SHPIRAGUN E TËKURRË KOMPANIA, POR E ZMADHON POLITIKA DHE QEVERIA, KUSH DUHET BESUAR?
Nga Isuf Tushe, Inxh. Gjeolog Nafte, Doktor i Shkencave Gjeologjike
Kronologjia e disa deklaratave pikante politike rreth zbulimit të naftës në Shpirag
Ka vite që flitet shumë në konferenca shtypi apo intervista brënda dhe jashtë Shqipërisë se lajmet janë të mira, me siguri para kohe por ashtu e duan fushatat zgjedhore, mbi zbulimin e naftës në Shpirag, që shtrihet në “Bllokun 2 dhe 3 të Kërkimit”. Flitet më shumë nga qeveria e pas 2013 dhe “specialistët” në dikasteret kryesore të saj me ca terma jo teknik që nuk janë në fjalorin e naftës, se sa nga Kompania Shell që investon dhe kryen punimet. Gjithashtu po aq e zgjatur është heshtja e Opozitës parlamentare. Foli k/ministri Rama rreth 2 vite më parë tek sonda shpimit të Kompanisë “Shell”, se u zbulua një “det i madh nafte” . . . , dhe në konferencë shtypi me z. Mark Rutte, në Hollandë para pak muajësh, midis të tjerave theksoi se “. . . , sigurisht dhe me shpresë, presim me padurim një lajm të mirë në fillim të vitit tjetër fal një eksplorimi mjaft intensiv që Shelli po bënë në vendin tonë. N.q.se do të jetë kështu, atëherë do të kemi për të festuar jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin në këto kohë të vështira për energjinë dhe për burimet e reja” . . . Mund ta ndiqni në linkun: https://www.youtube.com/watch?v=yJ3mp4Vkd7Q
Menjëher pas tij, në 5 Korrik 2022, në një intervistë për Euronews Albania, “kryegjeologia” e dikasterit të ministrisë, Melinda Balluku, deklaroi se: “Sot, në fazën finale të eksplorimit deri në mars të vitit 2023, pritet të ketë një analizë të hollësishme të mënyrës sesi ky hidrokarbur do të dalë nga nëntoka. Pra, që Shell ka goditur tashmë një artierie shumë të rëndësishme, e cila është e përbër nga naftë dhe gaz, ky është një fakt” . . . . Fakt apo Propogandë?, që vazhdoi në Dritare TV, me intervistën e tij, ish “eksperti” hidrokarbureve në atë dikaster z. S. Dhima ku deklaroi se: . . . , “tashti ne nuk e dimë këtë si do jetë, por ai fakti që kemi disa mijra fuҫi/ditë do të thotë që sasitë do të jenë disa qindra-mijra-milion ton/vit” . . . . Këto mund ti ndiqni në linket përkatës: https://www.gazetatema.net/ekonomia/shell-ka-zbuluar-nje-arterie-te-rendesishme-nafte-dhe-gazi-thote-balluk-i345800?fbclid=IwAR0Pz-9DjZkyycTDk86Ih3qFJh0VaC3xesE5Upj_s50nYo-zz9hkg0VJ2MU
E vërteta është se atje deri atëherë, pas 21 vitesh nga viti 2001, kur Kompania OXY deklaroi zbulimin me pusin e parë Shpiragu-1 dhe Kompania SHELL ka deklaruar rezultate pozitive në 2 puse, Shpiragu-2, 4, gjithësej janë 3 puse pozitiv në një sipërfaqe shumë të vogël. Pusi Shpiragu-3 ishte ndërprer dhe në shpim ndodhej pusi Shpiragu-5, rezultati i të cilit pritej nga kompania dhe me padurim nga qeveria, por tani me sa po kuptohet nuk duhet të jetë mjaftë i kënaqshëm sipas pritëshmërisë së tyre.
Kompania Shell, që disponon gjithë të dhënat dhe duhet ta thotë fjalën e saj me kompetencë teknike të plotë flet shumë pak mbi realitetin dhe është shumë e vetëpërmbajtur në ato që deklaron. Edhe kaq sa thotë, me sa kuptohet, më tepër e shtynë qeveria, sepse i duhet për propagandë dhe mashtrime që të mbajë sa më gjatë pushtetin për të mbuluar masakrën e madhe që bëjnë konҫesionarët me koloninë e hajdutëve të kupolës politike në vendburimet ekzistuese të naftës, që i vjedhin dhe shkatërrojnë ҫdo ditë si mall pa zot, ndërsa qeveria hesht duke i lënë ato në mëshirë të fatit. Po ashtu asaj i duhet për të justifikuar dhe shmangur përgjegjësinë mbi vendimin e gabuar, që mori me dëshirën e saj, për të shkatërruar një vepër strategjike siҫ ishte Uzina Përpunimit Thellë të Naftës (UPTHN) Ballsh, të cilën e ҫoi pako postale për SKARP. Po si mund ti bësh kaq reklamë dhe propogandë rezultateve ende të pa konsoliduara të naftëgazmbajtjes në Shpirag dhe të lejosh në heshtje të plotë vjedhjen dhe shkatërrimin e gjithë kësaj pasurie natyrore hidrokarbure duke ja falur grabitëqarëve për ti pasuruar me ҫdo kusht? Kjo nuk është gjë tjetër veҫse “ҫmënduri” e qeverisë dhe opozitës që bashkë drejtojnë dhe vjedhin Shqipërinë. Kjo ka vetëm një emër sabotim i heshtur i shtetit me pasurinë e popullit.
Pjesa e dytë e lojës
Pasi u thekën mirë në pushimet e verës, vazhdoi pjesa dytë e lojës, por me një ndryshim, zëvendësuan “ekspertin e hidrokarbureve” me zv/ministrin Ilir Bejtja për ta bërë më të besueshme propagandën, sepse dhe probabiliteti i suksesit, me sa duket, po bije. Jo shumë larg por në 22 Shtator 2022, vetë k/ministri Rama, në një intervistë nga Nju Jorku duke u lutur para “Priftit” Blendi Fevziu deklaroi se: “Unë uroj shumë, lutem përditë që zbulimi aq i rëndësishëm që ka ndodhur në zonën e Shpiragut të rezultojë komercial . . . . Është një sasi e madhe nafte dhe gazi zbuluar, por jo vetëm kaq, por për herë të parë në Shqipëri kemi një zbulim të një nafte me cilësinë më të lartë botërisht . . . . Shpresoj sepse tani kompania është duke parë, duke bërë analizat e komercializimit, që do të thotë zbulimi është i qartë por depozita është thellë dhe kostot e nxjerrjes dhe të komercializimit të saj janë më të larta se sa zakonisht. Dhe duke parë kostot dhe përfitimin, kompania do të vendosë nëse do të bëjë investimin apo jo. Është 50 me 50 si mundësi, por për shëmbull nëse ne do të kemi komercializim të asaj rezerve gjë që sipas planit mund të ndodhë në 2026, atëherë flasim për komplet tjetër gjë pastaj, atëherë Shqipëria hyn në një tjetër ligë vendesh dhe atëherë mund të flasim për komplet tjetër nivel pagash, komplet tjetër nivel pensionesh, etj., etj. Por këto janë gjëra që janë si të thuash magjia e historisë së një vendi” . . . Me sa duket ky vendburim, Shpiragu, do të jetë një “Lubi” e vërtetë, jashtë tokësor që do na “shpëtoj”!
Sipas tij, është zbuluar një sasi e madhe nafte dhe gazi, por ai uron dhe lutet përditë që ajo të jetë komerciale!. E ҫuditëshme, sepse komercialiteti, kur sasia hidrokarbureve është e madhe, paraprakisht dallohet që me studimin e pusit parë dhe vetëm mbas konturimit të plotë të vendburimit mund të flitet me një koefiҫient disi më të lartë sigurie mbi sasinë e rezervave dhe komercialitetin, që do të saktësohen në ecuri gjatë fazës së zhvillimit tij, por ne po shikojmë se në këtë fazë jemi shumë afër zbulimit, me dekada larg konturim-zhvillimit dhe analizave komerciale. Po ashtu na tingëllon qesharake shprehja se nafta na qënka me cilësi “më të lartë botërisht”, sepse tek ne janë zbuluar dhe shfrytëzuar, pa probleme, vendburime me thellësi mbi 4,000 metra dhe nafta me cilësi të ndryshme, nga kondensatet deri tek naftat e rënda bituminoze, që i përpunonte të gjitha UPTHN Ballsh. Të njëjta me ato që ka zbuluar dhe njeh literatura botërore. Pra, deri tani s’kemi asgjë të sakët por vetëm lutje pa adresë, zhurmë dhe propagandë mashtruese ofensive, për një rezultat të pritshëm që zbriti në kufirin e pasigurisë, 50/50%, i cili nuk është më aq shumë i sigurtë dhe përgjigja do të merret në 2026. Intervistën mund ta ndiqni në linkun
Në 13 Tetor 2022, sipas një shkrimi nga G. Hasani ku flitet për raportime në redaksinë e JOQ ALBANIA mbi lëkundjet e tokës në Berat dhe fshatrat përreth, d.m.th. për tërmete në zonën e Shpiragut që kanë vazhduar prej disa ditësh dhe përbëjn rrezik për banesat, por qëndra sizmologjike ka publikuar disa regjistrime si lëkundje tërmeti vetëm në këtë datë. Më herët, banorët kanë shpjeguar se Kompania Shell po bënë shpërthime në nëntokën e Malit Shpirag për të nxjerrë naftë, që kanë shkaktuar këto tërmete.
Në 21 Tetor 2022, sipas Gazetës Tema mbi një intervistë lidhur me Shpiragun në Euronews Albania, zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja, midis të tjerave theksoi se, “ . . . investimi në Shpirag ka një vlerë prej 600 mln eurosh dhe përdor teknologjinë më të përparuar për të nxjerrë naftë nga një thellësi mbi 5 mijë metra. Ka pasur rezultate intriguese, por akoma jo të konsoliduara. Nxjerra e naftës është një proces i vështirë. Në industrinë e naftës është procesi i vlerësimeve gjeologjike dhe sizmike që japin një panoramë për nëntokën. Ka filluar të nxirret një sasi nafte por që nuk është komerciale. Në 2028 pritet që nafta të jetë plotësisht komerciale dhe të arrijmë pritshmëritë e Shell për të nxjerrë 100 mijë fuçi në ditë”. https://www.gazetatema.net/ekonomia/kerkimet-per-nafte-ne-shpirag-zvministri-ne-2028-priten-100-mije-fuci-n-i360994
Po mirë more z. Ilir, meqënse atje nxirret naftë dhe gaz, sa shumë nxirret?; ku shitet dhe sa të ardhura sigurohen dhe sa po përfiton shteti ynë prej saj?; nuk na sqarove për rezultatin e shumëpritur në pusin Shpiragu-5, e përfundoi shpimin, u kompletua, u testua dhe cili është rezultati apo doli negativ? – sipas analizës shteruese, propagandës që po bëhet dhe termeteve, pusi është testuar dhe rezultati duhet të jetë jo i kënaqshëm!; sa janë investimet dhe shpenzimet operative të kompanisë, në total, cili është efektiviteti ekonomik i punimeve dhe a ka ndonjë llogaritje deri në këtë fazë? – sepse n.q.se ajo është jo komerciale deri tani, e tillë do të vazhdoj deri në fund! Sipas marëveshjes hidrokarbure dhe me këtë korrupsion shtetëror, në 2028 ku parashikohet të nxirren 100 mijë fuҫi naftë/ditë, a parashikohet të marrë fitim shteti dhe sa?; apo ai fillon pas disa viteve n.q.se koefiҫienti “R” do bëhet më i madh se 1? Sa për procesin e vlerësimit sizmik, në zonat gjeologjike të komplikuara, si Shpiragu, është njëlloj sikur ne të shikojmë parat e korrupsionit që kanë depozituar, në Bankat Offshore, hajdutët e fshehur si “aksionerë” nga qeveritë pas konҫesioneve në vendburimet ekzistuese hidrokarbure!
Le të përdorim pak llogjikën, pas 21 vite nga rezultati pozitiv në pusin Shpiragu-1, kompania Shell ka shpuar gjithësej 4 puse, afërsisht është kompletuar 1 pus në 5 vjet dhe rezultate pozitive janë marrë vetëm në dy prej tyre, Shpiragu-2 dhe 4, po të shtohet dhe pusi Shpiragu-1 koefiҫienti suksesit rezulton 60%. Ju deklaroni se në vitin 2028, Kompania Shell parashikon të nxjerrë 100,000 fuҫi naftë bruto/ditë. Po ti referohemi debiteve në puset e testuar që keni deklaruar ju “specialistët dhe ekspertët”, prej 1,000-1,500 fuҫi naftë/ditë, rezulton se për të nxjerrë këtë sasi nafte në ditë duhen të paktën 70-100 puse ose mesatarisht 85 puse pozitiv ose rreth 140 puse në total, me koefiҫient suksesi 60%. Me këtë ritëm punimesh edhe me koefiҫient suksesi 100% duhen të paktën 425 vite që të kompletohet numuri i puseve për të nxjerrë këtë sasi nafte në ditë!; me këtë ritëm po pranojmë se Kompania Shell mund të kompletoj 2 puse të rinj deri në vitin 2028 dhe në prodhim do jenë gjithësej 5 puse, të cilët duhet të prodhojnë 100,000 fuҫi naftë bruto/ditë ose 20,000 fuҫi/ditë për pus!; atëherë sipas jush a mund të realizohet ky debit?; ana tjetër ju si “specialistë dhe ekspertë” në fushën e “gjeologjisë dhe sizmikës”, sa e madhe është sipërfaqja rezervuarit naftëgazmbajtës në strukturën e Shpiragut?; dhe a ka atje mjaftë hapsirë për të shpuar 140 ose 85 puse?; sa do jetë koefiҫienti rënies vjetore të prodhimit nga puset në shfrytëzim?; dhe sa puse të rinj duhen kompletuar ҫdo vit që të ruhet shifra e prodhimit naftës që parashikon kompania?; po investimet dhe shpenzimet operative totale sa do jenë?; Po rezervat e naftës dhe gazit sa mendohen dhe për sa kohë do të nxirren?; cili është komercialiteti i këtij zbulimi?; a keni bërë ju apo kompania ndonjë llogaritje prognoz për këto parametra? Prandaj duhet patur pak kujdes me këtë shejtan “fuҫie”, sepse ajo ta bënë vezën të duket sa një shalqi!
Pas tij, sipas Axhensisë Telegrafike Shqiptare në 26 Tetor 2022, zv-k/ministrja Balluku deklaroi se: “Janë lajme që nuk i mbajmë dot dhe mos t’i ndajmë me të tjerët, por SHELL ka kërkuar t’i lëmë kohën e duhur që eksplorimi i tyre të përfundojë. Nga fillimi i vitit 2023 ata do të fillojnë të bëjnë publike sasitë e gjendura” . . . Ajo foli më tej për një “zbulim” të ri shkencor, “Në shpimet për naftë nuk duhet të biesh në shtresa guri gëlqeror se krijojnë vështirësi për shpimin dhe SHELL është përballur disa herë me thyerjen e kokave të pompës që ka kosto shumë të lartë, por rezerva është atje . . . Hajde, Hajde kush e drejton këtë dikaster të rëndësishëm!? Kjo i bie daullesë me opingë të grisur dhe fletë KODRA pas BREGUT. Një dreq e di se ҫ’farë thotë kjo me këtë “gurin gëlqeror dhe thyerjen e kokave të pompës”. Në fakt ajo është realiteti se Ministria e Energjisë me gjithë hallkat e saj deri poshtë në bazë, ashtu si dhe vetë qeveria, nuk kanë specialistë por janë mbushur plotë me hajdut dhe njerëz të paaftë, jo profesionistë, prandaj e katandisën Industrinë e Naftës në këtë gjëndje mjerane. Teatri vazhdoi dhe shfaqja u bë më zbavitëse . . . . “E vetmja gjë që po shihet në kohët e fundit është mënyra se si do të bëhet nxjerrja e kësaj rezerve”. . . “nëse kjo rezervë do të nxirret në të gjithë kapacitetin e saj, Shqipërisë do t’i duhet të krijojë një fond sovran që është një fond paralel jashtë buxhetit të shtetit, mbi të cilin ndërtohen projekte dhe paketa sociale që janë totalisht të palidhura me buxhetin e shtetit”.
“Fondet sovrane përdoren për projekte madhore, për reforma apo për të shtuar mirëqënien e popullit, si për rritje të pagave dhe gjithçka tjetër. Fondet sovrane udhëhiqen nga bordet ku vendosen njerëz të shquar në fushën e ekonomisë dhe financave. Të gjitha vendet e tjera që kanë fonde sovrane kanë kërkuar të kenë edhe ekspertë të huaj të ekonomisë e financave … Për Shqipërinë ky do të ishte një bekim. Ne jemi shumë afër një lajmi shumë të mirë për vendin dhe jemi duke u përgatitur me ekspertë të huaj për të përballuar një lajm të mirë. Më pas e ka radhën kontrata e kompanisë së madhe italiane në zonën e Dumresë që ka po të njëjtin probabilitet dhe kapacitete për t’u zhvilluar. Shqipëria do të bëhet një nga vendet më interesante për nxjerrjen e naftës dhe gazit duke qenë se të dyja depozitat, si ajo e Shpiragut, edhe e Dumresë kanë naftë dhe gaz”.
Analizë, Komente mbi Prononcimet dhe Premtimet për Dumrenë
Koha që k/ministri me tellallët e tij ri-hapën lojën me Shpiragun, përkon pikërisht me pritëshmërinë e lartë të tyre që varej nga rezultati i pusit Shpiragu-5, se gjoja ishte “faza finale” e kërkimit dhe Kompania Shell, në fillim të 2023, do bënte analizën sesi kjo sasi hidrokarburesh do të dalë nga nëntoka sepse thellësia depozitës na qënka e madhe dhe do bëhej një investim 6-7 miliard Euro. Tani sipas tyre, sasia e madhe e naftës dhe gazit me cilësinë “më të lartë botërisht” është zbuluar dhe kompania po bënë analizën komerciale, por meqënse depozita qënka thellë, kosto e nxjerrjes do të jetë më e lartë se zakonisht dhe sipas fitimit ajo do vëndos në se do investoi apo jo dhe n.q.se do investoi atëherë do flasim për një Shqipëri tjetër dhe mirëqënie të paparë që do “shpërthej” në 2026. Po ashtu, deklarata e zv/ministrit Bejtja për “rezultate intriguese por akoma jo të konsiliduara . . . . Ka filluar të nxirret një sasi nafte por që nuk është komerciale”, ankesat për tërmete rreth Shpiragut dhe loja me kohën kur nafta do jetë komerciale ku njëra thotë në 2023, tjetri në 2026 dhe zv/ministri në 2028, janë tregues se pusi Shpiragu-5 ka përfunduar shpimin, është kompletuar duke kryer edhe ҫarje hidraulike të fuqishme në rezervuar, por rezultati nuk duhet të jetë ai që pritej. Pra është vënë në dyshim ana komerciale, risku u rritë 50/50 dhe me sa duket parashikojn largimin e kompanisë, e cila mund të ketë filluar përgatitjet për tu larguar nga Shpiragu, sepse ndryshe do festonte Shqipëria dhe gjithë Rajoni!.
Eh, ju hapi punë ky Shpiragu këtyre mostrave, më mirë të mos ishte zbuluar fare, se po vuajnë shumë, në radhë të parë nuk po gjejnë dot mënyrën se si do ta nxjerrin të gjithë këtë rezervë që akoma se kanë zbuluar. Për këtë na u dashka që të krijohen ca fonde sovrane, bile që të jenë të pavarur, jashtë buxhetit shtetit, që do merren vetëm me “projekte madhore”, sigurisht hajdutërie. Por fondet sovrane na paskëshin borde për ti udhëhequr dhe për këto nuk paska as specialistë Shqipëria po na u dashka të importojm ca “ekspertë të huaj”, njërëz të shquar në fushën e ekonomisë e financave dhe paskan filluar përgatitjet!. Prandaj industria jonë e naftës shkoj për lesh se ne nuk paskeshim patur “specialistë” përpunimi për vendburimet, “ekonomistë dhe financierë” për të bërë llogaritë dhe e keqja më e madhe ishte se këta llojë nuk i importonim as dot nga jashtë se nuk na lejonte parimi socialist i “mbështetjes në forcat tona”. Ama, një gjë e tha sakët ministresha, na la të kuptojmë se si do që të përfundoj Shpiragu, ne duhet të presim, të durojmë, nuk duhet të mërzitemi, se Kompania Italiane ENI do zbulojë naftë në Dumre, pra propoganda politike, demagogjia dhe mashtrimet mbi popullin do vazhdojnë gjatë!
Po bëjmë ҫudi se ka rreth 3 dekada që nga vendburimet ekzistuese nxirren rreth 1.5 milion ton naftë/vit dhe konҫesionarët si kanë krijuar këto fondet sovrane, as bordet e tyre me “ekspertë të huaj”. Me sa duket këto i bëjnë vetë politikanët dhe qeveritarët hajdut që fshihen si “aksionerë” pas tyre, prandaj kompanitë konҫesionare “punojnë me humbje” se ata nuk i bëjnë mirë hesapet. Bile kjo do jetë edhe arsyeja pse qeveritë e pas 90’ i dhanë me konҫesion vendburimet se ne s’paskim pas specialistë për të bërë këto llogaritje!. Eh, e di që ajo ka të “drejtë” se ekonomistët në kohën tonë nuk dinin nga kapej lapsi dhe Shqipëria paska pritur nga ata të bënin këto “hesape speciale”, por ama një gjë të mirë ne e kishim se nxirrnim naftë dhe gaz, arka shtetit mbushej me dollar, nuk e njihnim korrupsionin, industria petrokimike dhe rafineritë punonin pa pushim, TEC-et prodhonin energji elektrike dhe ne nuk i njihnim krizat e energjisë. Teknologji e “vjetër” ishin në fakt, por punën e bënin tamam dhe naftat e rënda ishin, por ne eksportonim goxha karburante, po me atë tren që ҫon naftën bruto që vjedhin konҫesionarët dhe politikanët drejt portit të Vlorës, por ҫudi si i blenin këta të huajët, me siguri ata kanë prishur makinat!.
Shqipërinë nuk e bënë interesante zbulimi në Shpirag dhe as ai në Dumre, sepse ajo ka një perspektivë të qartë, shumë të favorshme për nxjerrjen e naftës dhe gazit. Këto faktikisht ndodhen në kuadratin perspektivë, ku janë zbuluar disa vendburime të fuqishëm me rezerva të konsiderueshme nafte dhe gazi në ranor dhe gëlqeror, ku këta të fundit janë vërtetuar edhe si shkëmbinjë naftë-gaz gjenerues. Ky kuadrat nuk u përcaktua apriori, as nga të huajët, por me studime të detajuara nga specialistët e Institutit Gjeologjik të Naftës Fier, janë kryer punime sizmike, studime vlerësimi, janë projektuar dhe shpuar puse të thellë kërkimi në të dy zonat, Shpirag dhe Dumre. Kjo nuk është një gjë e re për ne specialistët e naftës dhe po e mësojm sot nga ju me propogandën që po bëni me to se gjoja na qënkan të një rëndësie të veҫantë. N.q.se në Shqipëri do ishte vëndosur vërtetë një sistem demokratik dhe jo një bandë hajdutësh si ju që shkatërruat gjithë Shqipërinë, Industrinë e Naftës dhe Institucionet Shkencore të saj, sot këto dy zona do ishin në shfrytëzim të plotë dhe shteti do merrte fitimin për të zhvilluar ekonominë dhe rritur mirëqënien e popullit. Pra, Shqipëria jonë është e pasur me hidrokarbure dhe minerale të ҫmuara, prandaj ato nuk duheshin falur kompanive konҫesionare, por duhet ti kishim zhvilluar vetë ne specialistët shqiptar, me investime nga fitimet e tyre dhe me mbështetje ligjore nga shteti. Prandaj ne nuk kemi nevojë për propagandën politike të qeverisë apo beniaminëve të saj jo profesionist për të na treguar perspektivën dhe pozicionin intresant apo të favorshëm të Shqipërisë.
Rezervat e pritëshme dhe komercialiteti në Shpirag janë trajtuar në një shkrim në 11 Korrik 2022, në Gazetën Telegraf, ku thuhet se: . . . “Nga eksperienca jonë e kërkimit, vërehet se vendburimet më të mëdha të zbuluara deri më sot në gëlqerorët e zonës tektonike Jonike janë vetëm dy, prandaj dhe struktura e Shpiragut mendoj se mund të jetë me të njëjtat përmasa si ato, por me rezerva shumë herë më të vogëla se ato që vjedh kompania Bankers Petroleum dhe hajdutët pas saj në pellgun naftëmbajtës Patos-Marinës-Kuҫovë. Ato dy venburime janë vërtet të fuqishëm dhe me sasi të mjaftueshme rezervash për vendin tonë, por me sa njoh unë nga eksperienca që kam në kompanitë e huaja, vështirë se Shelli mund të kënaqet me këto rezultate, sepse ato kanë kosto shumë të lartë” . . . . . . (I. Tushe). Këtë mund ta lexoni në linkun: https://telegraf.al/aktualitet/flet-inxh-isuf-tushe-eksperti-i-ish-institutin-gjeologjik-te-naftes-fier-shteti-shqiptar-ka-deshtuar-me-investimet-e-huaja-ne-fushen-e-kerkimit/
Ndërsa në 2 Gusht 2022, në Gazetën Epoka e Re, në një shkrim tjetër theksohet . . . .“Nga studimet tona, në këto dy vendburime karbonatike, ka rezultuar se sasia rezervave që mund të nxirret në sejcilin prej tyre nuk i kalon 100 milion barrela, prandaj me këtë pritëshmëri kompania Shell nuk duhet të jetë shumë e kënaqur. Ana tjetër, kanë kaluar 21 vjet nga rezultati në pusin Shpiragu-1 dhe deri tani janë shpuar 4 puse dhe është në shpim një tjetër. Kjo fletë se kostua e punimeve duhet të jetë jashtëzakonisht e lartë dhe Shelli po eci me këtë ritëm deri sa ta vërë këtë zbulim në shfrytëzim të plotë i duhen disa dekada, . . .
Tani, le të bëjmë analizën tonë të këtij vendburimi të pritshëm, thjeshtë nisur nga analogjia me vendburimet ekzistuese, si dhe nga ato deklarime shpenzimesh në këtë objekt kërkimi, për të bërë një vlerësim sa më afër realitetit dhe sa më larg falsifikimeve e demagogjive politike propagandistike.
Megjithëse nuk kemi informacion teknik për përmasat e strukturës, prapë se prapë, për të dhënë një ide për këtë objekt të pritshëm ne mund të marrim një vendburim me rezerva të nxjerrshme rreth 100 milion barrela (siҫ deklarohet pak më lart) që me një ҫmim rreth $100/barreli do të rezultonte një e ardhur totale bruto prej 10 miliard dollar apo EURO. Duke patur parasysh deklarimin nga Ministrja Balluku se ky zbulim do shoqërohet me një investim tjetër rreth 6-7 milliard Euro për të vazhduar më tej, dhe atë që mund të jetë investuar deri tani – na rezulton fitimi i barabartë pothuajse me shpenzimet! Atëherë ku është gjigandi Shpirag?! Sa kohë do të duhej që këto shpenzime të merren nga kompania, dhe a do të mbetet ndonjë kacidhe për shtetin, pra për vendin tone?! Kjo ishte sa për një ide, që të kupëtohen hipërbolizimet dhe mburrjet pa hesap për arritjet dhe pritëshmërinë e ndritur të këtij vendburimi. E vërteta do të dali po të tregohen të vërtetë dhe transparent këta zyrtarët tanë që i kanë këto të dhëna, por i fshehin. Dhe fshehja e të dhënave, për të mashtruar popullin, është një shkelje e kushtetutës, është krim.
Nga kjo analiza jonë e thjeshtë e mësipërme del një konkluzion tjetër i rëndësishëm se: Kërkimi i hidrokarbureve në strukturat e reja me kompanitë e huaja konҫesionare nuk ka leverdi ekonomike, sepse ato kanë kosto shumë të lartë dhe periudha e kërkimit deri në vënien e zbulimit në shfrytëzim është shumë e gjatë, pa llogaritur këtu faktin që vendburimi nuk është i shtetit por i konҫesionarit dhe në vend të merret fitimi nga shteti – merret nga konҫesionari. Prandaj alternativa e vetëme mbetet pronësia e tyre shtetërore nën administrimin e Albpetrolit! . . . (Isuf Tushe, Caush Xhufi). Mund të lexohet në linkun: https://www.epokaere.com/nga-zbulimi-ne-shpirag-ne-vendburimet-ekzistuese-te-naftes-dhe-deri-tek-gazsjellesi-tap-2/
Interesante se ҫ’farë ndodh në Shpirag me këto deklarime demagogësh si k/ministri, zv/kryeministrja- ministrja, zv/ministri, “specialistë dhe ekspertë”, është se të gjithë flasin me superlativa. Të gjithë vijnë vërdallë, ca nga padituria por flasin siҫ e do partia dhe asnjeri nuk thotë të vërtetën se ҫ’farë po bëhet me puset e shpuar, rezultatet e tyre, janë në prodhim apo jo dhe pritëshmëritë e kërkim-zbulimit në atë zonë. Të gjithë gënjejnë hapur publikisht dhe sipas konjukturave politike bëjnë propagandën e radhës, duke i rënë të njëjtit fyell njëri pas tjetrit dhe në një vrimë. Megjithëse nuk ka të dhëna të besueshme nga këto puse, por bazuar në ato që kemi dëgjuar prej tyre rezulton se e vërteta është ajo që është thënë nga ne Specialistët e Naftës në shkrimet tona se, Shpiragu duhet të jetë një zbulim i zakonshëm, është ai që është dhe nuk bëhet as më i madh dhe as zvogëlohet. “Dielli nuk mbulohet me shosh dhe drapëri nuk futet në thes, thotë sovrani”! Është deklaruar se në puset Shpiragu-1, 2 dhe 4, gjatë fazës së testimit të tyre është nxjerr rreth 1,000-1,500 fuҫi naftë bruto/ditë për pus ose e konvertuar rreth 160-240 m3/ditë naftë e lehtë dhe ca gaz. Sipas një informacioni të rrjedhur nga Kompania Albpetrol, vite më parë, gazi ka përmbajtje të lartë squfuri që arrin deri në 16%, shumë e lartë, n.q.se lajmi është i sakët.
Prandaj mos u eksitoni shumë ju qeveritar, “ekspertë dhe specialistë”, jo profesionist, kur nuk njihni historinë e zbulimeve tona mundohuni të pyesni ndonjë naftëtar, punëtor të thjeshtë se nga specialistët ju keni frikë dhe qëndroni larg tyre, se sa të mëdhenj, sa të fuqishëm, sa ishin debitet e puseve dhe ҫ’farë cilësie është nafta e vendburimeve të zbuluara para Ozurpimit të Shqipërisë nga bandat tuaja politike-qeveritare! Në vendburimet e vegjël, me puset e parë, ne kemi marrë debite nafte edhe më të larta nga ato që deklaroni ju për Shpiragun dhe disa herë më të larta në vendburimet Visokë, Cakran, Gorisht, Ballsh, që ishin vërtet lubi, pa përmëndur këtu atë në Patos-Marinës që do mbetet në histori si i papërsëritshëm, ndërsa Shpiragu nuk na duket se përafrohet me ndonjërin prej këtyre.
Vazhdon propoganda me Shpiragun, rriten premtimet dhe justifikimet me krizën
Sipas Gazetës Tema, në 19 Nëntor 2022, propoganda arrin në Qytetin e Vlorës, ku k/ministri deklaroi se: “Në Shpirag është zbuluar një sasi e konsiderueshme nafte dhe gazi, dhe presim që në fillim të vitit të ardhshëm të dimë sasinë dhe cilësinë, ndërkohë kemi rënë dakord me presidentin e Azerbajxhanit, për të ndërtuar në Shqipëri një rafineri e cila do t’i japë fund varësisë së naftës që ne kemi për konsum këtu në vend, pastaj do flasim prapë për çmimin e naftës, sa e kanë të tjerët dhe sa e kemi ne. Koha që jetojmë ka sjellë një fatkeqësi të tretë rradhazi për ne, merreni me mend sa shumë mund të kishim bërë nëse nuk do të spostonim fondet për të ndërtuar shtëpitë e të prekurve nga tërmeti, apo kur ndaluam gjatë pandemisë. Dhe sot lufta ka ardhur jo me detyrimin për t’u ngritur e shkulur nga shtëpia, me bomba, por ne sot jemi në kushtet kur lufta na kërcënon me të tjera armë. Të gjithë Europën, me energjinë e kthyer në armë dhe me inflacionin e luftës që është prezent në çdo moment kur njerëzit blejnë diçka.
Ne po punojmë intensivisht, edhe kur ra tërmeti dhe pandemia dhe dëgjonim laraskat që thoshin ndërprit investimet, ne nuk do të heqim dorë nga ambiciet dhe objektivat tona. Ne do të arrijmë që energjinë ta prodhojmë të tërën këtu në vend, madje pjesën tjetër t’ua shesim ne të tjerëve, e jo ata ne. Kjo kërkon kohën e vetë, kërkon durim, por jemi duke i hedhur hapat”. Këtë mund ta lexoni në linkun: https://www.gazetatema.net/ekonomia/rama-me-sytë-nga-shpiragu-dhe-azerbajxhani-i365317
Analizë mbi faktet dhe propogandën
Hey “Bacë”, specialistët e naftës pak a shumë e dinë se ne nuk jemi si Arabia Saudite apo Lindja Mesme, e dinë pozicionin gjeografik dhe gjeologjinë e tyre, e njohin mirë pozicionin gjeografik dhe gjeologjinë e vendit tonë, si dhe shpërndarjen e pasurive natyrore. Duke njohur këto dhe arritjet tona në historinë 100 vjeҫare të kërkim-zbulimit të hidrokarbureve, ne jemi në gjëndje të parashikojm, me ndryshime të vogla, se ҫ’farë mund të presim në Shpirag! Ai, jo vetëm që nuk është si Arabia Saudite, por do jemi të lumtur n.q.se do të jetë i madh dhe produktiv aq sa vendburimi Cakran ose Gorishti, të marrë veҫmas. Prandaj ngritja e një uzine përpunimi me idenë se do zbulojm Arabinë Saudite në Shpirag, që vetëm të përpunoj naftën e lehtë që do nxirret atje, është një gabim i rëndë apo faj tjetër, po aq i madh, sa ai që bëre kur more vendimin më absurd dhe skandaloz për prishjen e UPTHN Ballsh.
Shkencëtarët e përpunimit të naftës e kishin studiuar mirë përbërjen hidrokarbure të naftave tona dhe pozicionin gjeografik të vendburimeve ekzistuese të zbuluara deri në atë kohë, prandaj vendosën që të ndërtojnë UPTHN me atë teknologji dhe pikërisht në mes të tyre, në Qytetin e Ballshit. Ajo uzinë ishte një teknologji që përpunonte naftat e rënda, të tipit Patos-Marinës-Kuҫovë-Ballsh-Gorisht-Amonicë, por dhe ato të lehta të tipit kondensat në vendburimet Cakran-Mollaj, Kolonjë-Bubullim, Delvinë, bile ajo përpunonte edhe ato që prisni ju të zbulohen në Shpirag dhe Dumre. Prandaj, ato që keni deklaruar dhe prapë deklaroni ju, se naftat tona janë të rënda dhe kjo në Shpirag e lehtë ose teknologjia e UPTHN Ballsh ishte e “vjetër” dhe kjo që kërkoni ju të ndërtoni na qënka “moderne”, etj., janë thjesht demagogji për të justifikuar prishjen e saj. Kjo, është një propogandë politike e pistë dhe mashtrimi i radhës që po i bëni popullit, naftëtarëve dhe specialistëve të saj për të ndërtuar një uzinë përpunimi, gjoja të re, sepse me këto mënyra investimi dhe sidomos me partner të huaj dhe të njohur, korrupsioni me paratë e shqiptarëve është më i sigurtë, i fshehtë njëlloj si benefitet e gazsjellësit TAP, ashtu si dhe pastrimi i tyre.
UPTHN Ballsh nuk u dërgua për SKARP se ishte një teknologji e dal mode, për këtë është shkruar dhe folur nga shumë specialistë, por se ajo konkuronte Oligarkët e Qeverisë tuaj në importin e karburanteve, plotësove dëshirën e “pronarëve aksionerë” që fshiheshin pas uzinës dhe donin parat, po ashtu kërkonin edhe “politikanët dhe qeveritarët aksionerë” që ka fshehur qeveria juaj dhe ato tjerat para jush në konҫesionin më të madh, Patos-Marinës-Kuҫovë dhe në vendburimet e tjera ekzistuese, të cilët nuk ju interesonte të furnizonin UPTHN me naftë bruto, por ta shisnin atë në tregun e zi nëpërmjet doganave tuaja të korruptuara dhe parat të depozitohen direkt në llogaritë e tyre bankare offshore jashtë shtetit. Pra shkurt, atë vepër gjigande strategjike, UPTHN në Qytetin e Ballshit, e shkatërroi korrupsioni i politikanëve dhe qeveritarëve. Në variantin tënd, ajo edhe po të ishte teknologji e vjetër, me pak investime, që mund ti bënte vetë qeveria juaj, do të transformohej në një teknologji e kohës së sotme, ashtu siҫ bënë industria petrokimike në botë me uzinat e saj mbi 100 vjeҫare.
Prandaj, me rezervat ekzistuese të naftës dhe prodhimin aktual, pa folur për zbulimet e reja, nuk ka arsye që ne të varemi nga bota se i kemi me bollëk ato për nevojat tona dhe nga eksporti i disa nën produkteve të saj, sidomos në periudhë krizash, do mbushej arka e shtetit, por është keq-qeverisja dhe keq-administrimi i pasurive natyrore që na bënë ne tërsisht të varur nga bota për sot dhe përgjithmonë, nga luftrat e saj, epidemitë, termetet, etj. Historia na tregon se bota në luftë ka qënë vazhdimisht dhe ashtu do të vazhdoj. Ato kanë arsyet e tyre, janë të zakonëshme dhe bëhen midis shteteve për të pushtuar teritore me pasuri natyrore. Prandaj sipas jush shqiptarët duhet të qëndrojn në krizë dhe varfëri ekstreme gjithë kohën, duke ju “lutur zotit” në fushata zgjedhore, duke pritur Shpiragun apo Dumrenë me nafta të lehta, se vendburimet ja kemi falur konҫesionarëve hajdutë, dhe Azerbaxhanin që të ndërtoj rafineri të re se atë që kishim e përlau korrupsioni. Lëri hoxhallarët dhe priftërinjët të merren me lutjet, se ata janë më afër zotit, lëri urimet ti bëjnë njerëzitë në festat dhe gëzimet e tyre, se ashtu jua thotë rakia dhe ndërto shtetin ligjor, me politika ekonomike që shqiptarët ti shfrytëzojn vetë pasuritë natyrore, lufto korrupsionin shtetëror që po shkatërron dhe vjedh ҫdo ditë ato dhe lëre drejtësinë të veproj ndaj hajdutëve.
N.q.se ne do mirë-administronim ato, nuk do kishim as pasojat e pandemisë, as të tërmetit, as të luftës, sepse prej tyre do kishim të ardhura të bollshme për ti përballuar ato me sukses. Këto pasoja, në Europë apo në gjithë botën nuk ndjehen aq shumë sa tek ne, as në ato shtete që i kanë me pikatore pasuritë natyrore. Ato investojn në burime të tjera energjie për të zbutur pasojat, por tek ne shteti mban syt nga privati. Situata rëndohet akoma më tepër nga korrupsioni dhe qeveria tremb popullin ҫdo ditë me fashën e energjisë për ta tulatur, sa herë që i dalin lakrat sheshit dhe i lutet “investitorëve” të huaj pa kapital që të vijnë në Shqipëri, i falin pasuritë publike për të vjedhur sa të duan bashkë me ta, dhe po deshën mund të investojn diҫka.
Keq-qeverisja dhe keq-administrimi vendburimeve ekzistuese hidrokarbure, duke ja falur konҫesinarëve hajdutë e kompani, e ka raditur vendin tonë më poshtë se fqinji ynë, Greqia, që natyralisht është vendi më i varfër në Europë për sa i përket rezervave hidrokarbure në tokë. Megjithatë, për të kompensuar mungesën e këtyre resurseve natyrore, ajo ka investuar në uzinat e përpunimit të naftës dhe në linjat e gazit, plotëson nevojat e saj me to dhe eksporton tepricën që të siguroi fitime. Ndërkohë për të krijuar pavarësi nga importi, ajo po investon në zonën e shelfit detare që të rriti rezervat, mbase edhe brenda kufirit tonë, sepse ato janë baza kryesore për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqënies popullit.
Kjo demagogji dhe propogandë mashtruese e pistë e k/ministrit me beniaminët e tij, për “zbulimin e rrallë” në Shpirag, ka për qëllim ti largoj vëmëndjen popullit nga vjedhjet, korrupsioni dhe shkatërrimi i pasurive hidrokarbure bashkë me asetet e kësaj industrie nga bandat e hajdutëve të politikës dhe të krijoi idenë se vetëm zbulimi në Shpirag dhe ai në Dumre do të shpëtojn Shqipërinë, por jo vendburimet ekzistuese ku nxirret rreth 1.5 milion ton naftë bruto/vit. E vërteta qëndron ndryshe, se zbulimin në Shpirag Kompania Shell me punimet e saj po e tëkurrë ҫdo ditë dhe ajo që po e zmadhon për qëllimet e veta është qeveria dhe opozita që heshtë. Zbulimi në Shpirag dhe në Dumre, etj., nuk zëvëndësojn kurrë prodhimin që vidhet në Pellgun Naftëmbajtës Patos-Marinës-Kuҫovë dhe atë nga vendburimet e tjera ekzistuese karbonatike, aq më tepër investimet, shpenzimet dhe abuzimet nga kompanitë konҫesionare të kërkimit janë të paimagjinueshme, prandaj fitimi që pret të vjelë qeveria prej tyre do të jetë vetëm ca kacidhe në arkën e shtetit, për të mos thënë se edhe këto zbulime, po qe se vërtetohen, mund të pësojn të njëjtin fat me atë të vendburimeve ekzistuese, që për shkak të korrupsionit qeveritar do deklarojn se “punojnë me humbje”, për të shmangur detyrimet ndaj shtetit. Për të gjitha këto, Qeveria Shqiptare nuk është transparente!
Largqoftë, kërkimi në Shpirag të mos jëtë “humnera” që mbahet me investime shtetërore për t’u përdorur nga qeveria dhe klika politike, sa herë ju duhet, për të bërë propagandë që të zgjasinë jetën e tyre në pushtet dhe politikë, për të mbyllur problemet që kanë me korrupsionin dhe me drejtësinë. Propoganda që po bëhet me këtë zbulim, që me siguri do të vazhdoj më tej me Dumrenë, të krijon përshtypjen se jetëgjatësia në pushtet e kësaj strukture politike mafioze, të brisht dhe njëpolare, mund të shkoj rreth viteve 30’, që përkon me kohën kur shumica e marëveshjeve hidrokarbure, etj., ju mbaron afati dhe në këtë periudhë nuk është ҫudi që të merren vendime politike-shtetërore të rëndësishme që këto pasuri natyrore t’ju kalojn në pronësi “aksionerëve” që kanë fshehur qeveritë pas këtyre konҫesioneve!
Sipas një informacioni që ka rrjedhur kohët e fundit, flitet se nga shfrytëzimi barbar që bëhet në Pellgun Patos-Marinës-Kuҫovë, prej Kompanisë Konҫesionare Bankers Petroleum, rezulton se puset nxjerrin nga rezervuari në sipërfaqe naftë, ujë dhe rërë me këto “teknologji të avancuara”, nga e cila vetëm 35% është naftë dhe pjesa tjetër është ujë dhe rërë. Kjo nuk lejohej kurrë, teknikisht, në kohën tonë. Shpresojë që lajmi të jetë i rremë, sepse është treguesi më negativ që ky Pellg Naftëgazmbajtës, që është një ndër më të mëdhenjët në Europë (tokë) është futur në fazën e shkatërrimit të plotë të tij, që shoqërohet me pasoja kolosale humbjesh, prej . . . . miliarda EURO në këtë pasuri natyrore, për shkak të korrupsionit shtetëror dhe atij privat. Kjo është një dhimbje e thellë dhe humbje e madhe për kombin tonë!.
__________________
GJIGANTI QË SI REZISTOJ DOT KORRUPSIONIT