SKENDER IBISHI: LUFTA E HESHTUR ILEGALE PARA VITIT 1981 PËR KOSOVËN REPUBLIKË

(Pashtriku.org, 04. 07. 2012) – Jeta dhe vepra e Skender Ibishit – Në mes të viteve 1968 deri më 1981 njeri ndër eprorët e parë të Armatës së atëhershme Jugosllave me kombësi shqiptare, i cili ishte i organizuar në ilegale, gjegjësisht në rrymimin për barazinë dhe pavarësinë e shqiptarëve në ish RSFJ përmes vetëvendosjes ishte Skender Hamdi Ibishi nga Prishtina. Me Skenderin njihemi që nga banka e shkollës fillore (tani “Naim Frashëri”) të Prishtinës.
Në këtë shkollë ne asokohe si nxënës përjetuam përafërt edhe demonstratat e vitit 1968. Disa nga arsimtarët tanë ishin mjaft aktivë në këto demonstrata. Njëri nga ta, që tek kjo klasë ka lënë përshtypje, ishte posaçërisht arsimtari i historisë, kujdestari i klasës sonë Mustaf Arifi nga rrethi i Tetovës. Nga kjo gjeneratë e 68-shit kishte edhe të tillë që përpjekjet për arritjen e lirisë së shqiptarëve i ndërlidhnin me krijimin edhe të kuadrove të reja në të gjitha lëmit shoqëror të një populli dhe apelonin si dhe motivonin gjeneratën e re për sfida të reja. Ndër të tjera ishte ky arsimtar ai, që tek Skender Ibishi dhe Hilmi Mehmeti (atëherë një shok yni i klasës dhe si nip i të mirënjohurve Ismail dhe Osman Dumoshi) ndikoj të përcaktoheshin për vijimin gjimnazit ushtarak dhe më pas dhe akademisë ushtarake. Hilmiu në momentin e fundit hoqi dorë nga arsimimi si ushtarak, ndërsa Skenderi vijoj ketë rrugë vet. Është për tu cekur se nga kjo klasë dolën disa kuadro që në skenën politike dhe kulturore të Kosovës janë emra të njohur. Nuk po i përmendi me emër pasi që mund ti hyj në hak ndonjërit apo ndonjërës nga ta. Ata që gjithsesi më duhet ti përmendi e që lidhen me temën janë edhe shokët tanë që bashkë me Skenderin u përpjekën dhe politikisht dhe bartën peshën edhe të torturave dhe burgut armik. Këta ishin Bahtir Ahmeti dhe Kadri Cakiqi.

Veprimtari Skender Ibishi

__________________

Edhe pse Skenderi vijonte gjimnazin e më vonë edhe akademinë në Serbi, kontaktet tona shoqërore mbaheshin dhe sa herë që Skenderi vinte për pushime në Prishtinë, ne takoheshim dhe kohën e shumtë e kalonim bashkë. Në këto ndeja tona, ashtu si edhe në rrethe të tjera të shumta shoqërore, me kohë pos tjerash bisedonim edhe për “hallet” e të rriturve dhe për zhvillimet në shoqëri dhe në vend. Pak a shumë ishim po të njëjtit shokë; Skender Ibishi, Lekë Nikolla, Kadri Cakiqi, Bahtir Ahmeti, Hilmi Mehmeti, shoku ynë i ndjerë Ramiz Krasniqi dhe unë. Pasi që unë isha kyçë më 1975 si 18 vjeçar në “botën e ilegales” bashkë me Abdullah Prapashticën dhe Rexhep Maqedoncin, kujdesesha herë në mënyrë indirekte herë direket që me këta shokë të ngushtë, edhe me një nga një, por edhe në grup si tërësi, të inicioja tema shoqëroro-politike dhe rreth tyre të nxitsha diskutime.
Në vitin shkollor 1976/77, derisa Skender Ibishi vijonte vitin e katërt në Akademinë Ushtarake në Beograd nga eprorët mësimdhënës të Akademisë Ushtarake u caktua të mbajë një referat në një seminar mbi “vëllazërim – bashkimin” në RSFJ. Skenderi referatin e përgatiti me ndihmën e Abdullah Prapashticës. Në një mënyrë të butë dhe duke ia përshtatur rrethanave të rastit, në këtë referat ndër të tjera, pos që ceken përparimet objektive, në të njëjtin, kritikohen edhe mangësitë në raport me barazinë faktike të shqiptarëve me popujt tjerë të federatës në rrafshin shoqëroro-politik dhe socio-ekonomik.
Referati nga të pranishmit – ndër të cilët kishte edhe pjesëtarë të shtabit gjeneral të APJ – u prit mjaft mirë. Komandanti i akademisë e pat pyetur me vone Skenderin se mos Mahmut Bakalli ta ka shkruar referatin. Ai u përgjigj se e ka shkruar vet. Komandanti e vlerësoi referatin pozitivisht duke thënë se ishte shumë bukur. Edhe të pranishmëve të tjerë në këtë seminar referati i Skenderit sipas dëshmive u pëlqye dhe ka lënë përshtypje të mirë, pasi që në atë kohë as njërit nuk i ka shkuar mëndja se çka fshihej pas atij referati.
Ky referat me vonë u bë temë gjatë hetimeve. Posaçërisht fjalia “Pa barazi politike nuk ka barazi ekonomike” hetuesve u jepte shkas për egërsim. Kjo fjali ishte parim kultivues dhe udhërrëfyes që karakterizonte veprimtarinë tonë kombëtare dhe revolucionare dhe na dallonte nga rrymimet tjera të kohës.
Se kush ishte dhe është Skender Ibishi dhe shokët tij në vepër më së miri tregojnë faktet. Njeri nga këto fakte të padiskutueshme është edhe arrestimi i tij, hetimet ndaj tij si dhe aktakuza e aktgjykimi i gjyqit ushtarak në Beograd kundër tij, të cilat të përkthyera nga origjinali po i botojmë në vijim:
Nxjerrë nga Aktakuza dhe Aktgjykimi i Gjyqit Ushtarak kundër Skender Ibishit
* * *
Prokuroria Ushtarake Beograd
Gjyqit Ushtarak në Beograd

Në bazë të nenit 6. të ligjit mbi prokurorinë ushtarake, si dhe nenit 261. dhe 261. të ligjit për vepra penale …, prokurori ushtarak pranë Postës Ushtarake 2280 në Beograd, ngritë
P a d i
Kundër SKENDER IBISHIT, nga baba Hamdi dhe nënës Naile, i lindur më 26.12.1956, …., me banim në Valjevë, Toger i APJ, me detyrë në Postën Ushtarake 6734 në Valjevë, ka të kryer Gjimnazin dhe Akademinë Ushtarake,…, në paraburgim nga 17 maji 1982;
Pasi që:
Si pjesëtar i organizatës…”Partia Komuniste Marksist Leniniste e Shqiptarëve Jugosllavi”- PKMLSHJ, qëllimi i së cilës është rrënimi i sistemit shoqëroro – ekonomik, sistemit shoqëroro-politik dhe atij vetëqeverisës, rrënimi antikushtetues i organeve vetëqeverisëse dhe të pushtetit, rrënimi i themeleve ekonomike të vendit, rrënimin e vëllazërim-bashkimit dhe rrënimin e barazisë së kombeve dhe kombësive, rrënimi i dhunshëm i kufijve në mes të republikave dhe krahinave autonome, … , në të cilën u anëtarësua në nëntor të vitit 1977 në përfundim të Akademisë Ushtarake,…, me detyrë të veprojë në masivizimin e Organizatës në radhët e ushtarakëve, e më vonë edhe në radhët e ushtarëve dhe eprorëve të kombësisë shqiptare, të përhapë qëllimet e Organizatës, të informojë Organizatën mbi numrin ushtarëve dhe eprorëve me kombësi shqiptare, qëndrimin e tyre karshi Organizatës, dhe i cili në janar 1978 zgjidhet në udhëheqësin e ngushtë të Organizatës në “Komitetit Qendror” me detyrë “Këshilltar për Çështje Ushtarake”, me ç’rast janë precizuar detyrat e tija si dhe iu kanë dhënë udhëzimet si të veprojë…, si dhe nëpërmjet të gazetave dhe revistave ushtarake në mënyrë adekuate të propagandojë ideologjinë e kësaj Organizate, në kuptimin e njoftimit me situatën ekonomike dhe pozitës së popullit shqiptar në Kosovë dhe në RFSJ, në realizimin e detyrave të marra përsipër dhe qëllimeve të lartpërmendura, duke vepruar në pajtueshmëri me “Platformën” e aprovuar të Organizatës, e cila parasheh realizimin në tri faza të qëllimeve të lartpërmendura – … në konspiracion të rreptë dhe propagandës së gjerë, përmes demonstratave masive…, ka ndërmarrë veprime për indoktrinimin e shokëve të tij nga radhët e Akademisë Ushtarake dhe më vonë eprorë të APJ, …, me qëllim përfitimi për anëtarësim në Organizatë, për krijimin e grupeve të reja dhe zgjerimin e ideve të Organizatës në radhët e ushtarëve, ashtu që sipas metodologjisë paraprakisht të aprovuar ka zhvilluar bisedat mbi situatën e vështirë ekonomike dhe politike në Kosovë, për pakënaqësinë e popullit e posaçërisht të rinisë, që udhëheqja është e paaftë të zgjidhë këto çështje, që Kosovën e shfrytëzon Serbia, që një situatë e tillë duhet ndryshuar dhe se kjo situatë ndryshon nëse Kosova merr statutin e Republikës, që shqiptarët të cilët jetojnë jashtë Kosovës gjenden në një pozitë edhe ma të pabarabartë në krahasim me kombet tjera, … dhe në rast të vlerësimit se ka përvetësuar bashkëbiseduesin, ka folur se në Kosovë ekzistojnë Organizata të cilat luftojnë që Kosova të bëhet Republikë, ….ka mbajtur kontakte të rregullta me anëtarët e udhëheqjes së Organizatës, posaçërisht me Osman Osmanin dhe Abdullah Prapashticën, të cilët i ka informuar mbi veprimtarinë tij dhe të arriturat e punës, ndërsa nga ta ka pranuar instruksionet për punë të mëtejme,…
A r s y e t i m i
Në bazë të dokumenteve të paraqitura …nuk kundërshtohet fakti që i akuzuari Skender Ibishi është pranuar në Organizatën…”Partia Komuniste Marksiste Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi” PKMLSHJ, gjatë pushimeve në nëntor të vitit 1977. E ka pranuar Osman Osmani pas bisedave të gjata dhe indroktrinimit nga pozitat e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar, pasi që është bindur se Skender Ibishi në tërësi pranon ideologjinë e kësaj Organizate ilegale, qëllimi i së cilës është “Republika e Kosovës”, gjegjësisht krijimin e shtetit të të gjithë shqiptarëve, e i cili shtet do të përfshinte pjesët e territoreve në RSFJ në të cilat jetojnë shqiptarët. Me këtë rast ai i ka thënë se detyra e tij themelore është zgjerimi i ideve të kësaj Organizate dhe përfitimi i anëtarëve nga radhët e ushtarakëve. Me rastin e festave të vitit të ri, saktësisht më 1 janar 1978 në banesën e Abdullah Prapashticës në Prishtinë është mbajtur mbledhja e Organizatës, e cila ka pasur karakter konspirativ dhe ideologjik.
Diskutimi, në të cilin fjalën kryesor e ka mbajtur Abdullah Prapashtica, është nisur nga ajo që populli shqiptar si politikisht ashtu dhe ekonomikisht është i ç’veshur nga të drejtat, që Serbia eksplaton (shfrytëzon) Kosovën, që shqiptarët të cilët jetojnë jashtë Kosovës – në Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi gjenden në një pozitë dhe më të vështirë se sa shqiptarët e Kosovës, se kjo gjendje duhet ndryshuar duke luftuar për realizimin e idesë së krijimit të shtetit të të gjithë shqiptarëve, me ç’rast është madhuar “Lidhja e Prizrenit” si fillim i luftës për realizimin e kësaj ideje, si dhe nacionalistët e njohur shqiptar. Pas diskutimit që është zhvilluar …, është zgjedhur “Komiteti Qendror” për Kryetar të të cilit është zgjedhur Abdullah Prapashtica, për Nënkryetar Osman Osmani, për Sekretar Rexhep Maqedonci, ndërsa për “Këshilltar për Çështje Ushtarake” Skender Ibishi, …Është lexuar “PLATFORMA” e Organizatës, si dokument themelor për përfitimin e anëtarëve të rinj, në të cilën janë të përcaktuar fazat e realizimit të qëllimeve për të cilat lufton Organizata. Faza e parë është masivizimi i Organizatës dhe ngritja ideologjike e anëtarëve, mandej përgatitja e tyre për fazën e dytë- demonstratat masive, derisa faze e tretë do të ishte ajo e kryengritjes së armatosur.
Në përpunimin e ideve nga “Platforma” është nisur nga ajo që të përfitohen sa më shumë anëtarë të Organizatës nga radha e të gjitha strukturave shoqërore, për tu mbuluar secila pjesë e shoqërisë së tërësishme, ndërsa ata në rrethet e tyre do të zgjeronin idetë e Organizatës. Kjo do të bëhej përmes formave të ndryshme të propagandës – shtypjen e fletushkave, incizimi i kasetave me tekste dhe këngë të karakterit patriotik dhe revolucionar dhe imitimi i përmbajtjeve të tilla nëpër dasma, tregje dhe ndeja të ndryshme. Pas kësaj kur të është vlerësuar se janë plotësuar kushtet do të organizoheshin demonstrata masive, …Në rast kryengritjeje ndihma do të merrej në radhë të parë nga Shqipëria, emigracioni shqiptar si dhe do të shfrytëzoheshin njësitë e armatosura të mbrojtjes territoriale të cilat gjenden nëpër organizatat punonjëse, në bashkësitë lokale dhe në komuna. Detyrat e pjesëtarëve të APJ, anëtarë të Organizatës, do të ishte në punën për masivizimin e Organizatës, ndërsa deri te pjesëmarrja konkrete e tyre do të vinte në fazën e tretë … të luftës me armë në dorë.
Në kuadër të këtyre planeve roli i Skender Ibishit tregohet si tejet i rëndësishm. Nënkuptohet se ai , si “Këshilltar për çështje ushtarake” së bashku me pjesëtarët e APJ, të cilët i përfiton si anëtarë të Organizatës, do të duhej përgatitur ternin për fazën e tretë dhe pjesëmarrjen e pjesëtarëve të APJ në te… Në këtë kuptim ai edhe ka marrë detyra konkrete për përfitimin e shokëve të tij eprorëve ushtarak, punë në të cilën është angazhuar aktivisht….Kjo shihet edhe nga fakti se në shkurt të vitit 1978, d.m.th. vetëm dy muaj pas mbledhjes së përmendur, sipas vlerësimit të tij, ka përfituar vijuesin e Akademisë H. N. Dhe pasi ka vlerësuar se në tërësi pranon idetë e “platformës” e qon në kontakt te Abdullah Prapashtica për të testim dhe për tu bindur, si dhe shumë shpejt ka vepruar në drejtim të kolegëve të tjerë. Bisedat i ka filluar në përputhje me udhëzimet e marra, duke u nisur nga theksimi i situatës së vështirë ekonomike dhe politike në Kosovë, papunësisë, keqpërdorimeve, zhveshjen e shqiptarëve nga të drejtat dhe varësisht se sa i pranon bashkëbiseduesi qëndrimet e tij do të shkon më tutje deri tek teza “Kosova Republikë” dhe ekzistimi i organizatave që luftojnë për këtë çështje. Kjo është zhvilluar me plan, përmes bisedave të shumta të shkurta, përmes metodologjisë sipas së cilës edhe vetë është pranuar në Organizatë. Më vonë përmes metodologjisë së njëjtë ka vepruar edhe kundrejt ushtarëve të kombësisë shqiptare, duke u paraqitur si mbrojtës i tyre në kuptimin e lehtësimeve të imta….në këtë mënyrë i ka përfituar dhe në mesin e tyre ka përhapur idetë…, pa pretendimet që secilin prej tyre ta pranojë në Organizatë, pasi që ky nuk ka qenë qëllimi.
Në të vërtetë, në raport me ushtarët, Skender Ibishi ka marrë detyra mjaft konkrete. Qëllimet e Organizatës nuk kanë qenë që ushtarët të anëtarësohen, por që ndaj tyre të përhapen idetë e Organizatës, ndërsa në momentin e duhur (në fazën e tretë) anëtarët e Organizatës do ti aktivizonin dhe nisnin në aksion…Marrëdhënie të kësaj natyre i akuzuari ka pasur kundrejt ushtarëve I. S., M. P., I. D., K. A., A. S., etj. Kështu p.sh. për ushtarin A. S. për të cilin e ka ditur se është bashkëmendimtar sipas preferencave të Osman Osmanit e ka kontaktuar…
I akuzuari Skender Ibishi duke mos mohuar se është anëtarë i Organizatës së përmendur, nuk mohon kryerjen e detyrave të cilat Organizata ia ka shtruar atij, në mbrojtje e tij thekson se qëllimi kësaj Organizate nuk është ndarja e Kosovës dhe bashkimi i saj Shqipërisë, porse krijimi i Republikës së Kosovës në kuadër të RSFJ. Një mbrojtje e tillë është e zhveshur nga çdo bazë. Në deklaratën e tij në procedurën e mëhershme i akuzuari gjerësisht flet për qëllimet dhe metodat e punës të kësaj Organizate, nga të cilat padyshim del në pah se qëllimi i kësaj Organizate është krijimi i shtetit të të gjithë shqiptarëve, çka nënkupton Shqipërinë dhe pjesët e territorit të RSFJ në të cilat jetojnë shqiptarët, duke përfshirë karshi Kosovës, pjesë të RS të Serbisë, RS të Maqedonisë dhe RS të Malit të Zi. Në mbledhjen e 1 janarit 1978 është folur për krijimin e “shtetit te gjithë shqiptarëve” me ç’rast është festuar dhe zmadhuar “Lidhja e Prizrenit”, atëherë dhe më vonë gjatë përpjekjeve të përfitimit të personave për anëtarë të Organizatës, është folur me mjaft përkushtim për shqiptarët jashtë Kosovës, në RS të Serbisë, në RS të Maqedonisë dhe në RS të Malit të Zi, në planet e saja kjo Organizatë llogaritë në radhë të parë në ndihmën ushtarake të Shqipërisë, ndërsa në kontaktet me Abdullah Prapashticën, i cili në cilësinë e këshilltarit për çështje ushtarake e ka konsultuar për fazën e tretë, e cila fazë parasheh mundësinë e përzierjes së shteteve të huaja, me ç’rast S. Ibishi i është përgjigjur se ne këtë rast do të shpërthente lufta e tretë botërore, A. Prapashtica një gjë të tillë e ka vlerësuar si të përshtatshme, pasi që në një rast të tillë sipas tij do të vinte deri te shkatërrimi i Jugosllavisë dhe Kosova do ti takonte Shqipërisë. Më në fund i akuzuari vërteton se nga bisedat me Abdullah Prapashticën ka kuptuar se qëllimi i fundit i kësaj Organizate është (poqë se nuk vjen deri tek krijimi i Republikës Shqiptare të Kosovës në kuadër të RSFJ, v. j.) bashkimi, i Kosovës dhe viseve tjera shqiptare në RSFJ, Shqipërisë. Në bazë të kësaj padyshim vihet në përfundim se qëllimi i fundit i kësaj Organizate është shkëputja e pjesëve të RSFJ dhe bashkimi një shteti tjetër, ndërsa parulla “Kosova Republikë” është vetëm faza fillestare drejt realizimit të këtij qëllimi, e i cili ndër të tjera është qëllim edhe i Organizatave tjera irredentiste në Kosovë.

I akuzuari S. Ibishi ka mbajtur kontakte të rregullta me anëtarët e udhëheqjes së Organizatës, posaçërisht me Abdullah Prapashticën dhe Osman Osmanin , i ka informuar mbi punën e tij, nga ta ka marrë instruksionet për punë të mëtejme. Kështu ai u ka folur atyre për shokët e tij, për të cilët ka menduar se janë “pjekur” për pranim në Organizatë, i ka informuar për gjendjen në Njësi, numrin e ushtarëve të kombësisë shqiptare, qëndrimet e tyre, …ka mbajtur kontakte me anëtarët e udhëheqjes Osman Osmanin dhe Kadri Cakiqin derisa ata kanë qenë në shërbim ushtarak…
Në raport me vizitën e Osman Osmanit dhe Bahtir Ahmetit, pak para demonstratave ne mars të vitit 1981, … thekson se këta të dy e vizitojnë gjatë rrugës së tyre për në Slloveni. Në të vërtetë: nga vetë deklarata e të akuzuarit del se demonstratat e marsit të vitit 1981 i ka organizuar kjo Organizatë, që d.m.th. se për përgatitjen e tyre kanë punuar dhe kanë ditur anëtarët e Organizatës, në radhë të parë ata të udhëheqjes. Në bazë të planeve, në demonstrata është dashur të shtyhen masat e indoktrinuara, ndërsa anëtarët e Organizatës të qëndrojnë pasiv para organeve të pushtetit dhe që të mos eksponohen pa nevojë në demonstrata, çka d.m.th. “ruajtja e kuadrove”. Më tutje Organizata nuk ka vendosë pagesën e anëtarësisë për të financuar aktivitetet e veta, porse ka paraparë kontributet vullnetare sipas nevojës. Më në fund kur flet për veprimtarinë e anëtarëve të Organizatës në APJ i akuzuari thotë; “…në rast se do të kalonin në realizimin e këtyre kërkesave do të njoftoheshin anëtarët e Organizatës, e ata me aktivitetin e tyre do të venin në lëvizje shqiptarët që nuk janë anëtarë, … lajmërimin, jo vetëm për fazën e kryengritjes, porse për secilën fazë do të merrnin personalisht, përmes dërgimin e personave nëpër teren apo përmes shkresave.
Nëse në raport me këtë vëzhgohet udhëtimi i Osman Osmanit dhe Bahtir Ahmetit, përndryshe që të dy studentë të rregullt, atëherë është tërësisht i qartë qëllimi i udhëtimi të tyre. Ata qysh në Prishtinë mbledhin të hollat dhe atë shuma të mëdha ndaras (nga Hilmi Mehmeti 1’000.– , ndërsa nga Lekë Nikolla 2’000.-din.)me ç’rast nuk shtrohet çështja e kthimit, gjë që nuk do të merreshin për nevoja private. Mandej vijnë tek S. Ibishi, nga i cili merren 2’000.-din., më pas te Kadri Cakiqi…, nga ku vazhdojnë për në Slloveni ku, nga ajo që ka qenë e mundur të vërtetohet, kontaktojnë edhe me tre ushtarë shqiptarë, nga ku më pas (një kohe të shkurtë pas demonstratave të 11 marsit 81, v. J.) kthehen në Prishtinë…
Në lidhje me shkuarjen e tij në Mitrovicën e Kosovës, i akuzuari thekson se atje ka shkuar të shihet m shokun e tij D. M., për të ra në ujdi në lidhje me shitblerjen e automobilit. Megjithatë faktet tregojnë se motivi i vërtetë i shkuarjes së tij në këtë Njësi është i një karakteri krejt tjetër. Në të vërtetë, i akuzuari me rastin e festave të 1-majit 1981 ka qëndruar në Prishtinë ku është takuar me Abdullah Prapashticën, Osman Osmanin, si dhe anëtarët tjerë, të cilët kanë analizuar demonstratat e deriatëhershme dhe janë marrë vesh për veprimtarinë mëtejmë. I akuzuari jep edhe vlerësimin e tij personal, se për cilën arsye nuk kalohet nga faza e dytë në të tretën, duke cekur shkakun se demonstratat nuk kanë shpërthyer njëkohësisht nëpër të gjitha vendbanimet, dhe se nuk është llogaritur me intervenimin aq të shpejtë të ushtrisë dhe policisë të ardhur nga jashtë Kosovës. Në qershor të vitit 1981 derisa ishte në pushime vjetore përsëri ka kontaktuar anëtarët e Organizatës, të cilët e njoftojë se iu është drejtuar letër Kryesisë së RSFJ dhe Kryesisë së KSA të Kosovës, në të cilën kjo Organizatë merr përsipër përgjegjësinë për organizimin e demonstratave në mars dhe prill, dhe se do të pritet përgjigja e qeverisë për kërkesën që Kosova të bëhet Republikë, dhe se gjatë kësaj kohe të vazhdohet puna më tej. Po në këtë kohë të kontakteve intensive të tij me anëtarët drejtues të Organizatës, në kohën kur situata në Kosovë edhe më tej ka qenë e parregulluar, ndodhë edhe shkuarja e tij në Mitrovicë të Kosovës. I akuzuari ha veshur uniformën për të hyrë papengesë në Kazermë, ka zhvilluar biseda me shumë eprorë, të cilët kanë arritur me Njësitë veta nga Garnizone të ndryshme, ka parë se çka gjendet në rrethin e Kazermës, dhe si epror me njohuri dhe përvoja të caktuara ushtarake ka mundur të nxjerrë përfundime mbi detyrat, përbërjen dhe forcën e Njësive, për çka ka njoftuar A. Prapashticën dhe O. Osmanin, si dhe u ka thënë se Njësitë do të qëndrojnë edhe më tutje në Kosovë…
15.11.1982
Gjyqi Ushtarak në Beograd
Prokurori Ushtarak
Nënkoloneli
Dusan Tabakovic

Në bazë të kësaj Aktpadie Gjyqi Ushtarak i Beogradit më 10 mars 1983 me Aktgjykimin IK. nr. 374/82-IV, Skender Ibishin, me gradë Toger në PU 6734 në Valevë (në burg hetues nga 17. maji 1982 deri në këtë ditë) e shpall
Fajtor
Pasi që:
Si pjesëtar i Organizatës ilegale armiqësore “Partia Komuniste Marksist Leniniste e Shqiptarëve Jugosllavi”- PKMLSHJ, … , në të cilën u anëtarësua në gjysmën e dytë të vitit 1977 në përfundim të Akademisë Ushtarake, ka marrë pseudonimin “Lauferi”…, me detyrë të veprojë në masivizimin e Organizatës në radhët e ushtarakëve, e më vonë edhe në radhët e ushtarëve dhe eprorëve të kombësisë shqiptare, të përhapë qëllimet e Organizatës, të informojë Organizatën mbi numrin ushtarëve dhe eprorëve me kombësi shqiptare, qëndrimin e tyre karshi Organizatës, dhe i cili më 1 janar 1978 zgjidhet në udhëheqësin e ngushtë të Organizatës në “Komitetit Qendror” me detyrë “Këshilltar për Çështje Ushtarake”, me ç’rast janë precizuar detyrat e tija si dhe iu kanë dhënë udhëzimet si të veprojë…, si dhe nëpërmjet të gazetave dhe revistave ushtarake në mënyrë adekuate të propagandojë ideologjinë e kësaj Organizate, në kuptimin e njoftimit me situatës ekonomike dhe pozitës së popullit shqiptar në Kosovë dhe në RFSJ, në realizimin e detyrave të marra përsipër dhe qëllimeve të lartpërmendura, duke vepruar në pajtueshmëri me “Platformën” e aprovuar të Organizatës, e cila parasheh realizimin në tri faza të qëllimeve të lartpërmendura -…në konspiracion të rreptë dhe propagandës së gjerë, përmes demonstratave masive…, ka ndërmarrë veprime për indoktrinimin e shokëve të tij nga radhët e Akademisë Ushtarake dhe më vonë eprorë të APJ, …, me qëllim përfitimi për anëtarësim në Organizatë, për krijimin e grupeve të reja dhe zgjerimin e ideve të Organizatës në radhët e ushtarëve, ashtu që sipas metodologjisë paraprakisht të aprovuar ka zhvilluar bisedat mbi situatën e vështirë ekonomike dhe politike në Kosovë, për pakënaqësinë e popullit e posaçërisht të rinisë, që udhëheqja është e paaftë të zgjidhë këto çështje, që Kosovën e shfrytëzon Serbia, që një situatë e tillë duhet ndryshuar dhe se kjo situatë ndryshon nëse Kosova merr statutin e Republikës, që shqiptarët të cilët jetojnë jashtë Kosovës gjenden në një pozitë edhe ma të pabarabartë në krahasim me kombet tjera, … dhe në rast të vlerësimit se ka përvetësuar bashkëbiseduesin, ka folur se në Kosovë ekzistojnë Organizata të cilat luftojnë që Kosova të bëhet Republikë,….ka mbajtur kontakte të rregullta me anëtarët e udhëheqjes së Organizatës, posaçërisht me Osman Osmanin dhe Abdullah Prapashticën, të cilët i ka informuar mbi veprimtarinë tij dhe të arriturat e punës, ndërsa nga ta ka pranuar instruksionet për punë të mëtejme, ….
Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Majori Dimitrije Pavlovic
E dënon me burg prej 12 (dymbëdhjetë) vjetësh
A r s y e t i m
Në seancën kryesore, në të cilën janë pyetur i akuzuari dhe dëgjuar dëshmitarët: Naser Limoni, Borivoje Srtanojevic, Agim Blakqori, Ramadan Behluli, Xhafer Ademi, Haxhi Neziraj, Dragan Muncan, Agim Sinani, Murteza Plavci, Kaplan Ademi, Jovic Radenka, Nikolic Djordja, Rexhep Maqedonci, Nysret Ahmeti dhe Kadri Cakiqi, ka lexuar dhe bërë shikimin e librit të vizitorëve të PU 9206 në Mladenovac, revistën “Akademac” nr. 45/77, dy blloqe shënimesh të marra në banesën e të akuzuarit gjatë bastisjes,…, Programin, statutin dhe instruksionet e PKMLSHJ, revistat “Zëri i Atdheut” dhe “Revolucioni” … dhe materialet tjera origjinale, të cilat janë gjetur gjatë bastisjes së banesës së Adem dhe Abdullah Prapashticës, ka lexuar shënimet e marrjes në pyetje të dëshmitarëve: Mlenko Cesic, Adem Prapashtica, Adem Dërvisholli dhe Bahtir Ahmeti.
I akuzuari pranon se është anëtarësuar në Organizatën…”Partia Komuniste Marksiste Leniniste Shqiptare në Jugosllavi” (në tekstin e mëtejmë PKMLSHJ) se ka marrë pseudonimin “Laufer” dhe detyrat për të vepruar në APJ ne masivizimin e Organizatës në radhët e APJ ….Pranon se është zgjedhur në udhëheqësin e ngushtë “Komitet Qendror” të Organizatës (KQ të PKMLSHJ) me detyrë “Këshilltar për çështje ushtarake”, …Më tutje pranon se përmes bisedave me anëtarët e KQ të PKMLSHJ Osman Osmanin dhe Abdullah Prapashticës edhe gjatë konstituimit të KQ të PKMLSHJ, ku janë përpunuar Programi, Statutet dhe Instruksionet e Organizatës (në tekstin e mëtejmë platforma) është njoftuar me qëllimet e Organizatës…
Thelbi i qëllimeve…të PKMLSHJ del nga platforma e saj “dokumentet partiake”, të cilat pos tjerash në vijat e tërësishme parasheh ndryshimin e statutit të pakicës kombëtare dhe njohja e popullit shqiptar që jeton në trojet e veta e i cili në pjesët e RSFJ të banuara me shqiptarë është numerikisht më i madh se serbet, malazezët dhe sllavët e Maqedonisë. Platforma kërkon që nga “këto vise” të formohet Republika Socialiste e Kosovës në kuadër të Jugosllavisë, e cila pra, do të përfshinte edhe pjesë tjera të RSFJ në të cilat jetojnë kryesisht shqiptarët. Rregullimi i brendshëm i “Republikës së Kosovës” do të rregullohej përmes kombinimit të Kushtetutës së RSFJ dhe RPS të Shqipërisë.
Platforma parasheh realizimin e qëllimeve të lartpërmendura në tri faza – duke filluar nga masivizimi i Organizatës sipas principit të dhjetësheve, në konspiracion të rreptë dhe propagandës së gjerë, përmes demonstratave masive, … deri te kryengritja e armatosur, në të cilin do të merrnin pjesë edhe pjesëtarët e APJ me kombësi shqiptare. Për kryengritje ndihma do të merrej nga jashtë, para së gjithash nga emigracioni shqiptar, e do të shfrytëzoheshin edhe armatimi i Njësive të Mbrojtjes Territoriale të cilat gjenden në organizatat punonjëse, bashkësitë lokale dhe komunat.
Karakteri… i PKMLSHJ mund të shihet edhe në zëdhënësit e tyre “Revolucioni” (organi KQ të PKMLSHJ) dhe “Zëri i Atdheut” (fletushkë/Organ i Rinisë së Organizatës, v. j.). Kështu në zëdhënësin “Revolucioni” i vitit 1981 në thirrjen e përgjithshme dhe apelin drejtuar gjithë forcave progresive të Shqiptarëve në Jugosllavi, komunikohet kalimin në fazën e dytë të luftës për realizimin e qëllimit Kosova Republikë. Në këtë fazë parashihet kombinimi i aksioneve paqësore me aksione presioni, grevave dhe likuidimin e tradhtarëve të popullit shqiptar… Në “Zërin e Atdheut” gjithashtu shpallet kalimi në fazën e dytë dhe jepen detyrat konkrete pionierëve, rinisë, grave …
Duke analizuar deklaratat e dëshmitarëve gjyqi konstaton se është e kuptueshme që dëshmitarët: Adem Dërvisholli, Bahtir Ahmeti, Nysret Ahmeti, Adem Prapashtica, Kadri Cakiqi, bile edhe Rexhep Maqedonci nuk japin të dhëna për veprimtarinë …e të akuzuarit, por vetëm se e dinë se është anëtar i Organizatës ilegale. Në të vërtetë të gjithë këta dëshmitarë janë të dënuar për vepra të njëjta për të cilat ngarkohet i akuzuari, ashtu që deklaratat janë dhënë në cilësinë e dëshmitarëve e në përputhje me konceptet e tyre mbrojtëse. Pos kësaj, i akuzuari nuk ka qenë në lidhje të drejtpërdrejtë me këta persona, por me Abdullah Prapashticën dhe Osman Osmanin – Kryetarin dhe Sekretarin e Parë e KQ të PKMLSHJ, të cilët janë arratisur nga RSFJ.
I akuzuari vepron nga pozitat e njëjta karshi ushtarëve të kombësisë shqiptare….ka arritur në përfundim se Murtez Plavci, Kaplan Ademi dhe Agim Sinani janë bashkëmendimtarë të Organizatës ilegale, gjegjësisht se janë për atë që Kosova të fiton statutin e Republikës, ndërsa Ibrahim Deda jo. Gjatë hetimeve ka përdorur shprehjen “bashkëmendimtarët e mi” ndërsa në seancën kryesore e ka ndryshuar me shprehjen “bashkëmendimtarët e Organizatës”…
Kështu gjatë pushimeve shkollore të vitit 1979 Abdullah Prapashtica i ka shpjeguar tri fazat e realizimit të qëllimeve të PKMLSHJ, të njëjtin vit i akuzuari nga Abdullah Prapashtica ka marrë materialin mbi vëllazërim bashkimin për ta botuar në ndonjërin nga revistat ushtarake, në qershor të vitit 1980 Osman Osmani e ka informuar se PKMLSHJ ka njoftuar qeverinë e RSFJ për ekzistimin e PKMLSHJ dhe mbi kërkesat e saj,…


Nxjerr dhe përkthyer nga Aktakuza dhe Aktgjykimi në serbokroatisht – nga Osman Osmani, Mars 2008, Schaffhausen.
* * *
«Mirë e ke këtu, po të kishe qenë në duar tona do të bënim më butë shpinën se barkun»
Në vetën e parë – Skender Ibishi

Festën e Një Majit të vitit 1982 nuk e kisha planifikuar të shkoja në shtëpi, pasi që pas një muaj e kisha pushimin vjetor, por komandanti i batalionit ma imponoi të udhëtoja për të ditur se si e kam familjen, pas demonstratave në Kosovë. Arsyet e këtij imponimi do t’i kuptoj më vonë. Gjatë festës do të takohem me vëllain e Bahtirit, Naser Ahmetin, i cili më tregojë se që të dy vëllezërit e tij Bahtirin e Nysretin, Kadri Cakiqin dhe shumë shokë të tjerë i kishin burgosur, si dhe se shtëpia ime ishte nën kontrollin dhe vrojtimin e njerëzve të sigurimit, për çfarë do të vërtetoj më vonë edhe vetë. Dy persona nga operativa e organeve të sigurimit të cilët më përcillnin këmba-këmbës kudo që qarkulloja, vetëm që nuk më thanë « Na falni zotëri, ne e kemi për detyrë që t’u përcjellim në çdo kohë». Tani për mua ishte e qartë, përse komandanti i batalionit ma imponoi këtë «pushim» në vendlindje.
Pas mbarimit të «pushimit» do të kthehem në garnizonin e Valevës. Në zyrën time erdhën të gjithë eprorët ushtarak të batalionit për të dëgjuar se çka ka të re lidhur me gjendjen në Kosovë (ani pse ata këtë e dinin më mirë se unë). Pasi që ju thashë se kamë qenë te vëllai tërë kohën se ishte i sëmurë dhe nuk kamë pasur mundësi të dalë jashtë për ta shikuar gjendjen Kosovë, filluan provokimet e eprorëve ushtarak e sidomos kapiteni i klasës së parë Gjorgjeviq, i cili ishte edhe bashkëpunëtorë i organit të sigurimit. Më 16 maj 1982, është dashur të shkojmë në stërvitje të rregullta, por kjo do të shtyhet për një ditë më vonë, siç do ta kuptoja më vonë, e gjithë kjo do të bëhet mu për shkakun tim. Të nesërmen tok me katër eprorë të tjerë, jo shqiptarë, do të më dërgojnë në Beograd, gjoja për të na testuar. Në vend të testimit, mua do të më shpien drejtë në komandën e Armatës së parë. Aty në bisedë «informatike», më mori gjeneral Bunçiq dhe Koloneli Jerko. Në fillim biseda dukej spontane, por gradualisht do të marrë konotacione të tjera dhe do të kalojë në politikë. Kryesisht interesimi i tyre kishte të bënte me demonstratat e 81′, duke vënë theks veçanërisht mbi aktivitetin e organizatave ilegale. Dhe, nga fundi i bisedës ata do të fillojnë t’i kërkojnë nga unë emrat e shokëve të mi në Kosovë. Unë i thashë disa emra të personave që nuk ekzistonin, gjë që këta do t’i revoltojë pa masë. Dhe, atëherë nga dollapi do të nxjerrin një fletë me emrat e shokëve të ilegalitetit e që ishin të arrestuar në Kosovë. I njeh?- më pyeti – Shokët të shkollës fillore, u përgjigja. Nuk vonoj dhe në zyre hynë katër polic ushtarakë dhe më dërguan në burgun hetues ushtarak të Beogradit. Gjatë hetuesisë ndaj meje do të përdoren mjete dhe metoda më barbare. Dua të theksoj se gjatë tërë kohës në hetuesi ( nëntëmbëdhjetë muaj të plota) më ngujuan në një qeli të vetmuar, e prej tyre, tetë muaj s’kam pasur kurrfarë kontakti me familjen e as që më është lejuar shtypi. Më kujtohet kur një ditë erdhën aty dy inspektorë të sigurimit (Bashkim Kursani dhe Lutfi Ajvazi) nga Prishtina, të cilëve do t’u rrëfej për të gjitha ato sjellje të egra gjatë procesit të hetuesisë. Ndërsa ata, në vend që të më japin kurajë, do të ma kthejnë me arrogancë «Mirë e ke këtu, po të kishe qenë në duar tona do të bënim më butë shpinën se barkun». Pas «takimit me inspektorë» nga Prishtina, sjelljet e organeve të hetuesisë ishin edhe më të vrazhda. Pasi unë ilegalisht isha i organizuar në Kosovës qysh nga viti 1977 ata nga unë kërkonin emrat e eprorëve ushtarak që unë i kamë angazhuar në Organizatë. Ky fakt se unë isha i organizuar që nga viti 1977 i tmerronte organet e sigurimit ushtarak. Ata dyshonin se në radhët e AJ ka shumë eprorë të organizuar në baza ilegale, prandaj bënin të pamundurën për të ditur se sa i kamë futur «Rrënjët» ilegale në mes të eprorëve ushtarak dhe ushtarëve shqiptarë.

Prishtinë, 15. 02. 1983: Rexhep Maqedonci, gjatë gjykimi të grupit të PKMLSHJ-së.

________________________

Rreth rastit tim hetimet ushtarake ishin të organizuar në katër grupe; grupi i parë ishte i angazhuar me mua; grupi i dytë rreth eprorëve ushtarak shqiptarë në AJ; grupi i tretë me ushtarët të garnizonit ku kam punuar, dhe; grupi i katër ishte i angazhuar të përcjellë procesin gjyqësor të organizatës ilegale «PKMLSHJ» që zhvillohej në Prishtinë. Të gjitha këto grupe ishin të koordinuara mirë dhe mbi mua ushtronin presion psikik dhe fizik për të ditur rreth detyrave që i kam marrë nga Komiteti Qendror i Organizatës ilegale «PKMLSHJ-së», si do të veproja si eprorë ushtarak nëse fillon lufta në Kosovë, roli i ushtarëve në rast të luftës në Kosovë, më çfarë detyrash kanë ardhur Osman Osmani dhe Bahtir Ahmeti në Valevë vetëm tri ditë para se të fillojnë demonstratat e 11 marsit 1981, përse e kam lëshuar ushtarin Agim Sinani që të shkojë për vikend në shtëpi gjatë vrullit më të madh të demonstratave të 1,2,3 prillit 1981, etj. Për këto dhe shumë e shumë çështje të tjera më pyetnin edhe nga 24 orë pa ndërpre.
Në shqyrtimin kryesorë kanë thirrur ose prurë detyrimisht 26 dëshmitarë, ndër të cilët kishte eprorë ushtarak shqiptarë dhe jo shqiptarë, ushtarë dhe civil, ca nga ta edhe nuk i njihja personalisht. Pas seancave maratonike, trupi i gjykatës ushtarake më shqiptoi dënimin në kohëzgjatje prej 12 vjet heqje lirie. Për këtë aktvendim të gjyqit ushtarak më njoftoi afër një muaj para seancës kryesore, sekretari i gjykatësit, ushtari Safet nga Bosnja. Në pyetjen time se si erdhi ai deri te kjo informatë, ai mu përgjigj »Unë ka kohë që e kamë shtypur Aktvendimin tënd». Kjo tregon edhe njëherë më shumë se organet gjyqësore civile dhe ushtarake jugosllave në rastin e të burgosurve politik nuk kanë vepruar në bazë të fuqisë së argumenteve dhe dëshmive, por në baza politike ndëshkuese.
Në fund më duhet thënë se në atë kohë në burgun hetues ushtarak të Beogradit ka qenë për plotë me ushtarë shqiptarë, të cilët kanë përjetuar barbarinë e regjimin ushtarak të armatës jugosllave. Një nga metodat më atraktive në burgun hetues ushtarak në Beograd ishte natën. Derisa të gjithë ishin në gjumë ushtarët shqiptarë nxirreshin në shëtitore dhe torturoheshin nga ana e ushtarëve polic të burgut. Bërtima e tmerrshme e të torturuarve në shëtitore zgjaste deri pas mesnatë dhe gjithmonë e më shpesh na zgjonte nga gjumi. Me këtë metodë donin t’i frikësonin të gjithë shqiptarët që ishin aty, donin t’u thyenin qëndrimin e drejtë dhe dinjitoz të ushtarëve shqiptarë. Por ata këtë nuk ia arritën dot. Ushtarët shqiptarë bëheshin edhe më të fortë dhe më këmbëngulës në mbrojtjen e aspiratat shekullore të popullit të tyre [1].
——–
[1] Për më shumë në lidhje me këtë temë shih edhe referatin e Skender Ibishit “Viktimizimi i ushtarëve shqiptarë në armatën jugosllave” mbajtur me rastin e Simpoziumit të organizuar nga Instituti i Historisë më 2001 në Prishtinë me rastin e përvjetorit të Demonstratave të pranverës së vitit 1981.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura