SHPËTIM DODA: MOIKOM ZEQO, “GRISHJA E FLORIMONTIT”, LIBRI I TJETËRLLOJTË NË LETRAT SHQIPE (2004)

Pashtriku.org, 15 shtator 2017: Para pak kohësh, bibliotekës së lexuesit shqipfolës iu shtua edhe libri Grishja e Florimontit i Dr. Moikom Zeqos.
Nga këndvështrimi i ndërlikueshmërisë artistike, ky libër bashkëndan në mënyrë koherente të njëjtin brumim, të njëjtin mozaik të ngjeshur stilistik, si dhe… të njëjtën “befasi habitore”.
Moikomi tek ky libër është shkrimtari që filozofon, ose historiani, që metaforizon.
Për të ka një pyetje të vijueshme dhe të pashmangshme: përse ekziston diçka në vend të një asgjëje fillestare, parake?
Duke vëzhguar universin ne themi: përse ndodh kjo gjë në vend të diçkaje tjetër dhe përse ne të gjithë ekzistojmë në vend të asgjësë, që na rrethon?
Miti i kalorësit Florimont, djali heroik i Dukës së Durrësit a është i vërtetë?
Dhe pse është i vërtetë?
A mundet, që subjekti antik të mesjetarizohet, apo edhe të modernizohet imagjinativisht nga një autor me ndjeshmëri shqisore sui generis si Moikomi?
Si të gjithë librat e tjerë të Moikom Zeqos, edhe “Grishja e Florimontit” konceptohet dhe lëndësohet me të njëjtin konfiguracion të “çuditshëm” artistik.

Libri lëviz brenda dimensionesh tekstore, në metamorfozë të vazhdueshme, e rrokshme kjo, në një shumësi marramendëse zhanresh letrarë e artistikë, që rreken të konfigurohen më së shpeshti si protokolle dhe regjistra dekonstruksionaliste alla derridiane, me një sistem simboliko-metonimik ndër plasaritje dhe shkapërderdhje të vazhdueshme.
Sikundërse veprohet edhe në veprat e mëparshme, edhe në këtë “roman hibrid”, që i kapërcen katërcipërisht kufijtë e “një subjekti polimorf”, Moikom Zeqo gërsheton dhe ndërlikon një shumësi pistash e historish, nga më të larmishmet, shumëfishon përqasjet e zeron paq, jo pa ironi, koordinata kohë-hapësinore, ndryshimet thelbësore mes karaktereve e personazheve të shumtë, që lëvizin nëpër fijet e tekstit mendor si të endeshin nëpër udhë të padukshme epokash, shekujsh, vitesh, a ditësh.
Përafron, përplas e vendos në një marrëdhënie gati baraspeshë humbamendjen dhe mbamendjen, urtësinë, shpresat dhe zhgënjimet, të vërtetat e epërme dhe trillet artistike.
Porse, kjo ngjashmëri “strukturore”, që veprojnë mes veprave të Moikom Zeqos nuk lipset marrë assesi si një “busull” interpretative për zbërthimin e librit Grishja e Florimontit, por edhe si kriptologji.
Çdo përqasje leximtare, a kritike që do ta merrte pikënisjen nga kjo ngjashmëri “strukturore”, e cila në teoritë letrare vështrohet thjesht si koherencë poetike, shumë shpejt do të gjendej i humbur brenda një shumësie përthyerjesh imagjinare dhe pasqyrash artistike, që gëlojnë brenda labirintit moikomian, i cili shfaqet hera-herës me përmasat e një galaktike planetare.
Për rrjedhojë, pas një qorrollitjeje brenda kësaj galaktike shenjash, simbolesh, paradigmash dhe asociacionesh të “çuditshme” e rrëshqitëse, lexuesi detyrohet t’i kthehet sërishmi veprës, i vetëdijesuar tashmë se brenda kontureve të saj gjendet ndërgjegjja e shkrimtarit dhe të vërtetat e vetë veprës, të pasqyrta dhe të përthyera zig-zagshëm.
Ndaj tyre, autori tregon një përkujdesje mend si të ishin bija, fryte të një lindjeje alkimike; në fund të fundit, krijesa, truptha misterikë të lindur, jo nga farëjeta, por nga fjala.
Sinteza e një mesjetarologjie lidhet me kultin kalorsiak të Florimontit. Moikom Zeqo spektrizon romanin në vargje të frëngjishtes së vjetër të shekullit XII të Amon De Varanezit.
Me optikën e Vicos dhe të Joyce-it Zeqo shumëfishon stilet zbërthyese të analizave të pafundme në limitet e tyre të leksikut.
Po të mos harrojmë se limitet edhe mundësojnë, jo vetëm mohojnë, por edhe pohojnë, hapin shtigje mendore të imagjinatës, të kombinimeve mozaikore të trillit krijues.
Kjo përvojë moikomiane është pa të dytë në letrat shqipe.
Florimonti i Moikomit është kështu një shëmbëlltyrë, ose monadë.
Në këtë libër, sikundërse edhe në librat e mëparshëm, Moikom Zeqo nuk i lë tjetër frymëmarrje lexuesit përpos se ndonjë suspense, e krijuar mbi skemën e romaneve kalorësiakë; e kundërshton Kritikun, i cili merr mbi vete rolin e “mbartësit” të së vërtetave estetike; luan me Filozofin, i cili merr mbi vete rolin e “zbërthyesit” të vetëm të qenies; ironizon hapur me Shkrimtarin, i cili merr mbi vete rolin e të qenit kujtesa e vetme dhe e njëmendtë e historisë njerëzore; e shndërron në pluhur, në një grusht hijesh e pulsionesh shkaramendëse dëshirën e njeriut të sotëm për t’u ndërhullur mjegullishtave të vipizmit, duke e parë këtë dukuri dhe shtresë të re shoqërore thjesht si një onirizëm donkishotesk, ose xhojsian.
E përpos tyre, kundërshton edhe imazhin e tij gjithsa herë që rrezikon të ngrihet në dogmatizëm, apo demagogji të zbrazta e boshe, madje e braktis e ngarend drejt një imazhi të ri, një imazhi të kohërave të skalitura.
Mistifikues dhe demistifikues njëkohësisht, në këtë libër Moikom Zeqo na shpalos përkrah Kujtesat e Plagosura, që ulërijnë piskamshëm, aq sa shurdhojnë edhe shekujt, duke na kujtuar në të njëjtën kohë sesi Harresa është një prej modaliteteve të vetë Kujtesës.
Është kujtesa e ekzistencës së Harresës, çka Raimondo Lullo e shpreh në mënyrë të goditur dhe plot domethënie: “një ditë dashurori e harroi dashuroren; por ditën tjetër u kujtua se e kish harruar”.
Krahas sa më sipër, ndryshe nga librat e tjerë, në faqet e këtij libri që i rrëshqet paq çdo gjinie të mirëfilltë letrare, për t’u shpalosur përpara syve të lexuesit si një formë parake e shkapërderdhjes dhe kriptologjisë së shenjave dhe imazheve, Moikom Zeqo duket se na ofron për të parën herë një “çelës”, një “formulë” ndihmëse për deshifrimin dhe zbërthimin e atij sistemi digjital të koklavitur metaforash dhe imazhesh, që formësojnë librat e poetikën e tij artistike.
Është një “formulë”, në mos magjike, fare pranë “magjikes”, përmes të cilës çdo lexues mund të zbërthejë pa vështirësi ligjësitë e thurimit artistik të asaj çka me të drejtë mund ta quajmë si “planeti” moikomian, të fshehtën dhe rregullat e tij të lojës.
Një formulë, e cila tingëllon: “sintaksa jemi ne”.
Çka do të thotë se bota si tërësi kombinimesh e përvijimesh të marrëdhënieve ndërsendësore, në një mënyrë a tjetrën, përmes një pasqyre a tjetrën, na shpalos imazhin dhe thelbin tonë si qenie njerëzore.
Kuptohet “qenie njerëzore” edhe si “qenie historike”, por duke kapërcyer Rubikonin e kohërave për “qeniet interhistorike”.
Moikomi është mjeshtri virtuoz, i ndërlikuar i kapërcimeve, por edhe transformimeve subjektore, për të ngritur letërsinë vetiake mbi tërë subkulturat e tjera të shkrimit.
Tek detajet është e tërë metaforika e rasteve dhe fragmentariteti ngulmon për zulmën letrare të realiteteve banale dhe profane.
Pra, Moikomi bën sublimin e fjalëve dhe sintezat e së ndërlikuarës, shpesh edhe okulte dhe të pashfaqëshme dot. Sepse Moikomi është Moikom…

2004

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura