Prishtinë, 10. 01. 2015: A nuk jemi kah bindemi çdo ditë e më shumë se në shtetin e Kosovës, shumica e banorëve, po jetojmë në një kohë që jo vetëm shumëçka e ka humbur lezetin që duhet, por ka humbur edhe kuptimin fare deri në absurditet?! Shembujt janë të shumtë dhe të përditshëm, për të cilët informohemi për çdo ditë dhe ‘taze-taze’, por unë po ju njoftoj vetëm për një rast eklatant që e vërteton më së miri këtë se ku jemi dhe kush jemi:
1. Siç dihet, çdo komunë është e kufizuar me një a më shumë komuna të tjera dhe kanë territorin dhe kufijt që i ndajnë dhe i administrojnë, siç ndodh edhe me shembullin e komunave Prishtinë-Fushë-Kosovë, por çfarë paradoksi, as pas 16 viteve nuk e dinë se ku i bie dhe deri ku shtrihet ky kufi, prandaj edhe më tutje vazhdon të mbetet problem i pazgjidhur;
2. Dhe derisa puna është kështu, mund të kuptohet lehtë se pronarët e tokave të tyre janë të penguar dhe nuk kanë të drejtë ligjore që të ndërtojnë çfarëdo qoftë afër kufirit a mezhdës që nuk dihet se ku është ajo, por që përkundër këtyre, del ndonjë ‘burrë i fortë’, siç është z. Adriatik Azemi, me pronë në territor të komunës së F. Kosovës, që pa pasur leje për ndërtim nga organi kompetent (pasi siç pamë nuk ka si ta marrë), ndërton dhe është duke ndërtuar një varg ndërtesash të ndërtimit të lartë, duke e cënuar direkt pronarin e tij fqinj, z. Adem Pireva, me pronë në territor të komunës së Prishtinës, nga gropimet e njëpasnjëshme, kur nuk dihet mezhda që i ndan pronat e tyre;
3. Edhepse qysh në fillim z. Pireva i kishte kërkuar z. Azemi që të mos ndërtojë para se të zgjidhet kontesti kufitar mids pronave të tyre, përkatësisht komunave Prishtinë-Fushë-Kosovë (të cilat ishin njoftuar me kohë nga z. Pireva), ose të merren vesh në çfarëdo mënyre bashkërisht dhe me mirëkuptim për këtë kontest, çfarë absurdi, madje edhe kur komuna e F. Kosvës ia kishte ndërprerë punën një herë;
– ndonëse Drejtoria e Kadastrit e komunës së Prishtinës i kishte kërkuar Agjensionit Kadastral të Kosovës (me z. Murat Meha në krye) që është kompetent, të dalë dhe të caktojë vinë kufitare midis pronave të dy pronarëve në fjalë, por që asnjëherë (çfarë absurdi !), s’e lëkundi këmbën që ta bëjë këtë;
– ndonëse Gjykata Themelore, në anën tjetër, e kishte ‘këshilluar’ që të ndjekë procedurat dhe të mos ndërtojë pa leje;
– ndonëse ankesa e z. Pireva në Gjykatën e Apelit nuk është përfunduar akoma;
– ndonëse MMPH (Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor), pas trokitjes së z. Pireva për 75 ditë në zyrat e saj…që të ndërmarrë masa për ndalimin e personit në fjalë që të ndërprejë punën sepse nuk posedon leje ndërtimi dhe cënon direkt pronën e tij, e që më në fund lëshon një konkluzion me shkrim për mes të cilit i kërkon komunës së Fushë-Kosvës që të veprojë dhe t’ia ndërprejë punën palës ndërtuese;
– ndonëse pas këtij konkluzioni Drejtoria për Urbanizëm merr vendim që t’i ndërprehet puna personit në fjalë, por që Drejtoria e Inspeksionit nuk e bën këtë hap (!);
– ndonëse z. Pireva u është drejtuar me kërkesë me shkrim deri edhe Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Presidencës së Republikës së Kosvës që të ushtrojnë ndikimin e tyre në mënyrë që të mos e pësojë nga ky njeri i ‘gjithfuqishëm’ i kompanisë ndërtimore “Britania homs”, z. Adriatik Azemi, ai nuk ndalet po nuk ndalet së ndërtuari, edhe më tutje, pa leje ndërtimi dhe duke e dëmtuar jo pak fqinjin e tij, z. Adem Pireva!
As më thuani ju miq të nderuar se këtu ka vend për të mos dyshuar aspak, por sigurt, se fjala është për korrupsion të rëndë dhe se pas këtij njeriu kaq të ‘fuqishëm’, rri një politikan i fuqishëm?! Ai, sigurisht, ka emër dhe mbiemër dhe po të ketë vullnet drejtësia, mund të zbulohet, por kur se?!
O tempora o mores!
Sylejman Pireva, asamblist i Kuvendit Komunal të Prishtinës.