SHQIPTARËT: ME ORIGJINË PELLAZGJIKE APO ME ORIGJINË HEBRAIKE
Nga Besnik Imeri, Vlorë 29 prill 2022
Ngacmimet për këtë shkrim m’u shfaqën para rreth një viti kur më ra në dorë libri “Pellazgët origjina e shqiptarëve”. Nisur nga emërtimi i këtij studimi dhe titujt shkencorë të autores, fillimisht u gëzova, pasi mendova se për herë të parë do të trajtohej në mënyrë të thelluar, bindëse, objektive dhe shkencore origjina e shqiptarëve, duke trajtuar vetëm territoret shqipfolëse, origjinën e të cilëve kishte marrë në trajtim, në këndvështrimin e lashtë të tyre. Por entuziazmi im filloi të zbehej kur shikova përmbajtjen e lëndës të këtij libri, pasi nga shfletimi i tij doli se problemet që trajtoheshin aty, në masën, ndoshta, mbi tetëdhjetë për qind flisnin për popuj të tjerë, që nuk kishin lidhje me pararadhësit e shqiptarëve. Kjo filloi t’ia ulte kreditet librit në mënyrë të shpejtë.
Në qoftëse do të shikonim kretë me rradhë do të vërenim se, në kreun e II, “Shqiptarët si pasardhës të Ilirëve”, ku pritej që çështjet të fillonin të trajtoheshin qysh nga fundi i mijëvjeçarit të III p.e.s, atëhere kur, pas dyndjeve stepike, filloi ngjizja e etnosit ilir; gjë që e kanë trajtuar të gjithë autorët seriozë; madje në mënyrë të thelluar dhe të saktë shkencore pothuajse të gjithë arkeologët tanë të nderuar. Por nuk qe thënë. Siç duket, si gjithmonë, kjo autore nxitohet shumë, ku pas një prekje të përciptë të problemit në prehistori, nga legjendat, hidhet në mesjetë, prek shekullin e VIII të e.s., dhe menjëherë hidhet në shekullin e XI, XIII etj, ku trajton thirrjen e parardhësve të shqiptarëve si ilirë. Pas kësaj, jashtë kuadrit të librit, origjina pellazgjike e shqiptarëve, dhe të vetë kreut, ndalet gjatë në luftërat e sulltanëve kundër arbërve, dhe në mënyrë të veçantë kundër Gjergj Kastriotit. Në fund, shkarazi, jashtë temës së kreut, trajton perciptazi: Shqiptarët si albanë, si epirotë dhe si maqedonë.
Në kreun e III flitet për pellazgët e Peloponezit, Atikës, Frigjisë, Kretës, trojanëve dhe gjithë Azisë; Italisë, etruskëve; madje duke i quajtur një pjesë të madhe të këtyre popujve, në mënyrën më të padrejtë dhe më të pasaktë shkencore, si popuj ilirë. Por vetëm për pararadhësit tanë pellazgë nuk flitet.
Në kreun e IV flitej gjithashtu në mënyrën më absurde shkencore për një lidhje të shqiptarëve me helenët antikë; bëheshin paralele të çuditshme, të pasakta, antishkencore dhe të rrezikshme midis ligjeve të demokracisë athinase me Kanunin e Lekë Dukagjinit, ndërkohë që sistemet politikë, shoqërorë dhe kronologjikë janë krejt të ndryshëm dhe në të kundërtën e tyre. Zonja e nderuar si një studiuse serioze nuk mund të bënte krahasime të legjislacionit athinas, që bënte fjalë për një shtet modern dhe demokraci të zhvilluar të antikitetit me Kanunin tonë, që ka filluar mijëra e mijëra vjet më parë duke u zbatuar, pa asnjë ndryshim, në të gjitha sistemet shoqërore deri në shekullin e XX. Nëqoftëse për Kanunin mund të themi me plot gojën se është një legjislacion pellazg, që u rezistoi të gjitha ndryshimeve që pësoi shoqëria europiane nga antikiteti deri në kohët moderne. Legjislacioni i Athinës antike zbatohej nga gjykatës, të cilët në Shqipëri, në zonat ku sundonte Kanuni, u dukën vetëm në shekullin e XX gjatë kohës së sundimit të Ahmet Zogut. Zonja e nderuar besoj se duhet ta dijë që Sokratin e dënuan gjykatësit dhe jo pleqësia e fisit apo e fiseve helene, të cilat, ndoshta, kishin qindra vjet që nuk funksionin më.
Kreu i V merret vetëm me dyndjen sllave që, sipas autores, shkaktoi shpopullimin dhe zhdukjen e helenëve antikë. Nuk e kuptoj se çfarë lidhje mund të ketë ky kapitull me origjinën pellazgjike të shqiptarëve?!!!
Në kreun VI, në mënyrë të çuditshme, gjuhën shqipe e lidh vetëm me pellazgjishten homerike, sikur në trojet tona nuk ka pasur pellazgë dhe ne shqiptarët e kemi origjinën nga ishujt e egjeut, Atika, apo nga Lindja e Afërme. Por edhe kur flet për homerishten, në një mënyrë të çuditshme nuk saktëson periudhën e kësaj homerishteje dhe cila nga homerishtet është: ajo e këngëtarëve popullorë të shekujve XI, X, IX p.e.s., e cila ashtu si tek rapsodët tanë të këngëve epike, trashëgohej gojarisht brez pas brezi; apo për homerishten e shek.VI p.e.s., kur Pisistrati këmbeu, zbardhi në gjuhën zyrtare të kohës, greqishten e vjetër, eposin e kreshnikëve të Luftës së Trojës. Shëmbujt që jep autorja tregon se ajo i drejtohet greqishtes së vjetër, të cilën në mënyrë tinzare e quan gjuhë homerishte. Kjo pasi homerishtja e Homerit nuk na ka ardhur e shkruar.
I përmendëm të gjitha këto për të pasur një pamje të vetë librit, por edhe të metodës dhe stilit të autores gjatë trajtimit të çështjeve historike, para se të hidhemi tek problem kyesor i këtij shkrimi. Autorja, në kreun e parë, ku vetëm këtu, në një kapitull të vetëm, trajton atë që duhej ta trajtonte në të gjithë librin: Origjinën pellazgjike të Shqiptarëve. Nejse. Por edhe këtu trajton vetëm Epirin dhe Dodonën, sikur vetëm këto vërtetojnë origjinën pellazgjike të shqiptarëve. Megjithatë, ndalemi tek paragrafi që na intereson: Kur është themeluar tempulli i Dodonës dhe nga kush? Këtu, doktoresha në histori na lë pa gojë, pasi xhevairet që shkruhen këtu janë tepër të rralla dhe të çmuara. I ndjekim ato.
Sipas studiusit gjerman Ernst von Lasaulx, tempulli i Dodonës “u themelua nga Dodanimi, i biri i Javanit, i biri i Japetit”. Në historinë biblike, Dodanimi ishte i biri i Javanit, të birit të Japetit, të birit të Nohut…Nga kjo rezulton se, pas përmbytjes Noha, Japeti, Javani dhe Dodanimi, kanë jetuar në të njëjtën kohë. Kështu vitet kur kanë ekzistuar këto personazhe të Biblës, me vitet e themelimit të tempullit të Dodonës përputhen. Ajo që është e sigurtë është se, ajo (Dodona) mban pikërisht emrin e stërnipit të Nohut, dhe si e tillë, duket se ka lidhje me të dhe se historia e përmbytjes pellazge, ngjan me atë hebreje…Emri i Dodonës është një provë shumë e fortë, gati e pakontestueshme, që e lidh atë me Nohun dhe mitologjia pellazge është në një linjë me tregimet hebreje…Aleksandri i Madh në Bibël quhet biri i Javanit…Shqiptarët sot janë të linjës Biblike.[1]
Besoj, se jeni në një mendje me mua, se kjo zonjë e ka seriozisht dhe do, pa asnjë kundërshtim, që themelimin e tempullit të Dodonës dhe origjinën e shqiptarëve ta lidh me hebrejtë. Por nëqoftëse deri më tani nuk ju janë thartuar dhëmbët nga kumbullat që lëshon kjo zonjë, po u tregojmë edhe përsihatjet e fundit “shkencore” të saj në mbyllje të librit:
“Në një pjesë të veçantë pamë edhe lidhjet që ekzistojnë midis shqiptarëve dhe grekëve antikë, si nga ana historike, gjuhësore, atropologjike, emërtimet etnike, kanunit dhe rezulton se, shqiptarët janë pasardhës direkt të grekëve antikë…”[2] Doni më për origjinën e shqiptarëve dhe pasardhës të kujt janë?!!!
Tani me të drejtë mund të shtrojmë pyetjen: Doktoresha në histori këto “përçatje historike” i ka nga ajo, se kaq di, apo pas tyre fshihet diçka tjetër? Por, ne e kemi parë këtë zonjë publikisht si bashkëluftëtare dhe në krah të një farë Festim Latoje, një person nga bota e krimit ordiner, përfshirë dhe mashtrimin, me të cilin shëtiti Evropën dhe SHBA.
Festimi, ky trim i madh, para do vitesh shpalli që nga Hollanda Republikën e Çamërisë në rreth 17.000 km2, person me dy shtetësi ai gëzonte edhe mbrojtjen hollandeze, i cili, madje e shpalli veten president të kësaj republike megjithëse ishte me gjashtë klasë shkollë dhe nuk dinte të fliste. Nuk e di në se zonjës i ishte premtuar ndonjë post ministror. Ajo që është e çuditshme është fakti që Greqia nuk paraqiti ndonjë protest të fortë publike ndaj shtetit shqiptar, për faktin që shtetasi i saj cënonte drejtëpërsëdrejti integritetin territorial të Republikës Greke. Por as shteti shqiptar nuk reagoi, ndërkohë, që këtu në Shqipëri, kjo e ashtuquajtura republikë, nëpërmjet njerzve të Festimit, organizonte mitingje dhe premtonte se do të çlironte Çamërinë, madje kishte emëruar kryeministrin, ministrin e jashtëm, ministrin e mbrojtjes, ministrin e brendshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë. Këta kalanderë vinin në Shqipëri dhe shfaqeshin në TV të ndryshme dhe nuk u thoshte njeri plaç me gojë. Si ka mundësi?!! Mos vallë ky Festimi ishte në një mbrojte të fuqishme, që u kishte mbyllur gojën si Greqisë ashtu dhe Shqipërisë.
Festimi, si një provokator ordiner, duke krijuar Ushtrinë Çlirimtare të Çamërisë, po tentonte të ndizte një zjarr midis Republikës së Greqisë dhe Republikës së Shqipërisë, zjarr që kishte për të djegur më së shumti shqiptarët, të cilët, shtetërisht të paarmatosur, do të ishin mish për topat, tanket dhe avionët grekë. Ashtu si sot, kur në Kosovë, provokatorë, ndoshta edhe me poste shtetërore, me një sjellje “patriotike”, dhe në “bashkëpunim” me provokatorët analogë sërbë, do të ndezin një zjarr midis Sërbisë dhe Kosovës, dhe kuptohet, që në këtë rast makina luftarake sërbe kishte për ta bërë hi Kosovën. Perëndimi, me siguri do t’i armatoste shqiptarët e Kosovës, por për t’u vrarë do të vriteshin shqiptarët.
Kthehemi tek tema dhe bëjmë një pyetje direkte: Kush ja ka vënë syrin Çamërisë? Kuptohet, të dalë një tellalle “shkencore” dhe të thotë që tempullin e Dodonës e themeluan hebrenjtë, që shqiptarët janë në një linjë hebraike, që origjinën e tyre ua detyrojnë parardhësve të hebrenjve biblikë, dhe, meqënësë Dodona në lashtësi ishte pjesë e Thesprotisë (Çamërisë së sotme), kuptohet që ata kanë pjesë këtu që nga parahistoria, ose e thënë ndryshe, Çamëria ka qënë e tyre qysh para tremijë apo katërmijë vjetësh. Zot na ruaj nga këto pandehma!
Besnik Imeri, 29 prill 2022
[1] Elena Kocaqi, Pellazgët, origjina e shqiptarëve, Bot.DODONA PRESS, Tiranë-2021, f, 26-28, 33, 390
[2] Elena Kocaqi, Pellazgët, origjina e shqiptarëve, Bot.DODONA PRESS, Tiranë-2021, f, 391