MEHMET HAJRIZI: SHTOJCA – DOKUMENTE, LETRA DHE ARTIKUJ (63)

Pashtriku, 1 gusht 2020:
8.1 Dokumente, letra dhe artikuj
8.1.1 Në rrugë drejt lirisë (1)
I
Gjatë gjithë historisë së tij, populli ynë nuk njeh përulje e nënshtrim ndaj armiqve të shumtë, të fuqishëm e të egër. Nën udhëheqjen e Skënderbeut legjendar, shqiptarët për një çerek shekulli rresht luftuan heroikisht kundër hordhive otomane dhe mbrojtën lirinë e trojeve të veta të shtrenjta. Që nga ajo kohë populli ynë nuk e pushoi luftën për liri dhe pavarësi, duke shkruar me gjak faqe lavdie e heroizmi në historinë e tij.

Vitalitetin e tij për të mbrojtur të drejtën që të ekzistojë si komb, dashurinë e pafund për liri e pavarësi, populli ynë e tregoi me një forca të madhe gjatë viteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila luftoi heroikisht për njohjen e kombit shqiptar si një e të pandarë e respektimin e parimit të kombësisë ndaj tij, për ruajtjen e paprekshmërisë së tërësisë së trojeve kombëtare dhe bashkimin e tokave të Shqipërisë në një shtet të vetëm e të lirë. Janë të njohura luftërat e përgjakshme që bëri populli ynë i udhëhequr nga Lidhja Shqiptare për mbrojtjen e krahinave të tij të Plavës e Gucisë, Hotit, Grudës e Ulqinit, të cilat me forcën e armëve donin t’i shkëpusnin fuqitë e mëdha për të kënaqur lak-mitë e fqinjëve grabitqarë të Shqipërisë. Trimëri të rrallë tregoi ushtria vullnetare e udhëhequr nga Heroi i Popullit, Sulejman Vokshi, në luftë kundër ushtrisë turke, të dërguar nga Porta e Lartë për ta shkatërruar Lidhjen. Një heroizëm të shkëlqyer në historinë e popullit tonë përbëjnë betejat e përgjakshme të kosovarëve të udhëhequr nga trimat e shquar si Sulejman Vokshi, Ali Ibra, Mic Sokoli, Bajram Rama, Sefë Kosharja, Smajl Hyseni etj.

Platforma politike e Lidhjes e përpunuar në zjarrin e luftës çlirimtare, mbeti si bazë e programit të lëvizjes kombëtare shqiptare, gjatë gjithë periudhës deri më 28 nëntor 1912.
Pas shekujsh robërie, populli ynë, më 28 nëntor 1912 arriti fitoren e madhe historike, krijoi shtetin e pavarur kombëtar shqiptar. Baza politike, ideologjike, kulturore dhe organizative e kësaj fitoreje të madhe ishte përgatitur me durim dhe luftë për dhjetëra vjet me radhë nga rilindësit tanë të shquar. Luftëtarët tanë të shquar të pushkës e të penës, Abdyl, Naim e Sami Frashëri, Naum Veçilharxhi Konstandin Kristoforidhi, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi etj., i dhanë lëvizjes për liri një platformë të qartë politike me objektiv sigurimin e lirisë së Atdheut, pavarësisë së tij të plotë e të pacunguar nga ana territoriale. Shpallja e pavarësisë ishte kurorëzim i luftërave shekullore të popullit tonë për liri, ishte rrjedhim i luftërave të popullit tonë në të katër anët e Atdheut, të udhëhequr nga trimat tanë popullorë, Themistokli Gërmenji, Spiro Ballkameni, Çerqiz Topulli, Dedë Gjo Luli, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Baj-ram Curri, Idriz Seferi e shumë të tjerë. Këto luftëra çuan në kryengritjen e përgjithshme të Shqipërisë më 1912, e cila tronditi nga themeli sundimin osman dhe i hapi rrugën shpalljes së pavarësisë.
Shteti Shqiptar e filloi jetën e vet në kushte historike shumë të vështira. Tokat shqiptare u bënë plaçkë në tregun imperialist. Pothuajse gjysma e tyre, me vullnetin e fuqive imperialiste u shkëput nga trungu i Shqipërisë dhe hyri nën zgjedhën e huaj. Trualli shqiptar u copëtua rëndë. Re të zeza të një robërie të re mbuluan qiellin e Kosovës së Hasan Prishtinës, Isa Boletinit e Bajram Currit dhe të krahinave tjera shqiptare që mbetën nën sundimin e huaj. Shovinistët serbë e malazezë derdhën gjithë tërbimin e tyre të egër mbi popullin tonë në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Edhe në këto situata të rënda, populli ynë nuk u përkul e nuk u nënshtrua; ai vazhdoi rrugën e tij të luftës me armë në dorë për të fituar lirinë dhe për bashkim kombëtar. Me heroizëm të pashoq populli ynë i bëri ballë politikës së shfrenuar shkombëtarizuese dhe shfarosëse që zbatohej ndaj tij nga shovinistët serbë e malazezë.
Fqinjët grabitqarë lakmonin të copëtonin gjithë Shqipërinë. Fuqitë imperialiste e shndërruan Shqipërinë në shesh lufte gjatë Luftës së Parë Botërore, e pushtuan ushtarakisht dhe e rrënuan ekonomikisht. Ato nuk menduan kurrë të ndreqnin padrejtësitë që kishin bërë ndaj Shqipërisë më 1913, kur e cunguan, por përkundrazi, kishin vendosur ta copëtonin krejt atë për të kënaqur lakmitë e fqinjëve të saj grabitqarë. Këtij qëllimi i shërbente Traktati i fshehtë i fuqive imperialiste në Londër, në prill të vitit 1915.
Detyrë dite për popullin shqiptar ishte mbrojtja e tërësisë territoriale të shtetit shqiptar, detyrë kjo që e vuri në lëvizje gjithë popullin. Lufta e vendosur e popullit shqiptar për të mbrojtur tërësinë tokësore të shtetit të tij, bëri që planet imperialiste të dështojnë.
Një kontribut të madh në këtë kohë, në bashkimin, mobilizimin dhe organi-zimin e masave popullore shqiptare në luftë për çlirimin kombëtar të vendit, për demokratizimin e tij dhe bashkimin kombëtar, dha Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës.
Ndërkohë ushtria e krajlit të Beogradit po bënte masakra të papara mbi popullin shqiptar të Kosovës dhe të krahinave tjera shqiptare të sunduara prej tij. Vetëm gjatë viteve të para të sundimit të shovinistëve, në Kosovë u shfarosën 200.000 shqiptarë, shumë të tjerë u dëbuan nga vatrat e tyre, të cilat pastaj u kolonizuan. Por populli ynë nuk epej; mbronte qenien e tij si popull, ruante gjuhën e kulturën e tij, organizonte qëndresën e armatosur kundër pushtuesve shovinistë. Kështu, nën udhëheqjen e drejtpërdrejtë të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, në malet e Kosovës kreshnike, luftonin shumë çeta trimash të udhëhequra nga Azem Galica, Musë Zeka, Ajet Çaushi, Beqir Rexha etj…
Klasat sunduese i kishin tradhtuar gjithmonë interesat e popullit dhe e kishin shitur te të huajt Shqipërinë. Edhe regjimi feudoborgjez i Ahmet Zogut e shiti te fashistët italianë Shqipërinë. Populli shqiptar, i tradhtuar nga Zogu, u robërua nga fashizmi…
Nën udhëheqjen e Partisë Komuniste të Shqipërisë, populli shqiptar u ngrit në këmbë dhe i bashkuar në Frontin Nacionalçlirimtar, me armë në dorë, u hodh në luftën më të madhe të historisë së tij, për çlirim kombëtar e shoqëror, dëboi armiqtë fashistë nga Atdheu i tij, shkatërroi nga themelet pushtetin e vjetër dhe mbi gërmadhat e tij ndërtoi shtetin e ri të demokracisë popullore, si formë të diktaturës së proletariatit. Më 29 Nëntor 1944 Shqipëria fitoi pavarësinë e vërtetë, populli shqiptar mori në dorë fatet e tij…
Gjatë Luftës së dytë botërore, fashistët pushtuan edhe Kosovën dhe krahinat tjera shqiptare në Jugosllavi. Populli ynë në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, ashtu si gjithë populli shqiptar, rroku armët dhe u ngrit në luftë për çlirimin kombëtar e shoqëror. Ai mendonte se në këtë luftë, jo vetëm do të fitonte mbi armiqtë fashistë e tradhtarë, por do të fitonte edhe të drejtën e vetëvendosjes për bashkimin me shtetin shqiptar, pasi të triumfonte revolucioni në Shqipëri e në Jugosllavi. Por batakçinjtë revizionistë në udhëheqje të PKJ-së, qysh gjatë Luftës, në fshehtësi, kishin thurur plane për të futur nën sundimin e tyre, jo vetëm Kosovën e krahinat tjera shqiptare që sundonin krajlët dikur, por edhe gjithë Shqipërinë. Plani i revizionistëve titistë për ta shndërruar Shqipërinë në një republikë të shtatë të Jugosllavisë, dështoi me turp…
Në tradhti, me mjete e metoda të poshtra dhe me forcën e armëve, banda e Titos arriti të ripushtojë dhe të vejë nën sundimin e saj Kosovën e krahinat tjera shqiptare që mbante të pushtuara më parë borgjezia serbe e jugosllave…
Pasi vranë në tradhti shumë udhëheqës shqiptarë kosovarë të Luftës Nacional-çlirimtare, komunistë, patriotë, liridashës dhe përparimtarë, pasi bënë për vete ndonjë Fadil Hoxhë, Ali Shukri, Xhavit Niman etj., titistët organizuan mbledhje formale, si ajo në Prizren më 1945, për të deklaruar se gjoja populli ynë “vetëvendosi” të bashkohet me Jugosllavinë, me Titon, me Rankoviqin e shokët e tyre dhe jo me Shqipërinë e lirë e të pavarur.
Për shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi filloi të përsëritet në një formë akoma më të egër, historia e viteve pas 1913-ës. Ushtria e Titos u hodh si e çmendur mbi popullin tonë dhe bëri masakra të padëgjuara në analet e historisë. Burgjet jugosllave u mbushën plot shqiptarë të ndershëm, mbi të cilët bënte kërdinë UDB-ja e Rankoviqit. Mbi popullsinë shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, vazhdoi zbatimi i politikës së egër të gjenocidit, kolonizimit të trojeve shqiptare, shtypjes e shfrytëzimit të egër kolonial, dëbimit me dhunë të shqiptarëve nga trojet e veta dhe e mohimit të drejtave elementare, si e emrit, gjuhës, kulturës kombëtare etj…
Populli shqiptar i Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi, nuk iu bind dhe nuk iu nënshtrua robëruesve të rinj revizionistë. Ai i rezistoi politikës barbare fashiste të bandës së Beogradit, mbrojti qenien e tij, ruajti gjuhën e kulturën e tij dhe luftoi pareshtur, në forma e me mjete të ndryshme kundër regjimit gjakatar të Titos.
Një kontribut në këtë drejtim përbëjnë grupet dhe organizatat e ndryshme patriotike të cilat i kishin vënë vetes për detyrë të luftonin për liri dhe bashkim kombëtar, por që për shkak të paqartësive, organizimit jo të shëndoshë e të shkëputjes nga masat, nuk qenë në gjendje të veprojnë në kushte tepër të rënda represive dhe të një rrjeti të dendur agjentësh policorë, prandaj zbuloheshin nga armiku, ose binin në kurthe të përgatitura prej tij dhe goditeshin pa mëshirë.
VIJON…
_____________
Referenca:
1. Shkruar nga Mehmet Hajrizi dhe botuar në fillim të vitit 1978 për radhët e organizuara, si dokument programatik i Organizatës.
__________
Mehmet Hajrizi: Shenime për veprimtarinë e Ismet Isufit, Hamide Ademit, Shemsedin Hoxhës, Mefail Bajramit, Sami Pirevës dhe Nazmi Maliqit (62)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10324

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura