SI U THEMELUA LNÇKVSHJ-ja NGA METUSH KRASNIQI …

SI U THEMELUA LNÇKVSHJ-ja NGA METUSH KRASNIQI …

Flet Shefqet Jashari § intervistoi: Shefki Oseku, 1997

Një fragment nga Intervista me Shefqet Jasharin, anëtarin e Komiteti Qendrior të Lëvizjes Nacional Çlirimtare të Kosovës

(***)

DRITA: Gjatë viteve të 70-ta ishte një frymë paksa më liberale në Kosovë. Gjatë kësaj kohe lindi edhe LNÇKVSHJ-a. Meqë Ju jeni njëri nga themeluesit e LNÇKVSHJ-së a ka mundësi të na thuani për gazetën Drita se kur u krijua ajo Lëvizje, kush mori pjesë në themelimin e saj, si u organizua Lëvizja në fjalë dhe cili ishte qëllimi i themelimit të saj.

Sh.Jashari: (…) Duke ditur se me vdekjen e Titos nuk do të ketë personalitet që do t`i mbajë nën kontroll nacionalizmin kroato-slloven dhe shovenizmin serb, dhe si rrjedhim i kësaj gjendje do të vijë deri te shkapërderdhja e Federatës Jugosllave, Metush Krasniqi, Sabri Novosella dhe unë, pas bisedave të shumta që i zhvillonim herë në shtëpinë e Sabriut e herë në shtëpinë e Metushit, por duke u konsultuar çdo njëri prej nesh edhe me shokë me të cilët kishim besim të plotë, vendosëm ta formojmë një Organizatë, thjeshtë kombëtare, pa ngjyrime ideologjike. Donim të ishim të përgaditur, që në momentin e duhur Lëvizja jonë të jetë e zonja t`i prijë popullit për t`i prerë prangat e robërisë dhe për të realizuar ëndrrën e shenjët për çlirimin e Kosovës dhe Viseve tjera shqiptare, dhe bashkimin e tyre me Nënën Shqipëri. Parapërgaditjet kanë filluar në pranverë të vitit 1976 dhe kanë zgjatër disa muaj. (….) U muarëm vesh, që çdonjëri prej nesh t`i zgjedhi shokët me të cilët do të punojë në formimin e celulave të para. Celulat duhet të formoheshin prej njerëzve që s`kanë qenë të burgosur politik, që për pushtetin kukull të Kosovës të mos jenë të përcjellur, të jenë autoritativ në vendet ku jetojnë dhe punojnë, të kenë aftësi organizative, përvojë jetësore, dhe mbi të gjitha të jenë atdhetarë të mirëfilltë. (…) Mbledhjen për formimin e Organizatës e bëmë në shtëpinë e Sabri Novosellës. Çdo njëri raportum për punën tonë: Nga sa çelula i kemi formuar (…) Bilansi i përgjithshëm i punës tonë ishte kështu: Unë i pata formuar dy çelula, Sabriu tri çelula, kurse Metushi pesë çelula. Një çelulë e kishte pas formuar në Shkup. Shumica e njerëzve të pyetur nga ne kishin shprehur dëshirën që Organizata ta merrë emrin: ’’Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi’’. U vendos që Metush Krasniqi të jetë kryetar i Lëvizjes, që vetëm atij t`ia tregojmë emrat e vërtetë të përgjegjësve të Celulave dhe të gjitha msheftësitë tjera.

U vendos që Celulat e formuara t`i shëndrrojmë në Komitete Qarkore (Komitete të komunave), dhe përgjegjësit e atyre të jenë kryetarë të Komiteteve Qarkore. Që udhëheqja e Komiteteve Qarkore të jetë prej tre anëtarëve. Që çdo antarë i tyre të formoi Komitete të Vendit, ku ata kanë mundësi, (në qytete, fshatra, organizata punuese etj.) me kujdesin më të madhë, që mos të depërtojnë në radhët tona njerëz që do t`i sjellin dëme Lëvizjes drejtëpërdrejtë apo tërthorazi. U muarëm vesh që antarët e udhëheqësive të Komiteteve Qarkore të mos ia tregojnë njëri tjetrit emrat e përgjegjësve të Komiteteve të vendit, si dhe u muar vendimi që askush nuk guxon ta pranoj askend për antarë Lëvizjeje pa e njohut mirë më së paku dy vjet. Po ashtu u vendos që në vend të emrave të përdoren pseudonimet. Atë ditë u krye edhe betimi, tekstin e të cilit e pat përgaditur Sabriu. Betimi u bë para fotografisë së Skenderbeut dhe Flamurit kombëtarë. U morëm vesh që Projektstatutin e Lëvizjes t’a përgaditë Metushi. Takimi tjetër për aprovimin e Statutit u vendos ta bëjmë në shtëpinë e Metush Krasniqit. Për çështjet që diskutuam atë ditë e kishim edhe mendimin e të gjithë përgjegjësve të çelulave të formuara. Prandaj vendimet e marra atë ditë ishin në përputhje të plotë me mendimet e përgjegjësve të celulave të formuara (…) Në fund të mbledhjes unë dhe Sabriu veç e veç ia kemi treguar (Metushit) emrat e vërtetë të përgjegjësve të celulave. Me këtë akt Metush Krasniqi (përkundër rrefuzimit të tij që zgjedhja e kryetarit të bëhet në këtë çast) faktikisht u bë kryetar i Lëvizjes.

Pas dy muajve, u mbajt Mbledhja për shqyrtimin e Projektstatutit. Janë bërë ca ndryshime të vogla me kërkesën e Sabriut dhe dy kryetarëve të Komiteteve Qarkore.

DRITA: Është e njohur ajo se Lëvizja ishte tejet konspirative. A ju kujtohen shtyllat themelore në të cilat është mbështetur veprimtaria e Juaj ilegale?

Sh.Jashari: Për të mos ardhur te zbulimi i plot i Lëvizjes, siç ka ndodhur në Organizatat e mëparshme, ne vendosëm, që konspiracioni të jetë në shkallën më të lartë që është e mundur. Dua ta marrë si ilustrim vetëm një rast prej shumë rasteve tjera të ngjashme. Ta zëmë, rastin kur është futur në Kryesinë e ngushtë Jusuf Gërvalla. Unë nuk kam ditur se si quhet, çfarë profesioni ka, ku punon dhe jeton dhe ku është lindur. Sabriu ka thënë se e njoh një kohë të gjatë, është atdhetar i mirëfilltë, dmth, i pa infektuar nga ideologjia e djallit të mallkuar, bolshevike. Rrjedhë nga një familje me tradita kombëtare, është i zoti i gishtit dhe i penës. Është i organizuar në një grup prej 5-6 vetësh. Më në fund Sabriu propozoi që në Kryesinë e ngushtë të pranohet përpos tij edhe një bashkëpunëtor i tij.

Veprimtaria jonë ilegale ka hecur në këto drejtime:

1. Që në gjithë Kosovën dhe në të gjitha Viset shqiptare nën okupimin Jugosllav ta kemi një strukturë udhëheqëse dhe organizative të përbërë nga atdhetarë të zot, që në momentin e duhur tu dalin zot Viseve shqiptare, dhe t`i prijnë popullit në Luftën çlirimtare për t`i prerë prangat e robërisë;

2. Që kuadri udhëheqës i Lëvizjes dhe antarësia e saj të ngritën në pikpamje kombëtare, intelektuale, dhe ushtarake, nëpërmjet leximit të literaturës përkatëse;

3. Armatimi i çdo anëtari të Lëvizjes me pushkë automatike dhe mjete tjera lufte, ka qenë detyrë parësore;

4. Të dijmë se ku ruhet armatimi i Mbrojtjes Teritoriale, lloji i armatimit dhe sasia që disponon çdo komunë;

5. Të dijmë për kuadrin udhëheqës (oficerët) të Mbrojtjes Teritoriale;

6. Që njerëzit tanë t`i fusim nëpër organet udhëheqëse të pushtetit në të gjitha nivelet, që nga Komitetet Komunale, Komitetin Krahinorë, e duke i përfshirë edhe Sekretariatet e Punëve të Brendshme;

7. T`i zbulojmë spiujtë dhe në momentin e përshtatshëm t`i neutralizojmë ata;

8. Kemi shkruar punime të ndryshme duke rrahur çështje politike dhe kombëtare, që ishin në atë kohë aktuale;

9. Kemi bërë përgaditje për nxerrjen e Organit të Lëvizjes ’’Zëri i Kosovës”;

10. Kemi ndikuar te familjet e mira që t`i dërgojnë fëmijtë e tyre nëpër shkolla ushtarake për të studjuar artin ushtarak;

11. Kemi pasur kontakte me përfaqësuesit e Shqipërisë në Konzullatën e Shqipërisë në Stamboll;

12. U kemi dërguar protesta me shkrim Organizatave të ndryshme të OKB për gjendjen e shqiptarëve nën okupimin serbo-Jugosllav dhe kemi kërkuar lirimin e Adem Demaçit nga burgu,

13. Nëpëmjet njerëzve tanë që kanë pasur shokë të ngushtë në udhëheqësinë e KK të Kosovës, jemi njohtuar për debatet dhe vendimet që ka marrë Komiteti Krahinorë i Kosovës, etj…

DRITA: Po thua se Jusufi u fut në udhëheqjen e ngushtë të LNCKVSHJ-ës, sipas propozimit të Sabriut, por me gjithatë thuani se nuk e keni njohur fare? A nuk merrte Jusufi pjesë në mbledhjet tjera të udhëheqjes, ku tashma ishte zgjedhur? A ka mundësi t`i përmendni me emra se kush merrte pjesë në mbledhjet e juaja dmth të udhëheqjes të ngusht. (Nëse mendoni se janë në rrezik njerëzit, mos i cekni emrat por NN dhe numrin total të ksaj udhëheqje). Si quhej ajo udhëheqje dhe sa antarë i kishte?

Sh.Jashari: Për shkak të konspiracionit u vendos që për një kohë të caktuar të mos tubohet e tërë udhëheqja qendrore, por ne të tretë: Metushi, Sabriu dhe unë të jemi lidhje e komunikimit të të gjithë antarëve të udhëheqësisë qendrore, kur kemi të bëjmë për të shqyrtuar ndonjë propozim, apo për të marrë ndonjë vendim. Siç e kam cekur edhe në një pyetje të shtruar më parë, për strukturën udhëheqëse, për emrin e Organizatës, për shqyrtimin e Projektstatutit dhe aprovimin e tij, janë bërë diskutime dhe është marrë mendimi i të gjithë përgjegjësve të celulave dhe për çdo gjë kemi vendosur në bazë të mendimit të shumicës. Edhe pas formimit të Lëvizjes, kemi punuar në të njëjtën mënyrë. Dua t’ua tregoi një rast që tregon se me çfarë fanatizmi u zbatua konspiracioni te ne. Në një mbledhje Sabriu e bëri kërkesën t`ia gjejmë një makinë shkrimi për nevoja të Lëvizjes. Një shok imi që ishte kryetar i një Komiteti Qarkor dhe anëtar i udhëheqësisë së ngusht që nga dita e themelimit të organizates (SH.S) ma dha makinën e tij të shkrimit. Sabriu ma caktoi ditën, kohën parullën (pseudonimin) dhe vendin që do t`ia dorëzoj makinën shokut të Lëvizjes të cilën edhe ia dorzova. Tek pas 10-12 vitesh, pra në shkurt të 1990, kur erdh Sabriu të më vizitojë nga Malmo në Zurih, (që ato ditë kisha ikur nga Kosova – praktikisht nga Zagrebi) më tregoi se makinën e shkrimit në fjalë unë ia paskësh dorzuar Jusuf Gërvallës. Kjo tregon se çfarë konspiracioni i thellë është mbajtur në mes nesh. Ndonëse unë e kam njohur Sabriun me dhjetra vite, pastaj së bashku i kemi vuajtur dënimet në burgun e Goli Otokut, ishim në përbërje të udhëheqjes së ngushtë të LNÇKVSHJ-ës, mirëpo kur ishte fjala për rregullat e konspiracionit, ato i kemi zbatuar me rigorozitet të tillë që rrallherë ka ndodhur në veprimtarinë ilegale të Kosovës.

-Ditën e formimit të LNÇKVSHJ, udhëheqësia qendrore, që ne e patëm quajtur Komitet Qendror, ka pasur nëntë anëtarë:

– Metush Krasniqi me dy kryetarë të Komiteteve Qarkore,

– Sabri Novosella dhe unë po ashtu me nga dy kryetarë të Komiteteve Qarkore.

Në këtë Udhëheqësi pastaj janë pranuar me propozimin e Sabriut Jusuf Gërvalla vet i dyti, Ramadan Pllana, i propozuar nga unë në cilësinë e kryetarit të Rinisë së LNÇKVSHJ, dhe tre kryetarë të Komiteteve Qarkore të propozuar nga Metush Krasniqi. Pra gjithsejt 15 anëtarë. Natyrisht, edhe në këtë rast, nuk janë përmendur me emra ata që s’ishin të pranishëm në mbledhje.’’
(…)

Intervistoi: Shefki Oseku – DRITA, Nr. 15/1997

———————-

Më gjerësisht lexoni këtu:

SI U THEMELUA LNÇKVSHJ-ja

Flet Shefqet Jashari § Shefki Oseku, 1997

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura