TË VETËDIJESOHET MËRGATA SHQIPTARE NË RUAJTJEN E GJUHËS AMTARE TE FËMIJËT E TYRE

Nga Mustafë Krasniqi

ESE

Duke u marrë me mësimin plotësues të shkollës shqipe në mërgatë, konkretisht në Landin e Bavarisë, u ndala për një moment në një shikim të qasshëm, që dhe nuk e kisha arsyen pse pikërisht mbi atë shikim e shtriva një teori konspirative.

U ndala mbi tavolinën e punës, pa dashje e fika kompjuterin, ku kisha një mori të materialeve rreth shkollës shqipe në Bavari, foto që më tërhiqnin vëmendjen dhe për aq kohë sa i kisha ngulitur vështrimin, çdo gjë mori formën e përmbyllur, ekrani i kompjuterit mbeti me ngjyrën e zezë.

Dikush dhe i ka frikë ngjyrës së zezë, mbase dhe nuk e di e pse është si një figurë jo e këndshme. Por, unë, qëndrova në heshtje për një kohë dhe fillova të reflektoj rreth asaj që shihja më parë, mbi materialet dhe fotot. Edhe pse e kisha të mbyllur kompjuterin, truri im punonte ende, sikur të isha duke klasifikuar materiale e foto. Për momentin ndërroi qasja e funksionimit të trurit  dhe u mora me një qëndrim të logjikshëm, duke e pyetur veten, në monolog flisja me veten.

Thotë historia: gjuha ime, shqipja e bukur, është gjuha më e vjetër ndër gjuhët e vjetra, ashtu dhe gjaku i Arbrit është gjaku më i hershëm, rrjedh nga pellazgo-lirio-shqiptarë. Duke besuar në këtë histori reale ndjeva me shpirt, zemër e mendje në ato çaste se qenkemi me fat që jemi shqiptarë!

Kjo dhe më dha kurajo, padashje më ikën lot faqeve, të gjitha këto që vërviteshin në mendjen time kishin një arsye; Sikurse kishte arsye ajo që isha i mbërthyer në fotot dhe materialet, që i lexoja dhe i shikoja më parë në kompjuterin tim. Papritmas, instinktivisht thashë: Këto dokumenta e foto do të mbete të ruajtura në një arkiv, dëshmi se kush ishim, ç ‘bëmë dhe dhamë për gjuhën, identitetin dhe kulturën kombëtare…?

Ekzistenca e kësaj bote është e përkohshme edhe pse është dhuratë për ne; thonë të gjithë, por të gjithë nuk e konceptojnë njëjtë, thua se kanë frikë. Vërtet dhe kanë frikë, të cilët nuk e kuptojnë e pse kanë frikë, kur vetë ligjshmëria e natyrës-Zoti na ka përcaktuar ndërrimin e jetës, njëkohësisht ta duam jetën sikur të mos vdesim kurrë! Koncepti për çka isha përcaktuar filloj të dyzohet me krahasime, duke u nisur nga ajo se ekzistenca në këtë botë është një dhuratë e ndjeshme dhe e përkohshme.

Thjesht u ndala te ikja e dyfishtë, e cila ishte bërë e zakonshme mbase edhe shumë e dëshiruar të marrësh rrugën e ikjes dhe të lë dashurinë, aromën e atdheut në pritje, pa djepa, fëmijë të lindur e të rilindur dhe kullat pa tymosje të oxhakut. Të gjitha këto i analizova me një logjikë të qetë në tavolinën e punës, e thash: A po e kuptojmë se një ditë në këtë rrugëtim të jetës, sa e dëshpëruar dhe argëtuese, do të merr fund. Ajo që do të ngelet si vlerë, kundër zënkave, lakmive, arrogancës, urrejtjes dhe përçmimit e injorancës, është dashuria për jetën, atdheun, gjuhën dhe kulturën!

Në ndërrim të mendimit thash: sa jemi duke e ruajtur vlerën kombëtare jashtë atdheut? Sa po e ndërtojmë vlerën e të qenurit shqiptar? Sa po e respektojmë gjuhën amtare, identitetin dhe kulturën kombëtare-shqiptare?

Të gjitha këto pyetje të vargëzuara, sikur nuk kanë pikë rëndësie, për shumë kë! Madje sikur dhe krenohemi që po e harrojmë fjalën e bukur të shqipes, këngën e mrekullueshme, të cilën po e përbaltim me një ritëm të çoroditur. E cila nuk synohet më për vlerë, e vlera ikë në vlera injorues duke i dhënë hapësirë atij që në këngën e tij apo të saj ka sharjen e fyerjen, zhveshjen, çoroditjen!

Thjesht po ndalem atje ku fillova, te shkolla shqipe në mërgim, konkretisht në Gjermani, në landin e Bavarisë. Ku kisha dhënë shumë për hapjen e shkollave shqipe e ende jam në atë rrugëtim, me ca veprimtar, bashkëkombës, që misioni i mësuesit, vizioni për ruajtjen e gjuhës amtare të jetë si qëllim parësor për bashkëkombësit, ruajtja e gjuhës amtare tek fëmijët të cilët kanë filluar ta belbëzojnë.

Mbrëmë mbi 4 orë folëm për mësimdhënësit vijueshmërinë e fëmijëve në shkollën shqipe dhe pyetëm se sa jemi të vëmendshëm në ruajtjen e gjuhës kombëtare? Çuditërisht me dhimbje të madhe analizova shqetësimin e mësimdhënësve, të vullnetarëve për mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Të gjithë flisnim për mungesën e nxënësve në shkollën shqipe, madje flisnim edhe për prindërit që fare pak kanë interes për t’i dërguar fëmijët në shkollën shqipe. Thjesht i dëshpëruar po e them për ju shqiptarë, kudo që jeni!  Mos të ikim nga vlerat, të mashtrohemi kot pas pasurisë materiale, lekëve, kur fëmija i juaj nuk e di gjuhën amtare, nuk ta njeh identitetin, nuk e di kush është atdheu i tij, e për çfarë vlere flasim ne mërgimtarët! Për atë që kemi vetura të shtrenjta, apo për çka? Me apo pa dashje po e injorojmë gjuhën amtare, nuk po e përfillim si duhet. Dikur Rilindësit, përpos pasurisë jepnin edhe jetën në ruajtjen e gjuhës, sot në botën moderne të heshtur po e harrojmë  gjuhën mëmë.

Në këtë konflikt mendimesh e qetësova veten me fjalë të buta, por ajo që më trazonte ishte: miliona euro japin për ndërtimin e Xhamive në mërgim-shqiptarët, për këngëtar të klubeve, me këngë tallava me qindra e mijëra euro! A nuk është injorim që fëmijët t’i dërgojmë në mejtepe, për të mësuar germat arabe, e me mësim plotësues në shkolla greke!? Vërtet, ta injorosh gjuhën tënde është më shumë se krim dhe kjo nuk përpihen vallë!

Këto veprime nuk do të na shërbejnë për ruajtjen e kulturës dhe gjuhës. Të gjithë ne, si brezat e mëparshëm do të ikim një ditë për në botën tjetër, por nipave dhe pasardhësve tanë çka do t’u lëmi pas? Pra, pas do t’ua lëmë harrimin e atdheut, të gjuhës, kulturës dhe identitetit e shqiptarit!

 Po e përmbyll këtë shqetësim: njerëz, mërgimtarë të dashur, bëni një jetë me kuptim, duke vlerësuar atdheun, gjuhën amtare e duke lënë gjurmë të thella në ruajtjen e fëmijëve nga asimilimi. Koha na ka mësuar se dimë të asimilohemi lehtë, ku nëpër botë jemi shpërndarë si zogjtë e qyqes e mbi 30 milionë shqiptarë jemi jashtë tokave të atdheut, tash pritet në heshtje edhe një zbrazje e re.

Po ikin profesorë, mjekë, inxhinierë e kush jo dhe po zbrazet atdheu i shqipeve nga shqipet!

Në fund ta kuptojmë se humbja e gjuhës është tragjedia e kombit, se humb edhe kombi!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura