Mosbach (Gjermani), 03. 12. 2014 – Shtresa që sot ndjehet më së miri në Kosovë, është shtresa malësore. Ndjehet më së miri, sepse te ato – mullarët me sanë, te kumbonat e bagëtisë, te kroni nën lejthi, te blegrima e deleve, te vesa e mëngjezit, te ato dashuritë e fshehta, te ato odat përdhese, te ato kangë kreshnike, te mikëpritja, te besa, – aty është ruajt substanca shqiptare ndër shekuj, gjatë robërisë shekullore. Aty është Kosova e përjetshme, aty është dhe gjithënji ka qenë Shqipëri. Po të merrte ndonji njohës i traditës sonë (ndonji që e ndjen atë Kosovën e përjetshme) mundimin, siç bënte dikur Anton Çeta, Demush Shala, Kadri Halimi, Metush Krasniqi etj, dhe të ngjitej kudo në këto treva: në Shalë të Bajgorës, në Llap e në Gollak, në Drenicë e në rajone tjera, do ta vrente, se aty jeta e ka kuptimin e duhur, dhe njerëzorja ende dominon. Aty tash në dimër ende prehet pastërma, ende odat presin mysafirë, ende në telat e sharkisë këndohet Muja dhe Halili, Bec Sinani e Dan Deroci! Ende mysafiri nuk thërret në telefon, por shkon dhe thërret në derë, ende bijat shkojnë në të pame, dhe ende Pobratimi (Vëllami) është Pobratim. Ngjituni deri në Desivojcë ose në Shalë të Bajgorës dhe do të bindeni.
Në gjendje të rëndë në Kosovë janë, Proletariati dhe Intelektualët e mirëfillët që ecin vertikalisht. Ata janë në gjendje të rëndë, sepse ata nuk kannë shtet ku të mbështeten. Ndërsa pjesa më e mjerë, janë pjesa e pushtetarëve, dhe lakejt e tyre, me soj e sorollop. Kjo shtresë sillet dhe mbështillet në mjerimin e vetë, pa e ditur, çka me bë me jetën e tyre të mjerë. Kur i ke 50 palë këpucë, çdo mëngjez torturohesh cilat me i mbath, të njejtën torturë e ke edhe me kostumet, me veturat, dashnoret… Në dhjetë banesa, të gjitha të vjedhura, askund nuk mundesh ta bësh gjumin si gjumë, gjithë kund të ndjekin fantazmat. Të gjithë njerëzit, që sillen rreth tyre, janë Bruta eventual, të gjithë të duken se po ecin mbi kufomën tënde të përdhosur. Kjo shtresë nuk ka as Zot, as shok, as miq, as dashuri, këta janë të destinuar të vuajnë në mjerimin e vetë, duke bart mbi supe mëkate që nuk gjejnë vend ku me i hudhë, perveç mbi ndërgjegjen e tyre të sëmurë. I keni vrejt si i kannë sytë, kur dalin në TV të buhavitur prej drogave, duke u munduar me fsheh veten e vetë prej vetes! Kjo shtresë është e destinuar të zhduket, siç janë zhdukur shtresat qytetare të osmanizuara, gjatë Perandorisë Otomane. Kosova nuk duron qeliza kancerogjene, ato do të zhduken para asaj të përjetshmes që është tokësore, shqiptare, humane, mëshirëmadhe, e lidhur me Hyjnoren…. të tjerat do të shkojn në llumin e historisë!