Skënder Sadri Kapiti: Patriotët dhe klerikët ortodoks shqiptar, mendimtarë dhe martirë të shqiptarizmës

Durrës, 26 dhjetor 2020: Atdhetarët shqiptarë të besimit ortodoks kanë meritën e madhe pasi ata janë treguar dhe kanë vepruar si patriotë e kombëtarë të mëdhenj, si lëvrues të letrave e të gjuhës shqipe për zgjimin e ndjenjës kombëtare, sepse fjala komb kupton gjuhë dhe kulturë.
Atdhetarët shqiptarë ortodoksë kontribuan për kombin shqiptar kudo që ata ishin në Shqipëri, Stamboll, Egjypt, Rumani, Bullgari, Itali dhe SHBA si: Konstandin Kristoforidhi, Dhaskal Todri,Naum Veqilharxhi, Jani Vreto, Koto Hoxhi, Spiro Dine, Petro Nini Luarasi, Sotir Peçi , Fan Noli e shumë të tjerë.
Dhe pra, pikërisht gjuhës dhe alfabetit shqip, përhapjes së shkollës dhe mësimit të tyre iu përkushtuan me mish e me shpirt intelektualë dhe klerikë patriotë ortodoksë shqiptarë në kohën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Të gjithë shqiptarët, por sidomos ata ortodoks gjithmonë kanë qenë nën presion e nën terror të egër nga kultura, gjuha, shovinizmi dhe nga shteti e kleri ortodoks grek synimi i të cilëve ka qenë helenizimi dhe asimilimi i shqiptarëve pasi sipas klerit ortodoks helen por edhe atij serb kush është ortodoks ai është grek apo serb, ndërsa shqiptarët e besimit musliman janë dëbuar nga trojet e tyre shqiptare që sot janë nën shtetin grek.
Shqiptarët ortodoks të Çamërisë dhe ata arvanitas pothuajse janë greqizuar ashtu sikurse janë sllavizuar edhe shqiptarët ortodoksë në Maqedoni e Serbi si pasojë e politikës genocidiale dhe asimiluese të shteteve dhe të kishave ortodokse helene e sllave.
E ndërsa shqiptarët muslimanë as nuk u turqizuan, as nuk u sllavizuan e as nuk u greqizuan por mbi ta gjatë shekullit të 19-të dhe në vazhdim edhe gjatë gjithë shekullit të 20-të janë ndërmarrë kryqëzata dhe genocid i paparë sllavo-serbo-greko ortodoks duke ushtruar dhune , krime, masakra, vrasje, tortura, pastrim etnik e dëbim të tyre nga trojet shqiptare të Kosovës, Toplicës, Sanxhakut, të Maqedonisë shqiptare dhe të Çamërisë.
Shtetet dhe kleri ortodoks i shteteve të krishtera, fqinje të shqiptarëve e kanë përdorur fenë për asgjësimin e shqiptarëve si komb dhe për asimilimin e tyre; dhe duke e ditur këtë fakt, prandaj edhe u vunë në krye të lëvrimit, të arsimimit dhe të përhapjes së gjuhës shqipe intelektualë dhe klerikë patriotë shqiptarë ortodoksë si dhe për formimin e Kishës së Pavarur Ortodokse shqiptare.
Përballë këtij rreziku e kërcënimi shqiptarët ortodoksë kanë dhënë kontribute dhe kanë luajtur një rol jashtëzakonisht dhe vendimtar për Rilindjen Kombëtare gjatë shekullit të 19-të edhe me pushkë, por sidomos me shkrim e me penë për shkollën dhe gjuhën shqipe, për zgjimin kombëtar, për kulturën shqiptare me qëllim për bashkimin e shqiptarëve në një shtet të lirë e të pavarur gjithkombëtar shqiptar.
Kisha greke me anë të klerit grek dhe të gjuhës greke të liturgjisë fetare synonte helenizimin e shqiptarëve ortodoksë, dhe për këtë qëllim ajo vrau, përndoqi e maskroi të gjithë klerikët shqiptarë që përhapnin alfabetin dhe gjuhën shqipe e që mbanin mesha në gjuhën shqipe. Shumë klerikë shqiptarë ortodoksë janë martirë të shqiptarizmës dhe të gjuhës shqipe.
Rilindjes shqiptare i kanë dhënë hov të madh veçanërisht intelektualët patriotë ortodoksë të kolonive në Rumani, Bullgari, Egjypt, SHBA etj., si dhe arbëreshët e Italisë të cilët ishin ortodoksë unitë.
Botimet, alfabeti, abetaret e shkrimet shqip të tyre hynin fshehurazi nga Stambolli, Egjypti, Sofia, Bukureshti dhe nga Italia me qëllim për ngjalljen dhe rilindjen e ndjenjës kombëtare shqiptare, për zgjimin kombëtar.
Patriotët e shquar shqiptarë ortodoksë kurrë nuk u gjunjëzuan dhe nuk u frikësuan as nga “mallkimet”, as nga ç’kishërimet e Patrikanës dhe të klerit grek të cilët përdorën edhe krimet e rënda si helmimet, vrasjet me plumba e me thika si me Papa Kristo Negovanin, Stathi Melanin, Mjeshtër Todërin, Naum Veqilharxhin, Pandeli Sotirin, Petro Nini Luarasin etj.
Pas shumë përpjekjesh, sakrificash e mundimesh të patriotëve të mëdhenj shqiptarë me 7 Mars 1887 u hap shkolla e parë shqipe me drejtor të parë Pandeli Sotirin i cili u kthye në Korçë apostafat për këtë mision të lartë kombëtar. Pas tij drejtimin e shkollës e morën patriotët e tjerë Thanas Sina, Petro Nini Luarasi e Nuçi Naçi.
Ndësa shkolla e parë shqipe për vajza u hap në vitin 1891 nën drejtimin e Gjerasim Qiriazit dhe ku dhanë mësim heroinat e gjuhës shqipe Sevasti Qiriazi, Katerina Cilka,Polikseni Luarasi, Parashqevi Qiriazi etj.
Pra, në ballë të zgjimit të ndjenjës kombëtare dhe të Rilindjes kombëtare ishte pena e intelektualëve shqiptarë ortodoksë, veprimtaria e të cilëve vazhdoi me përkushtim edhe në fillim të shekullit të 20-të në koloninë shqiptare në SHBA, ku përmendim veprimtarinë e P.N. Luarasit i cili formoi shoqërinë “Mall i Mëmëdheut”; në vitin 1906 Sotir Peçi hapi gazetën “Kombi”, dhe sidomos kulmin e arriti Fan Noli i cili për t’i shkëputur shqiptarët nga ndikimi i kishës greke shpalli krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare me liturgji fetare në gjuhën shqipe.
Me këtë shkrim të shkurtër, por i cili është shumë pak për atë se çfarë kanë dhënë shqiptarët ortodoksë për Kombin shqiptar, për lirinë, pavarësinë dhe për shtetin shqiptar, pasi nuk është e mundur që atë ta shkruash në një shkrim sepse për këtë rol të jashtëzakonshëm që ka dhënë patriotizmi i shqiptarëve ortodoksë për Rilindjen Kombëtare Shqiptare ka shkruar me qindra faqe Historia Shqiptare si dhe po hulumtojnë dhe që po e pasurojnë edhe sot studiuesit , letrarët dhe historianët shqiptarë.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura