SHTYPI AMERIKAN PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË

Nga Beir META dhe Hasan BELLO

Demonstratat që shpërthyen në pranverën e vitit 1981 e vendosën Kosovën dhe popullin shqiptar në fokus të medias botërore. Ato gjeten pasqyrim në shtypin dhe në opinionin publik ndërkombëtar jo vetëm në Evropë, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo që të bie në sy është jo vetëm numri i madh i artikujve që janë botuar, por dhe shtrirja e tyre në shumë organe të shtypit, e sidomos trajtimi i këtyre ngjarjeve disa herë në gazetat më të njohura të SHBA-së. Sipas të dhënave të mbledhura nga përfaqësia shqiptare në OKB (e cila ishte e vetmja ambasadë në Nju Jork, sepse zyrtarisht qeveria shqiptare nuk kishte marrëdhënie diplomatike me SHBA-në), deri në muajin qershor të vitit 1981, mbi ngjarjet në Kosovë dhe mbi materialet e shtypit shqiptar lidhur me këtë çështje, kishin shkruar 46 gazeta dhe ishin botuar mbi 123 artikuj. Për sa i përket tipologjisë, 61 prej tyre ishin artikuj të gjatë komentues, 48 artikuj të shkurtër me karakter informues, 10 të marra nga gazetat e tjera dhe 4 të marra nga agjencia “Tanjug”. 

Ngjarjet në Kosovë u pasqyruan në gazetat më prestigjioze, siç ishte “New York Times”, e cila botoi 13 artikuj. Më pas vinin periodikë të tjerë po aq të njohur, por të një tirazhi më të ulët, si “Washington Post”, “Times Herald” me 7 artikuj; “Chronicle” (Houston, Tex) me 6 artikuj; “World” dhe “Chronicle” (San Francisko) me 5 artikuj; “Free Press”, “News Day”, “The Times” (Los Angelos) me 4 artikuj; “Star Indianapolis”, “Christian Scince Monitor”, “The New York Post”, “Sun Times”, “News World”, “Morning Sun”, “Boston Globe” me nga 3 artikuj; “Star Washington”, “Morning News”, “Herold American”, “News American”, “Courant Hartford”, “Journal Providence”, “News”, “Republican”, “Journal”, “American”, “Post Dispatch” dhe revista “World Press Review” nga 2 artikuj dhe 17 gazeta të tjera, të cilat kishin botuar vetëm nga një artikull.

Autorët që kishin shkruar më shumë për këto ngjarje ishin Marvine Howe-korrespondente speciale e gazetës “New York Times”, e cila kishte shkruar 5 artikuj; Eric Bourne-korrespondent special i gazetës “Christian Scince Monitor” në Vjenë, i cili kishte shkruar 3 artikuj dhe Anthony Barbieri-korrespondent i gazetës “Morning Sun”, i cili kishte shkruar 2 artikuj. Një gazetar tjetër që shkruante shpesh për vendin tonë, megjithëse për ngjarjet në Kosovë kishte shkruar vetëm një herë, ishte dhe korrespondenti i gazetës “Washington Post”, Michael Dobbs.

Interesimi i shtypit amerikan rreth zhvillimeve në Kosovë ishte në refleksion me politikën e jashtme amerikane, prandaj edhe shkrimet rreth ngjarjeve në Kosovë nuk ishin të nxituara. Zhvillimet në Kosovë ndodhën në momentin kur administrata amerikane prioritet në politikën e jashtme në fillim të viteve 1980 kishte vënë luftën kundër komunizmit dhe kreut drejtues të saj, Bashkimit Sovjetik.  Por, situata ndryshonte në rastin e Jugosllavisë në të cilën ndërthureshin faktorë të shumtë. Pozita gjeografike dhe fuqia politike e Jugosllavisë si njëra nga shtetet drejtuese të Lëvizjes së shteteve të Pa-angazhuara, për më tepër kur komunizmi jugosllav shihej si një rival i komunizmit sovjetik, bënë që SHBA të ndiqte një politikë të ruajtjes së integritetit të Jugosllavisë. Në vështrimet e SHBA, që drejtonte bllokun e Perëndimit, paqëndrueshmëria e Jugosllavisë mund t’i jepte rastin Bashkimit Sovjetik që të vendoste ndikimin e tij politik në këtë vend, që si pasojë do të kishte edhe ndryshimin e orientimit në politikën e jashtme jugosllave.  Një faktor tjetër ishte edhe ballafaqimi ushtarak Lindje-Perëndim, që do të buronte nga paqëndrueshmëria apo shpërbërja e mundshme e Jugosllavisë, një shteti shumë-etnik, që pashmangshëm do t’i përfshinte edhe shtetet fqinje për shkak të minoriteteve kombëtare. Shtypi i kësaj të fundit aludonte haptazi për përfshirjen e Tiranës zyrtare në nxitjen e demonstratave.

Faktorët e mësipërm mund të kenë ndikuar që shtypi amerikan të tregohej jo vetëm i ngathët për t’i trajtuar ngjarjet në Kosovë, për shkak të faktit se ato nuk bënin pjesë në repertorin tradicional të problemeve me të cilat merreshin këto gazeta, të cilat kryesisht trajtonin ngjarje nga zonat e “nxehta” botërore, por edhe të tregohej jo objektiv në ditët e para të raportimit lidhur me Kosovën.Kjo vinte për shkak se ai i referohej kryesisht shtypit jugosllav, agjencisë së lajmeve “Tanjug” dhe zyrtarëve të lartë të Jugosllavisë. Trajtimi i këtyre ngjarjeve, duke iu referuar burimeve jugosllave, bëri që lajmet dhe artikujt e botuar ditët e para të mos pasqyronin siç duhej arsyet historike dhe politike që i kishin shtyrë studentët shqiptarë të hidheshin në demonstrata. Në shkrimet e botuara në këto organe konstatohej hapur ndikimi i tezave të historiografisë dhe të propagandës serbo-sllave lidhur me pozitën historike e juridike të shqiptarëve brenda Jugosllavisë.  Prandaj, shtypi amerikan nuk kishte qenë në gjendje të zbulonte dhe të shtjellonte si duhej për opinionin dhe lexuesin e tij shkaqet e vërteta dhe të gjithë kontekstin historik e bashkëkohor të shpërthimit të demonstratave, si dhe të dhunës e terrorit serb për t’i shtypur ato.

Por me kalimin e kohës, kur ngjarjet e Kosovës tërhoqën vëmendjen e shtypit dhe të shteteve evropiane, edhe në shtypin amerikan ndryshoi qasja ndaj demonstratave të 1981. Botimi i një numri të madh shkrimesh jo vetëm me karakter informues, por edhe komentues, sidomos javën e dytë pas demonstratave të 1 dhe 2 prillit, ishin shenjat e para se ai nuk mund të heshte e as t’i shmangej konkluzioneve dhe vlerësimeve që i imponoheshin nga ngjarjet. Arsyet që e detyruan shtypin amerikan të dilte nga pozita e mëparshme duhen kërkuar në radhë të parë në vetë përmasat e përpjesëtimet që morën demonstratat e shqiptarëve të Kosovës. Kjo në të gjitha dimensionet. Me këtë kemi parasysh numrin e pjesëmarrësve, shkallën e shtrirjes së tyre dhe kërkesat që shtruan për zgjidhje, të cilat ishin të atilla që as mund të shtypeshin lehtë e pa zhurmë, siç kërkonte të bënte qeveria jugosllave, e as të mbuloheshin e të liheshin në heshtje dhe, aq më pak, të shtrembëroheshin me epitetet që i vinte shtypi jugosllav.

Reflektimi i shtypit amerikan duhet kërkuar gjithashtu edhe në presionin që ushtroi opinioni i përparuar ndërkombëtar nëpërmjet shtypit. Nga një vështrim i përgjithshëm që mund t’i bëhet shtypit amerikan mbi ngjarjet në Kosovë në vitin 1981 konstatohen lehtësisht disa pikëpamje kryesore:

1. Në të gjitha shkrimet e botuara pranohej hapur se Kosova ishte krahina më e varfër e

Jugosllavisë dhe se problemet ekonomike ishin një nga shkaqet kryesore të demonstratave të vitit 1981. Lidhur me këtë problem, gazeta “New York Times” e datës 11 maj 1981 shkruante se një zyrtar i partisë komuniste kishte vënë në dukje gjatë një interviste se në Klinë, komuna më e varfër në Kosovë, të ardhurat për frymë ishin rritur nga 62 dollarë që ishin në vitin 1949, në 363 dollarë në vitin 1980. Por, ai shtonte se ajo qëndronte shumë pas komunave veriore rreth Lubianës, që kishin afërsisht 7 500 dollarë të ardhura për frymë.

Ndërsa, një gazetë tjetër po aq e njohur amerikane, “Christian Scince Monitor” e datës 21 maj shkruante se, pavarësisht nga prioriteti financiar, Kosova qëndronte në fund të pirgut jugosllav. Të ardhurat mesatare vjetore për frymë ishin më pak se 1/3 e mesatares së Jugosllavisë që ishte 2 700 dollarë dhe sa 1/7 e mesatares së Sllovenisë që ishte 5 400 dollarë. Në po këtë artikull pasqyrohej një fakt interesant që paraqiste gjendjen e vërtetë të rënduar ekonomike të popullsisë shqiptare në Kosovës. Sipas tij, Kosova banohej nga 7% e popullsisë së Jugosllavisë, por përfitonte më pak se 3% të prodhimit të përgjithshëm kombëtar.

Në gazetën “Boston Globe” të datës 18 qershor, midis të tjerave thuhej se shqiptarët që vinin në SHBA deklaronin se hendeku i thellë ekonomik mes Kosovës dhe pjesës tjetër të Jugosllavisë po vinte duke u thelluar; se sistemi jugosllav i socializmit “Laise Faire” (në shqip lëre të rrjedhë, për ekonominë), nuk rezultonte efektiv; se si shqiptarët e Kosovës trajtoheshin në mënyrë të atillë që ta ndjenin veten inferior në Federatën Jugosllave. Po për këtë problem “Christian Scince Monitor” e datës 8 prill shkruante se, në dukje, ishin kushtet ekonomike që kishin nxitur demonstratat e 1 dhe 2 prillit. E gjithë Jugosllavia, sipas saj, ishte në rënie. Por Kosova, e cila kishte një popullsi prej 1.6 milion banorë, nga të cilët 3 në 4 vetë etnikisht ishin shqiptarë, ishte goditur më rëndë. Kjo për shkak se Kosova ishte një nga krahinat më të varfra të Ballkanit. Sipas gazetës në fjalë, popullsia e kësaj krahine kishte pasur një rënie të ndjeshme të standardit të jetesës, ndonëse dy dekadat e fundit nga federata kishte marrë një lloj ndihme të kufizuar.  Gazeta Christian Science Monitor vështrimin ekonomik rreth krizës në Kosovë e përmbylli në dhjetor të vitit 1981 kur ndër të tjera vuri në pah edhe disa fakte plotësuese: se ekonomia e Kosovës nuk mundi t’i arrinte asnjëherë ekonomitë tjera jugosllave pavarësisht investimeve, se komunikacioni dhe transporti ishin më të prapambetura se sa në hapësirat tjera jugosllave, kurse ritmi i natalitetit ishte më i lartë në krahasim me veriun e Jugosllavisë. Duke shtruar pyetjen se si mundej Kosova të dilte nga ky rreth vicioz i zhvillimit të dobët, gazeta në fjalë si përgjigje të mundshme i referohej pasurive minerare të Kosovës si linjiti, nikeli, plumbi, zinku, thëngjilli, etj., si promotorë të zhvillimit ekonomik.  Shtrimi i çështjes së pasurive minerare të Kosovës parqet një element të rëndësishëm të interesimit të mediave amerikane, sepse në mënyrë indirekte vihej paralelja e interesit të Jugosllavisë për ta mbajtur me dhunë krahinën jugore që mbizotërohej nga shumica shqiptare.

2.      Në shtypin amerikan, kërkesa e popullsisë shqiptare të Kosovës dhe edemonstratave

të pranverës së vitit 1981 për statusin e Republikës në kuadër të Federatës Jugosllave konsiderohej një kërkesë e drejtë. Për këtë gazeta “New York Times” e datës 27 prill 1981 theksonte se, ndërsa shteti federativ jugosllav kishte 6 republika, çfarë do t’i sillte asaj një republikë më shumë? Pse Kosova të mos ishte republikë kur 85% e banorëve të saj ishin etnikisht shqiptarë?  Në një artikull tjetër të gazetës “Christian Scince Monitor” të datës 21 maj shkruhej se “bërja e Kosovës republikë do të forconte sistemin, duke shërbyer si një përfundim logjik i procesit. Ajo mbështeste pikëpamjet e shqiptarëve që artikulonin këto kërkesa duke theksuar se shpejt ose vonë ajo do të realizohej, sepse, nuk kishte asnjë rrugëzgjidhje tjetër jo vetëm për të ruajtur paqen në Kosovë, por edhe sigurinë në një zonë të ndjeshme të Ballkanit”.

Në shumë artikuj dhe analiza të shtypit amerikan të kësaj periudhe flitej hapur se Jugosllavia dhe elita e saj politike nuk e dëshironte avancimin e statusit juridik të Kosovës nga frika se mos ajo e përdorte atë si një mjet që, në një të ardhme të afërt, të shkëputej. Lidhur me këtë pikëpamje, në gazetën “Christian Scince Monitor” të datës 21 maj shkruhej: “Në fakt, Kosova ka tashmë autonominë lokale. Zyrtarët e Beogradit, të ndodhur nën presionin e fortë të lobit serb, pretendojnë se bërja e Kosovës republikë mund të çojë në shkatërrimin e gjithë federatës dhe të konceptit të vetë administrimit”.

3. Lidhur me pasqyrimin e strukturës etnike të popullsisë së Kosovës mund të thuhet se në shtypin amerikan vihen re shifra të përafërta, me ndonjë diferencë të vogël, që provonin se pjesa dërrmuese e kësaj popullsie përbëhej etnikisht nga shqiptarët. Në disa raste numri i saj jepej edhe më pak se 85%. Por ajo që binte në sy në këto shkrime ishte fakti se shpeshherë shqiptarët konsiderohen si “minoritetet” dhe jo si “nacionalitet” shqiptar. Nuk mungonin as tendenca që serbët e Kosovës të paraqiteshin si popullsi autoktone, ndërsa shqiptarët si popullsi e ardhur. Kështu, në një artikull të gazetës “Boston Globe” të datës 18 qershor, midis të tjerave, thuhej se “…në mesjetë, si pjesë e shtetit të Rashës, Kosova ishte shtëpia e dinastisë së themeluesve të Serbisë dhe vendi i Patrikanës ishte në qytetin e Pejës. Pastaj erdhën turqit që u shtrinë në Evropë. Në vitin 1389 në rrafshinën e Kosovës, afër Prishtinës, turqit mundën ushtrinë serbe dhe sunduan vendin për 500 vjet të tjera. Megjithëse shumë prej serbëve u larguan në veri, duke lejuar fiset shqiptare që të plotësojnë boshllëkun, Kosova u bë vendi i kombit serb dhe i hakmarrjes së përgjakshme”.

4. Në të gjitha komentet mbi ngjarjet në Kosovë që u botuan në shtypin amerikan pohohej njëzëri se shteti komunist shqiptar, nuk kishte gisht në demonstratat e 1981. Kjo përbënte një lloj lehtësimi për Tiranën zyrtare, e cila ishte distancuar publikisht nga akuzat e shtypit të Beogradit. Për ta ilustruar këtë, po i referohemi gazetës amerikane “Christian Scince Monitor” të datës 21 maj, e cila shkruante: “Me hamendje po e akuzojnë Shqipërinë për ndërhyrje e nxitje. Por nuk ka prova se regjimi i Tiranës ishte ose është më shumë se sa simpatizues i kërkesës së demonstruesve që Kosovës t’i jepet statusi i plotë i republikës”. Ndërsa, akoma më objektivitet konstatohej në një analizë të gazetës “Boston Globe” të datës 18 qershor ku thuhej: “Sigurisht është më e lehtë për të qortuar një djall të jashtëm se sa një kalbëzim të brendshëm dhe shqiptarët e regjimit të Enver Hoxhës që jetojnë të mbyllur përbëjnë një rast të mrekullueshëm për të ngatërruar gjurmët”.

Shtypi amerikan pasqyronte hipokrizinë e deklaratave të autoriteteve jugosllave për akuzat ndaj Tiranës zyrtare lidhur me një implikim të saj të mundshëm në demonstratat e vitit 1981.

5. Një fakt i rëndësishëm që vihej re në shtypin amerikan është se në të gjitha analizat e artikujt e botuar arrihej në përfundimin se popullsia shqiptare në Jugosllavi trajtohej si një kategori e dorës së dytë krahasuar kjo me kombësitë e tjera shtetformuese të kësaj federate. Kjo del qartë në një artikull të gazetës “News World” të datës 13 prill ku shkruhej se: “Shqiptarët u ankohen gazetarëve se jetojnë si qytetarë të dorës së dytë në tokën që ishte e tyre shumë kohë përpara se Zoti të vendoste që këtu të vinin serbët, kroatët dhe turqit”.  Ndërsa gazeta “Christian Science Monitor” e datës 8 prill shkruante se: “Edhe pse tradicionalisht ruajnë krenarinë kombëtare, kosovarët akoma vuajnë nga një kompleks inferioriteti. Serbët dhe anëtarët e kombësive të tjera shpesh i shohin me nënvleftësim ata”.  Po për këtë problem, në gazetën “Boston Globe” të datës 18 qershor shkruhej: “Shqiptarët kanë qenë gjithnjë qytetarë të kategorisë së dytë në vendin e sllavëve të jugut dhe si myslimanë në një vend të krishterë, ata janë më të varfrit e të varfërve, akoma në pjesën më të madhe, janë fshatarë analfabetë. Në qoftë se ata largohen nga Kosova për të kërkuar punë, gjuha e tyre është e pakuptueshme për jugosllavët e tjerë. Ata bëjnë kryesisht punë të rëndomta si portierë, pjatalarës dhe lustraxhinj…”.

6. Për sa i përket numrit të pjesëmarrësve në demonstrata në shtypin amerikan jepen shifra kontradiktore. Kjo për shkak se ata i referohen kryesisht të dhënave që vijnë nga burimet zyrtare jugosllave. Kështu, herë kjo shifër është 20 000, herë 10 000 dhe herë tjetër 2 000 protestues. Ndërsa për numrin e viktimave kjo shifër ndryshon nga 9 në 11 të vrarë.

7. Në shtypin amerikan pasqyrohej edhe qëndrimi i shtypit shqiptar ndaj demonstratave të Prishtinës. Në këto shkrime vihej theksi tek mbrojtja e popullsisë shqiptare në Kosovë dhe tek fakti se Shqipëria nuk kishte pretendime territoriale ndaj fqinjit të saj ballkanik. Gjithashtu, pasqyroheshin deklaratat dhe shkrimet të cilat hidhnin poshtë akuzat e Beogradit lidhur me një shpërthim që kishte ndodhur në ambasadën shqiptare në Tiranë.

Në këto shkrime pasqyrohej edhe dëshira e Tiranës zyrtare për të vazhduar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me Jugosllavinë, si dhe “për të luftuar krah për krah me popullin jugosllav në qoftë se ai sulmohej nga imperializmi amerikan dhe revizionizmi sovjetik”. Për mendimin tonë, kjo përbënte dhe deklaratën më absurde, por dhe më domethënëse që tregon se qeveria komuniste e Tiranës dhe Enver Hoxha, më tepër se për interesat e shqiptarëve të Kosovës, ishin të interesuar për të ruajtur pushtetin e tyre, pavarësisht se si trajtoheshin shqiptarët në Federatën Jugosllave.

8. Në shtypin amerikan flitej veçanërisht për gjendjen e rëndë që ekzistonte në Kosovë dhe për masat drastike që ishin duke marrë autoritetet jugosllave për të kontrolluar situatën politike. Këto shkrime përmbanin disa të dhëna konkrete lidhur me masat që mori qeveria jugosllave; flitej për mbylljen e Universitetit të Prishtinës dhe shkollave të tjera të larta e të mesme në Kosovë; për ushtrinë dhe forcat speciale të policisë e sigurimit që vazhdonin të qëndronin në qytetet të ndryshme të Kosovës; për 100 demonstrues që ishin arrestuar dhe pritej që të dilnin përpara gjyqit; për 500 demonstrues që ishin gjobitur dhe 150 të tjerë që ishin ngarkuar me akuza më serioze dhe të papërcaktuara; për 450 anëtarë partie që ishin përjashtuar si pjesëmarrës në demonstrata, duke përfshirë 105 mësues dhe 99 studentë; për 189 veta që ishin qortuar rëndë, duke përfshirë 109 mësues dhe 300 studentë që ishin përjashtuar nga shkolla etj.

Në shtypin amerikan pasqyrohej edhe mendimi i disa personaliteteve perëndimore, sipas të cilëve fryma e protestave kishte filluar të përhapej edhe në qytetet e tjera të Kosovës.

Si përfundim mund të thuhet se shtypi amerikan në përgjithësi mbajti një qëndrim objektiv ndaj demonstratave të vitit 1981. Ky qëndrim erdhi duke u kristalizuar gjithnjë e më shumë në favor të shqiptarëve dhe kundër politikës shtypëse dhe diskriminuese të autoriteteve jugosllave. Po ashtu, një rëndësi të veçantë shtypi amerikan i kushtoi edhe çështjeve që mund të kenë çuar tek Demonstratat e vitit 1981, në veçanti atyre ekonomike, sociale e kulturore, si dhe raporteve midis Shqipërisë e Jugosllavisë lidhur me Kosovën.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura