‘SPIRALJA E AGONISË’ NË POEZINË E ARGJEND LLASHTICËS

Pashtriku.org, 20. 01. 2016: Argjend Idriz Hasani – Lllashtica u lind, më 25 qershor 1974 në fshatin Llashticë të Gjilanit, ku edhe kreu shkollën fillore. Shkollën e mesme e kreu në Gjilan, ndërkaq studioi Fakultetin Ekonomik në Prishtinë. Me krijimtari letrare merret që nga viti 1986. Ka marrë pjesë në orë të shumta letrare, ku për cilësi të shkrimeve shpesh është shpërblyer. Edhe në jetën e përditshme i gjithë aktiviteti i tij lidhet me publicistikën, gazetarinë e kulturën në përgjithësi, kështu:
* ka qenë gazetar i gazetës “Pavarësia NEWS”, 2006
* kryeredaktor i revistës “Biznesi”, 2007-2008
* kryeredaktor i gazetës së vetme për qytetin e Prishtinës, “Prishtina Press”, 2008
* gazetar dhe redaktor në gazetën e perditshme “Lajm”, 2012-2013
* ka realizuar prospektin e parë për kryeqytetin e Republikës së Kosovës, “Mirë se vini! – Prishtina 2006/2007
Autori ka botuar deri më tani 15 libra dhe kohë pas kohe merret edhe me shkrime publicistike.
***
Mr. Vilson CULAJ
PROZË DHE POEZI TË NDËRTHURURA ME MJESHTËRI DHE ME PËRPLOT MESAZHE

Vëllimi me prozë dhe poezi me titull „Spiralja e Agonisë“ e autorit Argjend Hasani, shpërfaqë elementet e natyrshme të një vije racionale dhe emocionale njerëzore përmes vargut poetik dhe prozës, duke manifestuar bindshëm antagonizmat njerëzore me bagazhin e ecejakeve shpirtërore, ku autori me mjeshtërinë e tij ka artikuluar qartë realitetin diskret të një shoqërie të brishtë dhe jo kuptimplote.
Mendjeprehtësia e tij e begatimit të artit të komunikimit në relacionin individ-masë në raport me jo koshientët, hedhë në dritë përmes prozës dhe poezisë, akumulimin dhe pritjen e stërgjatur me premisë erupcionin social, si pasojë e tejf(r)yerjes nga neglizhenca dhe mungesa e rikthimit në identitet dhe krenari individuale dhe kolektive.

Shkrimtari Argjend Hasani, i takon plejadës së shkrimtarëve i cili me kreativitetin e tij si në kontekstin kohor dhe hapësinor në rrafshin vertikal dhe horizontal arrinë që përmes vargut poetik të zbërthej raportet e ”tendosura”, disharmonike në shoqërinë tonë nëpërmes një fuqie të mistershme mbresëlënëse kreative.
Me penën e tij, ia ka arritur që të sjellë tek lexuesi porosi përmes vargjeve të thukta e përmbajtësore në kontekst të mbarëvajtjes dhe respektit reciprok ndër gjenerata pa marrë parasysh vendin, moshën, gjininë apo pozitën në shoqëri.
Prandaj, mesazhi i shkrimtarit Argjend Hasani në këtë vëllim poetik është që të qëndrojmë indiferentë ndaj arrogancës, neglizhencës, urrejtjes dhe injorancës, ndërsa të fillohet të mbillet dhe të kultivohet sa më shumë ndër njerëz dashuria, zemërgjërësia, bujaria, besnikëria, çiltërsia, e mbi të gjitha virtyti i faljes dhe akceptimit të botës reale dhe seriozitetit maksimal në kryerjen e obligimeve dhe detyrave në nivel të përgjegjësisë morale njerëzore. Ky është nektari nëpër të cilin duhet të hapëroj dhe absorboj secili njeri. Kjo vepër mund të shërbej si thirrje dhe udhërrëfyes në koshiencë dhe vetreflektim personal dhe kolektiv.

___________________________
LEXONI LIBRIN NË SHQIP DHE GJERMANISHT – NË FORMATIN ‘PDF’:
ARGJEND H.LLASHTICA – SPIRALJA E AGONISË
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/argjend%20h.llashtica%20spiralja.pdf
***
ARGJEND H.LLASHTICA – DIE SPIRALE DER AGONIE
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/argjend%20llashtica%20die%20spirale%20der%20agonie.pdf

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura