Tiranë, 25 qershor 2019: U desh shumë kohë dhe u kërkua shumë punë shkencore, që të vërtetohej ajo që ishte thënë apo paralajmëruar më parë nga albanologë të shquar të vendit dhe të huaj, historianë, shkencëtarë, akademikë, njohës të gjuhës shqipe, si edhe nga rilindasit tanë të mëdhenj, apo hulumtues të ndryshëm të Gjuhës Shqipe, që: “Gjuha Shqipe është gjuha e parë në Europë, gjuha që kanë folur pellazgët, të cilët janë quajtur dhe europianët e parë”.
Kjo meritë shkencore i takon plotësisht profesorit, historianit, shkencëtarit Petro Zheji, i cili për studimin e Gjuhës Shqipe zgjodhi një metodë të re, atë të simboleve të Gjuhës Shqipe, e cila ndryshon nga metoda e përdorur deri tani nga gjuhësia europiane, e cila nuk ishte e aftë të arrinte rezultatet e duhura në shpjegimin e fjalëve dhe fjalëformimit të tyre.
Gjuhësia Europiane mbështetet në gjuhësinë krahasuese, e cila nuk studion fjalën në brendësinë e saj, por studion formën e jashtme të saj. Kjo metodë nuk i jepte atyre mundësinë të arrinin në rezultate të sakta shkencore. Gjuhëtarë europianë dhe më gjerë nuk kuptonin thelbin e fjalëve, rrënjën e saj, brendësinë e saj, sepse ajo i përkiste një gjuhe tjetër, e cila ishte gjuha bazë, e cila kishte formuar fjalët e këtyre gjuhëve, që ishte gjuha Pellazge, apo gjuha Shqipe sot.
Duket qartë që z. Petro Zheji, për të arritur në këtë metodë të re shkencore të shpjegimit të fjalëformimit të fjalëve, ka studiuar të gjithë gjuhëtarët para tij, dhe botimet e tyre shkencore si për shembull: Etimologjinë e fjalëve, Mitologjinë, Dhiatën e vjetër dhe Dhiatën e re, historianë albanologë të huaj dhe të vendit etj., si për shembull ai mendohet të ketë studiuar “Fjalorin e simboleve” të Jean Shevalier, “teorinë krahasuese të gjuhës” të Franc Bob, thëniet e filozofëve të shquar si Friederik Maximilian Muler i cili shprehet:
“Do të vijë dita kur gjuha shqipe do të bëhet çelësi i shpjegimeve të sekreteve të mëdha”.
Thënien e Leibniz:
“Nëse doni të zbuloni Historinë para Krishtit dhe Shkencat e asaj kohe, duhet të studioni gjuhën Shqipe”,
Johan George von Han themeluesi i Albanologjisë, i cili thotë: “Format e para fillestare të fillimit të gjuhës i gjejmë te gjuha shqipe”, si thëniet Zaharia Manjani apo të rilindasve tanë të mëdhenj, si Samiu, Naimi apo Jeronim De Rada, i cili në Kongresin Botëror të Gjuhës Orientale hodhi tezën se gjuha Shqipe është gjuha e parë: “La lingua primera” .
Thëniet e tyre që gjuha Shqipe është gjuha e parë, ishin një paralajmërim për të gjithë gjuhëtarët tanë dhe atyre europianë, të cilët akoma nuk besonin në vërtetësinë e këtyre fjalëve. Profesor Petro Zheji argumenton që teoria indoeuropiane e Gjuhës është një teori e gabuar dhe aspak shkencore.
Petro Zheji argumenton që gjuha Shqipe nuk mund të kuptohet pa filozofinë, apo pa Mitologjinë. Edhe Fonetika, Morfologjia, Sintaksa, Ortografia janë të nevojshme por nuk janë të mjaftueshme për të shpjeguar thelbin e fjalës. Profesor Petro shkroi tre libra shkencorë ku edhe argumenton teorinë e tij të re të simboleve.
– Librin “Shqipja dhe Sanskritishtja” (Gjuha e Indianëve të vjetër),
– “Libri i Aforizmave” si dhe
– librin “Roli Mesianik i Shqipes”.
Fjalët një rrokëshe, një Zanore dhe një Bashkëtingllore, ai i quan Simbole të Gjuhës Shqipe. Çuditërisht gjuha Shqipe është mohuar, përbaltur dhe përbuzur nga vendet fqinje dhe ato europiane, si një gjuhë pa vlera, e vakët dhe si e ardhur rishtazi në këto troje.
Edhe gjuhëtarët tanë “Të mëdhenj” nuk janë marrë me fjalë formimin e fjalëve të Gjuhës Shqipe, e cila është Kollona apo Themeli i saj, por janë marrë vetëm me gramatikën e gjuhës, e cila edhe kjo ka rëndësinë e saj të pamohueshme. Kjo braktisje nga studimi i gjuhës Shqipe ka bërë që gjuha Shqipe për një kohë të gjatë të qëndronte në mugëtirë dhe jo të studiohej dhe argumentohej si një gjuhë e parë në Europë dhe si pasardhëse e gjuhës së vjetër Pellazgjike.
Kjo gjë i ka dhënë mundësinë vendeve tona fqinje të deklarojnë që Gjuha e tyre sidomos ato Greke apo ato Latine të na paraqiten si gjuhë shumë të vjetra të gadishullit Ballkanik, apo atij Europian, si dhe i dha mundësinë gjuhëtarëve gjermanë të krijojnë teorinë e tyre të gjuhëve Indoevropiane si gjuhë e parë në Ballkan dhe Europë nga e cila gjoja rrjedhin të gjitha gjuhët e tjera të gadishullit Ballkanik.
Ata janë munduar ta varrosin përfundimisht gjuhën Shqipe sepse ata nuk e kanë ditur apo kuptuar që gjuha Shqipe është gjuha e parë Evropiane dhe që ajo qëndron në themel të krijimit të gjuhëve të tyre.
Gjuha Shqipe sot është një pasuri kombëtare dhe një thesar apo vlerë botërore dhe një gjuhë, e cila po lulëzon çdo ditë dhe më shumë. Trumbetat e gjuhës Shqipe po bien sot dhe po dëgjohen kudo në çdo vend të botës. Kjo meritë i takon veçanërisht atij që zbuloi mekanizmin e funksionimit të Gjuhës tonë të vjetër dhe të bukur, gjigandit Petro Zheji.