(Burojë, 30. 10. 2012 ) – Vazhdimisht, këto dymbëdhjetë vjetë “pavarësie” e “demokracie”, si dhe këto katër vjetë “shtetësie”, dëgjojmë deklarata të pamatura të ndërmjetësve dhe “miqve” ndërkombëtarë për Kosovën e pushtuar shqiptare. Dhe, kjo e fundit, sipas të përditshmes ‘kombëtare’ “Koha ditore” të dt. 27 tetor 2012, është deklarata më skandaloze që mund të dëgjohet nga ndërmjetës të “paanshëm” ndërkombëtarë, të cilët nuk e dinë thelbin e problemit të çështjes së pazgjidhur shqiptare.
Deklaratat e pamatura të ndërmjetësve dhe “miqve” ndërkombëtarë tingëllojnë anakronike me kohën dhe rrethanat shoqërore e historike të shekullit 21. Po, a thuhet dhe me sa mend në kokë mund të thuhet se “Kosova dhe Serbia të ndjekin modelin e dy Gjermanive”, kur dihet botërisht e shkencërisht se Kosova dhe Serbia nuk kanë asnjë ngjajshmëri mes vete, siç kanë, ta zëmë, dy Gjermanitë. Kosova dhe viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi dhe Çamëria në Greqi, janë toka të pushtuara shqiptare. Ngjajshmëria është prekëse mes Shqipërisë dhe tokave të saj të pushtuara. Pra, modelin e dy Gjermanive duhet ta ndjekë Shqipëria me Kosovën dhe me tokat tjera të saj, të Shqipërisë, pra.
………………………………………..
Lexuam se “ndërmjetësit” paskan deklaruar se: “Kosova e Serbia të ndjekin modelin e dy Gjermanive” (Sic!) Dhe, parë në thellësinë e kësaj deklarate antishqiptare, do të thotë se çështja shqiptare nuk duhet të shikohet si e tillë. Kjo del nga vetë deklarata e “ndërmjetësve” proserbë të cilët duan që ta imponojnë në dëm të Shqipërisë dhe të shqiptarëve “zgjidhjen” e çështjes së pazgjidhur shqiptare, duke e krahasuar se “Kosova dhe Serbia” duhet të ndjekin “modelin e dy Gjermanive”, në vend se të thonë: “Kosova dhe Shqipëria duhet të ndjekin modelin e dy Gjermanive”(!) Po, cilët na qenka ata “ndërmjetës” dhe “miq” ndërkombëtarë?…
Dhe, pyetja themelore që duhet të shtrohet këtu është: Pse nga ata “ndërmjetës” të “paanshëm” ndërkombëtarë nuk thuhet se Kosova dhe Shqipëria duhet ta ndjekin modelin e dy Gjermanive, duke u bashkuar Kosova me Shqipërinë, nga e cila është shkëputur padrejtësisht, me vendime politike të Fuqive të Mëdha, që në 1913 e këtej.
Prandaj, Shqipëria dhe Kosova duhet të ndjekin modelin e dy Gjermanive, duke u bashkuar Kosova me amën e saj – SHQIPËRINË dhe kurrë e në asnjë situatë ndryshe.
Modeli që na propozojnë dhe imponojnë “ndërmjetësit” dhe “miqtë” ndërkombëtarë është model i propozuar nga vetë serbët që flasin rusisht e ndërkombëtarisht, me mjete të sofistikuara diplomatike dhe është model aq antishqiptar sa vetë ata “miq” dhe “ndërmjetës” ndërkombëtarë.
Këtu duhet thënë e përfunduar se modelin e dy Gjermanive duhet ta ndjekin dy Shqipëritë, Shqipëria dhe Shqipëria e pushtuar (Kosova me viset e tjera të saj në ish-Jugosllavi, si dhe Çamëria në Greqi). Kjo është ajo që duhet ta thotë dh eta imponojë në çdo tryezë bisedimesh secili ndërkombëtarë që është në ballë të atyre proceseve, duke e ditur njëherë e përgjithmonë se Kosova është tokë shqiptare e pushtuar nga Serbia dhe ish Jugosllavia dhe Serbia, ende, orvatet ta mbajë për koloni të saj…
Dhe, ajo që na intereson të dimë për fund të këtij opinion, është fakti se si e ndiejnë veten ata e këta “ndërmjetës” dhe “miq” ndërkombëtarë të shqiptarëve, kur dalin botërisht aq antinjerëzorë dhe antishqipytarë?…