Elife Podvorica Jashari: Për Nexhmije Pagarushën!

Prishtinë, 7 shkurt 2021: Në TV21 në Prishtinë, ishte organizuar një emision kulturor, ku protoganiste fund e krye ishte figura e zonjës Nexhmije Pagarusha!
Ishin të ftuar shumë mysafirë të cilët në një formë o një tjetër, kishin të bënin me jetën dhe veprimtarinë e zonjës Nexhmije, e cila edhe pak ditë do të mbushë përvjetorin e saj të vdekjes!
Fillimisht dua që të përgëzoj autorin e emisionit z.Visar Peja për idenë e emisionit si dhe vullnetin e tij që, të shpalosë profilin e saj artistik përmes të ftuarëve që kishte në emision!
Mysafirët me entuziazëm shpalosnin gjithë çka kishin për të thënë rreth figurës së saj, në aspektin profesional, por edhe privat të saj!
Përgëzoj përzemërsisht dy zonjat që i kishin ndejtur Nexhmijes afër deri në frymën e saj të fundit, duke treguar kështu një humanizëm dhe një afrimitet të veçantë-ashtu siç ka nevojë njeriu në vitet e fundit me të cilat përmbyllë ciklin e tij të jetës!
Përgëzoj gjithashtu znj.Shpresa Berisha që me një emocion të veçantë rrëfeu për miken e saj të skenës dhe miqësinë e saj në jetën e përditshme, sidomos pas kthimit të saj në Kosovë.
Ajo për hir të modestisë që kishte, por edhe për shkak të hapësirës në emision si dhe respektit ndaj mysafirëve tjerë, u mundua që me disa fjali të përmblidhte gjithë periudhën e miqësisë së saj me znj.Nexhmije, e cila periudhë zinte një hapësirë vitesh prej disa dekadash edhe në skenat e përbashkëta, por edhe në përditshmëri!

Shpresa Berisha dhe Nexhmije Pagarusha

Të gjithë ata që patën fatin ta përjetonin live nëpër këto podiume artistike, mahniteshin nga zëri i saj, por edhe nga figura e saj që ishte poaq interesante sa edhe paraqitejet e saja skenike prej një artisteje të vërtetë, e cila me mjeshtri dinte të kombinonte dukjen e saj me artin interpretues, i cili mbetej gjatë në kujtesën e njerëzve, qofshin ata shqiptar apo të huaj-rrëfeu Shpresa mbrëmë tërë emocion për të shpalosur profilin e mikes së saj me një oratori prej një intelektualeje të vërtetë!
Profilin e saj artistik, e shpalosi mbrëmë edhe z.Sami Piraj, i cili me përkushtim dhe aftësi të veçantë analitike,shikuesin e gjërë e informoi me të bëmat krijuese në znj.Nexhmije!
Sepse, për të folur për Nexhën në sensin profesional të fushës së saj, duhet të jesh një ekspert që e njeh mirë aftësinë e saj vokale, segmentin artistik dhe bashkëpunimin e saj me krijuesit muzikor të kohës, aktivitetet e saja artistike si dhe aftësinë e saj profesionale për ti realizuar ato!
Nga mysafirët natyrshëm erdhi në shprehje edhe figura e z.Regjo Mulliqi i cili ishte kompozitor i shumë këngëve të Nexhmijes! Bile, u vu në pikpyetje se a do të ishte kompozitori në fjalë, ai që ne e njohim sot, sikur të mos ishte Nexhmija ajo që do ia interpretonte këngët në ngjitjen artistike me të cilat ajo dijti dhe mundi t’i realizonte!
Mendimi im lidhur me këtë, është se Rexho Mulliqi me këngën e “Bareshës”bëri diçka monumentale!Duke njohur kualitetin e zërit të Nexhmijes, ai dijti që tërë thesarin e vokalit të saj , ta fus në funkcion të tingujve muzikor, duke shpalosur tërë ambitusin e saj të gjërë i cili shtrihej skajshëm nga tingujt profondo të altos e gjer në ata tinguj sopranesk që Nexha i “qante” me kthjelltësinë e tyre , por që ruanin edhe timbrin e tyre tejet karakteristik! Zaten, Nexhmija këtu e ka gjithë magjinë e saj, pikërishtë në ngjyrën e zërit në të cilin duket se janë mpleksur gjithë puhizat pranverore të vendlindjes së saj Pagarushë!Gjersa dëgjon tingujt e ulët me të cilët fillon kënga e Bareshës, ke ndjesinë se në tingujt e saj kanë zënë fole gjithë jehonat e lashtësisë shqiptare, për tu davaritur kështu përmes tingujve të regjistrit të mesëm në ata më të lartit, me të cilët të duket se je duke dëgjuar gjithë nostalgjinë e këtyre trojeve , gjëma e të cilave kapërcen ngjyrat e ylberit dhe merr vezullimën e yjeve , ashtu siç jehonte zëri i saj magjik duke krijuar drithërimë ritmesh që vështirë se mundet dikush t,i përsërisë sot në aspektin profesional,ashtu siç kërkon kënga e mveshur kryekput me motive aq të begatshme autoktone shqiptare të trojeve të Dardanisë së lashtë, të cilat kompozitori R.Mulliqi i “shkundi” magjishëm nën ritmin e tingujve të ëmbël muzikor –ashtu siç ishte ëmbëlsia e zërit të znj.Nexhmije!
“Baresha “ e z.Mulliqi dhe mënyra e interpretimit nga ana e Nexhës, për mua është një Arie operistike që kërkon aftësi tekniko-vokale dhe frymë interpretuese që vetëm Nexha diti dhe mundi të bëj!
Ajo që dua të them është se takimi i këtyre dy virtuozëve muzikor, pra i znj.Nexhmije dhe z.Rexho Mulliqi, ishte një fat që shëndriti dyanshëm! Dy artistët e përmbushën njëri-tjetrën në mënyrë mitologjike për të lënë kështu gjurmë të arta në thesarin e muzikës autoktone shqiptare dhe duke i ngritur ate në piedestalin më të lartë artistik!
Absolutisht nuk është e rëndësishme se cilën gjuhë fliste z.Mulliqi ! Rëndësi monumentale ka krijimtaria e tij shqipe me të cilën ai la një opus aq të pasur e të ngjeshur vlerash krijuese!
Ndërsa znj.Nexhmije i përjetësoi pavdekshmërisht me zërin e saj të bylbylit.
Kështu pra, kemi të bëjmë me dy artist krijues, që fati i poqi në të njëtën kohë dhe bënë mrekulli në fushën e muzikës artistike shqiptare!
Andaj jemi koshient ne gjeneratat që erdhëm pas saj, se Nexhmija është idhull i papërsëritshëm!
Gjithashtu jemi krenar që u rritëm nën tingujt dehës të zërit të saj- unik në përjetësi!
Krejt çka dua të shtojë në fund, është që popujt që nxjerrin figura të tilla si znj Nexhmije , duhet të jenë të lumtur dhe me dashuri të amshueshme t,i kujtojnë ata , ashtu siç bënë mbrëmë të gjithë të ftuarit në emision!
Faleminderit TV21!
P.S.Mendoj që ftuarja e z.Ardit Gjebres në një emision ku do të flitej për figurën e znj.Nexhmije, do ta begatonte shumë atë! Të shpresojmë që herave tjera autorëve të emisionit do të u kujtohet një ftesë e tillë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura