SULEJMAN KRASNIQI: LIKOSHANI DHE QIREZI E ZGJUAN NGA GJUMI PRISHTINËN

Prishtinë, 28 shkurt 2021: Stina e pranverës për historinë shqiptare ka qenë, në shumicën e rasteve, ndjellakeqe. Shumë ngjarje të liga kanë ndodhur në muajt e parë të vitit. Këtë e kam vërejtur edhe vet, nga ngjarjet që i kemi përjetuar, dhe nga mësimi i historisë tonë që nga Skëderbeu e këtej.
Vdekja e Gjergj Kastriotit ndodhi në fillim të vitit.
Në këtë stinë ndodhën edhe:
– Okupimi i Shqipërisë nga Italia fashiste,
– Tërmeti me pasoja të ndjeshme në Shkodër dhe Ulqin,
– Vrasja nga dora gjakatare e Jusuf Gërvallës njërit nga ideologët e luftës për çlirim nga Sërbia dhe Jugosllavia,
– Suprimimi i autonomisë së Kosovës nën shtypjen nga tanket sërbe,
– Masakra e ushtrisë sërbe në Likoshan dhe Qirez të Drenicës,
– Lufta dhe rënja heroike e komandantit Adem Jashari me familje nga Prekazi,
– Masakra e ushtrisë sërbe në fshatin Reçak të Shtimes,
– Shpërthimi i hidhur në Gërdec afër Vorës, dhe plot ngjarje të tjera të ngjajshme por të hidhura të kujtesës sonë historike.
Kësaj here po ndalemi pak për ta përkujtua masakrën e Likoshanit dhe të Qirezit dhe ngjarjet që rrodhën pas kësaj masakre.
Në muajin nëntor të vitit 1997 u vra mësuesi Fadil Geci në fshatin Llaush të Skenderajt. Pati shumë njerëz në varrimin e mësuesit. Për herë të parë Ushtria Çlirimtare e Kosovës doli publikisht dhe e mbajti një fjalë rasti tek varri i mësuesit Fadil. Nga ajo ditë popullit të Kosovës iu ngjall shpresa se tani e tutje nuk jemi të vetmuar. Rinia jonë trimëresh ka marrë pushkën në dorë dhe po i del për zot kësaj toke. Edhe përpara kishin bërë akcione dhe veprime luftarake por nga masat e gjëra, edhepse adhuroheshin këto akcione, shiheshin si me rezervë, jo pse dyshonin në këto akcione por sepse dyshonin mos janë vetëm grupacione të shpërndara dhe të paharmonizuara në mes veti. Për këto dyshime kishin edhe një arsye pak më të fortë sepse edhe forca politike më e madhe shqiptare në Kosovë, pra Lidhja Demokratike e Kosovës, nisi të propagandojë kundër qenjes së UÇK-së, duke e përbuzur atë dhe duke e quajtur herë si dorë e zgjatur e UDB-së dhe herë si nxitëse nga Sërbia për të bërë një masakër të përmasave të mëdha mbi popullatën me të vetmin qëllim që ajo (pra UÇK-ja) të jetë e irituar nga masat e gjëra, të frikësohej popullata dhe të shuhej çdo pore e rezistencës shqiptare ndaj Sërbisë. Kështu ndodhi edhe më 28 shkurt të vitit 1998 kur Robert Gerbaldi, diplomati amerikan, shkoi tek Ibrahim Rugova dhe i kërkoi atij që UÇK-ja të trajtohej si organizat terroriste. Dhe pikërisht ashtu edhe ndodhi. Në lajmet e mbrëmbjes po të asaj nate, pra më 28 shkurt 1998, në të gjitha televizionet u tha se Gelbardi dhe Rugova u pajtuan që UÇK-ja është terroriste. Bile agjencitë e huaja thoshin se këtë e tha politikani i moderuar shqiptar Ibrahim Rugova. Na kujtohet të gjithëve se po në të njejtën ditë Gelbardi kishte qenë edhe tek Adem Demaçi (më vonë përfaqësues politik i UÇK-së). Por bacin Adem nuk arriti ta bindë që edhe ky ta quante UÇK-në terroriste. Flitej se në atë takim baca Adem e kishte krahasua UÇK-në me Gjorgj Washngtonin për të cilën gjë Gerbaldi kishte reague shumë ashpër. Nuk e dimë a është rastësi por në të njejtën ditë, pra më 28 shkurt 1998, u bë masakra e Likoshanit, në të cilën e pësuan familja Ahmeti dhe një musafir, e që mbetën të vrarë mbi dhejtë veta, dhe masakra e Qirezit ku u vranë disa anëtarë të familjes Deliu dhe familjes Gjeli. Me gjasë kjo ka qenë edhe rezultat i të gjitha deklarimeve të asaj paraditeje.
Pas gjithë këtyre deklarimeve të mbara dhe të mbrapshta për situatën e krijuar në Kosovë dhe për mundësinë reale që gjendja të përkeqësohej, të gjitha partite politike shqiptare dhe shoqatat e tjera qytetare vendosën që të nesërmen, pra më 01.03.1998 të mblidheshin në Prishtinë dhe të mirreshin vesh për veprimet politike sepse parashihej se një rrebesh i paparë do të vërsulej mbi Kosovë.
Kështu më një mars u mblodh Këshilli koordinues i partive politike të Prishtinës në Medresenë e qytetit. Në këtë takim morën pjesë të gjitha partitë politike, sindikata e pavarur, shoqata e të burgosurëve politik, shoqata e gruas etj. Në kohën kur referuesi i parë del tek foltorja për të marrë fjalën një qytetar hynë me vrap, si i pa frymë, në holin ku mbahej takimi, dhe me një zë gati trishtues thotë: “Nuk është më koha e fjalimeve sepse në Drenicë po masakrohet popullata”. Aty u dëgjua nga të pranishmit për herë të parë për masakrën e Likoshanit e të Qirezit. Dhe, vërtetë më fjalimet nuk kishin kuptim. Tubimi mbaroi pa u fillua fare.
Nga një përfaqësues i partive dhe i shoqatave të ndryshme u mblodhën në një sallë tjetër dhe u morën vesh për veprimet konkrete në pajtim me situatën e krijuar. U vendos pa as më të voglën hamendje që të nesërmen, më dy mars, të organizohej një protestë popullore në Prishtinë e në shenjë rrevolte për masakrën e Likoshanit e të Qirezit dhe për hatanë që pritej të ndodhte në tërë Kosovën. U zgjodh një këshill organizativ i protestave, me pjesëmarrës nga secila parti apo shoqatë, i cili do ti drejtonte ato. Në krye të këshillit shtatë anëtarësh u zgjodh Isa Kastrati (tashmë i ndjeri, dëshmorë i kombit dhe njeriu i cili jetoi, veproi dhe ra vertikalisht për lirinë e Kosovës) sepse njëherit ai ishte edhe kryetarit i Këshillit koordinues i partive politike të Prishtinës. Në mbledhje u hodh propozimi që të mirret edhe pëlqimi nga kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova për protestën e dy marsit.
Pati propozime dhe mendime të ndryshme rreth këtij pëlqimi. Njëri nga anëtarët e këshillit tha se nëse e pyesim kryetarin e Kosovës për protesta ai nuk do të na lejoi, sikurse që nuk i lejoi as protestat e studentëve të 1 tetorit të vitit 1997 për lirimin e objekteve shkollore. Bile ai (kryetari) atëherë nuk i pranoi për bisedë studentët e as rektorin e universitetit të Kosovës, tani të ndjerin, Ejup Statovci.
Pas disa propozimeve u miratua vendimi që të shkoi tek kryetari një delegacion prej tre anëtarësh dhe ta njoftojnë atë për protestën që do të mbahet nesër. Po atë ditë këshilli vendosi që protesta të filloi nga zyra e degës së tretë të LDK-së në Velani dhe këshilli protestues, në çdo rrethanë të jetë në rreshtin e parë dhe t’iu prijë protestave. Të njejtën ditë u morën parullat dhe pankartat nga studentët protestues të 1 tetorit të vitit të kaluar, të cilët na pritën me përkushtim dhe na dhanë udhëzime të domosdoshme për mbarëvajtjen e protestës.
Në këshillin e protestave kishte anëtarë të të gjitha moshave dhe të gjitha profesioneve. Kishte njerëz edhe me përvojë nëpër protesta e demonstrata që nga 27 nëntori i vitit 1968 e deri në vitet e nëntëdhjeta, kur vrulli i protestave u shua pas daljes në skenë të LDK-së. Protestat e fundit ishin mbajtur në shtator të vitit 1990 dhe të organizuara nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës .
Pas një pushimi ose plogështie afër dhjetëvjeçare protestat e para u mbajtën nga rinia studentore më 1 tetor 1997, dhe tani këto të 2 marsit 1998. Ishte bindja se protestave të rinisë studentore nuk do t’iu bashkangjiteshin qytetarët, sepse për gati dhjetë vjet u mboll një psikozë e frikës dhe inferioritetit ndaj pushtuesit. Por vrulli i ndrydhur për kaq vite shpërtheu në përkrahje të studentëve më 1 tetor 1997 dhe më pas edhe më 2 mars 1998.
Partitë politike dhe shoqatat të cilat e përkrahnin luftën e UÇK-së kishin për qëllim që problemin ta bartënin nga periferia (pra nga luftimet nëpër fshatra) në qendër, pra nëpër qytete, e sidomos në Prishtnë, kurse LDK-së kjo situatë i levërdiste. Pra LDK-së i pëlqente që në fshatra dhe periferi të lufohej nga pak por qytetet mos të përfshiheshin në luftime, në mënyrë që opinioni i jashtëm të krijoi përshtypjen se në Kosovë ka qetësi e në disa vende të izoluara ka ngapak konflikte sporadike. Bile Kryetari Rugova bashkë me partitë tjera satelite të LDK-së i shpallën zgjedhjet e përgjithshme të cilat do të mbaheshin më 22 mars 1998, edhepse në Kosovë luftohej dhe vdisej për liri. Ato zgjedhje, madje quheshin të lira dhe demokratike.
Mbaj mend rastin kur një polic sërb në ‘Kodrën e Trimave’ e ndali një të ri, ditën e zgjedhjeve dhe ndër të tjera e pyeti se a kishte votuar ende dhe kur i riu i tha se nuk do të votonte fare polici e rrahu të riun duke i thënë se ti qenke me Partinë Palamentare të Adem Demaçit e prandaj nuk voton!
Pasi i patëm bërë të gjitha përgatitjet, të nesërmen më dy mars, u mblodhëm të gjithë protestuesit në Velani, para selisë së degës së III-të të LDK-së, dhe filluam marrshin e protestës drejt qendrës së qytetit. Rrugëtimin e bëmë nga rruga e Matit tek ish ndërtesa e Sllovenia sportit, në rrugën Agim Ramadani, në drejtim të Kuvendit të Kosovës, pas ndërtesës së komunës dhe dolëm në rrugën për tek ish kino Rinia. Në rrugëtim e sipër na u bashkangjitën një masë shumë e madhe qytetarësh. Aty tek sheshi para kino Rinisë e mbajtëm një fjalim rasti, të cilin e lexoi kryetari i këshillit të protestës Isa Kastrati. Shumë qytetarë kishin dalë me iu bashkangjitë protestës andej nga Ulpiana dhe Kodra e diellit por kishin hasë në kordon të policisë të armatosur deri në dhëmbë. Tek sheshi para fakultetit filozofik turmën e protestuesëve i kishte ndalë policia. Bile qendra e reagimit të policisë kësaj rradhe kishte qenë para sheshit të fakuletit sepse aty i kishin pa disa profesor dhe, duke mendue se ata janë krerët e protestuesëve, kishin fillue përleshjet mes policisë dhe protestuesëve ku ka patur shumë të rrahur, të pëgjakur dhe të plagosur.
Në rrugën që shpije nga salla e sporteve “1 tetori” e deri tek Instituti Albanologjik disa civilë sërb kishin ndezë makinat dhe turreshin me i shkelë protestuesit. Njëri sërb e ndezë një buldozher dhe e lëshon ate në teposhtëzen kah menza e studentëve vetëm për të tremb dhe plagos masën e protestuesëve. Atë ditë u bë rrëmujë e madhe në qytet. U hodh shumë gas lotsjellës dhe ujë nga cisternat. Pati shumë të rrahur dhe të plagosur. Protesta u përcoll nga të gjitha agjencitë e huaja dhe morri një jehonë në opinionin e jashtëm. Me këtë protestë u dha porosia e saktë se Kosova po vlon në të gjithë hapësirën e sajë.
Në të njejtën ditë, në mbrëmje, u takova me një vlla të shokut tim. Fjala e parë, dhe para përshëndetjeve të zakonshme, që më tha ishte: – “more shoq kush do të përgjigjet për gjithë këto masakra mbi popullatën dhe për këto demonstrata të pakohë që po i nxitni ju…”. Në fillim më zuri ngusht sepse nuk e pritja këtë reagim prej tij, mirëpo shpejt e mora veten dhe iu përgjigja: “e po, sipas teje dhe juve, mbi kë do të bije përgjegjësia nëse ne mbetemi gjithmonë në robëri dhe do ta kemi Sërbinë mbi kokë tërë jetën”. – “Kjo që thua kurrë nuk më ka shkuar ndër mend” – më tha bashkëbiseduesi dhe u ndamë.
Shpejt u këndella dhe e kuptove për kend e kishte fjalën ai shoku me këto akuza të rënda. Fjalën e kishte tek Adem Demaçi dhe UÇK-ja që po ua prishnin “qetësinë” para zgjedhjeve të 22 marsit. Sipas tij pas zgjedhjeve do të bëheshim me institucione “demokratike”, me të cilat do të mund të luftohej Sërbia me mjete institucionale dhe pa dhunë. Bashkëbiseduesi e përcillte mendësinë pacifiste të LDK-së të cilës tani më i kishte kaluar koha.

Këshilli protestues në ballë të demonstratave para sheshit tek kino “Rinia” në Prishtinë më 2 mars 1998 : nga e djathta Isa Kastrati (vdes në betejë me armikun sërb në Gollak të Prishtinës), Flora Brovina, Sylejman Krasniqi, Naim Hoxha dhe Nysret Pllana
Më 01.03.2014

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura