KRAHU I BINAK DINAJT (VIDEO)

KRAHU I BINAK DINAJT (VIDEO)

Nga Agron Gashi

Është fat t’i kesh dy duar; njëra lan tjetrën, të dyja fytyrën. Mjafton ta kesh dhe një, për të qenë faqebardhë. Dikujt edhe dy nuk i mjaftojnë për ta mbuluar faqen e zezë, që ‘ia qesin’ vetes e këtij vendi edhe ashtu të dërmuar. Sidomos, ata që ngrenë dorën dhe betohen para drejtësisë kinse “për të thënë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën“, duhet ta kujtojnë dorën e Binakut, të Binak Dinajt dhe shumë të tjerëve si ai.

Po ashtu, qeveritarë, politikanë, deputetë jo rrallë ngritin dorën dhe vendosin për fatin tonë. Një e ngritur dore nga ta, mirë a keq, është vendim për të tjerët. Porse, një e ngritur dore mund të përmbysë, të rrënojë fate njerëzish, të atyre që fatin e jetën e kanë lidhur përjetësisht me këtë vend. Me e ngritë dorën është vendim, për mirë e për keq. Një e ngritur dore, nuk është thjesht sall lëvizje, është shenjë, reagim, miratim, po edhe kundërshtim. Një e ngritur dore, në ‘gjykatë’, madje edhe në Kuvend, në qeveri kundër interesave nacionale bëhet dorë vrastare. Por, edhe mosngritja për t’i mbrojtur denjësisht këto vlera a trashëgimi, po ashtu kthehet në dorë vrastare.

Ata që kanë qenë aktivisht në luftë e dinë mirë; kur kërkoheshin vullnetarë për front, që të dilnin nga rreshti ushtarak, sidomos atje ku vija e zjarrit ishte “pika e dekës”, një e ngritur dore, nuk ishte vetëm komunikim ushtarak, ishte akti ma sublim, ma heroik, prandaj dhe veprimi ma motivues.

Më së paku mendonin se në një betejë të pabarabartë, mund t’i humbnin njërën dorë a këmbë, sepse vdekjes i dilnin n’ballë. Por, në situata të vështira, jo pak herë një e ngritur dore ka shpëtu jetë.

S’mundem këtu pa e kujtu Masakrën e Dubravës. Njëri prej të mbijetuarve rrëfen se, kur i kishin nxjerrë në oborrin e burgut dhe kishin shpërthyer rafalët nga policia serbe dhe të burgosurit kriminelë serbë, të involvuar në këtë plojë, shumë prej të burgosurve shqiptarë kishin mbetur të rrezuem si lisat e premë, përdhe. Nuk dihej kush ishte i gjallë a vdekë prej tyre. Disa të shtrimë pranë njëri-tjetrit ‘tue gjimue’, jepnin shenjë se ende frymonin.

Të tjerë, në pellgun e gjakut jepnin frymën e fundit. Pak më tutje, në atë fushë vdekjeje, ‘të sakatuem, i palonin si dujtë n’arë’. Djemtë më të guximshëm, bashkëvuajtës e vëllezër të tyre, kërkonin që t’i tërhiqnin të plagosurit nga rrezja e zjarrit. Nëpër breshëri plumbash ata nuk kishin kohë t’i rrotullonin të gjithë për të kuptu se kush merrte frymë, se kujt ‘i rrehte damari’…

Këta engjëj shpëtimtarë, që një pjesë e tyre ishin nga shkolla e mesme e mjekësisë, si të ishin me flatra, iu afroheshin “të rrxuemve, tue i thirrë: Kush asht gjallë, çoje dorën!”. Ata që e ngritnin dorën, tërhiqeshin dhe iu jepej ndihma e parë, me çka kishin, “tue i deshë maicat e tyre, me ua lidhë plagët”. Të paktën, disave ua bënë vdekjen më të lehtë.

Pra, një e ngritur dore, qoftë ajo gjysmë e këputur dhe “e n’grime n’gjak”, iu ka dhanë jetë, ndaj shumë prej tyre sot janë gjallë, dëshmitarë të përjetshëm të kësaj ploje.

(Medet për ata që i kanë pasë duart blozhdë, e gjak t’ramë n’gojë, kish me thanë Hysen Bajri.)

Dora e Binak Dinajt, nuk është ngritur kurrë për ta fundosur fatin e të tjerëve, por për të vulosur fatin tonë. Ajo është ngritur herët për të mbrojtur lirinë dhe të drejtat tona. Ajo nuk është një dorë e zakonshme, si e tillë ka historinë e saj, simbolikën e saj, dëshmi e kujtesën e saj.

Ajo është e ndarë nga trupi i tij në momentin kur “dekës s’i bani leqe”.  Në luftën e fundit, një predhë e kalibrit të madh, “ia bani blozhdë”,  ia këput deri në një copëz lëkure.

Binaku, përveç veprimtarisë së hershme, ishte pjesë e një prej betejave më të njohura, Beteja e Loxhës. Atë ditë ai ishte në vijën e parë të zjarrit.  I sapoardhur nga veriu i Shqipërisë, ku për të satën herë kishte shkuar të bartte armë, edhe pse i rraskapitur, kishte marrë automatikun, kishte vënë revolen në brez dhe, me mallin e  merakun e luftëtarit të hershëm, kishte ngjeshur përkrahi edhe një mortajë dore. Lufta po intensifikohej. Djemtë si Binaku ishin afër forcave serbe, të cilat, të tmerruara lëshonin zjarr pa nda. Në një moment, ku vetëm hapat e ndanë nga forcat serbe, Binaku ngrihet në këmbë, ndezi mortajën dhe shkatërroi objektivin. Sapo uli dorën e majtë, një plumb i kalibrit të rëndë, ia këputi atë mbi bërryl.

Dora e Binakut, e varur, cangël, iu kishte bërë pengesë për tërheqje. Gjakderdhja e pazakontë, si prej dorës së majtë ma, e bënte te veten. Papritmas, në dy metra, si hije e dalë prej dheu, i shfaqet një njëri i uniformuar i palës tjetër me britma mashtruese. Binaku, i zënë ngushtë, këput dorën e vet, me orë në të, dhe e hedhë tutje. Ndërsa, me dorën e djathtë nxjerr revolen dhe me mesin e këmbëve fut fishekun në tytë dhe e zbraz në gjoks të militarit serb.

Me një dorë të këputur dhe revolen në tjetrën, mban pozicionin prej spartani, derisa njëri nga bashkëluftëtarët i vije në ndihmë. Ia lidh fort krahun e majtë. Binaku, as of, as if, me vetëdije të plotë e vë në një veturë ushtarakisht të imropvizueme. Edhe pse kishte humbur shumë gjak, teli prej plastike ia kishte ndalur disi atë lumë gjaku. Rrugës për në spitalin ushtarak, bashkëluftëtarët bashkëbisedojnë me të, mbase edhe për t’ia mbajtur vetëdijen, ai ka një kërkesë: “Ma dhezni ni cigare, se m’duel tymi”.

Me të mbërri në spitalin ushtarak të Irzniqit, fillon beteja tjetër, operimi klasik, mesjetar. Mjekët, ata heronj të prapavijës, vijnë në përfundim se dorën duhet sharruar më lart. Si? Pa anestezion! Me një sharrë të improvizuar, ia sharrojnë edhe krahun. E përsëris, pa anestezion, me sharrë dore. Binaku, për asnjë çast, nuk lëshon asnjë ofshamë, por shtrëngon dhëmbët duke iu thënë: “Prejeni ma”!

Më vonë, kur Binaku kishte marrë pak veten, bashkëluftëtari që e kishte nxjerrë prej ‘pikës së dekës’, vihet në kërkim të dorës së tij. Kërkon, kërkon, dora askund. I gjen vetëm orën e dorës së këputur. Ia sjell Binakut orën, i ngrysur se njërën pjesë të trupit nuk ia gjeti dot!! Dorën e Binakut e kishin marrë forcat serbe. Dëshmitarë të rastit, thonë se, forcat serbe, edhe pse atë ditë kishin pasur humbje të madhe, ‘nëpër shehër t’Pejës”, para qytetarëve e ngrinin dorën si trofe: “Kjo dorë shqiptari, nuk do të vrasë ma ushtarë serbë”.

Në fakt, dora e Binakut, edhe pse të ndarë nga trupi, për të satën herë po ngrihej si dorë triumfuese. Dhe, ky triumf, kjo sakrificë, jo vetëm e Binakut, por edhe shumë të tjerëve që lanë gjymtyrët e tyre, meritojnë një monument, si kujtesë e (vetë)flijimit, por edhe ‘vath në vesh’ për të gjithë ata që, në emër të drejtësisë, ngritin dorën për t’i gjymtuar për të dytën herë, duke e përdhosur këtë trashëgimi të pashoqe.

__________

Një rrëfim ekskluziv, në emisionin N’Demos, vjen Binak Dinaj, pa njërin krah, por me shpirt plot.

Rrëfimi i Binak Dinaj: Jam mërzit që mbeta me një dorë, se kam pas qef me vra më shumë ushtarë serbë

https://www.youtube.com/watch?v=79Fj21PCzYc

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura