ILJASA SALIHU: PESHKAQENËT E VËRTETË DHE USHQIMI I RREMË!

Kumanovë, 18. 12.2 015: Kush e di, ndoshta jemi në luftën e tridhjetë botërore, sepse unë nuk mbaj mend njeri të mos ketë rrëfyer për kohë me luftëra, mbase as historia. Ndoshta brezat e ardhshëm do të shkruajnë për luftërat tona, mbase duke menduar se ata nuk janë në luftë. Ata do të shkruajnë për viktimat e luftërave dhe për agresorët, të cilët për qëllime ekonomike, ideologjike dhe politike nuk kishin përtuar t’i sjellin botës miliona njerëz të vdekur dhe miliarda tjerë të vrarë në luftën tjetër psikologjike. Ata do të shkruajnë për ecejaket, betejat, ngadhënjimet dhe humbjet tona, mirëpo ata do të mendojnë se të njëjtën gjë nuk janë duke e bërë edhe në kohën e tyre. Pikërisht sikurse ne! Rrëqethemi kur lexojmë dhe shkruajmë për krimet, terrorin dhe vrasjet masive të shekullit XX. Po ashtu, kështu ishin ndjerë edhe ata të shekullit XX me ata të shekullit IX. E kështu secili me secilin, mirëpo shumë pak njerëz ishin ndalur në stacionin e brezit të tyre, gjegjësisht nuk ishin marr me pasqyrën para vetes. Me gjasë në shekullin XXII, njerëzit, kuptohet nëse do të kenë fat ta arrijnë, do të merren me të bëmat mizore të shekullit tonë.
Rrjedhimisht, një vit para sulmeve të 11 shtatorit, Gjorgj Bushi dhe Toni Bleri kishin hartuar një rezolutë për të ndërhyrë ushtarakisht në Irak. Shumë shtete kishin kundërshtuar, mes tyre edhe Gjermania. Dukej se vendimi i tyre nuk kishte qenë bindës. Sakaq, ndodhi sulmi në Amerikë më 11 shtator në vitin 2001. Nuk kishte nevojë që tutje t’i kërkohej përkrahja askujt. Rreziku furishëm kishte nisur të trokiste në dyert e perëndimit. Një pjesë e botës u tronditë. Shumë zëra me nxitim thanë se ky është rifillimi i luftërave të kryqëzatave. Duke qenë se hamendja e popujve rreth fjalës kryqëzata e vështirësonte ndërhyrjen ushtarake në Lindjen e Mesme, nxitimthi zyrtarisht iu shpallë luftë terroristëve, duke ia shoqëruar fatkeqësisht mbiemrin islam. Çerdhja e terroristëve ishte në Afganistan dhe në Irak, terroristë të cilët ishin përkrahur goxha shumë prej Amerikës në luftën afgano-sovjetike. Shpejt, trupat ushtarake të NATO-s u dukën në tokën ku pandehej se stërvitshin dhe strehoheshin terroristët, ku për pasojë humbën jetën diku 1 milion e gjysmë irakian dhe afgan, që mes të vrarëve kishte edhe shumë civil.
Vitet kaluan, misionet paqësore me pushkë në krahë vijuan, vrasjet si nga njëra anë ashtu edhe nga tjetra anë nuk u ndalën dhe assesi nuk u zhdukën terroristët, madje bota u bë gjithnjë e më e trishtueshme dhe më e pasigurt, krejt kjo në emër të sjelljes së paqes botërore. Në Afganistan gjendja edhe më tepër u përkeqësua. Po ashtu edhe në Irak. Pikërisht në këtë dimër të shpresave, filloi një lëvizje që do ta kishte ndikimin e dominove, që njihej si Pranvera Arabe. Fillimisht kjo frymë që mendohej se do t’i sillte liri dhe paqe vendeve arabe, të cilat prej kohësh ishin ngulfatur prej diktaturave drithëruese, po ashtu mendohej se edhe perëndimi do të ishte më i sigurt, prandaj këto lëvizje opozitare u përkrahën edhe prej perëndimit. Nuk vonoi shumë dhe gjendja filloi të ndryshojë. Perëndimi filloi të tundohej. Fjala vjen, në vend se ta përkrahte dhe ndihmonte Muhamed Mursin i cili në mënyrë demokratike e mposhti diktatorin, ata e njohën një diktator të ri që pushtetin e kishte marr përmes grusht-shtetit. Përderisa numri i të vrarëve prej pushtetit në Siri kishte mbërritur shifrën 600 mijë, madje duke përdorur edhe armë kimike kundrejt civilëve, Amerika paralajmëroi se do të ndërhynte ushtarakisht në Siri kundër regjimit diktatorial dhe vrasës të Asadit. Sakaq, Rusia paralajmëroi ditë jo të mira nëse Amerika do të ndërhynte në Siri. Pikërisht, kjo ishte vula që vulosi një Dimër Arab dhe njëfarë krekosje të Rusisë.
Muhamed Mursi u dënua me burgim të përjetshëm prej regjimit të Sisit. Ata që e përkrahnin Pranverën Arabe filluan ta ndryshojnë kursin. Rusia pas ndërhyrjes ushtarake në Gjeorgji, Ukrainë dhe paralajmërimit kundrejt Amerikës në rastin e Sirisë, filloi ta rimerr veten dhe të vendoset si faktor i rëndësishëm në gurët e shahut ndërkombëtar. Lëmshi sa vinte e ndërlikohej. Në këto rrethana doli ISIS-si, një emër që tingëllonte ngjashmëri me Sisin, organizatë kjo që qysh në fillim dëshmoi një përbindësh ku çdo cep i botës duhet t’ia kishte frikën. Në këtë luginë me mjegulla, tani polli edhe një argument shtesë se nëse hiqet Asadi prej pushtetit dhe shtetit, atëherë jo vetëm Sirinë, por edhe botën e presin ditë të përgjakshme. Një mundësi e mirë e Asadit për t’i mbuluar krimet e llahtarshme. Një shkas i leverdishëm për ta arsyetuar Amerika veten për mosndërhyrje kundër regjimit të Asadit dhe në fund një buzëqeshje kërcënuese e Ariut Rus!
Tani, gjithkush merret me ISIS-in. Nxitimthi, kjo organizatë terroriste u bë palë dhe faktor në botë. Bota ndahet në ISIS dhe të tjerët. Mjafton një pulës t’ia heqësh kokën dhe ISIS-i menjëherë e merr përgjegjësinë e veprës. Kjo organizatë është mjeshtre për t’i ftuar në fushëbetejën e Sirisë cilat do shtete për të luftuar. Duket se asaj nuk i mjafton Asadi dhe opozita siriane. As Rusia që duke e gjuajtur atë godet edhe civil dhe nxënës duke mësuar në shkollë. Madje tani së fundmi duket se edhe Franca është e pamjaftueshme. ISIS-i e ftoi Francën për të luftuar në sheshin e Sirisë përmes një vepre terroriste në Paris. Madje, përmes Francës e ftoi edhe Britaninë e Madhe. Mjafton një kërcënim i ISIS-it, sa për t’i detyruar presidentët e shteteve për mbledhje të këshillit të sigurisë kombëtare. Gjithkush në luftë kundër ISIS-it; opozita siriane, kurdit që kanë lidhje me PKK-n, organizatë kjo e cila njihet botërisht si organizatë terroriste, mirëpo meqë tani ISIS-i për dy vjet aq shumë u forcua, bën që edhe kjo organizatë terroriste të përkrahet kundër ISIS-it, Rusia, Franca, Britania e Madhe dhe me gjasë në të ardhmen edhe shumë shtete tjera, për aq kohë sa ata që thirren në emër të paqes, janë në gjendje të krijojnë arsye shumë bindëse se në emër të paqes ia vlen të luftohet, mendësi kjo e ngjashme me ato që në emër të ruajtjes së virgjërisë me harbim e përurojnë të bukurën e të bërit seks.
Natyrisht se dhimbsem për të gjithë civilët e vrarë, pavarësisht racës, fesë, shtetit dhe kombësisë. Shpresoj që sa më shpejt të mbytet dhe të hidhet në det kjo organizata famëkeqe, ashtu siç u hodh Osama Bin Ladeni në kohën kur miti i tij botës nuk i duhej, sepse edhe po deshëm trupin e saj askush nuk mund ta sheh në çastin e vdekjes, ndaj rrofshin peshkaqenët e vërtetë, të cilët po i mashtrojmë me ushqime të rreme, të cilët një ditë mund të na hakmerren keq!
***
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
SHERADIN BERISHA: LUFTA PËR NDËRRIMIN E ‘DIKTATORËVE DHE TË REGJIMEVE’ NË LINDJEN E MESME!

Pashtriku.org, 03. 09. 2013 – Ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke përgatitur një sulm të mundshëm mbi Sirinë, ekziston një imazh të cilin administrata e Obamës nuk do të dëshironte që të publikohej kurrë. Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, i cili ka krahasuar Bashar al-Assadin me Hitlerin dhe Saddam Hussein në një fjalim të gjatë gjatë së dielës, shfaqet në këtë foto duke darkuar me presidentin e Sirisë, në vitin 2009. Assad dhe Kerry, në atë kohë një ish-kandidat për president i SHBA-së dhe një prej senatorëve me më shumë ndikim në Senat, duken tepër të përfshirë në bisedë, ndërsa gratë e tyre i qëndrojnë nga pranë. Një kamarier me veshje popullore siriane i qëndron pranë, ndërsa Kerry dhe Assad shijojnë darkën, e cila nuk mund të konsiderohet si një pritje diplomatike, por një kortezi personale e Presidentit të Sirisë. Për ironi të fatit, pas atij takimi, Kerry deklaroi në mediat amerikane se ishte takuar me “partnerin” al-Assad, me qëllim që të diskutonte mbi mbarëvajtjen e procesit të paqes në Lindjen e Mesme. Imazhet e këtij takimi, u publikuan të hënën nga “Daily Mail” dhe disa rrjete të tjera mediatike botërore.

Në vijim shikoni videon:
Assad of Syria Meets Pope, Queen Elizabeth, John Kerry and Tony Blair

* * *
Gjer në fund të vitit 2010 edhe Mohamer el Gadaf’i ishte partneri NR.1 i perëndimit (në të gjitha sferat e interesit) në Lindje të Mesme, ndërkaq nga janari i vitit 2011 ai, nga miqtë perëndimor – u shndërrua në “armik” NR. 1 për atë pjesë të botës! Kjo dëshmon qartë, se lufta që u zhvillua në Libi dhe që pasuan në vendet tjera të lindjes së Mesme deri të lufta e përgjakshme që po zhvillohet në Siri, është luftë e PLANIFIKUAR dhe s’ka të bëjë fare me luftën kundër diktatorëve, (që do të duhej të rezultonte me lirinë dhe demokracinë e aspiruar të popujve të këtij rajoni), por ka të bëjë me ndërrrimin e diktatorëve dhe të regjimeve…, nga ata që po e çojnë botën drejt një diktature “demokratike” GLOBALE!
Sa për iluistrim shikoni fotot e Mohamer el Gadaf’it me Nelson Mandelen dhe fotoalbumin me liderët e GLOBIT!!!

Për më tepër Klikoni këtu:
http://www.zimbio.com/photos/Muammar+al-Gaddafi/Muammar+Gaddafi+Killed/enysCWA6zok
……………………….
Botuar këtu: https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=1890

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura