FATMIR MINGULI: RACIONALITETI I VESEL XHAFERRIT, KONCEPT MODERN DRAMATURGJIK

Durrës, 12. 10. 2016: (Një vështrim kritik mbi dramën epike “Era e gjakut: Sulltanë Qafa” të Vesel Xhaferrit) – Të shkruash drama me subjekt shqiptar, sot duket si një çudi, kur skenat e atyre pak teatrove shqiptarë janë uzurpuar nga dramat trendy. Të shkruash dramë epike për historinë e shqiptarëve ndoshta mund të jetë dhe një blasfemi. Por Vesel Xhaferri, ky artist shumë dimensional, nuk ka frikë as nga dramat tredy e as nga blasfemitë.
Ai në vitin 2014 shkroi dramën epike” Era e gjakut: Sulltanë Qafa” dhe e realizoi me sukses, jo vetëm për subjektin e jashtëzakonshëm por dhe për artin dramaturgjik me të cilin e thuri këtë dramë.
Sa më i jashtëzakonshëm është subjekti po aq i veçantë, me stil të personalizuar është dhe trajtimi artistik i kësaj drame. Vesel Çeliku nuk është rastësor në realizimin e kësaj drame, sepse stili i tij është ushqyer nga dashuria për tokën shqiptare, nga profesioni i tij, nga eksperiencat e fitura në jetë dhe në studimet e tij në Zvicër në degën e fakirëve, nga ardhjet e shpeshta nga Zvicra në vendlindje etj.
Ndonëse jo voluminoze, kjo dramë është nga më shqiptaret, e shkruar në aeralin shqiptar, një dramë që lexuesin e rikthen në kohë si një ” makinë e kohës”. Po citoj atë çka thotë vetë Vesel Xhaferri, shqiptari nga Cërvica e Kërçovës:
“Ngjarja historike ndodh në një katund malor Qafë (1912-1913), që gjithmonë si territor malor i ka takuar Kërçovës, por pas luftës së dytë Botërore, me ndarjen teritoriale, për arsye të njohura politike pa vullnetin e banorëve i jepet Gostivarit. Edhe pse, fshatarë edhe sot e kësaj dite si dikur, pazarin e bëjnë në qytetin e Kërçovës.”

Kaq thotë Vesel Xhaferri, por tek lexon të gjithë faqet e kësaj drame ndoshta do kërkosh të shkosh e të bësh një pelegrinazh në këtë fshat të shenjtë e të befasohesh nga statuja e vajzës heroinë Sulltanë.
Drama tregon artistikisht trimërinë dhe guximin e saj mitologjik ku me gërshërën e dhenve i doli zot pragut të shtëpisë, tokës së të parëve duke vrarë tre uzurpatorë.
E gjithë ngjarja zhvillohet në ambjente të brendëshme shtëpishë të fshatit malor dhe vetëm ne aktin e fundit ndryshon dhe metafora e dhomave, nga tre dhoma të mbyllura në tre aktet e parë që personifikojnë ankthin ndaj së panjohurës drejt oborrit dhe sheshit të hapur çka nënkupton lirinë e sigurtë dhe mposhtjen e uzurpatorëve. Është kjo artificë që e ngarkon psikologjikisht dramën dhe e koncepton artin e kësaj drame jo si një tregim i vetës së parë në drejtvizoritet por me dallgët e ndjenjave në zemrat e malësoreve shqiptarë.
Xha Mazllëmi, plaku i shtëpisë dhe e reja Sulltanë janë dy personazhet kryesorë të dramës që i përcjellin njeri tjetrit gjithçka të guximshme për mbrojtjen e lirisë. Ja si flet ajo, e reja Sulltanë në këtë dramë:
“Date, a më tregon se nga vijnë këto far komitash e t’ua shuajmë zërin njëherë e përgjithmonë këtyre qenëve, që ta lenë rehat mes maleve.”
Në dramë hyne e dalin shumë njerëz, fshatarë aty për rreth, të ardhur nga qyteti që bien lajme ogurzeza për popullsinë shqiptare, por dhe hoxhë Mislimi, njeriu i urtë e atdhedashës. Ndërsa uzurpatorët në dramë nuk kanë emra, veçse “shkau” për komandantin e “shkiet” për të tjerët.
Por e keqja po i afrohej fshatit Qafë e hordhitë e pushtuesit sllav u dukën në fshat. Drama kthen timonin e ngjarjeve dhe nga fjalët shkohet në veprime lufte. Pas shumë luftimesh vajza trime Sulltanë çan me gërshërët e dhenve tre burra, e që paskëtaj ata ikën…duke e lënë këtë fshat ashtu të lirë, siç ka qenë në jetë të jetëve.
Artisti Vesel Xhaferri sjell me këtë dramë pikërisht thënien e Brehtit të madh ku theksohej se “Theatri le të jetë vendi ritual i Zotit të gjërave ashtu siç janë.” Vesel Xhaferri arriti me këtë dramë të riprodhojë tabllo të gjalla të ngjarjeve të ndodhura, por thjeshtë të ritushuara fare pak, ngjarje ku shtjellohen përplasjet e popullsisë shqiptare me të huajt, në malet që kanë sinonim lirinë. Autori nuk e bëri këtë dramë as për të tregtuar moral e as për të predikuar didaktikë. Por ai trashëgon mistikën e ngjarjeve dhe e sjell këtë mistikë në faqet e “Venela2”, duke dialoguar me vetë lexuesin e ndoshta edhe me spektatorin e ardhshëm.
Një paraqitje e thjeshtë e dialogut, organizimi minimal i skenave, janë në përputhje të plotë me parimet primare të dramaturgjisë. Kur është fjala për zakonet dhe jetën e thjeshtë, kur flitet për konfrontime të vendasve me pushtuesin, kur feja trajtohet ndryshe nga vendasit dhe krejt ndryshe nga pushtuesi, atëhere zbukurimet dhe komplikimet veç e shëmtojnë jo vetëm dramën por dhe gjithçka tjetër që drama personalizon.
Ndërtime të tilla të mizanskenave për një ngjarje të vetme rezulton te jenë origjinale.
Tek shkruaja këto vështrime për dramën e Vesel Xhaferrit, seç më paralelizoheshin disa kujtime nga drama ” 7 Shaljanët” e Ndrek Lucës, e shkruar në vitin tashmë të largët, 1958 dhe që u vu me shumë sukses në skenë nga trupa e Theatrit Popullor në Tiranë. Paralelet janë jo vetëm për subjektin, por për guximin e shkrimtarëve, talentit dhe shpirtit të tyre të madh.
Eshtë një nder i madh që i behet atdheut, shqiptarëve, Kërçovës…Pa dyshim se një falenderim i veçantë i shkon Shoqatës së shkrimtarve shqiptarë të Kërçovës ” Mugullimi” dhe Komunës së Kërçovës, të cilët e kanë skanuar këtë ngjarje me pelegrinazhin e bërë në fshatin Qafë e ku me dhjetra shkrimtarë nga mbarë trojet shqiptare kanë krijuar artistikisht për këtë ngjarje madhore.
Po kështu shtëpia botuese “Asdreni” e Shkupit, me drejtor shkrimtarin dhe publiçistin Kalosh Çeliku, ka meritën e publikimit të kësaj drame. Eshtë koha që pritet gjallërimi i vajzës Sulltanë Qafë, është koha që era e gjakut të risjellë vemendje te kushdo, jo për epizëm por për një problem tepër madhor, për një të vërtetë të madhe e cila më bukur se në çdo gjë tjetër, pasqyrohet në dramën “Venela 2, era e gjakut: Sulltanë Qafa”.
Durrës tetor 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura