BEHXHET Sh.SHALA – BAJGORA: UDHËZIMET PREJ MAFIOZI TË DON ANDREA LORENZO CAPUSSELA!

Prishtinë, 17. 09. 2014: Don Andrea tregon rrugën për anarki: Pjesa dërrmuese e qytetarëve të Kosovës nuk kanë dëgjuar kurrë për emrin e don Andrea Capussela dhe as tash besoj se nuk e dinë kush është ky farë tipi i cili u bë i gjallë vetëm pasi nuk ia vazhduan kontratën e punës në AKP ku kishte para me thasë pasi që ishte lojtar i rëndësishëm gjatë procesit të privatizimit të pronave shoqërore në Kosovë e që përkthyer në gjuhën shqipe i bjen se ky, me të tjerët, ndërkombëtarë dhe kukulla të prodhimit vendorë në mënyrë të pamëshirshme e shkërdhyen pasurinë e Kosovës duke e falur (shitur) për asgjë hiç! Proces më të kriminalizuar të privatizimit se që ka ndodhur në Kosovë nuk e besoj se të ketë ndodhur dikund tjetër, ndërsa Andrea, sot, nga një distancë sigurie po përpiqet si Ponti Pilati, që pas krimit (privatizimit), pjesë aktive e të cilit ka qenë deri sa që për “shkaqe morale“ nuk iu vazhdua kontrata, t’i lajë duart nga përgjegjësia konkrete duke i fajësuar të tjerët dhe duke i udhëzuar që të përdorin metoda të sofistikuara kriminale për marrje të pushtetit dhe heqje të pushtetit të kundërshtarëve politikë që ai i cilëson pa mëdyshje armiq.

Deri sa ishte brenda strofkës ( Agjencisë së Privatizimit ) nuk bëzante sepse e ndante tortën me të tjerët ndërsa tash , jo rrallë moralizon për një shtet ligjor , respektimin e ligjit, luftimin e dukurive negative, luftimin e korrupcionit dhe krimit të organizuar , zbatimin e kushtetushmërisë , merret me krimet e luftës, me krime ekonomike, politika fiskale, projekte ekonomike , merret me GJK dhe Presidenten si dhe me trajtimin e të burgosurve dhe politikën korrektuese në Kosovë. Me një fjalë po delë të jetë i gjithanshëm dhe i gjithdishëm një administrator i nivelit të ulët ndërkombëtar i cili, duke shfrytëzuar kompleksin e inferioritetit e një numri jo të vogël të politikanëve kosovarë të veshur me injorancë , mosdije dhe bosht kurrizor tejfleksibil , u shndërrua në Zot të cilit duhet t’i falen të gjithë! Edhe ata që e kanë pasur për detyrë zyrtare sepse kanë bërë allishverishe të mëdha në procesin e privatizimit sikur edhe ata që ndaj këtij mashtruesi nuk kanë pasur dhe nuk e kanë as një detyrim! Tash, ky “ moralizues “ është bërë kolumnist dhe merret me aktualitetet kosovare me disa analiza ‘udhëzuese“ e që në fakt janë koordinata të qarta për rrugë drejt anarkisë. Dhe përmbysjes me dhunë të institucioneve legale dhe legjitime të Kosovës. Ai, në analizat e tija nuk shfaq respekt për askend në Kosovë madje i fyen dhe përqesh në mënyrë të paskrupullt ata me të cilët deri dje hanin dhe lëpinin të njëjtën pjatë! Ai e udhëzon “opozitën“ (me futje nën thonjëza nuk e dallon fare nga pozita ) si ta hjek qafe pozitën. Haptasi thotë se nuk ka fare respekt dhe besim në “ opozitën “ dhe, pa mëdyshje, edhe pozitën edhe opozitën i konsideron si kriminale mirëpo kjo nuk i pengon që të anojë nga “ opozita “ sepse ajo qenka e fisnikruar me VV (të cilën për shkak të frymës së përbashkët anarkiste e glorifikon ) duke i pregatitur strategji për marrje të pushtetit sipas modelit Lao Ce dhe Nikolo Makiavelit . Don Andrea e urren pozitën ndërsa e përqesh aq shumë “ opozitën “ deri në tallje duke shfaqur haptas se asaj nuk i beson dhe i udhëzon që sa më shumë që kërkohen nga pozita duhet ta ngrejnë çmimin e shitjes duke mos pasur fare dyshim se ata do të shiten. Ky Don Andrea e urren shumë edhe Presidenten Jahjaga prandaj kërkon që ajo të sulmohet deri në dobësimin e pozitës së saj. Po të kishte mundësi, ky doni kolumnist, sipas parimit të Alfredo Kapones dhe Laki Luçanos do ta dërgonte GJK e sidomos kryetarin e saj , Enver Hasanin atje ku Dante Aligeri e bëri arkitekturën prej Nëntë Rrathëve i quajtur Ferr nëpër të cilën domosdoshmërisht do të duhej të kalonin të gjithë ata që e kanë për synim Parajsën dhe të cilën për shkaqe objektive apo subjektive nuk e kanë merituar. Madje, edhe nëse Enver Hasani do t’i kalonte me sukses të gjithë rrathët e ferrit , në të kaluar në parajsë, don Andrea do ta kthente përsëri në fillim të procesit për ta vazhduar deri në pafundësi procesin e riciklimit. Urrejtja e don Andreas ndaj presidentes dhe GJK (dhe Enver Hasanit) është e pamatë. Duke bërë thirrje publike për rrëzimin e presidentes dhe GJK përmes protestave të fuqishme pasi e vlerëson rolin e VV në këto protesta , doni i privatizimit kriminal bënë thirrje publike për përmbysje të rendit kushtetuse dhe bartësve të saj. Ai udhëzon “opozitën“ se me marrjen e pushtetit marrin shumë para prandaj ia vlen të sakrifikohen. Madje, thotë se me marrjen e pushtetit përveç parave do të kenë mundësi që një pjesë të pozitës ta dërgojnë në burg. Don Andrea i privatizimit kriminal , sikur të gjithë ndërkombëtarët , një pjesë e të cilëve ka qenë pjesa më aktive, zemra dhe truri i krimit të organizuar në Kosovë që janë fshehur dhe fshihen prapa imunitetit me të cilin janë veshur që nga dita e parë të misionit të tyre në Kosovë po e luan rolin e ndërsyesit për një luftë civile në Kosovë duke llogaritur se as pozita nuk do të qëndrojë duarkryq. Ky e di fare mirë se pozita mund ta vë në lëvizje anëtarësinë dhe përkrahësit e shumtë që i ka prandaj e udhëzon “opozitën “ ta ngre gatishmërinë luftarake në nivel para shpërthimit të luftës duke ngritur tensione të vazhdueshme përmes kryengritjes së protestave e që qëllim përfundimtar do ta kishin anarkinë e pakontrolluar me një luftë civile shumë të mundshme.

Andrea Lorenzo Capussela

Porosia, udhëzimet, mësimet, rekomandimet e don Andrea Capussela për “opozitën“ janë të liga siç është edhe vet ai, me një qëllim shkatërrues të një “miku ndërkombëtar“ i cili asgjë nuk bëri për Kosovën përveç se përfitoi në mënyrë të kundërligjshme duke kontribuar dhe përkrahur një proces kriminal të privatizimit të cilin tash , i siguruar nga një përgjegjësi penale eventuale , gjoja e demaskon si një proces të dëmshëm për Kosovën. Don Andrea Capussela i përqesh edhe ndërkombëtarët duke i kategorizuar sipas kritereve të tij dhe duke sugjeruar se nuk duhet të dëgjohen fare fjalët e këtyre ndërkombëtarëve “të vegjël“ sepse ata nuk qenkan zëri i Washingtonit dhe Brukselit! Ky farë doni i privatizimit është një fashist i vogël sepse bënë dallime brenda llojit dhe kërkon të bëhet luftë gjithashtu brenda llojit. Atij vendorë por edhe ndërkombëtarë! Po të kishim politikanë të përgjegjshëm dhe të cilët interesin e vendit dhe të qytatarit do ta kishin mbi interesin personal, kjo ftesë publike e donit të kriminalizuar të privatizimit do të injorohej duke e lëshuar me ujë pas një procesi fiziologjik dhe atij nuk do t’i lejohej të hyjë fare në Kosovë sepse po thërret botërisht për anarki ,si hyrje në një luftë qytetare. Doni i privatizimit nuk e do as pozitën e as “opozitën“ prandaj as këta nuk duhet ta dëgjojnë këtë bukëpërmbytës të pavlerë . Sepse ju konsideron si të pavlerë, të kriminalizuar , hajdutë , që bliheni me para dhe duhet ta fitoni një “ çmim të sertë” , të padinjitetshëm, që nuk keni parime , të pabesë etj.etj. Mendoni tash a do t’i përfillni këto “ udhëzime “ për kapje të pushtetit të donit mafioz apo do të uleni dhe të bisedoni sepse , edhe pas kryengritjeve të protestave që ua sugjeron ky farë mashtruesi, përsëri do të duhej të bisedoni.
Edhe një dorëheqje për “parime“
Gjyqtari amerikan i GJK, David Carolan dhe dorëheqje nga GJK. Reagimet ishin , sidomos këta të Bllokut dhe atyre afër tij se në Kosovë ende paska asi që kanë parime, kredibilitet moral dhe integritet profesional prandaj e ka lëshuar GJK të kapur nga PDK, SHIK, krimi i organizuar, korrupcioni etj. Këtë pohim e mbështetën në faktin se z. Carolan dy herë ka ndarë mendimin kur është vendosur për rastin Isa Mustafa duke votuar kundër vendimit që e ka marrë GJK. Në fakt, po të bëhej fjalë vetëm për parime , z. Carolan do të jepte dorëheqje menjëherë pas seancës së parë kur u pezullua Isa Mustafa si kryetar i Kuvendit. Pastaj, do të tërhiqej edhe pas seancës dëgjimore kur GJK vlerësoi me vota 6 për dhe 1 kundër (Carolan) se zgjedhja e Isa Mustafës kryetar Kuvendi ishte kundërkushtetuese , si përkah përmbajtja ashtu edhe përkah procedura, Dhe, rasti i tretë ishte kur iu vazhdua mandati gjykatësve ndërkombëtarë. Mirëpo, duket se parimet e shndërruara në shifra ishin shkaku i dorëheqjes së këtij gjykatësi të GJK. Mediet po shkruajnë se për shkak të uljes së madhe të vlerës së parimeve (eurove) nga 25000 parime ( euro ) që i kishte deri më tani në 5000 parime ( euro ) për muaj ishin shkaku i largimit të David Carolan. Do të ishte e pandershme të flitet për “ parime “ e mos të përmenden në këtë rast Shuk C Stiveni, Don Andrea Capussela dhe ky i fundit, z. David Carolan.
Asgjë për t’u shqetëuar, asgjë për të festuar
Nesër është paraparë të mbahet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit sipas vendimit të GJK. Me kërkesën e Lista Srpska kjo mbledhje u shty thuaja për një javë ndonëse, pa problem ka mundur të mbahej të hënën që shkoi. Nga dita e premte deri të hënën ka pasur kohë të mjaftueshme për konsultime. Tash kemi një situatë kur GJK me vendimin e saj, e ka përjashtuar çdo mundësi që Isa Mustafa të zgjidhet kryetar me propozimin e koalicionit paszgjedhor të quajtur LANVV. Por e lë mundësinë që ky koalicion ta formojë qeverinë. LANVV, duke mbetur peng i ndarjes së parakohshme të posteve rrezikon mundësinë ta humbë mundësinë për drejtimin e qeverisë. Sa më shumë të humbë kohë duke e bërë punën e Sizifit ( zgjedhja e Isa Mustafës për kryetar ) , aq më shumë i rrëshqet nga duart mundësia që LANVV ta udhëheq qeverinë . Dhe të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilave LANVV i ka frikën si djalli temjanit. Me këtë humbje të kohës LANVV është duke provokuar zgjedhjet e jashtëzakonshme. Koalicioni LANVV le ta harrojë se pa një marrëveshje politike do ta zgjedhë Isa Mustafën kryetar përkundër votave të mjaftueshme që i ka. Nëse në seancën e radhës nuk votohet kandidati i PDK ( i cili duhet pranuar se nuk i ka votat por ligjet në fuqi janë në anën e tij ) atëherë zgjedhjet janë më afër se këmisha. Besoj se Isa Mustafa nuk do të pranojë të jetë kandidat për kryetar Kuvendi pas vendimit të GJK sepse do të ishte fundi i karrierës së tij politike. Ngushëllimi te 126 dhe 127 janë mashtrim optik dhe e luajnë rolin e qetësuesit për kokëdhembje të shkaktuara pas kapjes për karriken e kryekuvendarit që , për shkak të infrastrukturës ekzistuese ligjore , janë shpresa të një shtegtari në shkretëtirën e Saharasë të cilit rëra i shndërrohet në ujë ndërsa shkretëtira në oqean. Shpresat se GJK nuk ka kuorum për pezullimin eventual të Isa Mustafës së rizgjedhur nga tetka Millka nuk qëndrojnë sepse e kemi një vendim të GJK , që në rast të përsëritjes së skenarit të LANVV-it e dërgon Isa Mustafën në gijotinë politike duke ua humbur shpresat edhe për drejtim të qeverisë. Në situatën e krijuar janë dy zgjedhje; ose marrëveshje politike midis blloqeve, ose zgjedhje të jashtëzakonshme. Në të parën LANVV mund të fitojë diçka ndërsa në zgjedhje të jashtëzakonshme do t’i humbë të gjitha! Prandaj edhe u druhen zgjedhjeve të jashtëzakonshme , deri në ankth. Ndryshe, nëse thonë se i kanë 2/3 të vendeve në Kuvend pse atëherë kanë aq shumë frikë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme. Në mungesë të marrëveshjes , nuk mbetet tjetër mundësi. Nuk e kuptoj pse nuk mund të ulen dhe të bisedojnë ( dhe të mos merren vesh ) kur nesër detyrimisht do të bashkëpunojnë në kuvend, komisione, borde etj.! LANVV po të kishte vepruar me urtësi, pa nxitim, pa kërcënime , sot, aksionet politike do t’i kishte shumë më me vlerë! Kështu, çdo gjë e ka vënë në pikëpyetje . Madje edhe ekzistencën e koalicionit. Nuk sakrifikohet posti i kryeministrit dhe qeveria për një post të kryekuvendarit. Nuk bëhen plane se do t’i marrim të gjitha e pas dy vjetëve edhe postin e presidentit! Madje, bënin plane se si ta largojnë nga posti edhe presidenten Jahjaga ndonëse e dinë shumë mirë se kjo nuk mund të ndodhë përveç se në ëndërr! Apo hajt ta zgjedhim kandidatin e PDK për kryekuvendar e pastaj, pas dy javësh në një seancë të jashtëzakonshme, e shkarkojmë ! Ose , ta shkarkojmë Flora Brovinën, ta vendosim tetka Millkën apo Teutën e ta bëjmë Isën kryekuvendar. Për PDK-ë do të ishte shumë më mirë që kryesuesja e seancës ( në bazë të moshës ) të ishte nga radhët e koalicionit LANVV sepse edhe ajo /ai do të detyrohej të vepronte sipas vendimit të GJK. Prandaj, midis dy mundësive që iu kanë mbetur; marrëveshjes politike dhe zgjedhjeve të jashtëzakonshme zgjidheni ate që e vlerësoni më të mirën . Edhe për ju , edhe për qytetarët e Kosovës ! Edhe ju të pozitës , edhe ju të opozitës. Nëse mbështeteni ekskluzivisht te LS atëherë nuk jeni kapur për rrënjë e as për trungu por jeni kapur për dushk dhe gogla! Apo, mbahuni për “ udhëzimet “ dhe “ mësimet “ e Don Andrea Capussela për ta bërë punën m.. deri në fund!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura