INTERVISTA E NJË BURRËSHTETASI NGA KAFAZI I GJYKATËS SPECIALE RACISTE!

Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

A mund të ketë shpërfytyrim të të pafytyrëve

Në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës Speciale Raciste në Hagë po mbahen si pengje të paqes heronjtë e luftës dhe të shtetndërtimit; presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentarët Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli sikur edhe Rexhep Selimi, në kohën kur u arrestua  shef i Grupit Parlamentar të Partisë Vetëvendosje ndryshe që të katërt themelues të së Lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës dhe luftëtarë të pakompromisë që nga orët e para. Komandant Salih Mustafa – Cali, më lehtë do të kalonte i shtrirë në Shtratin e Prokrustit se nga kjo Gjykatë që po deklarohet se është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës dhe se gjykon sipas ligjeve të Kosovës. Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati  u dënuan me dënime kapitale për një vepër për  të cilën përgjegjësi materiale dhe penale kanë pikërisht hetuesit , prokurorët apo gjykatësit e kësaj Gjykate sepse i lëshuan me “rënie të lirë“ materialet e ndjeshme, ose duke i shitur  shumë shtrenjtë ose me qëllim që t’i keqpërdorin si përshpejtues për arrestimin e Katërshes së Madhe të UÇK-së që tani po mbahen pengje . Kushëriri im (nga mbiemri) Pjetër Shala është duke u gjykuar dhe, pa asnjë dyshim dënimin e ka të prerë. Këta burra janë duke u mbajtur peng deri më tani, qoftë të paraburgosur apo të dënuar. Nuk duhet të jeni aspak ekspert e të nxirrni një përfundim mbi kredibilitetin e dëshmitarëve, të mbrojtur apo të pambrojtur (që kanë pranuar të dëshmojnë jashtë proceseve gjyqësore të privatizuara nga prokurorët dhe gjykatësit) për të vlerësuar mbi objektivitetin, paanshmërinë dhe pandikueshmërinë e procesit gjyqësor. Që nga Procesi i Nyrembergut e deri te gjitha gjykatat ndërkombëtare , hibride dhe kombëtare ku janë gjykuar dhe dënuar të akuzuarit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nuk ka pasur gjykim më të mbyllur , më jotransparent , më të redaktuar dhe më dhunues se ky gjykim që është duke vazhduar edhe tani dhe do të vazhdojë deri në kohën kur do të ketë interes politik dhe përfitim ekonomik. Nuk ka proces gjyqësor ku është dhunuar aq shumë parimi i Publicitetit, si njëri ndër garantuesit për një gjykim të drejtë, të paanshëm dhe të pandikuar nga politika, parapolitika apo grupet e interesit . Edhe në kohën e Inkuizicionit apo egzorcizmit, në përpjekje të nxjerrin djajtë nga të pafajshmit, nga vet djajtë e Inkuizicionit ( kleri dhe ndonjë gjykatës eventual), gjykimi që në të shumtën e rasteve ka përfunduar me kalljen e viktimave të pafajshme në stivë të drunjve, ka qenë publik dhe në prani të shumë qytetarëve. Merreni me mend distancën historike dhe kohore midis Inkuizicionit dhe kësaj Gjykate Speciale Raciste në kontekstin e respektimit dhe zbatimit të parimit të Publicitetit.  Kryetari i  trupit gjykues, Çarls Smith duhet të ndjehet i turpëruar para Kozimo Mediqit apo kardinalit Rishelje për mënyrën se si e udhëheq gjykimin, fletë për hapje të procesit, bashkë me prokurorin e mbyllë edhe më shumë, deri në premtimin e radhës. Gjykata Speciale Raciste  thuhet se është e Kosovës dhe, e vetmja lidhje me Kosovën është se institucionet aktuale në Kosovë kanë të njëjtin qëndrim me Gjykatën Speciale sa i përket personave të arrestuar e që janë duke u gjykuar. Nuk ka vend në botë ku shkelet aq rëndë dhe aq papërgjegjshëm parimi i prezumimit të pafajësisë sikur që po ndodhë me pengjet e Hagës, të gjithë shtetas të Kosovës dhe të gjithë shqiptarë. Dhe, të gjithë luftëtarë të lirisë dhe ndërtues të shtetit në një ambient aspak miqësor, si nga ndërkombëtarët, Serbia e bënë sipas detyrës zyrtare dhe një pjesë e pozitës në Kosovë dhe mendermethënë një pjesë e shoqërisë civile në Kosovë.  Hartëzimi i akuzave ishte bërë në Beograd kurse nënshkrimi  i këtyre akuzave ishte bërë nga një psikopat zviceran i veshur me pushtet dhe imunitet. Bomba që plasi cipën e pafytyrësisë e u hodh në Burrel  që siguroi shumë ngritje në karrierë për burokratët e Evropës, kriminelët e Serbisë dhe disa grabitçarë fondesh në Kosovë dhe Serbi të bashkëdyzuar rreth një boshti për kriminalizim të luftës së UÇK-së, rishkrim të historisë dhe futje të Kosovës nën Serbi. Sot, në Kosovë dhe në rajon janë dy mundësi të siguroni fonde lehtësisht dhe paturpësisht; e para, duke përkrahur grupet seksuale të margjinalizuara (e bëjnë vetëm shkaku i fondeve dhe jo shkaku i bindjes) dhe, e dyta duke sulmuar dhe akuzuar luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (e bëjnë për përfitime, me vullnet të plotë dhe me bindje se po e përmbushin detyrimin ndaj trashëgimisë “kombëtare“, politike dhe morale, jugosllave dhe serbe, si pjesë e kodit gjenetik të paraardhësve të tyre). Nuk duhet të kaloni shumë kohë para mediave elektronike e të kuptoni ecurinë dhe përfundim logjik të këtyre gjykimeve! Bijë dhe bija, motra dhe vëllezër të ish udbashëve jugosllavë dhe serbë, bijë të vrasësve e që kishin poste në ish sistemin, sot, përveç se deklarojnë çdo ditë për krime të UÇK-ës për të cilat nuk kanë asnjë njohuri, edhe shkaku i moshës edhe shkaku i mospasjes së informatave përveç atyre serbe, për një grusht parash dhe urrejtjes ndaj atyre që e bënë luftën dhe e sollën lirinë sot janë në gjendje të dëshmojnë para kësaj Gjykate, të liruar dhe të çliruar nga çdo ndjenjë dhe përgjegjësi morale dhe njerëzore. Shumicën e dëshmitarëve , të mbrojtur dhe të pambrojtur që kanë dëshmuar para kësaj gjykate i njoh  sikur që i njeh edhe publiku kosovar. Me Fredin kam pasur bashkëpunim shumëvjeçar dhe pikërisht KMDLNj-ë ka qenë pikënisja e thuaja të gjitha aktiviteteve që i ka bërë në Kosovë.  Më njeh shumë mirë dhe e njoh shumë mirë. Organizata për të cilën ka punuar nuk ka pasur kapacitet operacional në Kosovë as para , as gjatë e as pas përfundimit të luftës prandaj ka marrë informata prej burimeve të ndryshme në Kosovë e tash po del , sipas dëshmisë para Gjykatës edhe më shumë në Serbi. Po del se dëshmitë nga Serbia janë shtylla kurrizore e fakteve që i prezanton para kësaj Gjykate. Sikur edhe disa organizata që kokën e kanë në Beograd e trupin në Kosovë. Keq ka sharruar për Shtëpinë e Verdhë në Burrel edhe pasi nuk u sigurua asnjë provë materiale për trafikim me organe njerëzore që shërbeu si bombë shurdhuese për Raportin e Dik Martit sikur që po sharrojnë do psikopatë në Kosovë të cilët të vetmen lidhje me luftën e kanë urrejtjen ndaj luftës që po e përdorin si platformë dhe mundësi për përfitim fondesh . Psikopatë të çastit , në shërbim të nostalgjisë jugosllave dhe serbe .

Burrështetasi dhe politikanët mediokër

Hashim Thaçi, president i Kosovës e dha një intervistë nga Paraburgimi i Gjykatës Speciale Raciste. Një intervistë ku përfshiheshin shumë gjëra, personale, familjare, politike dhe shtetërore. Kjo pak e ngarkon intervistën mirëpo është fakt i pamohueshëm se pjesa politike është intervistë e një burrështetasi dhe jo e një politikani mediokër. Është pjesë ku e sfidon edhe fatin e vet për çështjen e përgjithshme. Hashim Thaçi, bashkë me të tjerët që po mbahen pengje nuk e ka shkruar historinë, e ka bërë dhe e kanë bërë historinë. Politikani mediokër merr vendime të vogla sepse nuk ka kapacitet, guxim, motiv e as përkushtim për vendime të mëdha. Prandaj asnjëherë nuk del nga mediokriteti. Mediokritetin e ka diplomë, e ka shtytje, e ka arsyetim për ikje nga përgjegjësia kur përballet me vendime të mëdha. Prandaj kurrë, për dallim nga Hashim Thaçi nuk bëhet burrështetas. Burrështetasit marrin vendime të rënda, të kushtueshme dhe të dhimbshme për ata që nuk shohin më larg se hunda ndërsa burrështetasit shohin me mend dhe jo me sy. Rezultatet shihen më vonë.  Kosova sot ka nevojë për burrështetas të cilin nuk e ka. E kanë dërguar “në kafazin e Xhengis Kanit“ në Hagë, bashkë me bashkëluftëtarë, deri sa të na i prejnë rrobat. Është interesant fakti se personalitetet që krijojnë histori, që sfidojnë jetën dhe vdekjen për interes të përgjithshëm, që vetmohimin e kanë pjesë të pandashme të karakterit, temperamentit, ndërgjegjes, vetëdijes dhe moralit, vlerësohen drejtë vetëm pasi të ketë kaluar një distancë kohore, sidomos te shqiptarët. Me Hashim Thaçin mund edhe të mos pajtoheni por një gjë asnjëherë nuk mund ta mohoni, se ishte dhe mbeti një burrështetas duke arritur majat e synimeve kombëtare, politike dhe shtetërore, në përputhje me mundësitë që i kishte. Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA, 8 shtator 2023 Prishtinë

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura