SITUATA POLITIKE NË KOSOVË 1945 – 1948

Nga Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha

SITUATA POLITIKE NË KOSOVË 1945 – 1948

Pashtriku.org, 7 shtator 2022

Presioni, dhuna e terrori  serbe ndaj  shqiptarëve në përgjithësi, e i atyre të Kosovës në veçanti, ka rrugë të gjatë, laramani të shumëfishtë veprimi e forma të veçanta aplikimi, gjithnjë duke iu përshtatur rrethanave të mundshme të zbatimit. Në këta shekuj të gjatë, shqiptarët përjetuan dhunë politike, dhunë shpirtërore e dhunë materiale. Të gjitha këto forma të dhunës barbare serbe, kishin objekt represionin fizik e shpirtëror, kishin shtypjen e substancës shqiptare, ndjenjave kombëtare dhe vlerat shpirtërore e njerëzore të tyre, me të vetmin qëllim përmbajtjesor, dëbimin dhe pastrimin etnik të shqiptarëve nga këto troje[1]. Edhe pse shumë programe e elaborate serbe kundër shqiptarëve e Shqipërisë ishin shkrua në kohët më të hershme të periudhave historike, por që duket gjithmonë aktual, nëse e gjykojmë se çka ka ndodhur në Kosovë dhe në Jugosllavi përgjithësisht edhe në vitet e më vonshme, duke u nisur edhe nga vitet  1968, 1981, 1989 dhe me luftën e fundit në Kosovë 1999. Megjithatë aplikimi i tyre vije në shprehje sidomos pas Luftës së Dytë Botërore në shtetin e “Ri” socialist duke bërë gjenocid dhe krime të papara. Programet antishqiptare jo vetëm që u aplikuan në mënyrat më perfide, bile urrejtja shkoi edhe më larg sa që në to u përfshi edhe Akademia e Shkencave e Arteve Serbe, duke shkrua dhe specifikua si dhe në çfarë mënyre duhet të eliminohen shqiptarët nga trojet e tyre[2] shkruhet në të gjitha programet e elaboratet serbe të kohës.

Për copëtimin, uzurpimin, shpërnguljen, eliminimin e shqiptarëve nga ana e intelektualëve të njohur serb është shkruar shumë, por edhe tani shkruhet më të madhe. Por, pas përfundimit të LDB-së, me aneksimin e Kosovës Serbisë, programet serbe në mënyrë institucionale u futen në sistem dhe tërësisht u legalizuan. Më vonë, çdo gjë që u punua dhe katrahurat që përjetoi populli shqiptar në Jugosllavi ishin prodhim i programeve antishqiptare. Me anën e këtyre programeve, politika serbe e hegjemoniste për qëllim kishte realizimin e parashikuar në vazhdimësi historike në projektet e përgatitura nga politikanët si Garashanini[3],  Qubrilloviqi[4], Andriqi[5], Vukotiqi[6], Jankoviqi[7] e deri te frymëzuesi shpirtëror i urrejtjes të të gjithëve që nuk janë serbë, Memorandumi i Akademisë Serbe të shkencave në fundshekullit 20-të.

  Ende pa përfunduar lufta (1945), në Kosovë, Pushteti i Administrimit ushtarak në Kosovë u vendos në kohën  kur organet më të larta të PKJ-së dhe të LANÇ-së, vendosën  që Kosova, si njësi autonome, t’i aneksohej Republikës së Serbisë. Kjo koincidencë nuk ishte e rastit, ajo ishte e lidhur ngushtë me detyrat që qëndronin përpara tij. Qëllimet e këtij pushteti ishin:

1. Administrimi ushtarak synonte  t’u mohonte  shqiptarëve arritjet dhe të drejtat që kishin realizuar gjatë luftës,

2. T’u impononte zgjedhjet që ishin projektuar për ta në rregullimin federativ të Jugosllavisë së pasluftës.

3. Ai kishte për detyrë të pengonte me çdo mjet  shpërthimin  e pakënaqësisë tek shqiptarët, e cila mund të çonte edhe në një kryengritje të përgjithshme popullore,

4. Të thyente rezistencën e popullit shqiptarë që kishin filluar në anë të ndryshme të Kosovës.

5. Në rast nevoje, të pengonin ndërhyrjen e Ushtrisë Shqiptare që do ti vije në ndihmë Kosovës, dhe

6. Administrimi Ushtarak, justifikohej me pretekstin se gjoja ishte vendosur për luftimin e forcave “kundërrevolucionare “ shqiptare në Kosovë[8].

Administrimi ushtarak në Kosovë u vendos me 8 shkurt 1945, me propozimin e J.B.Titos[9] dhe e tërë kjo u konceptua edhe si riorganizim i formacioneve  ekzistuese ushtarake në Kosovë dhe u shoqërua  me formimin e brigadave dhe të divizioneve të reja, ndërmarrjen e masave për thyerjen sa më të shpejt të rezistencës në Kosovë, që u organizua në disa pjesë të saj. Gjatë ekzistencës së pushtetit ushtarak, vëmendja kryesore u përqendrua në largimin  e kontingjenteve të të rinjve shqiptar nga këto treva, të cilët për këtë shkak u dërguan në veri të Jugosllavisë, ose në radhët e “brigadave të punës”[10]. Rruga që përshkuan këta të rinj ishte shumë e vështirë, për arsye të presioneve të shtabeve jugosllave.

Ndryshime të shumta u bënë në organizimin e reparteve ushtarake, në kuadrin komandues të këtyre reparteve dhe të seksioneve të shtabit të qarkut. Për drejtimin e tyre u caktuan kuadro serbe e malazeze, të cilët në shumë raste u thirrën nga rajonet e tjera të Jugosllavisë. Nga detyra u shkarkua Fadil Hoxha, i cili në këtë kohë ishte komandant i Shtabit Kryesor, e më pas i Shtabit Operativ të Kosovës. Shef i Shtabit Operativ për Kosovë u emërua Dushan Vukotiqi, i cili deri në atë kohë kishte qenë zëvendës komandant i Divizionit të 46- të jugosllav. Shef i prapavijës u caktua Stevo Dobërkoviq,[11] i cili u dërgua nga Shtabi Kryesor i Serbisë.

Mu nga këto ndryshime që u bënë në kreun ushtarak në Kosovë, del se në riorganizimin e ri nuk u emërua asnjë nga shqiptarët, vetvetiu kuptohet edhe qëllimi i administrimit ushtarak. Komandës së Administrimit ushtarak iu dhanë autorizime të plota, ndërsa për të gjitha veprimet  ajo jepte përgjigje vetëm para Komandantit Suprem[12]. Me fillimin e veprimit të pushtetit ushtarak në Kosovë, gjenocidi ndaj popullatës së pafajshme shqiptare, mori formën e jetës së rëndomtë, populli filloi të jetojë në ankth, për ditët që do të vijnë.

Ndërsa me 19 shkurt 1945 (11 ditë pasi u vendos administrimi ushtarak), në Prishtinë, OZNA dhe ushtarakët thirrën mbledhjen e Komitetit Krahinor të PKJ- së dhe morën vendim që organizata partiake e Kosovës t’i bashkëngjitej organizatës partiake të Serbisë[13]. Për të gjitha këto ndërmarrje populli e as anëtarësia nuk pyetej fare. Por, edhe sikur të pyeteshin, përfaqësimi i shqiptarëve në radhët e PKJ-së ishte shumë i vogël. Nga kjo del se pas luftës aspiratat kombëtare të popullit shqiptar në ish—Jugosllavi nuk u morën parasysh, por u  shtypen me dhunë e terror. Udhëheqja e PKJ-së dhe politika serbe i shfrytëzuan si marrëdhëniet që u krijuan ndërmjet PKJ-së dhe PKSh-së ashtu dhe parullat për  “vëllazërimin, bashkëpunimin e internacionalizmin”, për realizimin e qëllimeve të veta grabitqare ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar[14] që u manifestua edhe më vonë.

Po qe se shqyrtojmë hollësisht dokumentet ushtarake (LANÇ) dhe partiake (PKJ), nxjerrim përfundime, se Kosova si njësi autonome   nuk lindi pas vitit 1945, por autonomitetin e saj e gjejmë shumë  më herët. Ajo gjatë gjithë viteve të luftës pati të drejta të barabarta, si edhe republikat tjera të ish-Jugosllavisë[15]. Mirëpo, ç ‘është e vërteta, populli shqiptar asnjëherë nuk e shikoi me “admirim” pushtetin e ri, që kishte gdhirë mbi Kosovën pa dashjen e saj. Edhe në dokumentet partiake të kohës thuhet se shqiptarët me vështirësi pranonin të anëtarësoheshin në radhët e PKJ-së. Ta zëmë se vetëm në mars të vitit 1945, në Kosovë kishte 1020 anëtarë të PKJ-së, prej tyre vetëm 328 ishin shqiptarë, ose 33% nga numri i përgjithshëm[16]. Përbërja kombëtare ndryshonte  edhe në komitetet partiake të rretheve. Pas lufte, organizata partiake në Kosovë u nda në shtatë komitete partiake të rretheve. Vetëm në komitetin e rrethit partiak të Gjakovës, sekretar i organizatës ishte shqiptar, Xhevdet Hamza[17].

Më 8-13 maj 1945, në Beograd u mbajt Kongresi Themelues i PK të Serbisë. Në të, përveç konstatimit se “është zgjidhur çështja e pakicave kombëtare”[18], që e zuri në gojë sekretari politik i Komitetit Krahinor të PKS-së për Kosovë- Gjoka Pajkoviqi. Ai në mes tjerash kishte cekur edhe dobësitë dhe gabimet e shumta  që u bënë ndaj popullit të Kosovës.

Po në këtë tubim, për të njëjtat gabime foli edhe Aleksandër Rankoviqi,  njeriu më i dëshmuar për krimet që kishte bërë ndaj shqiptarëve[19]. Këto dy dëshmi dolën mu nga ata, që nuk kursyen asgjë për likuidimin e shqiptarëve. Shtrohet pyetja athua pse e bënë këtë?! Për të lehtësuar ndërgjegjen e tyre, apo për të fshehur masakrat e tjera, që u bënë në mënyrën më tinëzare, në natën e historisë. Se, kjo e dyta është shumë më afër mendjes, e në favor të saj flasin shumë likuidime dhe shumë varre masive  të shqiptarëve, si në Drenicë, në Gjilan, në Pejë, në Gjakovë, në Prizren e për të cilat askush nga kompetentët nuk mori përgjegjësinë.

Planet për Kosovën dhe trevat e tjera shqiptare ishin, që ato të serbizohen dhe të sllavizohen, prandaj me nguti, menjëherë pas “çlirimit” në vende kyçe  udhëheqëse në Kosovë, u caktuan  serbët e malazezët si në gjyqe e vende të tjera[20]. U hoq Gjyqi Krahinor dhe me kërkesën e drejtpërdrejt të Dushan Mugoshës, u krijuan katër gjykata qarqesh: në Pejë, në Prizren, në Prishtinë dhe në Gjilan ( me qendër në Ferizaj), ku të katër kryetarët e gjykatave  ishin serbomalazezë: Petar Shoshkiq, Dragutin Jakiq, Voja Stankoviq dhe Svetozar Nediq [21]. Serbët e malazezët  dominonin edhe në Këshillin Krahinor, në Komitetin Krahinor dhe në çdo vend tjetër me rëndësi politike.

Kosova e dërrmuar nga pushteti ushtarak, me 8-10 korrik 1945 do të arrij në Konferencën e Dytë të Këshillit NÇ për Kosovë që u mbajt në Prizren. Siç është tani veç e ditur, kjo konferencë u mbajt nën presion dhe nën kërcënimet e grykës së pushkëve. Pjesën më të madhe të delegatëve e përbënin serbët e malazezët, por për të krijuar huti te delegatët shqiptarë ata  kishin vënë plisa[22] të bardhë në koka.

Në mënyrë arbitrare, ky kuvend, shpalli të paligjshme dhe korrigjoi vullnetin dhe aspiratat shekullore të popullit të Kosovës, të shprehura në Konferencën e Parë të Këshillit NÇ për Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit, të mbajtur në fshatin Bunjaj të Malësisë së Gjakovës ( 31 dhjetor 1943-1 e 2 janar 1944). Konferenca u mbajt në  kohë lufte dhe pikërisht në atë kohë kur edhe kombet e tjera të Jugosllavisë themeluan organet më të larta të pushtetit të dala nga LANÇ-i, në kohën kur çdo komb po realizonte sipas dëshirës e vullnetit të tij të drejtën për vetëvendosje, por për shqiptarët sipas të gjitha gjasave nuk vlenin këto parime.

Duke ecur në gjurmët e nacionalizmit shqiptar, mbledhja e Bunjanit ( 31 dhjetor 1943 dhe 1 e 2 janar 1944), përcaktoi si synim madhor bashkimin e tokave shqiptare. Këto vendime që u morën në këtë mbledhje, nuk ishin shfaqje e ndonjë nacionalizmi ekstrem, edhe pse më vonë nuk u përfillën vendimet e saja. Nuk u mor parasysh e drejta e vetëvendosjes  së popullit shqiptarë për luftën e sakrificën që bënë[23]. Periudha e mëvonshme provoi se ky copëtim, ishte burim kryesor i pakënaqësive që ndodhën në popullatën shqiptare.  

Të tëra këto padrejtësi me arsye  krijuan tek shqiptarët pakënaqësi. Shi për këtë, një organizim më i shpejt dhe më i mirë pritej nga patriotët e intelektualët. Në këtë periudhë dhe nën këtë trysni të vazhdueshme  lindën dhe vepruan forcat nacionaliste që në mënyrë të organizuar, nëpër mes të organizatave ilegale artikuluan qëllimet e kërkesat e veta parësore e supreme të cilat ishin: Çlirimin e Kosovës dhe bashkimin me Shqipërinë. Edhe pse pushteti jugosllav i dinte qëllimet e nacionalizmës shqiptare, ajo propagandonte  se, këto organizata ishin armiqësore, nacionaliste, separatiste, dhe që vepronin pa sukses, të nxitura nga shtetet perëndimore. Në këto momente kritike të historisë, nacionalizma shqiptare ende zotëronte një potencial njerëzor si në aspektin politik, ekonomik dhe në atë ushtarak, i cili pas padrejtësive të shumta  po vihej në veprim për ta ndryshuar situatën. 

Pas riokupimit të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit (1945), me të madhe u ndje nevoja për përvetësimin e masave të gjera popullore në përgjithësi e në veçanti shprehej interesimi për popullatën shqiptare. Organet e pushtetit jugosllav si dhe vetë Komiteti Qendror i PKJ-së ishin të interesuar që në mënyrën më të qetë dhe të mundshme të kryenin qëllimet uzurpatore ndaj Kosovës dhe pa zhurmë të realizonin planet e mëhershme për aneksimin e Kosovës[24]. Situata politike dhe ushtarake përcillej me vëmendje të posaçme në Shqipëri por në veçanti përcilleshin lëvizjet dhe qëndrimet e nacionalistëve shqiptarë në Kosovë. Udhëheqësit jugosllav ishin të njoftuar për formimin e Komi[25]tetit Nacional-Demokratik Shqiptarë. Ata e ndjenin rrezikun dhe ishin të informuar për përkrahjen që po i epte popullata shqiptare në Kosovë duke i mbrojtur dhe duke iu bashkangjitur me të madhe organizatës. Duke e parë këtë rrezik, Komiteti Qendror i PKJ-së, propozon që në Kosovë të formohet një organizatë politike masive e shqiptarëve që do të veprojë në bazë të Platformës të Frontit të Përbashkët Nacionalçlirimtar të Kosovës-Metohisë.

Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Jugosllavisë, përkatësisht Byroja e tij në Beograd miratoi vendimin që të formohej Komiteti Nacional i Shqiptarëve të Kosovës dhe të Metohisë[26]. Urdhri vinte nga lart që kjo organizatë mundësisht të formohej sa më shpejt  dhe në këtë mënyrë do të krijohej mundësia për përfshirjen  e shqiptarëve  dhe mobilizimin e tyre për zbatimin e Platformës së Frontit të Përbashkët Nacionalçlirimtar të Jugosllavisë. Njoftimin për qëndrimin e formimit të Komitetit Nacional të Shqiptarëve të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit e kishte marr përsipër që t’ia bënte  Milladin Popoviqit dhe Fadil Hoxhës, Millovan Gjillasi dhe Aleksander Rankoviqi. Lidhur me formimin e KNSHKD, u luajt edhe një lojë me plotë hile, ngase tek popullata shqiptare e Kosovës u krijua një huti e paparë. Për njerëzit e painformuar mirë u krijua bindja se Komiteti Nacional Demokratik Shqiptar ishte po i njëjti ky komitet që vepronte nën patronatin e PKJ-së. Andaj nuk është për tu habitur pse anëtarësimi i shqiptarëve ishte tejet i madh. Menjëherë pas këtij qëndrimi në Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit filluan përgatitjet . Mbaheshin tubimet e shqiptarëve nëpër rrethe dhe qendra të mëdha në të gjitha viset ku jetonin shqiptarët. Në mbledhjet me masa, bëhej informimi i situatës politike dhe  zgjidheshin delegatet për tubimin kryesor të Komitetit Nacional të Shqiptarëve. Kërkesë e pushtetarëve ishte që të gjithë delegatet që propozoheshin për këtë Konferencë  Themeluese duhet të ishin shqiptarët me orientim komunist dhe të ishin të orientuar kah LNÇ-ja

Konferenca Themeluese e Komitetit Nacional të Shqiptarëve u mbajt me 27 e 28 mars të vitit 1945 në Prishtinë. Në të morën pjesë mbi 400 delegat nga të gjitha viset e Kosovës e të Dukagjinit. Në të merrnin pjesë përfaqësuesit nga Shtabi Operativë të UNÇJ dhe AP për Kosovë e Metohi, Këshillit Krahinor Nacionalçlirimtar  për Kosovë e Metohi. Në konferencë u lexuan shumë referate politike nga udhëheqësit e ushtrisë dhe të PKJ-së[27]. Po ashtu në të u caktuan edhe detyrat e KNSH-së, të cilat ishin: Të ndihmohej populli shqiptar për shfrytëzimin e fryteve të LNÇ-së; për afirmimin kombëtar, për çlirimin social, për ngritjen politike, kulturore, arsimore, të mësonte për historinë dhe kulturën e popullit shqiptar, të ndihmonte organet e pushtetit popullor në zgjedhjen e të gjitha problemeve në frymën e interesave dhe kërkesave të popullit. Bukur dukej në letër dhe shumë joshëse ishin premtimet e pushtetarëve po të kishin qenë të sinqerta.[28] Faktet dëshmojnë, që në atë kohë, në kushtet e pushtetit ushtarak në Kosovë e në vise të tjera të shqiptare, Komiteti Nacional Shqiptar ishte sajua për efekte mashtruese në plan të brendshëm e atë ndërkombëtar[29]. Përmes një manovre të tillë të organizmave të tilla synohej të arriheshin disa qëllime:

1. Të hutoheshin dhe në një mënyrë të qetësoheshin masat shqiptare të pakënaqura me zhvillimet politike në Kosovë që për çdo moment pritej eskalimi i tyre në front të hapur luftarak.

2. Forcat e armatosura shqiptare të cilat ishin duke luftuar në brendësi të Jugosllavisë, të mendonin se në Kosovë ishte çdo gjë në rregull dhe shqiptaret që në fillim kishin organizatën e tyre legale që përfshinte të gjithë shqiptarët dhe nëpër mes saj mbronin qëllimet e tyre kombëtare.

3.  Tensionet që mbretëronin në pjesën veriore të Shqipërisë si në Shkodër, Tropojë, e Pogradec, rrethe të cilat përfshiheshin në të ashtuquajturën “vija strategjike” e përparuar e ish- Jugosllavisë, prej nga, si dhe më parë synohej për dominim në brigjet shqiptare të Adriatikut.

4. Që ishte edhe pika më e rëndësishme se nëpër mes të formimit të KNSH, të krijohej në opinionin ndërkombëtar e në Fuqitë e Mëdha aleate bindja  se Jugosllavia përbën “modelin e zgjidhjes demokratike” të çështjes kombëtare në përputhje me aktet ndërkombëtare të miratuara gjatë kohës së luftës e në vazhdim[30].

Konferenca e cila kishte zgjatur dy ditë, në fund kishte zgjedhur Plenumin e KNSH-së prej 100 vetash dhe Sekretariatin prej 10 vetave, në të cilën u zgjodhën: Fadil Hoxha- kryetar, Rifat Berisha- nënkryetar i parë, Hasan Kryeziu- nënkryetar i dytë, Xhavit Nimani- sekretar dhe anëtarët: Mehmet Hoxha, Kolë Shiroka, Rexhep Butovci, Mumin Jakupi, Nexhip Beqa dhe Pajazit Hamiti. Po ashtu konferenca zgjodhi edhe një delegacion që do të shkoi në Beograd dhe të takohej me Josip Broz Titon, për t’ia paraqitur të gjitha kërkesat dhe të gjitha problemet me të cilat po ballafaqohej populli shqiptar[31] në fund të luftës.

Komiteti Krahinor i PKJ-së për Kosovë e Metohi me qëllim që të kishte ndikim edhe tek rinia shqiptare, mori vendim që në kuadër të KNSH, të formohej edhe organizata e Rinisë Shqiptare për Kosovë e Metohi. Konferenca Themeluese u mbajt me 30 prill të vitit 1945. Në Konferencën Themeluese të Rinisë Shqiptare, u përcaktua edhe struktura organizative. Në nivel të krahinës kishte Konferencën dhe Këshillin Krahinor të Rinisë Shqiptare, ndërsa nëpër rrethe: plenume, këshilla dhe sekretariate. Në Konferencë u zgjodh edhe udhëhesia e saj: kryetar-Xhafer Vokshi, Nexhat Basha- nënkryetar, Ramadan Vraniqi- sekretar, Safete Nimani- arkëtare. Anëtarë të Kryesisë u zgjodhën: Mehmet Shoshi, Kadri Reufi, Sadete Bekteshi, Asllan Fazlia, Mustafa Shala, Tafil Hoxha, Murteza Luzha, Izedin Osmani dhe Riza Azemi.[32] Gjatë tërë veprimtarisë së vet Këshilli Krahinor i Rinisë Shqiptare luajti një rol të madh në sensibilizimin e çështjes shqiptare në ato vite. Organi kryesor i saj ishte “Zani i rinisë shqiptare” që u botua në qershor të vitit 1945.

Veprimtaria e Komitetit Nacional të Shqiptarëve, me kalimin e viteve kishte humbur edhe rëndësinë e saj ngase dal ngadalë u ç ‘vesh nga detyrat politike dhe kishte një rol dytësor në krahasim me organizatat tjera politike. Ajo veproi si organizatë e pavarur deri më 1953, por më këtë vit shkrihet në Lidhjen Socialiste të Popullit Punues të Kosovës dhe të Metohisë. Në LSPP-së, veprimtarin e vazhdoi si një komision i veçantë që merrej kryesisht me çështjen e traditës, të kulturës dhe të historisë kombëtare, por pa lënë anash edhe veprimtarinë e pajtimeve të gjaqeve, sipas traditës shqiptare[33]. Më vonë edhe puna në formë komision u ndërpre duke i dhënë karakter institucional, u shndërruar në Institutin Albanologjik më 1 qershor 1953. Por duke e parë rëndësinë dhe ndikimin e Institutit, organet e pushtetit më 25 dhjetor 1955 e mbyllin për ta hapur përsëri më 28 shkurt 1967. E siç dihej, Instituti Albanologjik gjatë kohës së Jugosllavisë pati shumë  peripeci në rrugën e saj. Më 8 mars 1994 ndërtesa e Institutit  u mor me dhunë duke i dëbuar e torturuar shkencëtarë që ishin në të. Edhe pse përjetoi këto katrahura, por asnjëherë puna hulumtuese-shkencore nuk u ndal dhe në qershor të vitit 1999, Instituti Albanologjik prapë iu kthye jetës dhe punës normale shkencore. 

Josip Broz Tito delegacionin e shqiptarëve e pranoi me 4 prill 1945, në Beograd dhe me ta kishte zhvillua një takim maratonik lidhur me situatën politike në Kosovë dhe të drejtat e tyre për vetëvendosje[34]. Duke i parë rrjedhat politike, të muajve të parë të vitit 1945, gjenocidin e terrorin e paparë ndaj popullatës së pafajshme shqiptare në shumë anë të Kosovës, delegacioni i KNSH merr qëndrimin që të bisedohet shtruar për çështjen e Kosovës me vetë Titon. Ngase, gjatë luftës ishte premtuar e thënë shumë herë për vetëvendosjen e popujve. Duke u nisur nga këto premtime populli shqiptar, mori pjesë aktive  në luftë për çlirimin nga fashizmi, dhe për bashkimin e tokave shqiptare në një shtet të vetëm. Vizita e delegacionit shqiptarë në Beograd u zhvillua me 4 prill 1945, dhe sipas dokumenteve thuhej se temë kryesore ishte statusi i ardhshëm i Kosovës dhe çështja agrare.

Në delegacion merrnin pjesë: 1. Mehmet Hoxha (Gjakovë), 2. Halim Spahija (Prizren), 3. Mehmet Krileva (Gjilan), 4. Qamil Luzha (Gjakovë), 5. Demë Taraku (Pejë), 6. Ahmet Nishku, 7. Ahmet Nallbani (Prizren), 8. Hilmi Zariqi (Drenicë), 9. Rifat Berisha (Drenicë), 10. Ismajl Hoxha (Kaçanik), 11. Ahmet Efendia (Mitrovicë), 12. Xhevat Sojev (Gjilan), 13. Vesel Rexhepi (Gjilan), 14. Kolë Delhysa (Prizren), 15. Ibrahim Cërnilla (Gadime), 16. Ahmet Salihu (Prishtinë), 17. Ukë Sejdi Grabanica, 18. Emrush Miftari, 19. Sheh Danjolli, 20. Dushan Mugosha, 21. Hasan Kryeziu, 22. Ahmet Shushka (Rrethi i Prishtinës), 23. Muharrem Pasha (Pejë) dhe 24. Simo Vasileviq, arkëtar (Prizren)[35].

Delegacioni i përbërë prej këtyre personave ishte i vendosur që nga Titoja të kërkojë plotësimin e kërkesave të shqiptarëve për vetëvendosje, me përjashtim të tre vetave. Pjesëmarrësit që e morën fjalën shprehën hapur shqetësimin e tyre për atë që po përgatitej. Pyetje e përgjigje të drejtpërdrejta kishte bë e dhënë patrioti Halim Spahia. Pas arsyetimit të J.B.Titos “Se ishin marrë vesh (J.B.Tito) me Enver Hoxhën që për shkak të rrezikut që do t’u kanosej fryteve të LNÇ nga reaksioni shqiptar në Kosovë dhe Shqipërinë Veriore, të mbetet përkohësisht Kosova në përbërje të Jugosllavisë së Re”[36]. Atëherë, Halim Spahia kishte parashtrua kërkesën për krijimin e një Republike të veçantë unike për shqiptarët e mbetur në Jugosllavi. Mirëpo edhe kjo kërkesë hasi në kundërshtim të J.B.Titos dhe të udhëheqësisç më të lartë  Jugosllave e të Serbisë, me motivacion se shqiptarët nuk kanë të drejtë që të kenë republikën e tyre në Jugosllavi, pasi nuk janë komb, por pakicë kombëtare[37]. Pas këtyre replikave të rrepta të Halim Spahisë me udhëheqjen në të lartë Jugosllave e të Serbisë, ky e lëshoi takimin, duke deklaruar në dalje publikisht para tërë asaj turme që priste para rezidencës, rezultatet e këtij takimi historik për ardhmërinë e Kosovës, me këto fjalë: “Po ju njoftoi se prej sot e pati Kosova, sepse ajo është shitur”. Kryetari i Delegacionit të shqiptarëve të Kosovës, Mehmet Hoxha, u mundua që të bind Halim Spahinë për të shkuar bashkërisht në Presidiumin e Serbisë që të nënshkruajnë hyrjen e Kosovës në Serbinë Federale. Mirëpo, Halim Spahia pa u hamendur, iu drejtua anëtarëve të delegacionit që gjendeshin aty me këto fjalë: “Ne erdhëm te J.B. Titoja që t’i parashtrojmë kërkesat tona të vendosura që nuk u morën në shqyrtim dhe nuk kemi pse të shkojmë në Presidiumin e Serbisë, apo gjetiu në Beograd. Ejani burra të shkojmë sa më parë në Kosovën tonë, se na presin punë të mëdha dhe tejet urgjente për ardhmërinë e kombit tonë”[38]

Ata (Delegacioni shqiptar), kishin përgatitur me shkrim shtatë kërkesa, të cilat ia dorëzuan Titos, dhe në ato pika kërkohej :

1. Ligji agrar të përmirësohet

2. Administrata të mbahet në gjuhën shqipe në Kosovë

3. Të sillën arsimtarët nga Shqipëria në Kosovë

4. Shitblerja e tokave që janë bërë me kërcënime nga serbët mos të pranohen

5. Të burgosurit pa faj me u fal

6. Të garantohet përdorimi i Flamurit Kombëtar dhe

7. Të njihej e drejta për vetëvendosje[39]

Të pesë (5) pikat e para sipas një deklarate të Qamil Luzhës, Tito i pranoi, por dy të fundit publikisht i refuzoi, dhe nga kjo ishte shumë e qartë se çka po i priste shqiptarët. 


Në Konferencën e Tretë të PKJ-së për Kosovë e Metohi, Bllagoje Neshkoviqi, mohonte çdo pjesëmarrje të shqiptarëve  në LANÇ, duke  thënë: “Ju në Kosovë dhe në Rrafshin e Dukagjinit nuk keni njeri që nuk ka pushkë dhe këta njerëz në çdo çast mund të çohen në kryengritje”, për të   vazhduar më tutje se “ sa i përket fitores politike është e qartë se për të as që mund të flitet, sepse ne jemi mjaft larg prej saj. Populli nuk është me ne. Po e shohim se shqiptarët në numrin më të madh janë kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare[40].

_________________________

[1 ]Ismail Gashi Sllovia: Dhuna serbe në trevën e Lypjanit (I), //pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1481

[2] Sabile Keçmezi-Basha, Programet e elaboratet serbe antishqiptare (1), Prishtinë, Epoka e Re, 9 janar 2014.

[3]Naçertanje” është platforma e Ilija Garashanit krijuar në bazë të Doktrinës së shenjtë serbe. “ Naçertanje ” konkretisht bazohej në programin e shfarosjes dhe dëbimit të shqiptarëve me dhunë në përputhje me reagimet e opinionit të jashtëm ndërkombëtar. Kjo platforme e luftës speciale ka shërbyer si plan program i Pashiqit, krajl Nikolla, Qubrilloviqi, Andriqi, Rankoviqi, Mugosha, Tempo, Joviqi, Trajkoviqi, Milosheviqi. Plani Neçertanie i krijuar nga Ilia Garashanini ishte një platformë që synonte shfarosjen e shqiptarëve si dhe aneksimin e shumë territoreve të ballkanit si ( Bosnja , Hercegovina , Mali i Zi , Shqipëria veriore [që përfshinte Kosovën] pastaj të Sremit , Backa dhe pjesë të Austro-Hungarisë. Garashanini shkruante se kjo e drejtë “e shenjtë e historisë” i takonte serbëve dhe bazohej në perandorinë e Dushanit të shekullit 14. Ky plan i Garashaninit bazohej në përgatitjen e popullatës së këtyre zonave për bashkim me Serbinë.

[4]Elaborati i Vasa Qubrilloviqit u publikua me 3 marsit 1937, dhe në të jepeshin udhëzimet se si më së miri bëhet asgjësimi në masë i shqiptarëve-gjenocidi si metodë që ishte përdorë ndaj shqiptarëve më 1878 në Toplicë, i cili kishte pati sukses në politikën koloniale,  shfarosëse ndaj shqiptarëve.

[5] Më 1 janar 1939 fushatës antishqiptare do t` i bashkohet  me një Program (Elaborat) Ivo Andriqi, jo vetëm për likuidimin e shqiptarëve në Jugosllavi, por për ndarjen e Shqipërisë në bashkëpunim me Italinë fashiste. Mos të harrojmë se Ivo Andriqi ishte atëherë ambasador jugosllav në Berlin.

[6] Një shovinist tjetër që punonte në Ministrinë e Punëve të Jashtme i quajtur Ivan Vukotiq do të përpiloi një elaborat,  për okupimin e tërë Shqipërisë.

[7]Më tej do të pasoi Programi i J. Jankoviqit për mënyrën e vendosjes së pushtetit serb në Shqipërinë  bregdetare

[8] Lefter Nasi, Ripushtimi i Kosovës- shtator 1944- korrik 1945, Tiranë 1994, f. 162

[9] AVIH, k. 1411 nr. Regj. 14/4, Urdhëresë tepër rezervë. Nr. 13.8 shkurt 1945 e Komandantit Suprem të UNÇ dhe APJ, Josip Broz Tito

[10] Krsto Filipoviq, Vojna uprava na Kosovu 1945 ( shënime stenografike),  308. Ivan Antonovski, Formiranje i razvoj Vojne uprave, Beograd, 1990, 66

[11] Viqentije Gjorgjeviq, Organizacioni razvoj partije na Kosovu i Metohiju 1945- 1952, (“Klasa punëtore e Mitrovicës dhe Rrethinës në lëvizjen punëtore-komuniste”), Mitrovicë, 1979, 562

[12] Savo Dërleviq, Vojna uprava na Kosmetu, Beograd 1986, 79

[13] Sabile Keçmezi- Basha, Gjurmët e autonomitetit, Rilindja, 21 prill 1986, Prishtinë

[14]  Lefter Nasi, Mbi statusin politiko- juridik të Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore, (Çështja e Kosovës një problem historic dhe aktual), Tiranë 1996, 220

[15]ASHAK, PKJ për Kosovë e Metohi,1945, d. Konferenca e Katërt Krahinore e PKS për Kosovë e Metohi, Prishtinë, 1945;  Sabile Keçmezi-Basha,Gjurmët e autonomitetit, Rilindja, 21 prill 1986, Prishtinë.

[16] Sabile Keçmezi- Basha, Zhvillimi historik i PKJ-LKJ-së në Kosovë 1945-1966, Prishtinë, 1987, 255-266

[17]AIHK, d. 3314, Gjendja organizative e PKS për Kosovë e Metohi në Rrethin e Gjakovës, 1945

[18]Fjala e Gjoka Pajkoviqit,(sekretar i Komitetit Krahinor për Kosmet, fshatar, anëtar i PKJ-së nga viti 1935), në Kongresin Themelues  të Partisë Komuniste të Serbisë, 8-13 maj 1945, Beograd, Arkivi i Komitetit Qendror të PKJ-LKJ, Dokumente nga Kongresi i PKS-së, 1945

[19]Osnivaçki Kongres KPS, Beograd 1972, f. 158-159: Sabile Keçmezi-Basha,Gabimet e vjetra dhe të rejat të pushtetit jugosllav ndaj shqiptarëve, Zëri, qershor 1985.

[20] Shaban Braha, Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare 1844-1990, Gjakovë 1991, 480. AIH, p-56, Rilindja, nr. 22.6.1946 Prizren

[21]Narodni Odbor Autonomne Kosovsko-Metohiske Oblasti 1943-1953, Prishtinë 1955, 75: Sabile Keçmezi-Basha, Dënimet e shqiptarëve në ish-Jugosllavi (1945-1990), Zëri, 24 janar 2009

[22] Kadri Rexha, Fati i luleve ( Rruga jetësore e shkrimtarit dhe atdhetarit Jusuf Gërvalla), Prishtinë 1993, 34

[23]Vladimir Dedijer, Novo prilozi za biografiu Josipa Broza Tita, Beograd 1984, 1065

[24]Sabile Keçmezi-Basha, Programet politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare 1878-1990, fejton, Epoka e Re, Prishtinë 23 mars-15 maj 2013

[25] Sabile Keçmezi-Basha, Formimi i Komitetit Nacional të Shqiptarëve të Kosovës, 27-28 mars 2945, Fejton Epoka e Re, 17-19 gusht 2017

[26] Po aty; ASHAK, Fondi:Fronti Popullor, K-2.

[27] Gazeta “Rilindja”, 5 prill 1945.

[28] Fehmi Pushkolli, Formimi i Komitetit Nacional të Shqiptarëve të Kosovës dhe të Metohisë dhe veprimtaria e tij deri në korrik të vitit 1945, Revista “Kosova”, nr. 13/14, I.H. Prishtinë,1985,141

[29]Referati i Bllagoje Neshkoviqit ( sekretar Pokrainskog Komiteta i Komitetit KPJ za Serbiju (mjek), çlan KPJ 1935),  O politiçkoj situaciji u Serbiji, Vojvodini i Kosovu i Metohiji, AKQS, d. Kongresi Themelues i PKS-së 1945; Më gjerësisht: Osnivaçki Kongres KP Serbije, Beograd 1972, 44-47

[30] Gazeta Zëri, nr. 1395, Prishtinë, 23 mars 1991, 30-31.

[31] Gazeta “Jedinstvo”, nr. 5, Prishtinë 12 prill 1945.

[32] ASHAK, Fondi, Fronti Popullor, K-1, 2. Prishtinë.

[33] Këshilli Popullor i Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë 1943-1953, Prishtinë, 1954.

[34]Gazeta Politike, (Delegacioni i parë shqiptarë në takim me J.B.Titon),Beograd, 7 prill 1945

[35]Këshilli Popullor i Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë 1943-1953, Prishtinë 1955, 20

[36]Osnivaçki Kongres KP Serbije, Beograd 1972, 39, 73

[37]Po aty.

[38] Nuri Bashota, Halim Spahia… vepër e cituar, 197

[39] Hakif Bajrami, Politika serbe për rikolonizimin e Kosovës me sllavë 1945-1948, Prishtinë  2002, 120

[40]Referat i Bllagoje Neshkoviqit, ,mbajtur në Konferencën e Tretë të PKS-së për Kosovë e Metohi, mars 1945

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura