SYLEJMAN SALIHU: PORTRETI LUFTARAK I DËSHMORIT ZEJNULLAH ZEJNA

Bielefeld, 18. 05. 2014 – E ndjej veten të nderuar, që sonte më jepet rasti të flas për dëshmorin Zejnullah Zejna, por kjo ma shton edhe më shumë përgjegjësinë, sepse atë që bëri Zejnullah Zejna me shokë me armë në dorë, nuk jam i zoti unë ta them me fjalë. Poeti i madh Azem Shkreli thërriste krijuesin që ta shtrydh “fjalën derisa gjak të pikojë”, por gjaku i kuq i heronjve dhe dëshmorëve të lirisë sikur ma zbehë edhe këtë mundim. Pse? Sepse sado e bukur dhe e fuqishme të jetë fjala, përpara veprës heroike të dëshmorëve dhe heronjëve të kombit, ajo humbet si fluskë sapuni. Por ja që kjo mbrëmje na detyron të bëjmë pikërisht këtë, që me fjalë të përkujtojmë të bëmat e tij dhe sadopak të mund të themi diçka, sepse ai dha një jetë, të vetme që e kishte, e ne mund të themi vetëm ca fraza, që edhe mund të tingëllojnë boshe, karshi heroizmit të atij që me kokën lart u gjet në vijat e para të frontit me fjalët në gojë: Ja vdekje, ja liri!
Luftëtarët, dëshmorët dhe heronjtë e kombit që iu përgjigjen thirrjes së atdheut për t’u ngjitur në altarin e lirisë, janë emblema të mëdha që shquhen nga larg, janë fanarë drite që na rrëfejnë plot dritë rrugën e atdhetarizmës deri në flijim kur atdheu i thërret. Ata ishin të heshtur dhe nuk folën shumë, por pushka e tyre ua theu heshtjen duke u ngjitur me ushtimën e saj deri në kupë të qiellit.

Ata na bashkojnë gjithmonë siç na kanë bashkuar sonte dhe kur na thërrasin me alarmin e luftëtarit që të mblidhemi në kuvend, kuvendi edhe mund të jetë i sertë, siç është e sertë edhe vetë disiplina e luftëtarëve. E ne vdekatarët kur takohemi me të pavdekshmit si ata, duhet të flasim shkurt e qartë, sepse sedra e tyre nuk e duron fjalamaninë.
***
Personazhi i kësaj mbrëmje, Zejnullah Zejna, është një djalë Kosove, që u lind në Sojevë të Ferizajt me 1967, në një ambient dhe familje me tradita të larta patriotike e kombëtare. Që në fëmijëri e kishte të paracaktuar të ndiqte yllin e lirisë së munguar. Rrëfimet që kish dëgjuar për familjarët e tij, që ishin shpërngulë në Turqi nga zezonat e kohës ku karvanet e të shpërngulurve iknin pa fund drejt Anadollit plot lotë e vaj në çastet e ndarjes, i kishin ngelur në kujtesën e tij dhe të cilat herë-herë i rishfaqeshin dhe i faniteshin me ankth.
Zejnullah Zejna kishte mbaruar shkollat njërën pas tjetrës, por shkolla e jetës sikur e kishte mësuar më shumë dhe në të ai kishte mësuar veçanërisht se çka do të thotë mungesa e lirisë. Ishte larguar herët nga familja, kishte veshur ai rrobën e mërgimtarit në vende jashtë Kosovës dhe kishte parë me sytë e tij se deri ku shkonte përbuzja e bashkëkombasëve të tij kudo ku gjendej.
Në Zagreb edhe ai kishte ngrënë fasulen e vendlindjes “vetë i trembëdhjeti” siç do të shprehej poeti Esad Mekuli për mërgimtarët e Qytetit të Bardhë. I ri e i njomë kishte marrë mbi vete hallet e skamjes dhe me duart e tij të njoma kishte derdhë djersën e ballit për të mbajtur me bukë goje familjarët e tij. Ajo djersë, që i rridhte çurg nga lindja deri në perëndim të diellit, ishte buka e tyre, e nëna digjej nga dhimbja për djalin e saj që rrinte nëpër rrugët e botës. Pastaj kur dera e kthimit në atdhe ishte bërë edhe më e rëndë dhe për disa edhe ishte mbyllur fare për qindra mijëra qytetarë shqiptarë, ai pas një qëndrimi tjetër në Zvicër sërish s’ishte bërë rehat dhe ishte vendosur në Gjermani, pikërisht në qytetin e Bielefeldit, ku kishte gjetur edhe dashurinë e tij.
Suzana, kjo zonjë e nderuar, e kishte për nder t’i rrinte në krah këtij trimi ndaj edhe ishte munduar t’ia lehtësonte brengat e jetës, por boshllëkun që kishte Zejnua për familjen dhe Kosovën, e veçanërisht boshllëkun e madh të lirisë, asesi nuk kishte arritur t’ia mbushte.
Jeta e kurbetçarit Zejnullah Zejna, sikundër edhe e të gjithë të tjerëve që po endeshim si pa kokë rrugëve të qyteteteve europiane, ishte plot vuajtje, plot net pa gjumë, plot ëndrra për nënën e babanë mbetur pranë oxhakut që presin çdo ditë kthimin e të birit të tyre te porta e madhe e oborrit. E ai nuk po dukej se nuk po dukej, sepse Zejnullah Zejna kishte një punë për të bërë: ai do të bënte punën e luftëtarit të lirisë, të tokës që e mëkoi, që e lindi dhe që e rriti. Kjo ishte punë mbi të gjitha punët.
Andaj kur krismat e para të pushkëve e çanë heshtjen monotone, Zejnua me shumë të tjerë, u bënë gati për llogore të luftës, atje ku buka dhe uji, djersa dhe gjaku, jeta dhe vdekja tingëllojnë si kambana në gjuhën e bukur shqipe. Si edhe çdo luftëtarë tjetër edhe Zejnua u takua me vetvetën sy më sy dhe enigmën e zgjidhi shpejt dhe në heshtje sikundër e kishte bërë më përpara poeti hungarez Shandor Petëfi: ”Për dashuri jap jetën, por për atdhe jap dashurinë”.
Nusja e ushtarit të ri mbeti vetë, duke shpresuar ta shihte përsëri në Kosovën e lirë. Por Suzana e veshur me të zeza e pa Zejnuan vetëm kur ishte bërë dhëndërr i lirisë së Kosovës.
Zejnullahu i heshtur, në kraharorin e të cilit vlonte vullkani i atdhedashurisë, shpërfaqi shpirtin e rrebeluar: atje ku krismat e lirisë buçasin, atje ku jeta dhe vdekja janë pranë e pranë, atje është jeta apo edhe vdekja ime. Pa bujë, tepër i heshtur, dhe me shumë sportivitet, mori valixhen e luftëtarit dhe veshi uniformën e UÇK’së. U nis në rrugën e lavdisë, në rrugën e shtruar jo me dafina dhe lule, por në rrugën e shtruar me gjak. Gjak, erë, tym, shi, borë, rrebeshe e krisma armësh e flakë baroti dhe përsëri gjak, gjak, gjak.
Tash statusi i tij prej kurbetçari, që rropatet për të fituar bukën e gojës, u konvertua në status luftëtari, që mëton lirinë, sepse tek ai kishte shpërthyer ideali i lirisë, që do të vinte në horizontin e madh të jetës. E ndjeu për nder dhe plot krenari se diçka mund të bënte edhe ai.
Zejnua u nis bashkë me shumë luftëtarë të tjerë dhe autobusët ishin të paktë për të marrë brenda gjithë kontigjentet e luftëtarëve, që me këngën në gojë “për mëmëdhenë, për mëmëdhenë” dhe marshin e UÇK’së “Moj Kosovë o djep lirie”, niseshin për në llogoret dhe istikamet e luftës. Për ata lufta ishte si një dasmë dhe ata vetë ishin dasmorët e saj që do t’i sillnin vendit nusen e bukur të lirisë.
Asnjë dilemë nuk kishte Zenullahu në rrugën e tij. Caku tashmë dihej, rruga ishte e prerë, e rëndë, por ai cak duhej të arrihej. Kaloi kufinjtë e Europës dhe çau edhe detin me vaporin e parë, për t’u gjendur në ag të mëngjesit në Durrësin a lashtë, bashkë me çetën e madhe të vullnetarëve të lirisë. Tashmë kishin shkelur tokën nënë.
Restauranti “Drenica“ në Durrës u kishte dhënë bukë e kripë luftëtarëve të pagjumë. Mëngjesi tjetër i kishte gjetur në fushat stërvitore të luftës, pranë gjëmimit të topave dhe krismave të pushkëve. Por atij s’i pritej. Donte sa më shpejt të përfundonte stërvitjet dhe të ishte në sheshin e madh të mejdanit. Rambua, siç e quanin shokët me humor dhe që kishte një trup muskuloz prej atleti, shkeli me këmbët e veta me gjithë barrën e rëndë të armatimit mbi shpinën e tij në, Kolsh, në Kalimash, në Krumë, në Cahan, në Kishëz, në Burrel, në Elshan, në Kukës, në Gorozhup, aty rrëzë Pashtrikut krenar, atje ku i vuri pikën e fundit jetës së tij për t’u bërë hyjnor dhe i amshueshëm.
Luftimet po zhvilloheshin fuqishëm dhe toka e Kosovës po digjej gjithandej. Detyra parësore atë pranverë të vitit 1999 ishte thyerja e kufirit: Shqipëri -Kosovë. Ai gur i rëndë që kishte ndarë njerëzit e një gjaku ishte një gur i zi, andaj duhej rrokullisur tutje thellë në greminë. Kjo ishte detyrë mbi detyrat, e cila ushtarët i lë pa gjumë. Ah, ai gur, thoshin me vete. Ai gur duhej të hiqej se ndryshe u dukej si gur varri që u rri varur në qafën e tyre. Ushtarakët kishin menduar se hapja e kufirit do të ishte një sinjal i mirë për çlirimin e Kosovës dhe ëndrra e lirisë për luftëtarët do të shpërfaqej me realitetin e kohës.
Andaj operacioni “Shigjeta” do të ishte aksioni më kuptimplotë që do ta çonte përpara vijën e frontit drejt çlirimit, prandaj edhe duhej bërë. Të prirë nga oficerët e luftës dhe të besatuar me fjalët “o sot ,o kurrë” operacioni “Shigjeta” i filluar më 26 maj 1999, kishte dalë me sukses dhe guri i kufirit që kishte ndarë 87 vjet njerëzit e një gjaku e të një gjuhe ishte shkulur nga toka dhe ishte rrokullisur tatëpjetë për të mos u ngulur më kurrë. Operacioni ishte i vështirë, i rëndë dhe si i tillë kishte vazhduar disa ditë radhazi e forcat serbe të tronditura nga katrahura e madhe e kufirit, ishin egërsuar edhe më shumë dhe kishin provuar ta rikthenin me çdo kusht gurin ndarës.
Por për aq sa do të kishte luftëtarë, pushkëtarë e shenjëtarë si Zejnullah Zejna me shokë, ajo nuk kish si të ndodhte më. Zejnua ishte aty dhe ishte roje e atdheut. Siç e thonë bashkëluftëtarët e Zejnullah Zejnës, atij i ndriste fytyra nga gëzimi për hapjen e kufirit dhe që të mos ndodhte rikthimi i forcave serbe ai kishte vazhduar të mbante pozicionet e tija bashkë me topin e tij, i cili peshonte rreth një kuintal dhe me të cilin manipulonte sikur të ishte një lodër e lehtë.
Në kujtimet e tij bashkëluftëtari Halil Haliti nga Prellova e Vushtrrisë thotë:
“Me tre qershor po dukej një përforcim i jashtëzakonshëm i forcave serbe, ndoshta njëri ndër më të fuqishmit që kishin planifikuar serbet, prandaj Zejna dhe ekipi i tij filluan t’i qëllonin sapo hodhën hapat e para në tokë ushtarët serb, që erdhën me autobusë e mjete tjera. Goditjet e para patën sukses, por topi pësoi një avari”. (Rrahim Sadiku, Zejnullah Zejna, Zgjimi, Ferizaj, 2011, f.115.)

Ndërkaq dëshmitari tjetër, Xhemil Vogliqi, edhe ai bashkëluftëtarë i Zejnullah Zejnës pohon: ”Zejna shtiu njëherë dhe mbushësi e futi predhën tjetër me të shpejtë, po ajo nuk ndezi. Zejna u nervozua dhe duke u frikësuar se do të na shpëtonin armiqtë, e liroi kapakun mbyllës të tytës me të shpejtë dhe përnjëherë predha që po dilte, eksplodoi, duke e lënduar atë rëndë në krah dhe në anën e majtë të kraharorit.” (Rrahim Sadiku, Po aty, f.127)
Pra topi, ai miku i tij i dikurshëm, nga i cili s’ishte ndarë ditë e netë të tëra dhe që kish gjëmuar fuqishëm me alarmin e lirisë në luginat dhe majat e larta të maleve, pabesisht ishte kthyer kundër komandosit të tij Zejnullah Zejnës dhe kishte ndodhur ndeshja e topxhiut Zejnullah Zejna me gjylen e topit të tij sikur dikur jo larg vendlindjes së Zejnullah Zejnës ajo e Mic Sokolit në Kodrën e Slivovës më 1881, që ishte kthyer në legjendë.
Gjylja vrastare e fshehur si për inat, që nuk kishte plasur atëherë kur e kishte urdhëruar topxhiu Zejna, tashmë tinëzisht po i hakmerrej Zejno luftëtarit. Gjaku ishte derdhur duke shpërthyer nga damarët e tij dhe kështu ishte dhënë kumti i madh se toka që përgjaket doemos do të jetë e lirë. Flijimet tashmë kishin ndodhur.
Ushtari i atdheut Zejnullah Zejna ishte marrë menjëherë nga shokët e tij, të cilët e kishin dërguar në Krumë por vdekja i kishte marrë frymën e fundit. Me duart e tyre prej luftëtarësh e kishin varrosur shokët e tij dhe kishin zbrazur artileri plumbash me fjalën e madhe “Lavdi”!
***
Zejnua ishte një luftëtar i urtë, i qetë, i butë me miqtë dhe luftëtarët, por i hakërruar dhe i tërbuar karshi fallangave serbe. Shokët e tij e tregojnë se ai ishte shumë miqësor me luftëtarët, ishte treguar shumë human me ta, aq sa edhe paratë e marra me vete nga Gjermania, i ndante bashkë me ta. Butësia e tij prej njeriu të mirë ishte për t’u admiruar. E një sportist nuk mund të ishte ndryshe. I tillë ai shkoi atje ku bëhej lavdia edhe atje ku shkruhej historia, jo me pendë, jo me fjalë, por me krisma pushkësh e me gjëmime topash.
Zejnullah Zejna na dha modelin e njeriut se si jetohet dhe si vdiset për atdhe. Ai kishte larë një borxh, një borxh që na takonte të gjithëve. Dhe për borxhin ndaj atdheut ai kishte thënë edhe një fjalë, të cilën e kujton miku i tij luftëtari, Halil Haliti: ”Borxhi ndaj Atdheut është i secilit” thoshte Zejnullah Zejna dhe ecte në marshin e madh të lirisë. (Rrahim Sadiku, po aty, f.147).
***
Sot Zejnullah Zejna është krenar dhe rri hijerëndë në panteonin e madh të lirisë. Si personazh historik ai ka hyrë në kujtesën e popullit, ka hyrë në këngën e rapsodit, ka hyrë në ngjyrat dhe koloritin e piktorit, në bronzin e fortë të skulpturës, në fjalën e bukur të poezisë. Ai më në fund me gjakun e vet e vulosi satatusin e dëshmorit të kombit, i cili i rri bukur hijes së tij dhe sikur na qorton:
Ju të gjallët kini kujdes Atdheun! Lavdi!
(Fjalë e mbajtur në akademinë përkujtimore për dëshmorin Zejnullah Zejna, në klubin “Kosova 81” – në Bielefeld të Gjermanisë)
***
DËSHMORIT ZEJNULLAH ZENA

Me net të tëra s‘kishte gjumë në sy,
Balli i tij i ngrysur një shteg për liri.
Hasmi digjte trollin me flakë e me zjarr,
Trimosh Zejnullahu rrugën kishte marrë.
Ditë e net të gjata tek priste agimin,
Në llogore të luftës kishte dhënë betimin.
Trupin kish stolisur pushkë e luftëtarit,
Mbi armikun!thërriste,në vijën e zjarrit.
Trimi bën detyrën me topin idhnak,
Pastaj grish amshimin në mëngjesin herak.

Sylejman Salihu – Bielefeld, më 10. 05. 2014

__________________________

Milaim Mezini – këngë kushtuar dëshmorit Zejnullah Zejna:

 ————————————————————–

(Ilustrimet i përgatiti pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura