Nga Rexhep Kasumaj
TERRORISTËT QË VIJNË TASH NJËQIND VJET…
(Bashkimi si një aksident historik)
Shteti serb në gjithë ekzistencat e tij ishte terrorist. Ideologjitë e format i kishte të ndryshme. Por imanenca e krimit mbetej e përhershme.
Ndaj, ata sërish do të vijnë, e do të vijnë. Tani apo në një kohë të dytë.
Regjimet e tyre i bashkon si një fije e kuqe Kosova. S’ka rëndësi ngjyra, profili dhe as kultura e proklamuar.
Gjingjiqi do të shpallej shpresa ëndërrtare e një Serbia tjetër. Të re. Libertare. Dhe europjane të zjarrtë.
Por edhe kjo tjetra gjingjiqjane, anise shprehej bëlbëzisht për Kosovën e lirë, kërkonte hise në këmbim. E pra, një zgjidhje tregtare. Trualli, prorë shqiptar, gjaku e ploja nuk ishin të mjaftë për asnjë të drejtë pavarësie.
Ndaj dhe: ata sërish do të vijnë. Me flamuj të autonomisë apo flamuj të prerjes.
Përse vetëm Ballkani perëndimor ka mbetur jashtë portës së Europës?
Rreze qytetnuese otomane?
Keqkuptim i demokracisë? Ngecje në shtetin e së drejtës? Minoritete të ndrydhura?
Të gjitha janë, por kurorë mbi to qëndron një faktor tjetër. Kjo është një zonë e hirtë ku shtetet: ose nuk janë kryer fare ose janë kryer gabim!
Dhe, kështu, zona vijon të jetë mjegullore. Territore që lëkunden dhe krijesa që nuk i besojnë agut të ri: kumtit të tij, të bardhë a të zi…
Bashkimi shqiptar, që këtej, do të ishte i drejtë dhe natyral.
Dhe, atëherë, ata nuk do të vinin më. Kurrë.
Por kush pyet për të drejta në këtë botë?
Është vetëm fuqia që prenë mote e promovon realitete të reja gjeopolitike.
Rrjedhimisht, pra, shqiptarët mund të bashkohen njëj vullneti të fuqive aleate ose atllantike.
Veçse jo në tryezën e blertë. E me dolli vere. Por në flakën e një aksidenti të madh historik!