKUQIN DHE KONICËN

Pashtriku.org, 29. 03. 2015 – Shoqata për kulturë dhe art ,,Tradita”, më 27 mars 2015, organizoi Akademinë përkujtimore kushtuar kolosëve të kombit: Fan Noli, Luigj Gurakuqi dhe Faik Konica. Akademia u mbajt në nderim të 50 vjetorit të ndarjes nga jeta të Fan Nolit, 90 vjetorit të atentatit ndaj Luigj Gurakuqit dhe 140 vjetorit të lindjes së Faik Konicës.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art ,,Tradita”, Selam Sulejmani theksoi se përderisa në këtë muaj përkojnë këto tri data të rëndësishme, ne si shoqatë vendosëm që në përfundim të marsit ta organizojmë këtë akademi përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së këtyre tre kolosëve tanë.
“Emrat, veprimtaria dhe veprat e tyre lidhen ngushtë me kulturën dhe historinë tonë më të re. Këto personalitete të shquara punuan e sakrifikuan gjatë gjithë jetës për lirinë, u përpoqën pa reshtur për të vënë në lëvizje të gjitha kapacitet kombëtare e ndërkombëtare, duke ua bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve shërbimet më te çmuara në kohën dhe në momentin e duhur.
Për këto dhe njëmijë arsye të tjera, këto figura të ndritura meritojnë të kujtohen dhe nderohen me një vëmendje të veçantë nga të gjithë shqiptarët, sidomos nga studiuesit dhe intelektualët. Ata kanë hyrë si personalitete të dëshmuara në mbarë botën shqiptare dhe më gjerë, si njerëz të ditur, poetë, shkrimtarë, përkthyes, por mbi të gjitha si politikanë dhe diplomatë të papërsëritshëm të kauzës sonë”, deklaroi Selam Sulejmani.

Ai, po ashtu u shpreh se në këtë akademi përkujtimore nuk pretendojmë të themi përtej asaj që është thënë deri më sot; nuk synojmë të paraqesim diçka të veçantë nga ato që ju i keni lexuar, por kemi të gjithë obligimin dhe të drejtën ta përkujtojmë Nolin, i cili e ruante me dashuri gjuhën shqipe dhe ritet e zakonet e të parëve. Njeriun, që u bë shtylla kryesore e bashkimit të shqiptarëve në shoqërinë panshqiptare ,,Vatra” në SHBA, krijuesin, botuesin dhe përkthyesin e pashoq që shqipëroi disa prej kryeveprave të letërsisë botërore; Gurakuqin, figurën e tij poliedrike e madhore, diplomatin, gjuhëtarin, poetin e prozatorin, pedagogun, njeriun e kulturës, të pendës dhe të pushkës; Konicën, i cili me të drejtë konsiderohet si një fenomen në fushën e mendimit politik, publicistik, kulturor e arsimor përbrenda botës shqiptare.
Në këtë Akademi përkujtimore, për biografinë e pasur politike dhe atdhetare, veprimtarinë letrare, shkencore dhe përkthimet e Nolit, para pjesëmarrësve referoi profesor Xhelal Zejneli.
,,Fan Noli (1882-1965) ose Theofan Stilian Noli, ishte udhëheqës i spikatur i bashkësisë shqiptaro-amerikane dhe figurë e shquar poliedrike e letërsisë, e kulturës, e jetës fetare dhe e politikës shqiptare. Lindi në fshatin Qytezë (Ibrik Tepe), në jug të Edrenesë, në Turqinë evropiane, më 6 janar 1882. I ati, Stilian Noli, ishte një fetar i shquar dhe psalt në korin e kishës. Noli ndoqi shkollën e mesme greke në Edrene. Në vitin 1900 u vendos në Athinë, ku mundi të gjejë punë si kopist, sufler apo aktor. Me një shoqëri teatrore të atjeshme vajti në Egjipt. Në vitet 1903-1905 punoi si mësues i greqishtes dhe psalt i korit kishtar në Shibin el Khom, ndërsa në vitet 1905-1906 punoi si mësues në El Faiyum, ku ishte ngulur një koloni e vogël shqiptare. Këtu shkroi një numër artikujsh greqisht dhe e përktheu në greqisht veprën e Samiut ,,Shqipëria, ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhet”, të cilat u botuan në shtypshkronjën shqipe në Sofje”, tha profesor Xhelal Zejneli.
Në referatin e tij, profesor Xhelal Zejneli vuri në dukje se politika dhe feja nuk qenë të vetmet fusha ku ai bëri emër. Ai qe edhe dramaturg, poet, historian, muzikolog dhe sidomos përkthyes i shkëlqyer me një ndihmesë të konsiderueshme në zhvillimin e gjuhës letrare shqipe.
“Noli është edhe poet, ndonëse poezia e tij e fuqishme deklamative është e paktë. Ajo është përmbledhur në vëllimin me titull ,,Album”, Boston 1948. Vëllimi përmban poezi politike, që pasqyrojnë aspiratat dhe frymën kombëtare, si dhe ndjenja të zjarrta sociale e politike të viteve të njëzeta e tridhjeta të shekullit njëzet. Këtu janë edhe dy elegjitë ,,Syrgjyn vdekur”, poezi prekëse e shkruar në Berlin, kushtuar shkrimtarit dhe atdhetarit të madh Luigj Gurakuqi, të vrarë në Bari të Italisë, më 2 mars 1925, nga një agjent i Zogut. Elegjia tjetër ,,Shpella e Dragobisë” i kushtohet Bajram Currit, të vrarë në Dragobi, më 29 mars 1925, nga agjentët e shovinistëve serbë, të prirë nga Ceno Kryeziu. Në këtë vëllim janë përfshirë edhe poezitë prekëse me frymëzim biblik, si ,,Moisiu në mal” dhe ,,Marshi i Krishtit”. Ndihmesa kryesore e Nolit për letërsinë shqipe ishte si stilist, gjë që vihet re në përkthimet e tij. Ai mund të konsiderohet si njëri nga stilistët më të mëdhenj në dialektin e jugut, duke rreshtuar përkrah tij edhe Faik Konicën. Përvoja e Nolit si aktor dhe orator, njohja me gjuhët e kulturës botërore, me anglishten, me frëngjishten, me gjermanishten, me greqishten etj., i dhanë mundësi ta zhvillojë shqipen dhe ta ngrejë në shkallën e një gjuhe të përpunuar, të rrjedhshme e plot elegancë”, nënvijëzoi ndër të tjera në referatin kushtuar Fan Nolit, profesor Xhelal Zejneli.
Në përkujtim të nëntëdhjetë vjetorit të atentatit ndaj Luigj Gurakuqit, në këtë akademi, referat paraqiti profesor Abdulla Mehmeti. Ai, Lugj Gurakuqin e quajti figurë e shquar e lirisë dhe pavarësisë kombëtare.
“Luigj Gurakuqi është njëri ndër personalitetet më të shquar të kombit shqiptar, bashkë me Ismail Qemalin, Fan Nolin, Hasan Prishtinën, Nikollë Kaçorin, Isa Boletinin, Mehmet Pashë Derallën, Bajram Currin dhe të tjerë, të cilët asnjëherë nuk u ndanë nga fati i kombit e Atdheut. Në fillim të shekullit njëzet, lëvizja e Rilindjes Kombëtare i kishte zgjuar shqiptarët nga robëria shumëshekullore dhe përmes kryengritjeve të vazhdueshme dhe përpjekjeve politike e diplomatike, përmes luftës titanike me pushkë dhe me pendë, kombit shqiptar ia siguruan vendin e merituar mes popujve të lirë të Evropës, me shpalljen e Pavarësisë dhe veprimtaritë e mëvonshme atdhetare për konsolidimin e Shtetit Shqiptar. Luigj Gurakuqi, ishte poet, publicist, orator, gjuhëtar, hartues i teksteve shkollore, politikan, diplomat dhe tribun popullor; ishte një nga personalitetet më të shquara të lëvizjes kombëtare, arsimore e kulturore në fundin e Rilindjes Kombëtare dhe të Pavarësisë, i cili si rrallë kush i përjetoi ngjarjet më kulmore historike të kombit shqiptar në çerekun e parë të shekullit njëzet. Në shumicën prej tyre qe pjesëmarrës, madje ndër organizatorët dhe drejtuesit kryesorë të tyre.”, deklaroi profesor Abdulla Memeti.
Sipas tij, krahas veprimtarisë atdhetare, Luigji për asnjë çast nuk do ta lëshojë pendën nga dora. Më 1906, në Napoli do ta botojë veprën “Vargënimi n’gjuhë shqype me nji fjalorth shqyp-frengjisht n’marim”, me të cilën bëri përpjekjen e parë të suksesshme për kodifikimin e metrikës së poezisë shqipe. Po atë vit e botoi në Bukuresht librin “Abetare e vogël shqipe me alfabetin e Shoqërisë së Stambollit me shpjegime në dy dialektet”, ndërsa në Napoli e botoi “Fjalorin Shqip-Frëngjisht e Frëngjisht – Shqip të fjalëve të reja”.
Faik Konica është personalitet i shquar i letërsisë dhe i kulturës shqiptare dhe evropiane. Ai është figura qendrore e epokës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e kulturës, letërsisë, politikës, kritikës letrare, publicistikës, si dhe diplomat dhe veprimtar politik, tha ndër të tjera prof. dr. Ejup Ajdini në referatin e tij kushtuar veprimtarisë së këtij personaliteti të shquar të kulturës shqiptare dhe evropiane.
“Faik Konica zhvilloi veprimtari të gjerë kulturore, letrare, publicistike dhe shkencore. Ai shquhet edhe me veprimtarinë e dendur diplomatike. Në fushën e publicistikës, që nga viti 1896 angazhohet me tërë qenien e vet për botimin e organeve të ndryshme publicistike. Kontributi i tij si poet, prozator, kritik letrar, pamfletist dhe si përkthyes është shumë i madh. Njëzet poezitë dhe prozat e tij poetike sajojnë një vëllim poetik, në të cilin trajton motive dhe tema të larmishme. Në kuadër të krijimtarisë së këtij krijuesi të famshëm shquhet sidomos proza e gjatë dhe eseistike, ku bëjnë pjesë: “Katër përralla nga Zullulandi”, “Shqipëria si m`u duk”, “Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit”, “Shqipëria-kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore” dhe shkrime të tjera”, “Çmimi i Revistës “The Jugde” etj. Në shkrimet për gjuhën dhe për letërsinë shtron për diskutim çështje të rëndësishme të shkencave gjuhësore dhe letrare. Në qendër të vëmendjes së këtij dijetari, i cili me të drejtë është quajtur “princi i gjuhës dhe i letërsisë shqiptare”, është zhvillimi dhe standardizimi i gjuhës shqipe, historia e alfabetit të shqipes, themelimi i gjuhës letrare (të veçojmë punimet ,,Abetari shqip”, ,,Për gjuhën”, ,,Dialektet e Shqipërisë dhe nevoja e shkrirjes së tyre”, ,,Përparimi i shqipes”, ,,Për themelimin e një gjuhe letrare”, ,,Ese për gjuhët natyrore dhe artificiale” (botuar në Bruksel, më 1904 në gjuhën frënge, prej 147 faqesh), ksomblën e kësaj vepre e zbuloi Luan Starova në bibliotekën shtëpiake të Gijom Apolinerit, në kuartin latin të Parisit). Konica si kritik letrar i vë bazat e kritikës letrare dhe e afirmon atë në planin kulturor dhe shkencor”, theksoi prof. dr. Ejup Ajdini.
***
Në këtë akademi përkujtimore u mbajt edhe një program i begatshëm artistik, ku perfermuan artistë të njohur të skenës shqiptare, si: Nita Lumani-Zenuni, Elita Zyberi, Leotrim Zejnullahu, kurse studentët e Fakultetit Filologjik të Universitetit Shtetëror të Tetovës recituan disa poezi të zgjedhura nga Noli, Gurakuqi dhe pjesë nga proza e Faik Konicës.

Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” – [email protected].
Tetovë, 27 mars 2015

 ……………………………………………………………..

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura