Nga arkivi i pashtrikut, Sheradin Berisha, 07 nëntor 2021
SI DËSHTOI NË VITIN 2001, SIMPOZIUMI SHKENCOR – “UÇK, E DJESHMJA, E SOTMJA DHE E ARDHSHMJA JONË”, NGA KRERËT E UÇK’së!?!
Në korrik të vitit 2012 kam zhvilluar një intervistë me Prof.Dr.Muhamet Pirrakun (tashmë i ndjerë) lidhur me idenë e organizimit të një Simpoziumi Shkencor Ndërkombëtar: “USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS – E DJESHMJA, E SOTMJA DHE E ARDHSHMJA JONË”, nga 28 – 30 dhjetor 2001.
Ky simpozium nuk u realizua për shkak të neglizhencës së drejtuesve të SHP të UÇK-së, Drejtorisë politike dhe zëdhënësit të kësaj ushtrie, të cilët asokohe ishin në krye të PDK-së!
Në vijim lexoni të plotë intervistën e zhvilluar me Prof.Dr.Muhamet Pirrakun:
***
SI DËSHTOI NË VITIN 2001, SIMPOZIUMI SHKENCOR – ‘USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS – E DJESHMJA, E SOTMJA DHE E ARDHSHMJA JONË’!?!
Pashtriku.org, 05. 07. 2012) – Në korrik të vitit 2001, historiani Prof.Dr.Muhamet Pirraku në konsultim me disa intelektualë të Institutit Albanologjik, (ku punonte) kishte konceptuar idenë e mbajtjes së një Simpoziumi Shkencor Ndërkombëtar: “USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS – E DJESHMJA, E SOTMJA DHE E ARDHSHMJA JONË”. Ky projekt madhor, ishte planifikuar të organizohet më 28 – 30 dhjetor 2001, (pikërisht në Dhjetëvjetorin e Rrethimit të Parë të Kullave të Komandantit të UÇK’së – Adem Jasharit, më 30 dhjetor 1991),
– nga Instituti Albanologjik i Prishtinës
në bashkëpunim me
– Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës,
– Akademinë e Shkencave të Shqipërisë,
– Akademinë e Mbrojtjes së Kosovës,
– Akademinë Ushtarake të Shqipërisë,
– Institutin e Historisë së Prishtinës dhe
– Institutin e Historisë në Tiranë.
Duke e ditur mirëfilli, se ky simpozium i rëndësishëm shkencor e kombëtar nuk u mbajt asokohe, pashtriku.org ka zhvilluar një bisedë me prof.Pirrakun, për të mësuar arsyet e dështimit të këtij projekti.
PASHTRIKU: Z.Pirraku, në vitin 2001 i keni pas hyrë përgatitjes së një Simpoziumi Ndërkombëtar Shkencor për UÇK-ën, nga institucionet shtetërore e akademike shkencore shqiptare me kryetemë: “USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS – E DJESHMJA, E SOTMJA DHE E ARDHSHMJA JONË”?
PIRRAKU: Po, i kemi pas hyrë përgatitjes…
PASHTRIKU: Dhe, çka synuat me këtë aktivitet shkencor?
PIRRAKU: Unë jam njëri ndër punëtorët në fushën e dijes, që publikisht e mori krahun e UÇK-ës, qysh nga aksionet e para të armatosura. Meqë pas fitores kundër Pushtuesit serbë, u pa qartë se për synime “karrieriste”, disa komandantë shfaqën aspirata për ta promovuar vetën në “piedestalin” e faktorit UÇK, me pasoja për historinë e Lëvizjes për Çlirimin Kombëtar Shqiptar të viseve nën Jugosllavi, me pasoja politike edhe për të ardhmen tonë, siç e vërtetoi koha, synova që fillimisht t’ia vendosim bazat shkencërisht historisë së UÇK-ës, e pastaj të pasojnë “shënimet memoriale”!
PASHTRIKU: Profesor i nderuar, a e keni ruajtur këtë projekt shkencor?
PIRRAKU: Po, e kam projektin, dhe për hir të opinionit publik, po ua jap ta publikoni në faqen kombëtare pashtriku.org.
PASHTRIKU: Profesor, a e keni dërguar këtë projekt për publikim në shtypin e kohës?
PIRRAKU: Jo në shtyp nuk e kemi dërguar (sepse ishte aktivitet që po synohej të mbahej), por ky projekt i përgatitur mirë, iu dërgua të gjitha instancave të Qeverisë së kohës – kompetentëve:
– Ministrisë së Mbrojtjes,
– Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-ës,
– partisë në pushtet (të cilës i takoja),
– e Institutit Albanologjik (ku punoja).
PASHTRIKU: Dhe, a u realizua ky projekt?
PIRRAKU: Jo, nuk u realizua! Dhe kjo nuk ndodhi për fajin tonë…
PASHTRIKU: Profesor, sa di unë edhe pas vitit 2001 deri më sot, nuk është mbajtur ndonjë Simpozium i përmasave të tilla shkencore, që me të drejt e meritonte lufta e UÇK-së!?!
PIRRAKU: Është i vërtet konstatimi i Juaj. Fillimisht u mbajtën disa akademi në përvjetorët e dëshmorëve e të masakrave gjithandej Kosovës, e më vonë, edhe u improvizua ndonjë sesion shkencor për akëcilën brigadë të UÇK-së… por nuk u organizua asnjë simpozium shkencor, ku do të trajtohet gjithanshëm lufta e UÇK-së, nga zanafilla e saj. Me këtë rast vlen të theksohet, se në kuadër të këtij projekti madhor, ishte përgatitur në detaje edhe Projekti me titull: “Zërat Enciklopedik të Luftës Çlirimtare të UÇK-ës”, por për fat të keq edhe ai (projekt) u sabotua!!
PASHTRIKU: Meqë iniciativa juaj nuk u realizua atëkohë, a mund të inicohet sërish mbajtja e një simpoziumi shkencor për luftën e lavdishme të UÇK-së, pasi tashmë e kemi shtetin e Pavarur të Kosovës?!
PIRRAKU: Po, sepse është një punë me interes të veçantë për Kombin tonë. Më mirë vonë se kurrë!
***
Me këtë rast portali pashtriku.org, boton për herë të parë projektin e parealizuar për Simpoziumin: “USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS – E DJESHMJA, E SOTMJA DHE E ARDHSHMJA JONË”.
SIMPOZIUM PËR UÇK-në, 2001
Në Dhjetëvjetorin e përballimit të Rrethimit të Parë të Kullave të Komandantit legjendar të UÇK-së – Adem Jasharit, më 30 dhjetor 1991:
Instituti Albanologjik i Prishtinës – në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Akademinë e Mbrojtjes së Kosovës, Akademinë Ushtarake të Shqipërisë, Institutin e Historisë së Prishtinës dhe Institutin e Historisë së Tiranës:
Organizon Simpozium Shkencor Ndërkombëtar:
USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS E DJESHMJA, E SOTMJA DHE E ARDHSHMJA JONË
Këshilli Organizues:
(Nga dy përfaqësues secili subjekt. Kryetari nga SHP i UÇK-së. Subjekti bartës i aktivitetit administrativ jep edhe sekretarin. Këshillin redaktues përbën nga një përfaqësues i secilit subjekt, kryeredaktorin e cakton Redaksia – botuesi IAP).
Kryereferate:
– Ushtria Çlirimtare e Kosovës – e djeshmja, e sotmja dhe e ardhmja jonë;
– Fazat e zhvillimit të UÇK-së në themel të periodizimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës 1991-2001;
– Doktrina dhe strategjia çlirimtare e UÇK-së.
Tezat orientuese për kumtesa:
– Rrethanat shoqërore dhe politike në Kosovë, në Shqipëri, në Evropë dhe në botë në fundvitet ‘80’ta – fillimvitet e ‘90’ta;
– Organizatat ilegale të fundviteve ‘80’ta – fillimviteve ‘90’ta në themele të UÇK-së;
– Roli i Lëvizjes së Pajtimit në homogjenizimin e masave për luftën çlirimtare të shqiptarëve nën robërinë jugosllave;
– Fillet e organizimit të gueriljes shqiptare në themele të UÇK-së;
– Aksionet luftarake të gueriles shqiptare në vitet 1991-1993;
– Stërvitjet ushtarake në periudhën parauçëkë të gueriles çlirimtare;
– Themelimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës;
– Strukturat komanduese ushtarake dhe drejtuese politike të para përurimit të luftës çlirimtare ballore të UÇK-së (28 nëntor 1997);
– Aksionet luftarake të njësiteve të UÇK-së deri më 28 nëntor 1997;
– Zonat e para të çliruara dhe të kontrolluara nga UÇK-ja;
– Lëvizjet e masave (demonstratat) shqiptare në vend dhe në ekzil në mbështetje të UÇK-së;
– Lëvizja studentore në mbështetje të UÇK-së;
– Relacionet e UÇK-së me institucionet e dala nga Zgjedhjet e Kosovës (1992, 1998);
– Formacionet ushtarake dhe zonat operative të UÇK-së;
– Potenciali ushtarak dhe teknik i UÇK-së (sipas fazave të zhvillimit);
– Formimi i FARK-ut dhe pasojat për Luftën Çlirimtare të Kosovës;
– Organet e propagandimit e të informimit publik të UÇK-së;
– Përfaqësitë diplomatike të UÇK-së në botë dhe në vend;
– Takimet, bisedimet dhe marrëveshjet UÇK – OSBE – SHBA dhe NATO;
– Veprimtaritë arsimore, edukative, kulturore dhe ushtarake profesionale të UÇK-së;
– Emergjenca dhe logjistika e UÇK-së;
– Potenciali profesional dhe teknik i Sektorit sanitar të UÇK-së;
– Veprimtaria ushtarake artizanale dhe industriale e UÇK-së;
– Ndeshjet, betejat, luftërat dhe operacionet e UÇK-së;
– Strategjia serbe e spastrimit të shqiptarëve nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare në arealin e ish-Jugosllavisë avnojiste;
– Rëndësia e Misionit Verifikues të OSB-së për ndërkombëtarizimin e gjenocidit serb në Kosovë;
– Plojat dhe masakrat serbe paramilitare, ushtarake e policore në periudhën midis 28 shkurtit 1998 – 12 qershor 1999;
– Dhunimi i femrës shqiptare në funksion të strategjisë serbe të spastrimit etnik shqiptar të Kosovës;
– Roli i Drejtorisë Politike të SHP të UÇK-së në ndërkombëtarizimin e aspiratës çlirimtare të Kosovës;
– UÇK-ja forcë morale, politike dhe ushtarake vendimtare e Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare të Rambujesë;
– Pozitat e partive politike të Kosovës ndaj UÇK-së;
– Roli i KMDLNJ-së të Kosovës në afirmimin dhe fuqizimin e UÇK-së;
– Ndihmesa e organizatave vendore dhe botërore joqeveritare – humanitare për fitoren e Luftës Çlirimtare të UÇK-së;
– UÇK-ja aleate dhe këmbësori e NATO-s në Kosovë;
– Rëndësia e Shqipërisë dhe e botës përparimtare liridashëse në Luftën Çlirimtare të UÇK-së;
– Rëndësia e pranisë së vullnetarëve ndërkombëtarë në UÇK për karakterin e Luftës Çlirimtare të Kosovës;
– Strategjia për gjunjëzimin e UÇK-së me uri;
– Strategjia për gjunjëzimin e UÇK-së me uri (Shpopullzimi, plaçkitja dhe djegia e vendbanimeve, koncentrimi në kampingje mali dhe deportimi i shqiptarëve nga Kosova);
– Detyrat dhe obligimet kushtetuese ndaj popullit dhe vendit – të Presidencës, të Parlamentit dhe Qeverisë së Kosovës, të dala nga Zgjedhjet Presidenciale dhe Parlamentare, më 1992 dhe më 1998 – Përmbushjet dhe abuzimet;
– Roli i UÇK-së në kthimin e Çështjes së Kosovës në Problem botëror në Rambuje;
– Qeveria e Përkohshme e Kosovës në periudhën përfundimtare të Luftës për çlirimin e Kosovës – Rezultatet dhe dështimet;
– Humbjet e përgjithshme njerëzore dhe materiale të popullit shqiptar në periudhën e Luftës Çlirimtare të Kosovës në epokën e UÇK-së;
– Transformimi i UÇK-së në TMK – e sotmja dhe e ardhshmja e Ushtrisë së Kosovës;
– Gjendja dhe statusi aktual i burimeve arkivale për historinë e Luftës Çlirimtare të Kosovës nën udhëheqjen e UÇK-së;
– Pasqyrimi i Luftës Çlirimtare të Kosovës në publicistikë dhe në historiografi;
– Pasqyrimi i UÇK-së në memoaret, në rrëfimet dhe në ditarët e luftës;
– Pasqyrimi i UÇK-së në këngën popullore dhe në artet e bukura;
– Pasqyrimi i UÇK-së në dokumentarë dhe në filma artistikë;
– Pasqyrimi i UÇK-së në shtypin shqiptar dhe të huaj.
Shënim:
Tezat mund të merren për tema të kumtesave, por shumica e tyre ngërthejnë në vete idenë për disa kumtesa, sipas vendit dhe kohës së ngjarjes. Mund të shkruhet për çdo ngjarje, për çdo betejë, për çdo masakër, për çdo vendpërqendrim në vend dhe jashtë. Simpoziumi do të mbahet më 28, 29 dhe 30 dhjetor 2001.
Paraqitja e kumtesave me shkrim, deri më 30 shtator 2001.
Teksti për botim vetëm deri në 30 mijë karaktere (1 t/a me një faqe përmbledhje për botim në anglisht), kurse prezantimi i kumtesës në foltore deri në 10 minuta.
Në Programin e Simpoziumit do të hyjnë vetëm kumtesat e përgatitura për botim, të arritura deri më 30 nëntor 2001.
Për shpenzimet e udhëtimit dhe të qëndrimit në Prishtinë përkujdeset nikoqiri.
Për informim: Tel.& fax _____ E-mail ______
Prishtinë, 29 korrik 2001
Tezat i konceptoi: Prof. dr. Muhamet Pirraku
=====================
Më 16 korrik 2012 kam zhvilluar edhe një interviste me Prof.Dr.Muhamet Pirrakun, lexoni në vijim:
SI DËSHTOI PROJEKTI – ‘ZËRAT ENCIKLOPEDIK TË LUFTËS ÇLIRIMTARE TË UÇK-ës’
(Pashtriku.org, 16. 07. 2012) – Më 25 qershor 2010 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Tiranë, u përurua vëllimi 3 i veprës “Fjalor enciklopedik shqiptar”. Vëllimet 1 dhe 2 të kësaj vepre, që përmbajnë shkronjat A-Gj dhe H-M u përuruan një vit më parë, më 26 qershor 2009. Vëllimi 3 i FESH përmban shkronjat N-Zh dhe përmbyll krejt veprën, e cila përfshin gjithsej 3048 faqe tekst, përveç parathënies, aparatit shkencor dhe ilustrimeve me ngjyra (fotografi, harta) në fund të çdo vëllimi. Gjithë Fjalori përmban rreth 7500 zëra që pasqyrojnë botën shqiptare në tërësinë e saj që nga lashtësia deri në ditët tona, historinë e kombit shqiptar në tërësi dhe të trevave të tij etnike. Vëllimi 3 është më i madhi me rreth 1250 faqe. Këtu ndër të tjera përfshihet dhe zëri Shqipëria (f. 2537-2617), që përmban një informacion të pasur e sintetik për gjeografinë, historinë, ekonominë, arsimin e kulturën dhe aspekte të tjera të jetës së vendit tonë. Zëra të tjerë të rëndësishëm të këtij vëllimi janë Skënderbeu, Ismail Qemali, Nënë Tereza, Rilindja Kombëtare Shqiptare.“Fjalorit enciklopedik shqiptar”(FESH), është përgatitur në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë pas një pune komplekse disavjeçare të Qendrës së Enciklopedisë Shqiptare, të redaksive të 21 fushave tematike të Fjalorit, të Këshillit botues e të Redaksisë së përgjithshme dhe të disa qindra autorëve të zërave.
***
Në vitet 2000/2001, kur në Tiranë kishin filluar hapat e parë për botmin e ri të FESH, në Prishtinë ishte konceptuar ideja për organizimin e një Simpoziumi Shkencor Ndërkombëtar: “USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS – E DJESHMJA, E SOTMJA DHE E ARDHSHMJA JONË”, dhe në këtë kuadër ishte formuluar edhe projekti “ZËRAT ENCIKLOPEDIK TË LUFTËS ÇLIRIMTARE TË UÇK-ës”. Ky simpozium i ideuar nga Prof.Dr.Muhamet Pirraku, ishte planifikuar të organizohet nga Instituti Albanologjik i Prishtinës – në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Akademinë e Mbrojtjes së Kosovës, Akademinë Ushtarake të Shqipërisë, Institutin e Historisë së Prishtinës dhe Institutin e Historisë në Tiranë, mirëpo për shkak të neglizhencës së udhëheqësve të UÇK-së (të cilët ishin edhe në krye të PDK-së) ky simpozium nuk u realizua! Si rrjedhim i kësaj situate, nuk u jetësua as projekti “ZËRAT ENCIKLOPEDIK TË LUFTËS ÇLIRIMTARE TË UÇK-ës”. Për të mësuar arsyet e dështimit edhe të këtij projekti me rëndësi historike e kombëtare, biseduam me Prof.Dr.Muhamet Pirrakun.
(…)
Më gjerësisht lexoni këtu:
Më 6 tetor 2012 kam zhvilluar edhe një intervistë (të tretë) me Prof.Dr.Muhamet Pirrakun, lexoni në vijim:
PSE SHUMË EMRA TË PERSONALITETEVE E NGJARJEVE HISTORIKE NGA VISET SHQIPTARE JASHTË SHQIPËRISË LONDINEZE MBETËN JASHTË FJALORIT ENCIKLOPEDIK SHQIPTAR?!
(Pashtriku.org, 06. 10. 2012) – Në vitet 2000/2001, kur në Tiranë ishte hedhur hapi parë për botmin e ri të “Fjalorit Enciklopedik Shqiptar” – FESH, në Prishtinë ishte konceptuar ideja për organizimin e një Simpoziumi Shkencor Ndërkombëtar: “USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS – E DJESHMJA, E SOTMJA DHE E ARDHSHMJA JONË”, dhe në këtë kuadër ishte përpiluar edhe projekti “ZËRAT ENCIKLOPEDIK TË LUFTËS SË UÇK-ës” për botim në FESH. Ky simpozium i ideuar nga Prof.Dr.Muhamet Pirraku, do të organizohej nga Instituti Albanologjik i Prishtinës – në bashkëpunim me ASHA të Kosovës, ASH të Shqipërisë, dy akademitë ushtarake (të Tiranës dhe të Prishtinës), dhe dy institutet e historisë (të Titanës dhe të Prishtinës), mirëpo ky SIMPOZIUM nuk do të mbahej (dështon) për shkak të neglizhencës totale të SHP të UÇK-së, pjestarët e së cilës atëkohë ishin në krye të PDK-së! Në këtë kuadër, (si rrjedhim i kësaj situate), nuk u jetësua as projekti “ZËRAT ENCIKLOPEDIK TË LUFTËS ÇLIRIMTARE TË UÇK-ës”. Në korrik të këtij viti (më 05 dhe 16 korrik) pashtriku.org ka bërë dy intervista me inicuesin e këtyre projekteve, prof.M.Pirrakun, i cili i ka sqaruar në detaje këto nisma. Ndërkaq ajo që ka mbetur pa u sqaruar është: “Lista e emrave të personaliteteve kombëtare e ngjarjeve historike…” që ishte punuar enkas për “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar”, qysh në fund të vitit 2000. Për të ditur më shumë rreth kësaj çështjeje, kryeredaktori i pashtriku.org zhvilloi një intervistë të shkurtër, me Prof.Muhamet Pirrakun.
(…)
Më gjerësisht lexoni këtu: